Fragmente nga shkrime të ndryshme autoriale publicistike
Vallë, janë aq të koklavitur dhe jokompetent disa politikanë të ndryshëm periodikë (nga pozita dhe opozita) në Kosovë dhe Shqipëri, së bashku me editorët, themeluesit e ndryshëm, drejtorët ekzekutivë, redaktorët dhe moderatorët e ndryshëm cinikë e injorantë të portaleve, gazetave apo mediave të shkruara dhe elektronike, si kolonë e pestë dhe tufa të nënshtruara dhe të harlisura, të cilat ngarendin pas tyre si kope delesh të zeza, duke e përhapur dhe propaganduar vazhdimisht të «vërtetën» dhe «lavdinë e madhe» për liderët-parti dhe për partitë-shtet?
Apo mos ndoshta disa prej atyre janë të pajisur me shqisa dhe instinkte të kafshëve, të cilat e ndiejnë dhe e nuhasin shumë larg erën e ngordhinave të ndryshme, duke përfituar kështu „si hienat“ që përfitojnë nga luftërat në fushëbetejat e tigrave dhe luanëve dhe ua hanë shpesh prenë apo gjahun e tyre?
Nejse!
Tematika, të cilën unë dua t‘a trajtoj dhe t‘a ndaj me ju këtu, mendoj se mund të konsiderohet si jo fort e rrahur, e lëvruar, e studiuar dhe e analizuar sa duhet në mediosferën, gjegjësisht, në mediat e shkruara dhe elektronike në Shqipëri dhe në Kosovë. E sidomos çështja dhe problematika e përqasjes idealiste, materialiste, realiste, empirike dhe dialektike të trajektores së njohur në relacionin editori-redaksia-lexuesi apo teleshikuesi, respektivisht, bordet e përgjithshme editoriale dhe redaksionale, studiot ose pultet e transmetimit-emetimit, audienca, publiku, lexuesi, dëgjuesi, telespektatori etj.
Kujtoj se kjo ka ndodhur në mungesë të studimit dhe analizës së kualifikuar, intelektuale, profesionale dhe kompetente të kulturës, qytetërimit, evolucionit, revolucionit, politikës, traditës dhe historisë së përgjithshme shtetërore dhe nacionale të shqiptarëve.
Ndaj, edhe brenga dhe shqetësimi kryesor i kësaj tematike problematike, përveç të tjerash, është përballja e tri apo më shumë qasjeve, koncepteve, definicioneve, narrativave, agjendave, formulave, doktrinave dhe interpretimeve të ndryshme epistemologjike, ontologjike (gnoseologjike), antropokulturore, antropolitike, antropohistorike, antropogjeografike, eskatologjike dhe të tjera të fenomenit, kuptimit apo terminologjisë së njohur shkencore dhe humaniste mbi gazetarinë e shkruar dhe atë elektronike. E sidomos atëherë kur mendojmë dhe reflektojmë mbi publicistikën dhe letërsinë eksperimentale dhe avangardiste të E. St. Vincent Millay, Ursula K. Le Guin, Elizabeth Bishop, Sylvia Plath, A. Rich, A. Sexton, Kate Millett, Sandra Gilbert, Susan Gruber, Toril Moi, Judith Butler dhe kulturologëve e kulturologeve të tjera të shkollës elitare amerikane.
Se këndejmi, jo vetëm shteti dhe shoqëria e gjithëmbarshme njerëzore apo qytetare në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe kultura dhe informimi shqiptar, sikur ndodhen në një krizë dhe agoni të rëndë në të gjitha fushat e drejtimet e mundshme. Për të mos thënë para një kolapsi, bankroti dhe infarkti të përgjithshëm.
E sidomos në fushën e njohur lukrative dhe kompetitive të informacionit dhe mediosferës së përgjithshme shqiptare dhe kosovare, ku fjala e shkruar letrare, gazetareske, publicistike, informative, kulturore, shkencore apo akademike – të njohura dikur si ura lidhëse dhe shtylla kurrizore të dialogut, komunikimit, bashkëpunimit, koncentrimit, koordinimit, kooperimit dhe unifikimit të përgjithshëm të shqiptarëve -, sot sikur janë lëkundur, dërmuar, shkërmoqur, zvetënuar dhe zbehur tërësisht nga e ashtuquajtura «industri» apo «teknologji e sofistikuar» e gënjeshtrës, spekulimit dhe e manipulimit të gjithëmbarshëm individual dhe kolektiv. Gjegjësisht, nga etja dhe uria e madhe për të shpifur, sajuar, manipuluar, prishur dhe shkatërruar gjithçka në interes të njërit kamp (bllok) politik kundër bllokut tjetër, pa krijuar, ndërtuar dhe pan fituar asgjë.
Kështu që edhe stërkeqja, shkërmoqja dhe metamorfoza e fjalës, shkrimit, opinionit, studimit, analizës dhe mendimit të njohur shkencor, letrar, kulturor, gazetaresk apo publicistik, sikur janë kthyer dhe shndërruar në plumb, barot e municion sulmi, ataku, vrasjesh dhe pushkatimesh të ndryshme morale, shpirtërore, emocionale, intelektuale, profesionale, familjare, farefisnore, rajonale (krahinore), politike, partiake, konceptuale, ideologjike dhe të tjera, nga ana e skribomanëve, grafomanëve, egomanëve, egopatëve, gjithologëve, amatorëve e diletantëve të ndryshëm ditorë apo periodikë, të etur dhe të uritur aq shumë për një «share», për një «like» apo rekomandim në Facebook dhe në internet.
Se këndejmi, qartë se edhe pjesa më e madhe e editorëve, themeluesve, drejtorëve të përgjithshëm ekzekutivë, kryeredaktorëve, redaktorëve dhe moderatorëve të mediave të shkruara dhe elektronike, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, shpeshherë e kruajnë dhe e kapin kokën me dorë, „i shkulin flokët me thonj“ dhe mbeten pa frymë e pa tekst nga gjëma, zhurma apo shamata e madhe e fjalëve, shkrimeve, opinioneve dhe artikujve të vazhdueshëm (serikë dhe monotonikë) të artikullshkruesve të ndryshëm ditorë, të cilët i kanë vërshuar gazetat, portalet apo shtypin e përgjithshëm në Kosovë dhe në Shqipëri, të etur r të uritur aq shumë për të shkruar përditë, pa ditur të thonë dhe pa ditur të tregojnë asgjë.
Ndërkohë që shkrimet, fjalët, broçkullat, xhepurat, thënglat e paçavurat e ndryshme «senzacionale» dhe «bombastike», sikur janë ngulur dikund thellë si pyka druri apo si tehe thikash e shpatash të helmuara e të alivanosura në mendjet, zemrat, shpirtrat, kokat dhe kujtesat e gjithëmbarshme të lexuesve apo opinionit të përgjithshëm shqiptaro-kosovar, deri në kalbjen dhe qelbëzimin e tyre total dhe përfundimtar.
Kështu që edhe shkronjat vazhdimisht sikur e hanë apo e kafshojnë njëra-tjetrën nga etja dhe uria e madhe e amatorëve dhe diletantëve të ndryshëm reaksionarë dhe anakronikë, për të thënë dhe për shkruar diçka (*tabula rasa*) mbi letrën e bardhë, pa thënë dhe treguar asgjë me vlerë shkencore, intelektuale, profesionale, inteligjente etj.
Janë të tjerët, ndërkaq, nga «lagjet» e ndryshme të «trimave» apo «patriotëve të zjarrtë» të portaleve, Facebook-ut ose internet-it, të cilët vazhdimisht i mbushin pushkët dhe koburet e tyre me fishekë dhe flakë baroti – herë kundër Serbisë, herë kundër Greqisë, herë kundër të gjithë shqiptarëve, herë kundër njëri-tjetrit, herë kundër vetvetes dhe asnjëherë kundër Turqisë!
Ndonëse, kur ishte koha e luftës çlirimtare dhe heroike të UÇK-së në Kosovë, ishin pikërisht ata që qanin si gra para kamerave televizive të globit, duke i thënë botës se si çetnikët, paramilitarët ose kriminelët serbë ua kishin vrarë, masakruar dhe përdhunuar para syve gratë, motrat, vajzat e kunatat e tyre, sepse i kishin duart të ngjitura pas prapanicës.
Kështu që edhe Homeri, Shekspiri, Dante, Göthe, Shilleri, Molieri, Servantesi dhe kolosë të tjerë të letërsisë botërore mezi do t‘i kishin mbijetuar ose do t‘i kishin bërë ballë «epokës së artë» të skribomanëve, grafomanëve, egomanëve, egopatëve, gjithologëve, sharllatanëve, diletantëve, anonimëve apo artikullshkruesve të ndryshëm të pavlerë, pa histori, pa dinjitet dhe të pa identitet.
Se këndejmi, gazetaria dhe publicistika, në mënyrë shkencore apo akademike, ndahen në disa rangje, grupe dhe nivele të ndryshme: Në kulturën, gazetarinë apo publicistikën e nivelit të lartë superior; në kulturën, gazetarinë, zhurnalistikën dhe publicistikën triviale apo popullore; në kulturën, gazetarinë dhe zhurnalistikën e centralizuar, të standardizuar, forumiane apo kabinetike etj.
Në kulturën, gazetarinë dhe informacionin shqiptar (kosovar) sot sikur ka më shumë demagogë, hipokritë, gjegjësisht artikullshkrues të njëanshëm, epigonë, recidivistë, unilateralë apo monologjikë, sesa gazetarë, publicistë, analistë, periodistë apo kulturologë të kualifikuar, suplementarë, komplementarë, supervizivë, komprehensivë dhe kontemplativë (pra; njerëz, gazetarë dh publicistë të pranueshëm, të qartë, të kuptueshëm, të logjikshëm, kooperativë, komunikativë, investigativë, të besueshëm, racionalë, kritikë, konvencionalë dhe kështu me radhë).
Antropologu i njohur kulturor, Eric Wolf, duke e konsideruar antropologjinë si degën dhe disiplinën më të ngritur, më të avancuar, më shkencore, më akademike, më racionale, më kritike dhe më humaniste nga të gjitha degët apo disiplinat e tjera të filozofisë, është i mendimit se prej substancës, lëndës apo materies së njohur të antropologjisë (plus epistemologjisë dhe ontologjisë) së përgjithshme kulturore dhe kështu me radhë, u ngritën, u avancuan, u përsosën dhe u afirmuan të gjitha shkencat dhe disiplinat e tjera shkencore e shoqërore, si arti, kultura, letërsia, gazetaria (zhurnalistika), publicistika, etika, estetika etj.
Filozofia si art dhe arti si filozofi
Kohë më parë, dijetari dhe filozofi i shquar gjerman, Hans-Georg Gadamer, ka botuar një libër sie broshurë eseistike me titull «Dialogu dhe poezia».
Në këtë libër, filozofi i lartpërmendur gjerman (Gadamer), përveç të tjerash, është i mendimit se çdo vepër tjetër letrare, jo vetëm proza apo poezia në veçanti, por edhe shkrimi i njohur letrar, kulturor, gazetaresk dhe publicistik në përgjithësi, të japin ndjenjën, shijen, mendimin, përjetimin dhe ndijimin e një diçkaje esenciale dhe substanciale, e cila ka për qëllim njohjen (zbulimin), deskriptimin (deshifrimin) dhe artikulimin e shpirtit të njohur të njeriut krijues, artist, narrator, inovator dhe eksplorator. E sidomos atëherë kur nga arti i shkrimit të tij letrar, kulturor, poetik, gazetaresk dhe publicistik vazhdimisht shpërthen dhe shfaqet një forcë dhe energji e re, e cila na vë në lëvizje dhe na detyron të lëvizim, të vallëzojmë, të kremtojmë, të penetrojmë dhe të interpretojmë me ritmin, taktin, notat, tekstin, pentagramin, simfoninë dhe muzikalitetin e tyre.
Kjo për faktin se në çdo vepër të mirëfilltë letrare dhe kulturore ekziston një art dhe afri (dualizëm) i dyfishuar dhe algoritmik, me plot metafora, adiafora, mesazhe, drama, balada, romanca, elegji, alegori, apori, antologji dhe apologji të ndryshme diskursive dhe analogjike, të cilat patjetër kalojnë në një dialog të vazhdueshëm etik, estetik dhe metaestetik të lexuesit të kualifikuar, serioz, kompetent dhe apasionant me mendjen dhe shpirtin e thellë të krijuesit apo artistit të mirëfilltë, kulminant dhe ekselent.
Se këndejmi, sipas Hegelit, arti (i pandarë nga feja apo religjioni) dhe filozofia (e pandarë nga gjenealogjia e natyrës dhe gjenialiteti i shpirtit), në esencën apo në substancën e tyre, janë dy figurat apo subjektet e vetme dhe kryesore të shpirtit të njohur krijues, absolut dhe artistik, ku nuk ka asnjë formë ndryshimi apo dallimi në mes «meje» si lexues dhe «teje» si krijues i artit të spikatur dhe kulminant. S‘do mend se, gjithnjë sipas Georg Wilhelm Friedrich Hegelit, edhe kantizmi dhe intuitivizmi duhet të çlirohen patjetër nga kundërthëniet e tyre.
Për më tepër, interpretimi i njohur hegelian i botës, jetës, fenomenologjisë së shpirtit, gjenialitetit dhe gjenealogjisë së natyrës në përgjithësi është impresional, tepër i butë, miqësor, i ngrohtë, shoqëror, njerëzor, sensual, konvencional dhe alegorik. E sidomos qenësia apo ekzistenca e universit të mbyllur dhe të rrethuar në vetë gravitetin apo në fuqinë e tij, së bashku me bazën e njohur hyjnore apo profetike të çdo gjëje dhe qenieje ekzistuese, të ngritur, krijuar dhe projektuar në mbretërinë e posaçme (specifike) të të gjitha ligjeve dhe fenomeneve të mundshme natyrore dhe mbinatyrore.
Ndaj, të gjitha këto së bashku e bëjnë Hegelin njërin prej filozofëve dhe endimtarëve më të adhuruar, më të mëdhenj dhe më kulminantë të idesë, vizionit, mendimit, narracionit, racionalitetit, lirisë, objektivitetit, subjektivitetit, dinjitetit, dignitetit etj. E sidomos përpjekjet e tij madhështore për t‘i rihyjnizuar (riprofetizuar) , rikompozuar apo rikomponuar idetë, teoritë dhe pikëpamjet e njohura shkencore dhe filozofike me fenomenet e ndryshme shpirtërore, transcendentale, natyrore, mbinatyrore, ekzistencialiste, idealiste, materialiste dhe të tjera.
Me fjalë të tjera, Hegeli paraqet një institucion mendor dhe sistem të veçantë, të thellë dhe të gjithëmbarshëm në brendinë e jetës, veprës, vetvetes dhe personalitetit të tij erudit dhe poliedrik.
Ndërkohë që estetika, sipas filozofit dhe esteticienit tjetër gjerman, Alexander Gottlieb Baumgarten, është studim, analizë dhe kritikë e thellë dhe tepër e hollë (esenciale-substanciale) e shijes, formës, përmbajtjes, teknikës, idesë, teorisë, formulës dhe sintezës së përgjithshme letrare, kulturore, artistike dhe filozofike; e strukturave dhe e elitave të larta, sublime dhe relevante, e ritmeve dhe dinamikave të ndryshme lineare, inkarnative, ataraktive dhe të tjera, e trendeve, tendencave dhe lëvizjeve të ndryshme tredimensionale, matriksiale etj., e vlerave, parimeve, postulimeve të larta shkencore apo filozofike, e koncepteve, definicioneve dhe perceptimeve të ndërgjegjshme, të ndjeshme, intuitive, logjike, kritike dhe të tjera.
Me fjalë të tjera, estetika është shkenca apo disiplina e shquar filozofike, e cila e ka për qëllim shquarjen, fokusimin, skanimin, enkodimin, identifikimin dhe artikulimin e tërësisë së asaj që është e bukur dhe me vlera të posaçme shkencore, etike, estetike dhe artistike. Në fakt, po aq sa ka filozofi në artin letrar dhe kulturor, po aq ka art në filozofinë e njohur gazetareske, publicistike, kulturore, poetike etj.
U mor vesh se në tekstin, gjuhën, sintaksën dhe filozofinë e përgjithshme shkrimore, letrare, kulturore, poetike, gazetareske dhe publicistike të një krijuesi apo artisti të mirëfilltë dhe ekselent, duke qenë strofat, rreshtat dhe vargjet e tij në përputhje, harmoni dhe sintoni të plotë konceptuale, simetrike, sintetike, linguistike, sintaksore, dialektike dhe leksikologjike me gjuhën, dialektet, aksentet dhe traditat e njohura letrare, kulturore dhe të tjera të popullit (kombit) dhe vendit të tij përkatës apo respektiv në veçanti, si dhe me vlerat e njohura letrare dhe kulturore gjithandej globit në përgjithësi, si të thuash, asnjëherë nuk ka mospërputhje dhe as acarime të ndryshme shkrimore, tekstuale, dialektore, konceptuale, ideologjike, krahinore, fetare, kulturore dhe të tjera.
Kjo për faktin se e bukura, e dashura, e vërteta, sublimja dhe madhështorja, në artin e lartë letrar, kulturor, poetik, gazetaresk apo publicistik, nuk qëndrojnë vetëm në ligjet dhe rregullat e njohura të vijimësisë ose epigonisë së vazhdueshme konceptuale dhe metodologjike, por edhe në krejt diçka tjetër. E sidomos aty dhe atëherë kur arti dhe filozofia e njohur letrare apo kulturore paraqesin një lloj norme, vlere, parimi dhe postulimi të lartë shkencor, letrar dhe kulturor.
Idetë dhe teoritë e njohura shkencore apo metodologjike quhen vlera, ligje, parime të larta dhe postulime, ndërsa ato të tjerat quhen supozime, prognoza, hiperbola, diabola, anabola, parabola, imagjinatë ose fantazi.
Për të mos thënë këtu klishe të njohura të një gazetarie të verdhë (bulevardeske), të centralizuar, të standardizuar, forumiane dhe kabinetike.
Në fund të fundit, sipas George Orwellit: «Shoqëria konfuze, kaotike dhe anarkiste mund të ekzistojë vetëm në saje të varfërisë, robërisë së përgjithshme dhe paditurisë.»
Në këtë vorbullë, pushteti, karriera, pasuria, dija dhe morali i rremë, i stisur apo i lajkatar, sipas Friedrich Nietzsche-s, janë vetëm një trillim, kamuflim, podium apo audiencë e ulët, të cilat i përdorin dhe i aplikojnë tufat apo kopetë e harlisura të njerëzve të paditur, cinikë dhe injorantë kundër njerëzve të ditur, superiorë, intelektualë dhe inteligjentë. Në të kundërtën, luani kurrë nuk mund ta mbrojë apo ta shpëtojë vetveten nga kurthet e ndryshme, ashtu sikurse as dhelpra nuk mund ta mbrojë dhe ta shpëtojë veten nga tufat e ujqërve të harbuar dhe të uritur për gjah.
Kështu që një njeri i ditur, intelektual dhe inteligjent, sipas Nikolla Makiavelit, duhet të jetë dhelpër për t‘u mbrojtur dhe shpëtuar nga kurthet e hienave të ndryshme, si dhe tigër apo luan për t‘i frikësuar lepujt, dhelprat, ujqërit dhe hienat e ndryshme.
Një digresion:
Gafat dhe shakatë e mia, zonja dhe zotërinj të nderuar, natyrisht që nganjëherë lënë një shije të thartë, ngatërruese, plot cene, mungesa dhe mburrje. Por, natyrisht, kjo vjen ngaqë unë nuk kam respekt për ata, të cilët mund të kenë më shumë respekt për të tjerët sesa për njerëzit, popullin, kombin, familjen dhe vetveten e tyre. (Fjodor Dostojevski, «Shënime nga nëntoka»).
«Sidoqoftë, unë shkruaj ndryshe nga ato që flas, flas ndryshe nga ato që mendoj, mendoj ndryshe nga ato që them, si dhe nga mënyra se si duhet të mendoj ose gjykoj … Kështu që gjithçka procedon apo interferon në thellësinë më të errët shpirtërore, emocionale, mentale dhe psikologjike të palës tjetër kundërshtare në domenin (kontekstin) e njohur antropofetar, antropokulturor, antropolitik etj.» (Fragmente nga një metaforë e njohur e Franc Kafkës).
U mor vesh se njeriu është një udhëtar i ndërgjegjshëm dhe i përkohshëm në kohë dhe hapësirë, i cili mund ta kalojë rrugën e tij jetësore dhe profesionale me më pak apo më shumë sukses, kënaqësi, famë dhe lumturi objektive dhe subjektive, varësisht prej fatit, inteligjencës, intelektualitetit dhe profesionalizmit të tij.
Robert Briffault, përveç të tjerash, thotë se: «Është mjaft e qartë se civilizimi ynë botëror nuk do të kishte arritur deri aty ku ndodhet sot, para se të njihte, provonte dhe kalonte fazat e para të zhvillimit dhe evolucionit, së bashku me sekretin dhe gjenialitetin e ligjeve dhe fenomeneve të ndryshme natyrore dhe mbinatyrore, të cilat ndodhën të fshehura e të maskuara nga arsyeja dhe logjika (koshienca) e njeriut dhe e civilizimit tonë me një ‚vello‘ të mistershme apo enigmatike.»
Ndaj, një ndër çështjet, aspektet dhe pikësynimet kryesore dhe esenciale (substanciale) të filozofisë së përgjithshme krijuese apo artistike, përveç fuqisë nxitëse apo stimuluese, respektivisht ndikimit të saj interaktiv në kërkimet, studimet dhe analizat e njohura shkencore dhe humaniste, janë narrativi dhe shpirti i njohur hulumtues, eksplorues dhe inovator, së bashku me metodat e reja induktive, deduktive, diskursive dhe analogjike të shqyrtimit, studimit, analizës, eksperimentimit dhe vëzhgimit.
Kështu që e vetmja fuqi e njohur natyrore dhe mbinatyrore që mund t‘ju ndihmojë dhe t‘ju ofrojë mbrojtjen e duhur dhe më të sigurt, përveç Zotit (Hyjit), është fuqia e mendjes (intelektit), shpirtit dhe e besimit tuaj në vetveten dhe në vlerat e njohura universale. Duke menduar për kopshtin dhe thesarin e njohur mendor, shpirtëror, shkencor, intelektual dhe kulturor të njeriut të ditur, të përkushtuar, besimtar, racional dhe inovator.
Ndryshe nga kjo, feja apo religjioni bëjnë një gjë të dobishme dhe të mrekullueshme tek njeriu: Duke e zbritur Zotin (Hyjin) në mendjen, zemrën dhe shpirtin e tij. Ndërsa arti, shkenca apo filozofia e përgjithshme japin shpjegimin dhe definicionin më sublim dhe më relevant, duke i ngritur apo lartësuar njerëzit e ditur, intelektualë dhe inteligjentë në nivelin e në instancën e lartë të Hyjit (Zotit), engjëjve, profetëve ose apostujve.
Ndonëse filozofia e përgjithshme dhe analitike, përveç të tjerash, gjithashtu na mëson apo na udhërrëfen vazhdimisht se cila është lidhja shpirtërore, emocionale, transcendentale, intrinseke, ekstrinseke dhe koshiente apo logjike ndërmjet njeriut dhe Krijuesit (Zotit).
Kështu që arsimimi, shkenca, teknika, edukata, kultura, morali, disiplina dhe emancipimi i gjithëmbarshëm botëror apo planetar ishin dhe janë një triumf i përgjithshëm i shoqërisë së re njerëzore apo qytetare, e cila i kishte dhe i ka rrënjët e forta, më të shëndetshme dhe më dialektike aty ku parimi i njohur i lirisë së ndërgjegjes, arsyes dhe besimit përbëjnë gurin e bazamentit themelor, mbi të cilin qëndron madhështia e vërtetë e çdo kombi dhe e çdo shteti.
Edhe me rastin e revolucioneve dhe restaurimeve të njohura shkencore, industriale, kulturore dhe politike në Evropë apo në Perëndim, sikur u përzien e u gërshetuan në sfond të gjitha kombet, shtetet dhe kulturat e ndryshme, si dhe ideologjitë, me të gjitha ndryshimet dhe specifikat e tyre «ekskluzive» dhe «ekzotike» …
Rezultat i kësaj ishin shpirti dhe fuqia e njohur krijuese dhe inovative, së bashku me vullnetin, kurajën apo guximin e lartë reformator dhe revolucionar.
Nga pikëtakimi frytdhënës dhe empirik i këtyre parimeve dhe elementeve (instrumenteve) të njohura reformuese (restauruese), revolucionare dhe evolutive, lindën dhe u shfaqën më pastaj të gjitha llojet e artit, kulturës, letërsisë, filozofisë, teknikës, industrisë, teknologjisë së lartë etj.
Në anën tjetër, ndërkaq, Renesansa (Rilindja), e cila ka filluar në shekullin XIV dhe ka zgjatur plot dy shekuj ose 200 vite me radhë, respektivisht deri në shekullin XVI, mund të konsiderohet si njëra prej etapave apo periudhave më të plleshme, më reformuese, më iluministe, më evolutive dhe më revolucionare apo më restauruese në historinë e përgjithshme të kulturës dhe të civilizimit tonë njerëzor.
Shpikja e barutit dhe e tipografisë, zbulimi i Amerikës, si dhe i shteteve e kontinenteve të tjera, kozmologjia dhe astrofizika e re e Galileut dhe Kopernikut, iluminizmi, restaurimi dhe reformacioni, zbulimet e reja gjeografike, shkencore apo humaniste, së bashku me një mori risish të tjera shkencore dhe metodologjike, asokohe e mundësuan ndarjen e shkencës nga feja apo nga religjioni.
Aty i kemi edhe Leonardo da Vinçin, Boçelin, Mikelangjello Buonarroti-n, Françesko Petrarkën, Jeronim De Radën etj.
Filozofia dhe psikologjia thonë, duke pohuar njëzëri se: «Ato gjëra apo ato çështje që nuk i njohim dhe nuk i dimë sa duhet, dhe që na përsëriten dhe na kujtohen më së shumti dhe më së shpeshti, janë pikërisht ato që kemi dëshirë t‘i harrojmë sa më parë që të jetë e mundur.»
Në Kosovë dhe në Shqipëri ….
Ç‘është e vërteta, në Kosovë, rrahjet e zemrës, plagët, pezmatimet, dhembjet, frakturat, plazmimet, mburrjet, krenaritë dhe betimet e brendshme skeletore dhe gjenetike, shpeshherë sikur ecin, lëvizin apo shkojnë bashkë, të kapura dorë për dore me njëra-tjetrën.
Ndërkohë që ngjarjet dhe zhvillimet e përgjithshme në Shqipëri, si dhe në Kosovën e pasluftës, vazhdimisht sikur e sfidojnë, eklipsojnë dhe determinojnë njëra-tjetrën, në saje të ambicieve karrieriste dhe profiteriste të grupit dhe individit të vetmuar apo të izoluar në arenën vendore dhe ndërkombëtare.
Si dhe përse (pse) ndodh kjo?
Kjo ndodh sepse ndjenja e vetmisë, injorancës dhe harresës individuale dhe kolektive nga të tjerët nuk është thjesht fenomen i të vetmuarit. Jo. Por rasti i vetmisë, injorancës dhe harresës së përbashkët kolektive është një ndjenjë dhe përjetim i keq, i cili shfaqet e manifestohet në raste kryesisht të pavolitshme apo që përjetohen si të tilla; si, për shembull, në raste tragjike dhe në situata të ndryshme, si në luftë, sport, politikë, diplomaci, aksione bamirëse ose karitative, në fe, në kulturë, në traditë etj.
Vetmia e grupit (dy ose më shumë personave) është një ndjenjë thellësisht e keqe, e cila lind nga situata e ndërlikuar, e cila ngre ngulmin e trishtimit dhe nxit frikën e zhdukjes individuale dhe kolektive të një populli apo shteti dhe të një pushteti të caktuar shoqëror, qytetar apo politik, të cilët ndihen të harruar, të shpërfillur dhe të tradhtuar nga të tjerët: Nga bashkëluftëtarët, nga eprorët, nga partia, nga elektorati i tyre, nga miqtë dhe aleatët politikë ose ushtarakë, nga pjesëtarët e komunitetit tjetër fetar e kështu me radhë. Kjo vetmi shndërrohet edhe në kompleks të masave të gjera qytetare dhe popullore, në sindromë apo në kompleks të madh inferioriteti dhe malicioziteti përballë të tjerëve.
Një popull ose komb i tërë kaplohet nga ndjenja e vetmisë dhe pasigurisë individuale dhe kolektive në raste specifike të krijuara nga një politikë e keqe e pushtetit, nga lakmuesit për pushtet, si dhe nga shtete të tjera, përmes bllokadave, izolimeve, shantazheve, presioneve apo shtypjeve të llojeve të ndryshme.
Rasti i «Gjykatës Speciale» në Kosovë, i «Asociacionit» (Kosovë), i SPAK-ut dhe i demonstratave të fundit (Shqipëri), si dhe shumë sfida të tjera, lirisht mund të quhen izolim, bllokadë, harresë ose një vetmi e imponuar ndaj grupit dhe individit nga faktori i brendshëm shqiptar apo kosovar, si dhe nga ana e bashkësisë së gjerë ndërkombëtare.
Faktorët e mundshëm determinantë apo paradigmatikë, në këtë kontekst paradoksal, reaksionar dhe anakronik, janë të shumtë dhe të shumëfishtë.
Kjo duke filluar nga sindromat apo nga komplekset e Edipit ose të inferioritetit, për të vazhduar me sferat dhe çështjet e tjera.
Situata dhe aktualiteti politik në Kosovë dhe Shqipëri sikur ngjajnë me një lojë shahu, ku aktorët e protagonistët aktualë të shteteve dhe pushteteve të atjeshme, në vend të përmbylljes së lojës së tyre me shah-mat, siç duket, kanë zgjedhur apo preferuar pat-pozicionin politik dhe diplomatik.
Kjo për arsye se akoma nuk është e qartë renditja apo konstelacioni përfundimtar i forcave dhe i figurave kryesore në shahun e njohur të politikës dhe diplomacisë botërore.
Kështu që edhe pala serbe, duke përfituar nga «pat-pozicioni» i palës shqiptare apo kosovare, vazhdon të taktizojë e të manovrojë në fushën e kundërshtarit, pa i prekur dhe pa i provokuar në esencën apo në substancën e tyre rivalët e saj, deri në zgjidhjen statusore dhe politike në Kosovë, e cila përkon edhe me epilogun përfundimtar të luftës në Ukrainë.
Kjo për faktin se serbët kanë frikë nga fiaskoja dhe disfata luftarake apo ushtarake e Rusisë në Ukrainë, ndërsa Kosova dhe shqiptarët kanë frikë nga bojkoti dhe nga izolimi i mundshëm (total) nga ana e Brukselit dhe Uashingtonit, në rast të moszbatimit e mosratifikimit të «Asociacionit» ose «Zajednicës (Republikës) Serbe» në veriun e Kosovës ose të Mitrovicës etj.
Në anën tjetër, ndërkaq, përmes narrativit apo sindromës së mbjelljes së frikës së antropomorfizuar, të valorizuar dhe të glorifikuar në ide dhe në teori të ndryshme spekulative, konspirative dhe dekonspirative mbi shpërthimin e mundshëm të ndonjë lufte të re, me pasoja të zhdukjes individuale dhe kolektive të popullit të shumëvuajtur dhe të martirizuar në Kosovë, e shohin ekzistencën apo mbijetesën e tyre disa biznes-politikanë të korruptuar, të tredhur, të paditur dhe të trafikuar (kontrabanduar) atje, qoftë nga pozita (pushteti), qoftë nga opozita.
Ekspertët e kualifikuar dhe kompetentë shpesh thonë se në fushën (tabelën) apo në lojën e njohur të shahut, ndër të tjera, janë tepër të rëndësishme mbrojtja dhe fitoret e vazhdueshme të mbretit (pra; të popullit dhe të shtetit).
Gjithçka tjetër i takon mbretëreshës (pushtetit apo qeverisë), të cilën lojtarët e sprovuar dhe me përvojë nuk e japin dhe as nuk e sakrifikojnë kurrë për një kalë (torë) apo një ushtar të thjeshtë në fushë. Kështu është edhe me mendimin apo me opinionin e shfaqur publik, politik, diplomatik ose analitiko-strategjik, i cili vazhdimisht i nënshtrohet ligjit të njohur të gravitetit së baraspeshës së njohur morale (etike), intelektuale, profesionale, patriotike, metaestetike etj. Duke i ngjarë kështu një «lavjerrësi» apo këndmatësi profesional dhe metaestetik, në atë mënyrë që poli ose krahu i djathtë i tij është gjithmonë i njëjtë apo i barabartë me të majtin në raport me epiqendrën, gjegjësisht me pikën qendrore të baraspeshës së gravitetit, sidomos në fushën e njohur shtetërore, nacionale, institucionale, politike, diplomatike ose profesionale.
Është e kuptueshme se në politikën e lartë apo në diplomaci janë me rëndësi parësore dhe ambivalente shquarja, enkodimi, deshifrimi, deskriptimi, manuskriptimi, transkriptimi, identifikimi, artikulimi dhe postulimi i koncepteve, ideve dhe teorive të njohura shkencore dhe humaniste, së bashku me universalizimin dhe realizimin praktik dhe teorik të vizioneve, idealeve, aspiratave dhe interesave të larta shtetërore, nacionale, politike, diplomatike, kulturore, historike, ekonomike, strategjike dhe të tjera.
Kjo do të thotë se përsosmëria dhe perfeksionizmi i njohur politik dhe diplomatik, në radhë të parë, kërkojnë mëshirën e fatit dhe shëndetit të përgjithshëm trupor (fizik), mendor ose psikologjik, përvojën e viteve, krahët e kohës, dritën e dijes dhe të diturisë, shpatullat (krahët) e miqve dhe të aleatëve të fortë dhe dorën e Zotit.
Në instancë të fundit, mosbesimi, skepticizmi dhe ateizmi i përgjithshëm politik dhe diplomatik janë të pranueshëm dhe të kuptueshëm deri atëherë kur i zbulojnë, arsyetojnë dhe i justifikojnë shkaqet, motivet dhe arsyetueshmërinë e një «besimi» (mosbesimi) të thellë.
Njerëzit apo populli (kombi) nuk janë si substancat kimike, të cilat ose puqen dhe bashkohen në mes veti, ose shuhen dhe shpërbëhen fare.
Jo, çfarëdo qoftë.
Çfarë iu nevojitet më së tepërmi politikës, shtetit, pushtetit (pozitës), opozitës dhe shoqërisë së gjithëmbarshme në Kosovë dhe në Shqipëri?
Politikës, shtetit, pushtetit, popullit dhe shoqërisë së gjithëmbarshme shqiptare apo kosovare sikur iu nevojiten reforma, ndryshime, transformime, anamneza, skanime, ekzaminime, ekspertiza, përqendrime, analiza dhe studime të veçanta për t‘i njohur, zbërthyer, detektuar (deshifruar) dhe kuptuar deri në fund ato.
Ndërkaq, për të nxjerrë, mësuar apo kuptuar diçka nga skena, panorama dhe mozaiku i përgjithshëm shqiptar ose kosovar, në këtë veçanti apo specifikë shkencore dhe metodologjike, do t‘i kisha përfshirë edhe dallimet esenciale dhe substanciale në mes analizave të njohura shkencore, politike, strategjike e gjeopolitike dhe interesave të larta shtetërore, nacionale, politike, historike, gjeografike dhe të tjera të Kosovës dhe të shqiptarëve.
Po e theksoj përsëri se disa të ashtuquajtur liderë apo politikanë të ndryshëm ditorë apo periodikë në Kosovë, të dehur, të verbuar, të hipnotizuar dhe të atrofizuar nga një lloj subjektivizimi dhe sugjestionizmi të konsiderueshëm të tipit hipnotik, paranojak ose skizofreniko-oligofrenik, me pamje apo me shfaqje trishtuese, diabolike dhe parabolike të profileve të ndryshme ataviste dhe ekstatike, kanë bërë që Kosova dhe shqiptarët t‘i ngjajnë një karantine apo klinike të madhe neuropsikiatrike ose neuropsikologjike, në të cilën të gjithë vuajnë nga e njëjta sëmundje apo diagnozë e bartur dhe e imponuar nga ana e eksponentëve të tyre politikë dhe parapolitikë, të cilët i kanë bërë turmat të pandërgjegjshme dhe irracionale përballë njerëzve të aftë, si dhe komponentëve të veçantë apo specifikë të atyre proceseve evolutive, kognitive dhe hipotetike atje.
Vazhdimi:
Disa shembuj konkretë nga terreni: Edi Rama, Sali Berisha dhe liderë apo politikanë të tjerë në Shqipëri, për nga «përmbushjet optimale ose maksimale» të normës dhe obligimeve të tyre ndaj kombit dhe ndaj atdheut, janë të njëjtë dhe analogë (si vëllezërit siamezë) me homologët e tyre kosovarë.
Sali Berisha, dikur së bashku me Fatos Nanon dhe të tjerë, jo vetëm që e futën Shqipërinë dhe shqiptarët në luftëra të përgjakshme qytetare Veri-Jug, por gjithashtu e penguan, e prolonguan, e afishuan, e stigmatizuan, e detronizuan dhe e komprometuan Republikën e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, si dhe në kancelaritë e tjera ndërkombëtare.
Për më tepër, ua shitën Karaxhiçit, Mlladiqit, Millosheviçit dhe çetnikëve të tjerë serbë naftën dhe benzinën shqiptare për të luftuar kundër kroatëve, boshnjakëve dhe kundër shqiptarëve.
Përderisa Edi Rama dhe Hashim Thaçi, dikur, në «stilin» dhe manirin e çaushëve dhe fetahëve të nënshtruar, të verbër dhe fanatikë të Rexhep Taip Erdoganit, Daut Çaushogllusë dhe projekteve e planimetrive të tyre makabre dhe tepër funebre kundër Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, përveç të tjerash, ranë në të dy gjunjët para trupit të pajetë të sulltan Muratit (pra; të vrasësit, dhunuesit dhe masakruesit të shqiptarëve), në «tyrbën» e tij në Fushë Kosovë.
Ndodhi kalimi i Aeroportit të Prishtinës dhe i shumë kompanive e bizneseve të tjera kapitale të Kosovës dhe Shqipërisë në duart e turqelive, e kështu me radhë. U ngritën dhe u restauruan shumë xhami, hamame, kala, ura dhe objekte turko-otomane në Kosovë dhe në Shqipëri. U serbizuan (sllavizuan) Manastiri i Deçanit dhe shumë objekte të tjera fetare dhe kulturore nga koha e ortodoksizmit të shqiptarëve të Kosovës, në favor të popëve, vlladikave dhe kallugjerëve serbë.
Mos të flasim këtu për gafat, cenet, lëshimet, nonshalancat dhe koncesionet e panumërta të Ramush Haradinajt, Albin Kurtit, Kadri Veselit, Fatmir Limajt etj. Ato janë enorme.
Ndaj, edhe grafiku apo rubikoni i rënies dhe ngritjes së «prodhimtarisë» së gjithëmbarshme shkencore, intelektuale, profesionale, politike dhe diplomatike në Kosovë vazhdon të ndikohet dhe të imponohet nga disa faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.
Ndonëse, skenën e përgjithshme politike në Kosovë dhe në Shqipëri vazhdojnë ta dominojnë apo ta ambivalojnë ashpërsimet e vazhdueshme dhe permanente të pikëpamjeve, koncepteve, perceptimeve, anticipimeve apo, më mirë të themi, kontradiktave të njohura politike (dhe jo vetëm politike) të kampeve, blloqeve dhe taborrëve të barrikaduar dhe të betonuar, kryesisht në dy a më shumë pozicione ose pozicionime të ndryshme: Për shtetin dhe për republikën, si dhe ato për fenë, pushtetin dhe për karrierën.
Ndërkohë që antagonizmat apo konfliktet e mësipërme reaksionare dhe anakronike, të cilat po ndodhin në Kosovë, patjetër sikur të zhveshin dhe të çarmatosin nga imuniteti i shpërqendrimit, mosinteresimit dhe dekoncentrimit të distancuar ose imun ndaj tyre, pavarësisht largësive dhe distancave të ndryshme kohore, gjeografike, politike, partiake dhe të tjera.
Kjo për faktin se situata e përgjithshme në vendin apo nëatdheun tonë sikur reflektohet dhe interferon drejtpërdrejt edhe në përditshmërinë vepruese dhe reaguese, si dhe në gjendjen e përgjithshme shpirtërore dhe emocionale të njeriut shqiptar në Kosovë dhe në diasporë.
Edhe muza e njohur krijuese, intelektuale dhe patriotike, së bashku me konceptet, idealet dhe vizionet e larta kulturore, intelektuale dhe publicistike, sikur tremben shpesh nga përballjet e vazhdueshme ndërmjet vlerës dhe antivlerës.
Në këtë kontekst të suspektshëm dhe dubioz, sipas politologjisë apo sipas shkencave politike, vetëm përmes një koncepti esencialist ose substancialist, në kuptimin e qytetarit si «citoyen» ose «Bürger» të lartë politikë, do të mund të pajtoheshin edhe dimensioni i veçantë personal, edhe dimensioni i përgjithshëm i qenies shoqërore apo i qenies qytetare, si pjesë të individualitetit dhe të kolektivitetit.
Me konsideratë,
Agron Shabani
Dërgoi për publikim Isidora Nikollëbibaj











