Nga Prof. Dr. Pajtim Ribaj
Ky material është mbajtur në konferencën shkencore me temë “Roli i Kosovës në krijimin e shtetit shqiptar”, Tiranë, më 19 nëntor 2012.
Hyrje
Luftërat Ballkanike të viteve 1912–1913 ishin ndër dhjetëra luftërat që Gadishulli Ballkanik ka përjetuar gjatë historisë së tij. Këtyre luftërave u janë kushtuar shumë studime shkencore, të cilat nxjerrin në pah dukuri të ndryshme të tyre.
Gjithsesi, duke qenë se bëhej fjalë për një luftë të vendeve të Aleancës Ballkanike (Bullgaria, Serbia, Greqia dhe Mali i Zi) kundër Perandorisë Osmane, në të cilën ndërthureshin edhe interesa e angazhime të Fuqive të tjera Evropiane, kjo temë paraqitet e gjerë dhe komplekse. Në trajtesën e mëposhtme janë bërë përpjekje modeste, brenda një kohe të shkurtër, për të përcjellë një analizë mbi disa nga shkaqet kryesore të shpërthimit të Luftërave Ballkanike, si dhe për të dhënë informacion mbi Aleancën Ballkanike, dinamikën kryesore të luftimeve dhe betejave, raportin e këtyre luftërave me shqiptarët, si dhe disa përfundime, refleksione dhe vështrime mbi perspektivën historike e të sigurisë në mjedisin e ri të ndryshuar.
Disa nga shkaqet kryesore të shpërthimit të luftërave
Autorë të ndryshëm pohojnë se Fuqitë e Mëdha e kishin parashikuar shpërbërjen e Perandorisë Osmane gati një shekull përpara Krizës së Madhe Lindore. Madje, që nga fundi i shekullit XVIII, Parisi, Londra, Vjena dhe Shën Petersburgu mbanin plane të posaçme operative për trajtimin e problemeve në Lindje. Franca dhe, sidomos, Britania ishin përgatitur të përdornin metoda diplomatike e ushtarake për ta mbajtur gjallë “të sëmurin”. Rusia dhe Austro-Hungaria anonin nga ideja e ndarjes së plaçkës osmane. Sigurisht, për të arritur në gjykime sa më reale, duhet të shohim edhe ndikimin dhe ecurinë e mëtejshme në Ballkan të ndryshimeve në gjeopolitikën e re të kontinentit evropian, të paktën që nga fillimet e shekullit XIX. Dihet se, pothuajse gjatë një shekulli, në kontinent nuk pati luftëra të mëdha. Merita për këtë i përket Koncertit Evropian të vitit 1815.
Por, në fund të shekullit XIX, sipas G. Kennan-it, ndodhën ngjarje që e cenuan këtë ekuilibër. Së pari, u zhvendos graviteti i fuqisë nga Austro-Hungaria te Gjermania tashmë e bashkuar, pasi Austro-Hungaria nuk kishte pasur mundësi të bëhej rivale e Anglisë në det. Gjermania pati një shans të tillë, çka u krijoi britanikëve një ndjesi të thellë pasigurie dhe shqetësimi. Pas kësaj, Perandoria e re Austro-Hungareze nuk kishte ku të shtrihej tjetër, përveçse drejt Ballkanit.
Ai që ende quhej Koncerti i Evropës ishte, në fakt, i ndarë në dy grupe armiqësish: armiqësia midis Francës dhe Gjermanisë, si dhe armiqësia që po rritej midis Perandorive Austro-Hungareze dhe Ruse. Austria dhe Rusia ndiqnin interesat e tyre në Ballkan. Gjeografia dhe etnografia, thuhet në raportin e Fondacionit Carnegie, e kishin ndarë Ballkanin në dy sfera influence: atë lindore dhe atë perëndimore, sferën bullgare dhe atë serbe. Historia diplomatike i kishte futur ato ose nën influencën ruse, ose nën atë austriake. Kësisoj, ekzistonin dy tërheqje të kundërta: tërheqja “gjermane” nga veriu në jug dhe tërheqja “sllave” nga lindja në perëndim. Lugina e Vardarit, e cila e ndan Maqedoninë në dy pjesë, ishte e destinuar të bëhej arena ku të dyja influencat do të takoheshin dhe do të ndesheshin.
Vendimet e Kongresit të Berlinit bënë që popujt e Ballkanit t’i kundërviheshin Perandorisë Osmane dhe Austro-Hungarisë; për më tepër, popujt ballkanikë iu kundërvunë edhe njëri-tjetrit.
Kriza boshnjake e viteve 1908–1909, e cila përfundoi me aneksimin e Bosnjës nga Austro-Hungaria, mund të quhet me plot të drejtë një nga pararendëset e Luftërave Ballkanike. Ndërkohë, qarqet drejtuese të Greqisë synonin të aneksonin edhe territore të tjera në Shqipërinë e Jugut, si dhe një pjesë të Maqedonisë.
Këto zhvillime, së bashku me fitoren e Italisë në luftën kundër Turqisë për Libinë (1911), shihen nga shumë studiues si arsyet kryesore politike dhe shoqërore që kushtëzuan shpalljen e Luftës së Parë Ballkanike. Këto qëllime motivuan edhe karakterin progresist të Luftës së Parë Ballkanike, si vazhdim i idesë çlirimtare të luftërave ruso-turke të shekullit XIX, të cilat bënë që një pjesë e mirë e popujve të Ballkanit të fitonin lirinë.
Por lufta ndiqte edhe qëllime të tjera, të cilat mund të realizoheshin. Kjo shkaktoi kontradikta në përcaktimin e karakterit të saj. Shkalla e misionit çlirimtar të secilit prej vendeve pjesëmarrëse varej nga pretendimi i gjithsecilit për “shpërblim” territorial në trojet shqiptare e maqedonase. Kjo, në fakt, dilte jashtë kornizave të detyrave kombëtare dhe shpesh lihet jashtë vëmendjes, deri në injorim, nga studiues e madje edhe nga institucione serioze, sidomos në shtetet fqinje dhe më gjerë. Madje, edhe raporti i Fondacionit Carnegie, i cili vlerësohet si studim serioz për hetimin e këtyre luftërave, nuk e klasifikon problemin shqiptar ndër shkaqet kryesore.
Në këtë drejtim, studiues të vëmendshëm, si dhe fakte të pakontestueshme, na bindin se një nga shkaqet kryesore, në mos më kryesori, për shpërthimin e Luftërave Ballkanike ishin kryengritjet shqiptare, sidomos Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912. Kjo kryengritje e detyroi Perandorinë Osmane që, më 17 gusht 1912, të pranonte kërkesat e kryengritësve për autonominë e Shqipërisë në katër vilajetet, me sipërfaqe 90 100 km² dhe popullsi prej 2 725 410 banorësh.
Zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare nuk i pëlqeu asnjërit prej shteteve përreth territoreve shqiptare. Me veprimet e tyre, ato krijuan një dosje të rëndë konflikti, e cila shkaktoi fatkeqësi dhe tragjedi të shumta, me dëme kolosale për gati një shekull. Shqetësimet e shteteve ballkanike, sidomos të Serbisë, u shtuan shumë pas çlirimit të një vargu qytetesh të mëdha të Vilajetit të Kosovës. Ato u shtuan edhe më tepër “pas hyrjes triumfale të më se 30 000 kryengritësve shqiptarë në Shkup, në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës”, sukses që hidhte në erë planet e fshehta të Aleancës Ballkanike.
Tensioni u shtua pas propozimit që konti Berchtold, ministër i Jashtëm i Austro-Hungarisë, u bëri Fuqive të Mëdha më 13 gusht, që të ndërmerrnin masa për decentralizimin e Portës së Lartë në pjesën ballkanike prej 169 000 km², përkatësisht në gjashtë vilajete, ndër të cilët edhe katër vilajetet shqiptare, që do të formonin Shqipërinë etnike me 90 100 km².
Ashtu sikurse shkruan historiani Ferdinand Schevill: “Ata e ndjenë fitoren shqiptare, tashmë të pashmangshme, nëpërmjet së cilës Shqipëria ishte duke u ndërtuar si një shtet autonom i përbërë nga katër vilajete: i Shkodrës, i Janinës, i Manastirit dhe i Kosovës. Në qoftë se propozimi shqiptar do të pranohej, secili prej katër aleatëve do ta shihte derën e mbyllur në një krahinë të caktuar, të cilën secili, në mënyrë të veçantë, e lakmonte”.
Për të arritur qëllimet e tyre pushtuese, Serbia, Rusia etj. paraqisnin para botës gënjeshtra dhe intriga. Studiuesit preknin edhe çështjen e synimeve të vendeve ballkanike për hegjemoni.
Aleanca Ballkanike
Pas aneksimit të Bosnjë-Hercegovinës nga Austro-Hungaria, mori fund edhe detanta ruso-austriake. Rusia ndërmori politikën e nxitjes së shteteve ballkanike për të hyrë në një aleancë, që të vepronin si një sistem i sigurisë kolektive kundër zgjerimit të mëtejshëm të Austro-Hungarisë. Hallka e parë e këtij koalicioni ishte një marrëveshje aleance ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë. Bisedimet midis Sofjes dhe Beogradit përfunduan me një traktat, i cili u nënshkrua më 12 mars 1912. Si pikënisje u përdor marrëveshja tregtare e vitit 1904, por traktati përfshinte edhe një shtojcë të fshehtë ushtarake.
Më 28 maj, aleanca bullgaro-serbe u plotësua me një aleancë ndërmjet Bullgarisë dhe Greqisë. Kjo u pasua nga marrëveshje gojore ndërmjet Serbisë dhe Greqisë, si dhe ndërmjet Greqisë dhe Malit të Zi, të cilat u premtonin malazezëve “të gjitha ato territore turke që ata mund të fitonin”. Këto aleanca dhe marrëveshje gojore u përforcuan nga një seri konventash ushtarake. Në tërësi, këto marrëveshje ndryshuan ekuilibrin e forcave në Ballkan, por themelet e tyre ishin hedhur me nxitim.
Nëse marrëveshja midis Bullgarisë dhe Serbisë u nënshkrua nën patronazhin e Rusisë, atëherë rolin kryesor në zhvillimin e bisedimeve për afrimin midis Bullgarisë dhe Greqisë, më 29 maj 1912, e luajti Anglia.
Me nënshkrimin e këtyre pakteve midis Bullgarisë dhe Serbisë, si dhe midis Bullgarisë dhe Greqisë, u formua Lidhja Ballkanike. Më vonë, kësaj lidhjeje iu bashkua edhe Mali i Zi. Aleanca Ballkanike e konsideronte Shqipërinë si “tokë të askujt” (nulla terra), e cila do të pushtohej dhe do të shkombëtarizohej lehtë. “Prandaj, pika kryesore e projektit të Lidhjes Ballkanike të vitit 1912 kishte për qëllim copëtimin dhe zhdukjen e Shqipërisë”.
Përgatitja dhe zhvillimi i luftimeve
Përgatitja për luftë kishte filluar shumë kohë përpara shpalljes së saj. Bullgaria, e quajtur ndryshe “Prusia e Ballkanit”, por edhe vendet e tjera, i pajisën ushtritë me lloje moderne armatimi, përfshirë edhe aeroplanë. Në dallim nga Bullgaria dhe Serbia, ushtria greke ndodhej në gjendje kaotike pothuajse deri në Luftën e Parë Ballkanike.
Gjithsesi, ushtritë ballkanike qenë financuar nga huatë perëndimore; firmat perëndimore i furnizonin me armë dhe teknologji tjetër, ndërsa oficerët e tyre qenë shkolluar dhe organizuar nga francezë, rusë, gjermanë dhe britanikë. Përveç të tjerash, u dendësua përgatitja ideologjike për luftën, e motivuar në emër të bashkimit të vëllezërve bullgarë të shtypur dhe të forcimit të vetëdijes kombëtare. Për sa i përket Perandorisë Osmane, deri në vitin 1900 asaj i kishte munguar edhe universiteti; madje, edhe kur u ngrit, ai iu nënshtrua hetimeve të imta nga policia e fshehtë.
Mirëpo, nën kujdesin e instruktorëve gjermanë, shkollat ushtarake kishin tërhequr mendjet më të ndritura të Turqisë, ndër të cilët edhe Mustafa Qemalin. Por, në të njëjtën kohë, Abdyl Hamiti, i pakënaqur nga pushteti i ushtrisë, ia kaloi mjaft kompetenca ministrit të Brendshëm, besnikut të tij, duke ia pakësuar në mënyrë të ndjeshme mjetet ushtrisë. Kjo, veç të tjerash, rrënoi flotën luftarake osmane, pasojat fatale të së cilës u ndien dukshëm gjatë Luftërave Ballkanike. Gjithashtu, gjatë veprimtarisë revolucionare të Turqve të Rinj, ushtria e pakënaqur ishte përfshirë në çështjet e politikës së brendshme, kundër vullnetit dhe gjykimit të saj të ftohtë.
Veprimet luftarake (skicë e shkurtër)
I pari që ndërmori veprime luftarake kundër Turqisë ishte Mali i Zi, më 8 tetor. Një javë më vonë hynë në luftë edhe Bullgaria, Serbia dhe Greqia. Ushtritë ballkanike triumfuan në çdo front. Lufta e Parë Ballkanike zgjoi ndjenja të thella patriotike. Ushtria osmane pësoi disfatë në të gjitha frontet dhe u tërhoq me humbje të mëdha. Beteja më e ashpër ishte ajo që u zhvillua për pushtimin e Kumanovës (22–24 tetor), ku të dyja palët përqendruan forcat më të mëdha ushtarake. Shpartallimi i ushtrisë osmane krijoi kushte shumë të volitshme për realizimin e planeve pushtuese të aleatëve ballkanikë në dëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Brenda pak ditësh, forcat serbe pushtuan Prishtinën dhe Prizrenin, ndërsa, së bashku me forcat malazeze, edhe Gjakovën. Prej këtej, një pjesë kaloi Drinin dhe, nëpërmjet Dukagjinit, iu drejtua Shkodrës, të cilën e rrethoi së bashku me malazezët. Pjesa tjetër pushtoi Mirditën, Lezhën, Krujën, Tiranën dhe Durrësin.
Trupa të tjera, pas fitores së Kumanovës, arritën në Shkup e Manastir dhe marshuan drejt Perëndimit, duke pushtuar Ohrin, Dibrën dhe Elbasanin. Ushtria greke, pas fitores në Thesali dhe Epir, rrethoi Janinën, pushtoi Sazanin dhe zbarkoi në Himarë, të cilën e pushtoi së bashku me disa fshatra përreth. Si përfundim, i gjithë territori ose ishte pushtuar nga trupat e tyre, ose mund të pushtohej me lehtësi. Vetëm në tri pika të izoluara fuqia osmane nuk ishte mposhtur. Qyteti i Adrianopojës, edhe pse i rrethuar ngushtë nga bullgarët, ende mbahej. Po ashtu, fortesat më veriore dhe më jugore të Shqipërisë, kështjella e madhe e Shkodrës, apo “stratagjema e Shkodrës”, siç cilësohej në atë kohë, dhe Janina në Epir, mbeteshin në duart e garnizoneve turke dhe të forcave shqiptare.
Shpejtësia dhe vendosmëria e fitoreve ballkanike i kapën në befasi Fuqitë Evropiane. Në këtë kohë, austriakët mbajtën një qëndrim të vendosur për çështjen shqiptare në Ballkan. Ata kërkuan që Shqipëria të shpallej shtet i pavarur. Pra, territori midis maleve shqiptare dhe Detit Adriatik, të cilin e kishin pushtuar grekët, serbët dhe malazezët gjatë luftës, duhej të bëhej një shtet i pavarur kombëtar shqiptar, si kundërpeshë ndaj sllavëve të jugut. Vjena dhe Roma argumentonin në mënyrë bindëse se Serbia dhe Mali i Zi nuk kishin punë në këtë rajon, sepse ai ishte i banuar thuajse tërësisht prej shqiptarësh.
Ky propozim prekte, së pari, interesat serbe, pasi Serbisë i mohohej dalja e synuar në det përmes Shqipërisë Qendrore. Duke synuar ta evitonin shkatërrimin e Turqisë, tek e cila shihnin një aleat potencial, në dhjetor 1912, nën presionin e Fuqive të Mëdha, midis Turqisë, Bullgarisë dhe Serbisë u nënshkrua armëpushimi.
Në Londër filluan bisedimet e ambasadorëve të vendeve ndërluftuese për kushtet e një marrëveshjeje paqeje. Më 29 janar 1913 ndodhi kthesa e madhe në shtetin turk. Qeveria e re, e drejtuar nga Partia e Turqve të Rinj, refuzoi kushtet e paqes. Më 3 shkurt, vendet e Aleancës Ballkanike rifilluan veprimet luftarake. Pas disa humbjeve të tjera të ushtrisë turke, e cila në muajin mars dorëzoi Janinën dhe Edrenenë (Adrianopojën), në prill 1913 u nënshkrua armëpushimi i dytë. Mali i Zi nuk e nënshkroi këtë armëpushim dhe trupat e tij vazhduan rrethimin e Shkodrës.
Pavarësisht se Lufta e Parë Ballkanike u zhvillua në emër të interesave dinastike të monarkëve të Bullgarisë, Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi, shumë kohë përpara Traktatit të Londrës (30 maj 1913) ishte e qartë se paqja me Turqinë nuk do të sillte paqe në Ballkan dhe se në rajon do të zhvilloheshin kriza të reja. Shembulli bindës për këtë është vijimi i Luftës së Dytë Ballkanike (29 qershor – 10 gusht 1913), e cila u zhvillua midis Bullgarisë, nga njëra anë, dhe Serbisë, Greqisë, Rumanisë, Malit të Zi dhe Turqisë, nga ana tjetër. Ajo u shkaktua nga acarimi i madh i kontradiktave midis ish-aleatëve të Luftës së Parë Ballkanike. Studiues seriozë theksojnë se nuk ka pasur raste të ngjashme kur një koalicion fuqish të ketë hapur luftë i nisur nga një marrëveshje aq e përciptë. Secili kishte pretendime për të njëjtin territor, synime që mund të realizoheshin vetëm në dëm të tjetrit. Prandaj, nuk ishte e papritur që në qershor 1913 të shpërthente lufta midis tyre.
Sipas disa studiuesve, fillimi i Luftës së Dytë Ballkanike u përshpejtua edhe nga ndërhyrja e fuqive imperialiste, veçanërisht e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, të cilat synonin të dobësonin influencën e Antantës në Ballkan. Ndërkohë, në këtë periudhë, problemi kryesor ishte Shqipëria. Tre shtetet ballkanike që kishin pushtuar territore shqiptare jo vetëm që nuk e njihnin pavarësinë e saj dhe Qeverinë e Vlorës, me projektin e saj për kufijtë, por nuk i njihnin as kufijtë e projektuar, megjithëse të cunguar, nga Fuqitë e Mëdha për shtetin e pavarur shqiptar. Pas këmbënguljes dhe, sigurisht, pas kërcënimit me luftë nga Austria më 1913, malazezët hoqën dorë nga synimet e tyre për Shkodrën dhe serbët zbrazën qytetin e Durrësit. Më tej, pas ultimatumit të 17 shtatorit 1913 ndaj Serbisë, kjo e fundit u detyrua të tërhiqte trupat nga Shqipëria e Veriut, çka përbënte njëherazi një fitore të diplomacisë austriake.
Në Shqipërinë Jugore, austriakët nuk korrën fitore diplomatike. Më 30 tetor, katër ditë pasi Serbia u dorëzua ndaj ultimatumit për Shqipërinë Veriore, austriakët, në bashkëpunim edhe me italianët, të cilët kishin interesat e tyre në Shqipëri, i drejtuan Greqisë një ultimatum të ngjashëm. Por Greqia ndodhej në një pozicion më të fuqishëm gjeostrategjik dhe diplomatik se Serbia. Ajo ishte e ndarë nga Austria prej një vargu malesh të thyer dhe, e mbështetur nga Gjermania dhe fuqitë e Antantës, ishte në gjendje të zgjaste negociatat dhe të arrinte marrëveshje kompromisi, të cilat i linin asaj pjesën më të madhe të territoreve të pushtuara. Edhe në ato pjesë prej të cilave grekët u larguan, forca të parregullta greke vazhdonin të ndihmonin një qeveri progreke, e cila më vonë deklaroi pavarësinë e saj nga Shqipëria.
Luftërat Ballkanike dhe shqiptarët
Bibliografia e historisë botërore përfshin një gamë të gjerë librash, me kontribut të ndjeshëm edhe nga studiuesit shqiptarë, të cilët analizojnë Shqipërinë në këtë luftë ballkanike, pjesëmarrjen e saj, si dhe shkaqet historike, politike dhe kombëtare që çuan në përfshirjen e saj në një luftë kaq tronditëse. Për ta kuptuar më mirë këtë përfshirje, është e nevojshme të ndalemi te rrënjët historike të qëndresës shqiptare dhe te zhvillimet politike e shoqërore të periudhës pararendëse. Është e njohur se shqiptarët, si një nga popujt më të vjetër të Ballkanit, gjatë periudhës së sundimit osman nuk kanë reshtur së luftuari kundër pushtuesve. Shekulli XIX, ashtu si në të gjithë Ballkanin, edhe në Shqipëri, shënoi një gjallërim të luftës së tyre. Gjatë viteve 1830–1870 u zhvillua një lëvizje e fuqishme, e shprehur në një varg kryengritjesh kundër regjimit të centralizmit burokratik të Portës së Lartë.
Një pikë kulmore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare përbën periudha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878–1881). Lufta e armatosur nuk u ndërpre as gjatë viteve 1881–1909, duke synuar objektiva të ngjashëm me ato të popujve të tjerë të Ballkanit. Një vrull edhe më të madh morën veprimet luftarake sidomos në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX, çka krijoi premisa të ndryshme politike e ushtarake për shpërthimin e kryengritjeve të viteve 1910–1912.
Kryengritjet shqiptare të viteve 1911–1912, në asnjë mënyrë, nuk mund të merren të shkëputura nga Luftërat Ballkanike; ato i paraprinë kësaj periudhe, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë moral. Goditjet e fuqishme që morën pushtuesit osmanë në Shqipëri, si dhe dezertimet në masë të shqiptarëve nga formacionet turke, jo vetëm që i kishin dobësuar forcat ushtarake të Portës së Lartë në rajon, por kishin ndikuar edhe në shthurjen morale dhe në rënien e aftësive luftarake të tyre në zona të tjera. Duke vlerësuar këtë fakt, në memorandumin e Qeverisë së Vlorës, dërguar Konferencës së Ambasadorëve në Londër në janar 1913, shprehej ideja se lufta e vendeve të Aleancës Ballkanike “…deri diku është vazhdim i kryengritjeve të fundit të Shqipërisë dhe sukseset e saj të ndjeshme mund të konsiderohen me plot të drejtë si frytet e veprës së çlirimit, me të cilën shqiptarët, si sot, ashtu edhe në të kaluarën, janë shquar për trimëri”.
Nga ana tjetër, gozhdimi i forcave të shumta turke në Shqipëri ishte faktor lehtësues për përparimin e shpejtë të forcave të Aleancës në fronte të tjera, sidomos kur veprimtaria luftarake zhvillohej jashtë territorit shqiptar. Ky fakt bëhet edhe më domethënës po të mbajmë parasysh se drejtimet e mësymjes së ushtrive të Aleancës Ballkanike në Maqedoni konvergonin drejt Shqipërisë. Duke pasur si bazë nisjeje, nga jugu, forcat greke; nga veriu dhe verilindja, ato serbe e malazeze; dhe nga lindja, forcat e tjera në Maqedoni, hapësira e veprimit të ushtrisë turke ngushtohej në rajonin shqiptar të luftimeve. Gjendja e ndezur luftarake në Shqipëri jo vetëm që kërcënonte shpinën e ushtrisë turke, por krijonte çrregullime në të gjithë dispozitivin e saj.
Krahas Luftërave Ballkanike, në Shqipëri po zhvillohej një nga proceset më të shquara të historisë së saj: kurorëzimi i pavarësisë kombëtare. Në krye të kësaj lëvizjeje kombëtare tashmë qëndronte një udhëheqje politike e aftë, Qeveria e Vlorës. Duke vlerësuar realisht situatën tejet të ndërlikuar, ajo rrezatoi pjekuri dhe përcolli mesazhe miqësie me fqinjët: “Shqiptarët nuk kishin qëllim tjetër veçse të rronin në paqe me të gjitha shtetet fqinje dhe shpresonin se çdo veprim armiqësor në tokat e tyre kombëtare nga ana e ushtrive të Aleancës Ballkanike do të pushonte, se të gjitha krahinat shqiptare që ishin të pushtuara nga këto ushtri do t’u ktheheshin atyre përsëri”.
Qeveria e Vlorës, duke vlerësuar realisht situatën, përcaktoi asnjanësinë në Luftërat Ballkanike. Ndërkohë, ngjarjet zhvilloheshin dhe ushtritë e Aleancës Ballkanike përpiqeshin të depërtonin gjithnjë e më shumë në thellësi të territorit shqiptar, me qëllime të qarta aneksioniste. Në këto rrethana, Qeveria e Vlorës përpunoi dhe u mundua të zbatonte një plan strategjik për t’iu kundërvënë synimeve aneksioniste të secilit kundërshtar.
Megjithëse luftëtarët shqiptarë nuk ishin shumë të organizuar dhe të armatosur, rezistenca më e madhe ndaj ushtrive të Aleancës Ballkanike u bë në luftën e Shkodrës, të Janinës, të Merdares, të Kumanovës dhe të Lumës, në Labëri e Himarë, në Çamëri etj.
Edhe pse më 3 dhjetor 1912 Perandoria Osmane u mund dhe kërkoi armëpushim, operacionet e ushtrive ballkanike vijuan me më shumë egërsi, përmes ekspeditave ndëshkuese, të cilat, sipas autorit, synonin shfarosjen e përgjithshme të kombit shqiptar. Kështu, Greqia nuk pranoi armëpushimin, duke vazhduar rrethimin e Janinës dhe pushtimin e Gjirokastrës, Sarandës, Tepelenës, Korçës, Kolonjës, deri në kufi me Beratin dhe Skraparin etj. Pjesa më e madhe e veprimeve luftarake të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë u zhvillua në tokat shqiptare.
Pas shpalljes së pavarësisë, më 28 nëntor 1912, Lufta e Janinës u kthye në një luftë për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit të pavarur shqiptar, i cili u shpall në emër të përfaqësuesve të katër vilajeteve shqiptare, duke përfshirë edhe atë të Janinës, të banuar në shumicën dërrmuese nga shqiptarët.
Gjithsesi, të zhytur në një dëshpërim të thellë për shkak të copëtimit të konsideruar të panatyrshëm të popullit shqiptar dhe të masakrave të shumta të pushtuesve serbo-malazezë në të dyja anët e
kufirit, qoftë në territoret që iu dhanë Serbisë, qoftë në ato që ajo i mbante në kundërshtim me vendimet e Konferencës së Londrës, shqiptarët nuk e ndërprenë rezistencën në të katër vilajetet. Në këtë drejtim, një ngjarje e rëndësishme ishte kryengritja e shtatorit 1913, e cila nisi me shpejtësi. Kryengritësit shqiptarë i zunë në befasi forcat ushtarake dhe policore serbe dhe, shumë shpejt, aksionet çlirimtare morën pamjen e një ofensive të përgjithshme për çlirimin e qyteteve të rëndësishme shqiptare. Kryengritësit shqiptarë iu drejtuan Dibrës, Strugës, Ohrit, Tetovës, Gostivarit dhe Kërçovës, ndërsa në veri, Gjakovës e Prizrenit. Sipas shtypit, lëvizje pati edhe në drejtim të Tuzit, Hotit, Grudës dhe Gucisë. Kryengritja e vitit 1913, për shkak të përmasave të frontit të gjerë që kishte, u quajt nga shtypi i kohës edhe “Lufta e Tretë Ballkanike”.
Disa përfundime të pranueshme
Fundi i Luftërave Ballkanike solli përfundime të mëdha e të rëndësishme. E tërhequr përsëri në kryeqytetin e saj të vjetër, Adrianopojë, Turqia u largua nga Evropa, ose, të paktën, nuk ishte më një fuqi evropiane. Luftërat Ballkanike ishin të përgjakshme dhe të kushtueshme. Gjatë dhjetë javëve të luftimeve — gjashtë javë në Luftën e Parë Ballkanike dhe katër javë në Luftën e Dytë Ballkanike — u vranë rreth 200 000 luftëtarë, pa llogaritur civilët, si dhe dhjetëra mijëra viktima të kolerës, tifos dhe dizenterisë. “Ne nuk mund të mësojmë kurrë për mijëra burra, gra dhe fëmijë që vdiqën nga uria, sëmundjet dhe masakrat”, shkruan J. Scurman. Vetëm pena e Dantes, sipas Leon Trockit, mund ta përshkruante me saktësi udhën që vinte nga Lozengradi; vetëm talenti i tij i mistershëm do të ishte në gjendje të rikrijonte të gjitha tmerret e moçalishteve të akullta, mbi vijat dhe llumin e të cilave ngriheshin trupat e gjymtuar dhe të copëtuar të të rënëve.
Viktimat e pafajshme të luftës, ata që kishin shpëtuar nga vdekja e menjëhershme dhe e mëshirshme prej ndonjë plumbi ose predhe, tani zvarriteshin në rrënojat e nxira të shtëpive të tyre, për t’u përballur me vdekjen e ngadaltë nga të ftohtit dhe uria. Humbjet në thesar ishin po aq kolosale sa edhe gjaku i derdhur. Vetëm shpenzimet e drejtpërdrejta ushtarake janë vlerësuar në shifra që shkojnë nga një miliard e një çerek deri në një miliard e gjysmë dollarë. Lufta e Parë Ballkanike ishte shprehje e intolerancës, mendjengushtësisë dhe brutalitetit të këtyre vendeve, të cilat nuk njohën asnjëherë fqinjësinë e mirë me popujt, por, sipas argumentimit të autorit, synuan vazhdimisht zgjerimin territorial, kryesisht në trojet shqiptare.
Sikur të mos mjaftonte kjo, shqiptarëve iu shkaktua një mjerim edhe më i madh nga vija e kufirit të caktuar “pa marrë parasysh çështjen etnografike”. Vija e kufirit u vendos midis krahinave të gjera dhe qendrave të tyre të vetme tregtare. Për qëllime propagandistike dhe për të shtuar “moralin patriotik serb”, qeveria serbe dërgoi në Beograd disa mijëra robër lufte nga fronti i Kumanovës, të cilët i detyroi të parakalonin në një “defile fitimtare”. Në fillim të dhjetorit 1912, kur ushtria serbe do të deklaronte “çlirimin e tokave serbe të pushtuara nga Perandoria Osmane”, princi Aleksandër Karagjorgjeviq, me këtë rast, do të deklaronte para turmës së entuziazmuar serbe: “Unë dëshiroj që këtu të vijnë disa mijëra evropianë me përgjegjësi e të shohin shqiptarët, të cilët ne i kemi zënë robër, dhe ata të binden se këta njerëz mezi mund të quhen njerëz dhe të përfitojnë bindjen se Ballkani pa tjetër duhet të pastrohet nga këto egërsira”.
E rëndësishme është të theksohet se zhvillimet e Luftërave Ballkanike të viteve 1912–1913 kanë ngjashmëri të theksuara me luftërat e fundit që u zhvilluan në rajon në fund të shekullit të kaluar. Ashtu siç vërejti Fondacioni Carnegie në raportin e vitit 1913, veçoria e përbashkët e Luftërave Ballkanike ishte se “lufta nuk bëhet vetëm midis ushtrive, por midis vetë kombeve”. Prandaj këto luftëra ishin kaq të ashpra, prandaj përfundonin me humbje kaq të mëdha njerëzore dhe me zhdukjen e popullsisë e shkatërrimin e zonave të tëra. Qëllimi i konfliktit të armatosur, vijon raporti, ishte “zhdukja tërësisht e një popullsie të huaj”. Fshatrat shkatërroheshin, gratë e identitetit kombëtar “armik” dhunoheshin e shpesh vriteshin, robërit vriteshin ose mbylleshin në ndërtesa të vjetra, ku vdisnin nga uria apo të ftohtit. Tregohej një zemërligësi e madhe ndaj të mundurve. “Kjo e tejkalonte masën e mospërfilljes së thjeshtë për t’u futur në mbretërinë e mizorive të qëllimshme dhe të neveritshme”, shkruan G. Kennan. Masakrat dhe aktet e pabesueshme të dhunës, sidomos ndaj shqiptarëve, ishin tejet makabre.
Nuk ka dyshim se feja luajti një rol të rëndësishëm në armiqësitë si motiv i luftës. Por, edhe sipas raportit të komisionit, do të ishte gabim që ky motivim të konsiderohej shkaku kryesor. Turqit, të cilët kishin sunduar për shekuj në Ballkan, edhe kur ndodheshin në kulmin e autoritetit të tyre, kishin qenë relativisht tolerantë në trajtimin e institucioneve fetare jomyslimane. Pra, faktori më i rëndësishëm, ashtu siç u vu re edhe në luftërat e fundit në Ballkan, ishte nacionalizmi agresiv, një nacionalizëm me nuanca të prirjeve fisnore, që e shihte kundërshtarin politiko-ushtarak si një armik të frikshëm e të pandreqshëm. Deklarata e Vjenës, e përsëritur nga ministri i Jashtëm Berchtold më 19 nëntor në takimin me I. Qemalin, se “territoret e pushtuara shqiptare do t’i nënshtrohen gjykimit ndërkombëtar”, kishte rëndësi të madhe për dy arsye:
a) Lufta e shteteve ballkanike kundër Perandorisë Osmane nuk do të konsiderohej “luftë çlirimtare”, siç propagandohej nga Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi, por “luftë pushtuese”, e cila shtrihej kryesisht në katër vilajetet shqiptare, ku kishte edhe popullsi joshqiptare, por në pakicë.
b) Çështja e dytë kishte gjithashtu rëndësi të madhe për shqiptarët dhe fatin e tyre, meqë konfirmohej ajo që tashmë dihej: Vjena dhe të tjerë e kishin thënë vazhdimisht se ndryshimet e njëanshme të status quo-së, pavarësisht rezultateve të luftës, pashmangshmërisht do të kalonin nëpër “tryezën e gjelbër”, pra do t’i nënshtroheshin gjykimit ndërkombëtar. Kjo do të thoshte se lufta nuk do t’ia caktonte kahun politikës, por politika do t’ia caktonte asaj fatin.
Proklamata e Shkupit, sipas së cilës shqiptarët luftonin “për me i dalë zot tërësisë territoriale e lirisë së Shqipnis” dhe për ta bërë të ditur se “pa marrë parasysh se si do të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue prej katër vilajete veçse një formë politike dhe një sundim”, sqaronte thelbin e luftës ballkanike: ajo nuk do të ishte çlirimtare, por një përpjekje për të pushtuar tokat shqiptare. Në të vërtetë, pushtimi i tokave shqiptare nga ushtritë malazeze, serbe, greke e bullgare do të ndodhte brenda një kohe të shkurtër, pasi ato kishin shpartalluar ushtritë osmane.
Ndërhyrja ndërkombëtare në Shkodër, e cila i dha fund pushtimit malazez, në historinë e Shqipërisë do të shënonte demonstrimin e parë ushtarak të Perëndimit në anën e shqiptarëve në konfliktet me malazezët. Por Shkodra dhe nxjerrja e saj nga pushtimi i huaj nuk do të përsëriteshin në Janinë. Edhe atje, pothuajse, kishte një skenar shpërthimi dhe ashpërsimi, por ndryshonin aktorët dhe rolet, si dhe interesat e Fuqive të Mëdha. Fjala ishte për të njëjtën çështje: mbrojtjen e një qyteti shqiptar, por tashmë në jug të vendit, ku forcave osmane dhe shqiptare në mbrojtje do t’u shkonin në ndihmë edhe vullnetarë të tjerë. Kjo do të bëhej fakt me vendimin e Qeverisë së Vlorës të 28 janarit 1913. Në Janinë, Greqia do të fitonte më shumë nga argumenti se kishte zhvilluar një luftë çlirimtare kundër pushtuesve osmanë sesa nga e drejta etnike. Në Janinë shumica ishte shqiptare.
Fundi i Luftërave Ballkanike përbën një periudhë të shkurtër kohore, por shumë të ngjeshur me ngjarje me rëndësi historike, por edhe tragjike për çështjen kombëtare shqiptare. Ajo ishte heroike, sepse u shpall pavarësia e Shqipërisë, një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e kombit shqiptar. Njëherazi, ishte tragjike, sepse nga kjo kohë filloi shkelja flagrante e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të më shumë se gjysmës së popullit shqiptar, në trojet e shumta që mbetën jashtë shtetit të shpallur në Vlorë.
Në krahasim me periudhën para Luftërave Ballkanike, ndryshimet territoriale dhe demografike pas Paqes së Bukureshtit, më 9 gusht 1913, të shprehura në përqindje, ishin: Bullgaria fitoi 29% territor dhe 3% popullsi më shumë; Greqia, 68% territor dhe 67% popullsi më shumë; Mali i Zi, 62% territor dhe 100% popullsi më shumë; Serbia, 82% më shumë territor dhe 55% më shumë popullsi. Faktikisht, në këto luftëra harta e vendeve ballkanike u ndryshua në mënyrë rrënjësore, duke marrë formën që do të kishte në vitet 1913 dhe 1914–1918, të cilat erdhën më pas. Ndërkaq, përfaqësuesit e Qeverisë së Vlorës deklaronin në Foreign Office: “Qëllimi i këtyre rregullimeve territoriale, që po bëhen tani, duhet të ishte vendosja e një paqeje të qëndrueshme; mirëpo mënyra se si po zgjidhej çështja shqiptare nuk mund të siguronte asnjë lloj paqeje dhe e gjithë kjo nuk mund të përfundonte veçse me një armiqësi të vazhdueshme”.
Kjo tragjedi me trojet shqiptare ndodhte në një kohë kur ekzistonin raporte historiko-etnografike dhe memorandume jo vetëm nga përfaqësues elitarë të kombit shqiptar, si Konica etj., por edhe nga personalitete të paanshme botërore, të cilët argumentonin historikisht për përbërjen kompakte etnike dhe origjinën historike të pandërprerë të popullit shqiptar. Kështu, në memorandumin e dërguar nga misionari amerikan Telford Erickson, i cili argumentonte me fakte dhe dokumente historike lashtësinë iliro-arbërore të shqiptarëve, shtrohej pyetja: “Si mund të ndahet në mes kjo tokë antike dhe ky popull antik në mes aleatëve si një plaçkë lufte? Ne, zotërinj, kemi pasur mësuar se drejtësia duhet të jetë guri themeltar i çdo rendi jetëgjatë në shoqërinë njerëzore”.
Qasja ndaj problemit në fjalë nga ana e katër shteteve të Ballkanit dhe e diplomacisë së Fuqive të Mëdha ishte në frymën dhe atmosferën e tensionuar që mbretëronte përpara një kataklizmi të madh botëror, të cilin po e përgatisnin vetë aktorët e kohës. Luftërat u përhapën në një sipërfaqe prej afro 170 000 km², që nga bregdeti shqiptar në perëndim deri në një distancë prej 32 km larg Stambollit në lindje, dhe nga kufiri më verior i Maqedonisë deri në Thesali, në Greqinë Qendrore. Gjatë muajit nëntor, operacionet aleate çuan në shtypjen e regjimit turk në Evropë. Gjatë gjashtë javëve të luftës, ushtritë e shteteve të vogla ballkanike shkatërruan ushtrinë turke dhe morën më shumë se 50 000 të burgosur, 500 topa, 100 000 pushkë, si dhe municione e materiale të ndryshme, të mjaftueshme për të pajisur disa ushtri në territorin armik.
Në pikëpamje të artit ushtarak, në Luftërat Ballkanike u testuan paraprakisht doktrinat ushtarake të kohës, si dhe u vunë re disa ndryshime në mënyrën e zhvillimit të veprimeve ushtarake, të kushtëzuara nga zhvillimi i teknikës luftarake. Në radhë të parë, këto ndryshime lidheshin me rritjen e fuqisë së zjarrit, larghedhjen dhe shpejtësinë e qitjes së sistemeve të artilerisë, shtimin e sasisë së mitralozave (aleatët kishin 474 mitralozë, ndërsa turqit 556), si dhe përdorimin e llojeve të reja të armëve, aeroplanëve — të cilët, përveç zbulimit nga ajri, filluan të përdoreshin edhe për bombardime — makinave të blinduara dhe radiove. Të gjitha këto sollën transformimin e ushtrive në forca tokësore të një tipi të ri, shfrytëzimin e rrëpirave dhe të llogoreve, si dhe shfaqën domosdoshmërinë e mbrojtjes së trupave nga aviacioni.
Kanë kaluar 100 vjet nga përfundimi i Luftërave Ballkanike dhe po aq vite nga vizita që bënë anëtarët e Komisionit Carnegie në atë rajon. Parë nga aspekti kohor, periudha e viteve 1912–1913 duket e shkurtër, por, nga pikëpamja e ngjarjeve luftarake dhe diplomatike, ajo përbën një periudhë të vrullshme në historinë e këtij gadishulli. Brenda muajve, javëve e deri në ditë zhvilloheshin ngjarje të shumta dramatike. Pasojat e tyre, edhe pas 100 vjetësh nga shpallja e pavarësisë, filluan të zgjidheshin së pari me fitimin e pavarësisë së Kosovës dhe me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Tani shqiptarët kanë një hapësirë të rëndësishme në Ballkan, me një peshë që e kanë merituar prej kohësh. Në njëfarë mënyre, është vendosur një ekuilibër, apo drejtpeshim, i prishur më parë.
Duke depërtuar në të vërtetat e historisë së Ballkanit, bindemi se e drejta është me popujt e rajonit dhe, veçanërisht, me shqiptarët. Kuptohet, Evropa, e cila me të drejtë është gjykuar si shpërfillëse ndaj Ballkanit, veçanërisht ndaj Shqipërisë, tani ka korrigjuar shumë gjëra, madje edhe themelore. Ajo, së bashku me NATO-n dhe SHBA-në, e ndihmoi kombin shqiptar në një luftë të armatosur për mbrojtjen e të drejtave të tij.
Vijimi i kryengritjes përfundimtare, këtë herë, do të ishte fryt i përcaktimit të krerëve të Lëvizjes Kombëtare, të mbledhur në Stamboll në shkurt 1912, në Taksim. Arritja e madhe shqiptare e gushtit 1912 shënon ndërlidhjen e parë të suksesshme të bashkëveprimit politik me rezistencën e armatosur, si dhe drejtimin e saj nga një qendër kombëtare, e udhëhequr nga elita e patriotëve intelektualë të përfshirë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Kemi të bëjmë me perceptimin dhe realizimin e një strategjie nga një lidership kombëtar, që nuk manipulohej dhe nuk keqpërdorej nga qarqe e aktorë të tjerë në dëm të interesave kombëtare. Në këtë situatë sprove të aksionit luftarak, shkëlqeu aksioni diplomatik i lidershipit politik të udhëhequr nga I. Qemali, i cili, duke shfrytëzuar përputhjen e interesave austriake dhe, në njëfarë mase, edhe atyre italiane, arriti aktin madhor të pavarësisë kombëtare. Ky ishte akti i parë i objektivit strategjik madhor kombëtar. Pavarësia u quajt kombëtare dhe, me këtë, ajo i bëri një shërbim të madh kombit shqiptar; në të kundërt, pasojat gjeopolitike do të kishin qenë fatale. Akti i dytë i këtij objektivi madhor strategjik është, pa dyshim, pavarësia e Kosovës. Për arritjen e saj u bë një investim prej disa dekadash, përmes aksionit politik, diplomatik e luftarak, me angazhimin e aktorëve kryesorë shqiptarë. Ky proces krijoi një mjedis të ri strategjik, në të cilin shqiptarët shihen si aktor gjeopolitik me ndikime strategjike në rajon, sikurse Serbia dhe Greqia. Në këtë kontekst, strategjia e shmangies apo e likuidimit të çështjes shqiptare, e ndjekur nga këta aktorë, është dobësuar ndjeshëm.
Në këndvështrimin e elitës kombëtare shqiptare, çështja kombëtare nuk konsiderohet asnjëherë e mbyllur në të gjitha fazat dhe dimensionet e saj, në kundërshtim me disa shkolla ndërkombëtare, sidomos ballkanase e ruse, sipas të cilave pavarësia e Kosovës mund të konsiderohet si mbyllje e çështjes shqiptare. Pavarësia e Kosovës i jep jetë gjeopolitikës kombëtare shqiptare dhe çon drejt zbutjes së pasojave të vendimeve të konferencave të mëparshme të shekujve XIX dhe XX, me pasojat e njohura tragjike për çështjen shqiptare. Integrimi i shqiptarëve në BE nuk mund të thjeshtësojë apo të injorojë integrimin mbarëkombëtar.
BE-ja duhet të marrë në konsideratë edhe skenarët gjeopolitikë të shteteve ballkanike, të mbështetur edhe nga aktorë aleatë historikë. Problemet e çështjes kombëtare shqiptare janë zgjeruar dhe kanë marrë karakter thelbësor, ndaj duhen vlerësuar me kujdes. Moszgjidhja e tyre, sipas autorit, mund të çojë në konflikte të armatosura. Që në vitin 1918, I. Qemali paralajmëronte se: “Paqja në Ballkan nuk mund të rivendoset pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria; nuk mund të rivendoset qetësia në Sinisinë e Ballkanit”.
Çështja kombëtare shqiptare, pas pavarësimit të Kosovës, parashtron një gjeopolitikë të re për avancimin e saj, me përparësi hapësirën shqiptare që ndodhet nën administrimin e aktorëve joshqiptarë, pra të shteteve të tjera. Ajo kërkon studim të vëmendshëm të kësaj hapësire, për të dhënë zgjidhje politike e strategjike dhe për të shqyrtuar mundësitë e një organizimi unik administrativ e politik shqiptar.
Meqenëse dy shtetet shqiptare kanë bërë përpjekje dhe kanë hartuar dokumente të strategjisë së sigurisë, përsëri, kur vjen puna te çështja kombëtare, interesi kombëtar etj., trajtesat shpesh vuajnë nga retorika. Rrethanat dhe kushtet e vitit 1912 e tkurrën skajshmërisht hapësirën shqiptare. Më keq akoma, vitet dhe dekadat që pasuan kultivuan një strategji pasive ndaj hapësirës së imponuar. Ka ardhur koha të kapërcehet kjo paradigmë frenuese, sepse nuk është e lehtë që një mendësi, e cila është mësuar ta shohë veten si fushë ndikimi të të tjerëve, të shndërrohet në një fushë të pavarur ndikimi. Zgjatimi i këtij rinovimi psikologjik në kufijtë kombëtarë dhe në ristrukturimin e politikës së jashtme do të nënkuptonte edhe përkufizimin e hinterlandit të vet. Ne duhet t’u japim kuptim elementeve mbi të cilat mbështetet fuqia e dinamizmit, duke i trajtuar ato në këndvështrimin e ri dhe duke e përcaktuar drejt veten si subjekt të historisë, jo si objekt që detyrohet t’ia lëshojë veten rrjedhës së ngjarjeve. Ne duhet të formësojmë elitën kombëtare dhe të mbështesim ata që e përkufizojnë identitetin e tyre me forcën psikologjike, të pajisur me optimizëm që buron nga thellësia historike dhe gjeografike.
Duhet të mbështesim ata që janë të aftë të shpalosin një performancë strategjike, e cila të bëhet përcaktuese në proceset shndërruese progresive; ata që kuptojnë dinamikën e sistemit ndërkombëtar të marrëdhënieve midis fushave lokale dhe globale dhe përgatisin truallin që “do t’i bënte brezat e ardhshëm subjekte të ndryshuar e dinjitozë në histori”. Në dobi të kësaj, duhet të dallojmë mirë kufijtë shtetërorë nga kufijtë kombëtarë. Kjo është e rëndësishme, kur dihet se territoret jashtë Shqipërisë politike, të aneksuara nga fqinjët, kishin ndërprerë jo vetëm komunikimin ndërmjet të gjitha viseve dhe kombit shqiptar, por edhe komunikimin njerëzor, ekonomik, kulturor e politik. Përveç të tjerash, u masakruan dhe u ndërprenë arteriet kryesore, tri korridoret kryesore, nëpërmjet të cilave, prej shekujsh, komunikohej me bregdetin Adriatik dhe Jon. Copëtimi i vitit 1912 ka qenë fatal për kombin shqiptar. Kombi shqiptar humbi vlera ekonomike, kulturore, politike, gjeografike, gjeostrategjike, ushtarake dhe të sigurisë.
Është e qartë se, për të qenë, duhet të kesh; dhe potencialet kombëtare i kemi. Nëse nuk gjendet rruga e lejueshme dhe qytetëruese që do t’i bashkonte të gjitha kapacitetet e shqiptarëve në kuadër të një objektivi të përbashkët kombëtar, atëherë këto kapacitete mund të shfrytëzohen nga të tjerët. Tashmë duhet të mendojmë në mënyrë madhështore. Jemi një komb i madh në Ballkan; duhet të lexojmë drejt edhe dinamikën demografike, moshën etj. Së bashku me diasporën, numri i shqiptarëve rritet ndjeshëm. Kjo forcë dhe mbështetje që vjen nga jashtë Shqipërisë, për shkak të kësaj shpërndarjeje demografike, është parë edhe me xhelozi në rajon. Nuk është e tepërt të thuhet se është ndier si kërcënim, për sa kohë që në strategjitë e disa vendeve fqinje janë shprehur edhe ndjenjat e “kërcënimit” për shkak të fuqizimit të shqiptarëve, veçanërisht në rajon, si rezultat i realitetit të ri gjeopolitik, siç është Kosova.
Duke u orientuar nga e ardhmja, duhet të ecim përpara dhe jo si disa shtete të rajonit që thonë: “Të ecim përpara me kokën mbrapa”. Kjo kërkon orientim drejt gjeneratave të ardhshme, forcë parashikuese dhe strategji, më saktë, një Strategji të Madhe, e cila na ka munguar dhe është e domosdoshme në shekullin e ri të shqiptarëve. Për këtë ka mjaft arsye dhe sfida. Një sfidë serioze është se shoqëritë shqiptare janë ende të pastandardizuara, sidomos për sa i përket objektivit të vlerave kombëtare. Vështirësia e hartimit të një Strategjie të Madhe kushtëzohet edhe nga pamjaftueshmëria e mendimit teorik e strategjik të elitave tona. Megjithëse shkolla shqiptare ka përgatitur ekspertë dhe specialistë të mirë, në tërësi ka munguar një elitë me kulturë strategjike, e aftë të ndikojë në hartimin e politikave dhe në përgatitjen e strategjive.
Strategjia e Madhe vë në lëvizje politikën e jashtme.
Të gjithë kombet kanë një Strategji të Madhe, megjithëse kjo nuk do të thotë se të gjitha kombet arrijnë objektivat e tyre strategjikë. “Strategjia e Madhe është kaq thellë e ngulitur në ADN-në e kombit dhe shfaqet kaq natyrshëm e qartë, sa politikanët dhe gjeneralët jo gjithmonë janë të vetëdijshëm për të”. Me gjithë brishtësinë dhe rritjen e kërkesave, nuk mund të themi se ka munguar tërësisht një strategji apo platformë kombëtare. Mjafton të kujtojmë për këtë veprën madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” të Sami Frashërit. Megjithëse një vepër iluministe, pra jo shkencore, ajo është një model i konceptimit dhe perceptimit të strategjisë kombëtare të shqiptarëve, ku identifikohen qartë vlerat, interesat dhe objektivat kombëtarë. Mbi të gjitha, analizohet drejt mjedisi dhe trajtohen saktë rreziqet dhe kërcënimet e kohës për shqiptarët.
Pa dyshim, shembulli më i qartë është akti i pavarësisë kombëtare, me një program vizionar për Strategjinë e Madhe nga Qeveria e Vlorës, i cili u bë lajtmotiv frymëzues për arritjet e mëdha të shqiptarëve, deri te akti i dytë madhor: pavarësia e Kosovës. Avancimi i mëtejshëm për realizimin e objektivit madhor strategjik, të cilin duhet ta promovojë Strategjia e Madhe, si detyrim ndaj investimit njerëzor e kombëtar të brezave shqiptarë dhe si amanet i Atit të Pavarësisë Kombëtare, kërkon, para së gjithash, mbajtjen gjallë dhe ushqimin e kësaj ideje. Kjo bëhet duke folur, shkruar e diskutuar, por edhe duke punuar seriozisht dhe në vazhdimësi për sendërtimin e saj.
Kur trajtojmë tema të tilla madhore, duhet jo vetëm dëshirë, por mbi të gjitha vullnet dhe strategji, sepse pa to përbërësit e fuqisë kombëtare nuk marrin jetë. Para së gjithash, kjo kërkon njohje sa më të plotë të situatës dhe të mjedisit të përgjithshëm, për hartimin e një programi apo strategjie sa më reale, që parashikon objektiva bindës dhe të mundshëm, njeh rrugët efikase të realizimit dhe merr mirë në konsideratë mjetet apo burimet në dispozicion. Në fund të fundit, kur është fjala për ideologjema kombëtare, shkruan akademiku i ndjerë G. Zajmi, nuk është e tepërt të theksohet se çdo mendimtari dhe krijuesi në retorikën kombëtare i kanoset rreziku “që të flasë bukur, por të jetë gabim”.
Konfliktet e kohës së sotme në rajonet e banuara nga shqiptarët dhe ndikimet e huaja
Rajoni i vendbanimeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor, për shkak të pozitës së tij gjeografike, historisë së ndërlikuar dhe rëndësisë strategjike, ka qenë dhe mbetet i ekspozuar ndaj ndikimeve të ndryshme politike, ekonomike, ushtarake dhe gjeopolitike. Edhe pse sot rajoni nuk përballet me të njëjtat forma të luftërave konvencionale si në të kaluarën, tensionet ndëretnike, mosmarrëveshjet politike, interesat strategjike të fuqive të jashtme dhe përpjekjet për të ndikuar në zhvillimet e brendshme vazhdojnë të përbëjnë sfida serioze për paqen dhe sigurinë. Në Kosovë, në Luginën e Preshevës, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në hapësirat e tjera ku jetojnë shqiptarët, dinamika e sigurisë ndikohet nga trashëgimia e konflikteve të mëparshme, çështjet e pazgjidhura politike, respektimi i të drejtave kombëtare dhe pozitës kushtetuese të shqiptarëve.
Veçanërisht, raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në stabilitetin e rajonit. Dialogu politik, normalizimi i marrëdhënieve, siguria në veri të Kosovës dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura përbëjnë çështje me rëndësi të drejtpërdrejtë për të ardhmen e paqes. Një dimension tjetër i rëndësishëm lidhet me ndikimet e jashtme dhe rivalitetet gjeopolitike. Përveç rolit të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rajon vërehen edhe interesa të fuqive të tjera, të cilat përpiqen të zgjerojnë ndikimin e tyre përmes bashkëpunimit ekonomik, investimeve strategjike, diplomacisë, mediave dhe marrëdhënieve politike. Në këtë kontekst, ndikimi rus në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe interesat e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, kërkojnë vëmendje dhe analizë të kujdesshme. Megjithatë, çdo pretendim për ndërhyrje, koordinim apo veprimtari destabilizuese duhet të mbështetet në të dhëna dhe prova të verifikueshme.
Luftërat e kohës së sotme nuk zhvillohen vetëm me armë dhe përballje të drejtpërdrejta ushtarake. Ato mund të marrin formën e luftës hibride, sulmeve kibernetike, dezinformimit, propagandës, presionit ekonomik, manipulimit të opinionit publik dhe shfrytëzimit të ndasive politike e shoqërore. Në këtë kuptim, institucionet e sigurisë, shërbimet informative, diplomacia dhe strukturat e mbrojtjes kanë një përgjegjësi të veçantë për të identifikuar kërcënimet dhe për të parandaluar cenimin e sovranitetit dhe të stabilitetit institucional. Për shqiptarët, sfida kryesore nuk qëndron vetëm në përballjen me ndikimet e jashtme, por edhe në forcimin e institucioneve demokratike, në bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe faktorit politik shqiptar në rajon, si dhe në ndërtimin e një politike të përbashkët strategjike për çështjet me interes kombëtar. Përçarjet politike, korrupsioni, mungesa e transparencës dhe dobësimi i institucioneve krijojnë hapësira që mund të shfrytëzohen nga interesa të ndryshme të brendshme dhe të jashtme.
Prandaj, siguria e shqiptarëve në rajon duhet të trajtohet si një koncept gjithëpërfshirës, që përfshin jo vetëm mbrojtjen ushtarake dhe territoriale, por edhe sigurinë politike, ekonomike, energjetike, kibernetike, institucionale dhe identitare. Paqja nuk garantohet vetëm nga mungesa e luftës, por edhe nga drejtësia, barazia, respektimi i të drejtave, institucionet funksionale dhe aftësia për t’u përballur me kërcënimet e reja. Në përfundim, e ardhmja e hapësirës shqiptare në Ballkan kërkon vizion strategjik, përgjegjësi shtetërore dhe bashkëpunim rajonal e ndërkombëtar. Shqiptarët duhet të jenë faktor i paqes, i stabilitetit dhe i integrimit evropian, duke mbrojtur njëkohësisht interesat e tyre kombëtare përmes mjeteve demokratike, diplomacisë dhe sundimit të ligjit. Vetëm një shoqëri e bashkuar rreth vlerave demokratike dhe me institucione të besueshme mund t’u rezistojë presioneve gjeopolitike dhe të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme për brezat që vijnë.











