15.8 C
Tirana
E mërkurë, 21 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Kush do t’i mësojë brezat që vijnë?

Kush do t’i mësojë brezat që vijnë?

0
Anisa Greva

Anisa Greva

A është vërtet faji i brezit të ri, apo kemi harruar se çfarë peshe ka profesioni i mësuesit?
Kanë kaluar rreth 18 vjet që kur aplikova për të vazhduar universitetin, por disa gjëra i kujtoj sikur të kishin ndodhur dje.

Në formularin e aplikimit kishim mundësi të zgjidhnim dhjetë degë studimi. Zgjedhjet e fundit shpesh bëheshin jo sepse i dëshironim vërtet, por si një lloj sigurie, që të mos mbeteshim pa shkollë të lartë. Vendosnim degë që i konsideronim si alternativë të fundit, ku kriteret e pranimit ishin më të ulëta dhe mesatarja nuk përbënte ndonjë pengesë të madhe.

Ndër këto degë, kujtoj se ishin edhe degët e mësuesisë.

Dhe pikërisht këtu fillonte dilema ime: a duhej të vendosja edhe unë një degë të tillë në formular, thjesht për të qenë e sigurt se nuk do të mbetesha pa universitet?

Nuk e shihja mësuesinë si një zgjedhje të zakonshme. Të jesh mësues do të thotë të mbash mbi supe përgjegjësinë për breza të tërë. Është profesion, por është edhe mision. Kërkon dije, përkushtim, karakter dhe vetëdijen se, përtej asaj që u mëson nxënësve, ti je edhe një model që ata e shohin, e dëgjojnë dhe, shpesh, e mbajnë mend për gjithë jetën.

Në fund të fundit, të gjithëve na kanë mbetur në kujtesë njerëz që kanë lënë gjurmë tek ne. Edhe unë, kur kthehem pas në vitet e shkollës, nuk kujtoj me ndonjë nostalgji mësuesit që na linin hapësirë të bënim rrëmujë, pa shumë rregulla e pa shumë kërkesa. Kujtoj mësuesit striktë, qytetarë, të drejtë, ata që dinin të vendosnin kufij dhe që na përcillnin dije. Ata që nuk përpiqeshin vetëm të mbaronin orën e mësimit, por të na linin diçka me vlerë.

Sepse një mësues i mirë nuk është ai që thjesht e mban klasën të qetë, as ai që kërkon bindje pa shpjegim. Është ai që di të vendosë ekuilibrin mes autoritetit dhe mirëkuptimit, mes kërkesës dhe mbështetjes, mes disiplinës dhe njerëzillëkut.

E megjithatë, më lindte shpesh një pyetje: Si ka mundësi që për t’u bërë mësues, një profesion kaq i rëndësishëm për shoqërinë, duket sikur mjafton kaq pak?

Sot, pas kaq shumë vitesh, pyes veten nëse kjo pyetje është ende aktuale. A kemi ndryshuar vërtet mënyrën si e vlerësojmë mësuesinë, apo thjesht kemi ndryshuar emrat e reformave dhe mënyrën si i zbatojmë ato?

Natyrisht, mesatarja nuk është gjithçka. Një numër në dëftesë nuk e përcakton i vetëm sa i aftë do të jetë dikush si mësues. Ka njerëz me rezultate të shkëlqyera që nuk dinë të përcjellin dije dhe të tjerë që, përtej notave, kanë aftësi të jashtëzakonshme për të komunikuar, për të frymëzuar dhe për të kuptuar nxënësit.

Por kjo nuk do të thotë se kriteret duhet të jenë të dobëta, të paqarta apo pa një standard të mirëfilltë. Përkundrazi, kur bëhet fjalë për një profesion që ndikon drejtpërdrejt në formimin e brezave, përzgjedhja duhet të jetë e kujdesshme, përgatitja serioze dhe vlerësimi i vazhdueshëm.

Nuk mjafton të pranosh dikë në universitet. Duhet të sigurohesh që ai person po përgatitet për një profesion që kërkon shumë më tepër sesa një diplomë.

Dhe këtu lind pyetja tjetër: a është faji i brezit Gen Z që, sipas disa kritikave, nuk i përmbush gjithmonë pritshmëritë tona? A duhet t’i fajësojmë të rinjtë për mënyrën si studiojnë, si sillen apo si e shohin të ardhmen? Apo duhet të shohim edhe sistemin që i edukon, kriteret me të cilat i përzgjedh, universitetet ku përgatiten dhe kushtet në të cilat do të punojnë?

Është gjithmonë më e lehtë të fajësosh një brez sesa të analizosh një sistem.

Të rinjtë nuk e kanë ndërtuar të vetëm këtë realitet. Ata janë produkt i familjes, i shkollës, i shoqërisë dhe i mundësive që u janë ofruar. Kjo nuk do të thotë se janë pa përgjegjësi për zgjedhjet e tyre, por as nuk mund të pretendojmë se përgjegjësia mbaron tek individi, ndërsa institucionet që duhet ta formojnë atë mbeten jashtë kritikës.

Nëse një sistem e trajton mësuesinë si një alternativë rezervë, nuk mund të habitemi kur shoqëria fillon ta shohë si të tillë. Nëse përzgjedhja nuk garanton standarde të qarta dhe formimi profesional nuk shoqërohet me kërkesa serioze, atëherë problemi është shumë më i thellë sesa një brez i vetëm.

Sepse mësuesi nuk është thjesht një person që hyn në klasë dhe shpjegon një mësim. Ai është njeriu që mund t’i zgjojë një fëmije dëshirën për të mësuar, t’i japë besim një nxënësi që nuk beson te vetja, t’i mësojë një të riu se dija kërkon përpjekje dhe se respekti nuk fitohet duke ngritur zërin, por duke qenë i drejtë dhe i përgatitur.

Një mësues mund të mos e kuptojë kurrë plotësisht ndikimin që ka pasur te një nxënës. Ndoshta, vite më vonë, ai nxënës do të kujtojë një fjali, një këshillë, një kërkesë të drejtë apo një moment kur dikush besoi tek ai. Dhe pikërisht aty kuptohet pesha e këtij profesioni: puna e mësuesit nuk mbaron gjithmonë kur bie zilja e shkollës.

Prandaj, mësuesia nuk duhet të jetë dega që vendoset në fund të formularit vetëm për të mos mbetur pa universitet. Duhet të jetë një zgjedhje që bëhet me vetëdije, me dëshirë dhe me përgjegjësi. Një profesion i tillë meriton të rinj që e duan, por edhe një sistem që i përzgjedh, i përgatit, i mbështet dhe ua njeh vlerën.

Ndoshta pyetja e vërtetë nuk është nëse Gen Z është një brez më i mirë apo më i keq se të mëparshmit. Pyetja është se çfarë po bëjmë ne, si shoqëri, për ta përgatitur këtë brez që nesër do të edukojë brezin tjetër.

Sepse, në fund, nuk mund t’u kërkojmë fëmijëve të nesërm të jenë më të ditur, më të përgjegjshëm dhe më të përgatitur, nëse nuk kujdesemi sot për njerëzit që do t’i mësojnë.

Dhe nëse vazhdojmë ta shohim mësuesinë si një zgjedhje të fundit, nuk duhet të habitemi nëse një ditë do të përballemi me pasojat e një shoqërie që nuk i dha përparësinë e duhur edukimit.

Një shoqëri nuk e tregon vlerën e arsimit vetëm me reformat që shpall, por me standardet që vendos për ata që do të formojnë brezat e saj.

Sepse brezat nuk formohen vetë. Dhe mësuesit që do t’i formojnë nuk duhet të jenë kurrë zgjedhja e fundit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.