Kur “morali” ka çmim dhe ideali ka afat skadence apo oportunizmi, sëmundja e shoqërisë tonë.
Jetojmë në një kohë ku kauzat nuk lindin më nga besimi, po nga llogaritë bankare.
Sapo shfaqet një temë e ndjeshme sociale apo politike, sheh të njëjtët njerëz që vrapojnë të bëhen flamurtar të saj.
Por nëse gërmon pak nën sipërfaqen e zhurmës së tyre, kupton se stacioni i fundit i këtij rrugëtimi nuk është drejtësia apo ideali, po veçse interesi financiar.
Këta “flamurtar të së dielës” zotërojnë një aftësi të jashtëzakonshme për të ndërruar lëkurën sipas modës së ditës.
Sot mund t’i shohësh duke bërtitur nëpër sheshe apo studio televizive për mbrojtjen e mjedisit, nesër për të drejtat e punëtorëve, e pasnesër për ndonjë kauzë të madhe kombëtare.
Mjerisht ky nuk është pasion; është thjesht nuhatje tregtare.
Ata nuk i udhëheq dhimbja për një kauzë, por frika se mos mbeten jashtë vëmendjes publike, dhe mbi të gjitha, jashtë fondeve apo përfitimeve që ajo temë mund të gjenerojë.
Ky është oportunizmi në formën e tij më të pastër dhe më të rrezikshme.
Kur morali kthehet në mall, idealet fitojnë një afat të shkurtër skadence. Sapo dritat e kamerave fiken, sapo projekti mbyllet apo sapo sigurohet pozicioni i dëshiruar politik e financiar, zhurma ndalet.
Kauza braktiset si një rrobë e vjetër, duke lënë pas vetëm zhgënjimin e atyre që besuan sinqerisht.
Ky merkantilizëm moral tregon se për këta njerëz, parimet nuk janë busull orientimi, por thjesht një kostum luksoz që e veshin për të fshehur lakminë.
Rreziku më i madh i kësaj sëmundjeje shoqërore, nuk është vetëm se disa individ po pasurohen duke shitur iluzione.
Tragjedia e vërtetë qëndron te pasoja afatgjatë: ky oportunizëm po e vret besimin te kauzat e vërteta. Duke e parë këtë teatër të vazhdueshëm hipokrizie, shoqëria fillon të infektohet nga cinizmi dhe apatia.
Njerëzit fillojnë të besojnë se çdo gjë dhe kushdo ka një çmim.
Dhe përfundimisht, në një shoqëri ku çdo betejë njerëzore përfundon te numërimi i parave, idealizmi vdes dhe shoqëria mbetet pa shpirt dhe e dorëzuar përpara tregtarëve të radhës.











