20.5 C
Tirana
E shtunë, 17 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj POETI QË NUK MUND TË ARRATISEJ NGA GJËRAT E RËNDOMTA

POETI QË NUK MUND TË ARRATISEJ NGA GJËRAT E RËNDOMTA

0
Biser Mehmeti - Spiralja e frikës

Biser Mehmeti, “SPIRALJA E FRIKËS”, poezi, botoi N.B. “BUZUKU”, Prishtinë, 2023, 198 faqe. ISBN 978-9951-08-365-2

Antiteza si mënyrë e të menduarit poetik

Në poezinë e Biser Mehmetit, antiteza nuk është vetëm një figurë stilistike që shërben për të zbukuruar vargun apo për të krijuar një efekt të çastit. Ajo shndërrohet në mënyrë të të menduarit, në mënyrë të perceptimit të realitetit dhe, në fund, edhe si mënyrë e të ekzistuarit të subjektit lirik. Në vëllimin poetik “Spiralja e frikës”, bota nuk paraqitet si një tërësi e qetë dhe e harmonishme, ajo paraqitet si një hapësirë e përhershme përplasjesh: jetë dhe vdekje, gëzim dhe pikëllim, dashuri dhe urrejtje, pritje dhe humbje, kujtesë dhe harresë, dritë dhe errësirë, e tashme dhe e kaluar.

Kjo mënyrë e ndërtimit të poezisë vërehet nëpër vargjet ku kundërshtitë vendosen drejtpërdrejt përballë njëra-tjetrës. Në poezinë “Dikush më vret”, për shembull, vrasja mund të vijë “me fjalë”, por edhe “me heshtje”; mbytja mund të vijë “me dashuri”, por edhe “me urrejtje”; ndërsa fati përballët me fatkeqësinë dhe pasuria me varfërinë. Kështu, poeti ka arritut të ndërtojë kuptimin jo përmes një gjendjeje të vetme, por përmes përplasjes së dy gjendjeve. E kundërta nuk e anulon të parën; përkundrazi, e bën më të dukshme. Në këtë pikë spikatë aftësia e poetit për t’i afruar kaq dukshëm këto të kundërta, që janë realizuar në vëllimin “Spiralja e frikës”, ku e kundërta bëhet mënyrë për ta shpjeguar të vërtetën.

Në poezinë “E theva orën”, subjekti lirik, pasi e thyen orën, nuk dëshiron më të dijë nëse është natë apo ditë, verë apo dimër, nëse qan apo qesh, nëse është i pasur apo i varfër, i gjallë apo i vdekur. Ora, këtu, nuk është vetëm një objekt, ajo bëhet simbol i rendit kohor dhe i një realiteti që poeti dëshiron ta ndërpresë. Thyerja e orës, në këtë kuptim, është një përpjekje për ta thyer edhe sistemin e matjes së jetës. Por paradoksi qëndron në faktin se, edhe pasi ora thyhet, koha nuk zhduket, ajo vazhdon të ekzistojë si problem. Kështu lind ajo që mund të quhet metafora e mungesës së kohës: njeriu nuk vuan vetëm pse koha kalon, por edhe pse nuk mund ta kontrollojë atë. Në poezitë e kësaj përmbledhjeje koha herë ecën, herë ngrin, herë humbet, herë shndërrohet në një qenie tjetër. Ndërsa në poezinë “Metamorfozë”: “koha” shndërrohet në “ujk”, ndërsa “ujku” kthehet përsëri në “kohë”. Poezia “Metamorfozë” mund të konsiderohet një nga poezitë më të mira, ku poetika e antitezës shfaqet në formën e saj më të përmbledhur.

Zemra bëhet gur dhe guri zemër; nata bëhet ditë dhe dita natë; era bëhet lis dhe lisi erë; bora bëhet shpirt dhe shpirti merr një tjetër dimension; koha bëhet ujk dhe ujku kohë; jeta bëhet vdekje dhe vdekja jetë. Ku vërehet një lëvizje e vazhdueshme nga një gjendje në tjetrën. Vetë tituli i poezisë “Metamorfozë” e përcakton këtë logjikë në të cilën gjërat mund të marrin formën e së kundërtës së tyre. Te poeti Biser Mehmeti metafora shkon më tej duke i shndërruar dhe përafruar gjërat te njëra-tjetra. Prandaj, antiteza dhe metamorfoza janë të lidhura ngushtë. Motivi i gurit shfaqet në disa forma dhe merr kuptime të ndryshme. Kjo shihet në poezinë “Gurë”, në të cilën thuhet: guri gjendet në rrugë, në zemër, në shtëpi, në varr, në det, në qiell e madje edhe në trupin e njeriut. Me gurë ndërtohen muret që i pengojnë shikimet dhe afrimet mes njerëzve. Në këtë poezi, guri lëviz nga natyra drejt psikikës krijuese, dhe nga hapësira fizike drejt marrëdhënieve ndërnjerëzore.

Në poezinë “Te kasapi” ka ndodhur një veprim i rëndomtë nga jeta e përditshme, ta zëmë blerja e mishit te kasapi, i është shndërruar poetit në një motiv me karakter human. Në sytë e kasapit, subjekti lirik sheh vdekjen e qingjit; mishi që po blihet nuk perceptohet më vetëm si ushqim, por si pasojë e një vdekjeje konkrete. Në fund të poezisë, subjekti thotë se në vend të mishit i duket sikur ka marrë “një copë qefini”, me që rast ndodh përmbysja e perspektivës. Ajo që zakonisht është normale në vargun e kësaj poezie bëhet e tmerrshme, kurse objekti bëhet subjekt i dhembjes. Qengji nuk është më thjesht mish, por një qenie që “përgjërohet”. Në këtë poezi edhe pse qartë shihet ana humane e poetikës së Biser Mehmetit, grotesku ose tronditja, e përmbysë në themel pandjeshmërinë e kasapit ndaj jetës, gjë që rrallë haset në poetikën shqipe, të pershkruhet me kaq thellësi dhe me kaq përjetim.

Grotesku si pasqyrë e realitetit

Grotesku është një tjetër figure stilistike dhe mënyrë mjaftë mirë e shfrytëzuar nga poeti për ta ndërtuar antitezën. Në këto vargje e zakonshmja bashkohet me të pazakonshmen, e bukura me të shëmtuarën, qesharakja me tragjiken. Kjo figure stilistike më mirë realizohet te poezia “Luftëtari”, në të cilën poeti nuk merret me lavdinë e tij, as me medaljet, as me heroizmin dhe as me historinë e fitoreve. Ai e redukton figurën e luftëtarit në një pyetje të dhimbshme. Në sa luftëra mori pjesë, sa armiq vrau, sa plagë mori? Dhe në fund mbetet vetëm një fakt mbase tragjik: luftëtari plumbin e fundit e zbrazi mbi kokën e vet. Sipas poezisë shihet se antiteza e këtij motivi, (kryesisht përmes groteskut) e ka përmbysur figurën tradicionale të luftëtarit. Tashmë luftëtari nga jashtë mund të duket hero, kurse nga brenda është shndërruar në viktimë. Kjo nuk është thjesht ironi, kjo gjendje është realitet i përjetuar dhe një mënyrë letrare për të treguar se si figura njerëzore e luftëtarit nuk mund të kuptohet drejt vetëm nga roli i tij që ai ka pasur në luftë.

Motivi i “teatrit” për të shpjeguar groteskun është po ashtu i rëndësishëm. Në poezinë “Aktori”, skena bëhet një hapësirë ku realiteti deformohet, ku bota shihet me ngjyra, por ylberi shfaqet bardhë e zi; pranvera është pa gjelbërim; aktori vdes disa herë dhe harron të ringjallet. Antiteza është ndërtuar si botë më vete, në të cilën pamja dhe thelbi i motivit nuk përputhen. Edhe njeriu i zakonshëm në jetën e tij private është aktor, por nuk e di se cili është roli i tij në shoqëri. Kjo ide zhvillohet më tej te poezia “Një rol tjetër”, në të cilën subjekti është lodhur duke luajtur të njëjtin rol dhe kërkon një vdekje reale në vend të një vdekjeje skenike. Pra, siç dëshmon Biser Mehmeti, edhe jeta reale fillon të duket si teatër, ndërsa teatri kërkon të bëhet jetë, duke i përmbysur marrëdhëniet e zakonshme.

Një nga format më të fuqishme të kundërthënies është ajo që ndodh brenda vetë njeriut. Në poezinë “Unë dhe vetvetja”, subjekti lirik përballet me një “vetvete” që sillet si një qenie tjetër, psh.: kur “unë” flas, ajo hesht; kur “unë” hesht, ajo flet; pastaj kur, njerëzit që njëri i do, tjetri i urren, dhe anasjelltas. Në fund, subjekti nuk është i sigurt se kush do ta vrasë kë: hëna atë apo ai hënën. Në këtë rast antiteza zhvendoset nga bota e jashtme në botën e brendshme psikike. Kurse njeriu nuk është më një qenie e vetme, ai përmban kundërshtinë brenda vetvetes. Kjo e bën më të kuptueshëm edhe titullin “Spiralja e frikës”, në të cilën frika nuk vjen vetëm nga jashtë. Ajo rritet brenda subjektit, rikthehet, përsëritet dhe e shtyn njeriun drejt një rrethi nga i cili e ka të vështirë të dalë.

Diku kah fundi i përmbledhjes “Spiralja e frikës”, gjendet poezia në të cilën subjekti lirik është i ulur në shesh dhe dikush e ka godur me gur, pastaj e fsheh dorën, prandaj “Spiralja e frikës/ Vazhdon të rritet”. Kjo poezi është veçanërisht e rëndësishme për të kuptuar më drejt vet titullin e librit. Guri në këtë poezi nuk është vetëm objekt fizik, ai është një subjekt i padukshëm i dhunës. Në të kemi personin i cili e gjuan gurin dhe e fsheh dorën, kurse mënyra e dhunës nuk ka fytyrë. Frika e cila krijohet pikërisht nga kjo pasiguri, kur nuk dihet kush sulmon, pse sulmon dhe kur do të përsëritet sulmi, e bënë groteskun e saj edhe më të dukshëm. Në këtë kuptim, spiralja është metafora e frikës që nuk mbyllet në kornizë. Vërtetë spiralja e dhunës vetëm zgjerohet dhe rritet.

Antiteza si formulë e drejtpërdrejtë

Në poezinë “Unë dhe ti”, marrëdhënia ndërtohet mbi një paradoks të ngjashëm, psh.: “unë” nuk është plotësisht “unë”, veçmas kur “ti” mungon, ndërsa “ti” vazhdon të jesh “ti” edhe kur “unë” mungoj. Sipas kësaj marrëdhënie, poezi e ka zhvendosur antitezën në fushën e marrëdhënies njerëzore, sepse ajo vetvetja nuk ekziston në mënyrë të pavarur nga tjetri. Andaj në këtë kuptim, poeti Biser Mehmeti nuk ka shkruar vetëm për vetminë. Ai ka shkruar për paradoksin e lidhjes, ku sa më shumë njeriu kërkon veten, aq më shumë e gjen veten te tjetri. Pikërisht në poezinë “Ajo dhe unë”, ndarja ndërtohet përmes çifteve të kundërta, psh.: ajo në kodër, ai në humnerë; ajo sheh diellin, ai hënën; ajo kërkon të shkuarën, ai të ardhmen; ajo flet me vetveten, ai me heshtjen, që do të thotë se janë dy botë që nuk takohen kurrë. Në këtë rast, kontrasti nuk është më një figurë e vetme, që rrudhet brenda vetëm një poezie, por kontrasti është mënyra e ndërtimit të gjithë poezisë, sidomos kur dy njerëzit janë pranë në imagjinatën e tyre, por shumë larg në përvojë dhe realitet. Prandaj, antiteza te poezitë e Biser Mehmetit shpesh shërbejnë për të shpjeguar distancën njerëzore.

Gjuha e përditshme dhe filozofia e kundërshtive

Një veçori dalluese e kësaj përmbledhje poetike është se autori nuk ka nevojë për një fjalor tepër abstrakt filozofik për të trajtuar probleme filozofike. Ai përdor gurin, orën, shtëpinë, kasapin, frigoriferin, rrugën, qenin, teatrin, fotografinë, pemët, lulet, ujkun dhe kryesisht nëpër mes antitezës ka ndërtuar një varg dhe poezi të shkëlqyeshme. Ndërsa vendosja e tyre në marrëdhënie të pazakonshme prodhon kuptime të reja. Kështu, në këtë mënyrë poezia e Biser Mehmetit e ka ndërtuar filozofinë e vet lirik duke përdorur gjëra të rëndomta. Dhe pikërisht këtu mund të kuptohet më mirë edhe ideja e titullit të këtij studimi: Poeti nuk mund të arratiset nga gjërat e rëndomta, sepse pikërisht prej tyre e ka ndërtuar absurditetin e botës së tij lirike. Ora, guri, frigoriferi, kasapi, oborri, shtëpia, teatri etj, të gjitha në pamjen e jashtme janë objekte të zakonshme. Por në universin poetik të Biser Mehmetit, edhe sendet fillojnë të flasin për vdekjen, vetminë, frikën, kujtesën, kohën dhe groteskun shoqëror.

Përfundim

“Spiralja e frikës” është një vëllim ku e zakonshmja bëhet e pazakontë dhe e pazakonta bëhet e zakonshme. Kështu, poeti Biser Mehmeti nuk ka ndërtuar një botë poetike të bukur në kuptimin tradicional të fjalës. Ai me mjaftë sukses e ka ndërtuar një botë të çarë, të tendosur, të përmbysur, ku njeriu vazhdimisht përballet me të kundërtën e asaj që pret. Andaj vëllimi “Spiralja e frikës” është një përmbledhje poetike ku kundërthënia bëhet strukturë themelore e mendimit poetik, ndërsa antiteza nuk shfaqet vetëm në vargje të veçanta. Prandaj poezia “Unë dhe vetvetja” është e rëndësishëm sidomos për kuptimin e tërësisë së librit, psh.: poezitë “Antitezë” dhe “E theva orën” lidhen natyrshëm me poezinë “Duke kërkuar”; kurse poezia “Metamorfozë” lidhet me poezinë “Dikush më gjuan me gur”; ndërsa poezitë “Te kasapi”, “Luftëtari” dhe “Aktori” e kanë zhvendosur kundërthënien nga bota intime në atë shoqërore dhe kolektive.

Në fund, vëllimi poetik “Spiralja e frikës” nga Biser Mehmeti mund të lexohet edhe si një libër ku poeti përpiqet ta kuptojë botën duke e vendosur vazhdimisht atë përballë vetvetes. Pikërisht në poezitë e Biser Mehmetit, i ndeshim këto kundërvënie të cilat si figure stilistike përforcojnë antitezën duke i vënë: jetën përballë vdekjes; dritën përballë errësirës; dashurinë përballë urrejtjes; gëzimin përballë pikëllimit; kohën përballë mungesës së saj; njeriun përballë vetvetes, etj. Dhe mbi të gjitha, e zakonshmja përballë absurdit. Kjo është arsyeja pse poezia e Biser Mehmetit shpesh të çon nga një imazh i thjeshtë drejt një pyetjeje më të madhe. Ajo nis nga gjëja e rëndomtë, por nuk përfundon aty. Në këtë kuptim, antiteza nuk është vetëm një figurë e poezisë, ajo është mënyra se si kjo poezi dhe vet autori e shohin botën.

Prishtinë, 03 tetor 2026
Shefqet DIBRANI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.