24.5 C
Tirana
E shtunë, 3 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj GAZETA “BESA” E STAMBOLLIT – TRIBUNË E MENDIMIT KOMBËTAR DHE E ÇËSHTJES...

GAZETA “BESA” E STAMBOLLIT – TRIBUNË E MENDIMIT KOMBËTAR DHE E ÇËSHTJES SHQIPTARE NË MËRGIM (8)

0
Gazeta Besa, Stamboll

Sabile Keçmezi-Basha Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

“Lidhja Kosovare” kundër vizitës së Titos në Turqi (1968)

Në mesin e shkrimeve të shumta që botoheshin në faqet e gazetës “BESA”, një vëmendje të veçantë tërheq edhe një dokument me karakter të drejtpërdrejtë politik, i titulluar “Deklarata”. Bëhej fjalë për reagimin e “Lidhjes Kosovare”, të publikuar më 31 mars 1968 në të përditshmen e Izmirit “EGE TELEGRAF”, me rastin e vizitës së Josip Broz Titos në Turqi. Vetë fakti që një organizatë e mërgatës shqiptare zgjodhi shtypin turk për ta bërë publik qëndrimin e saj dëshmon për përpjekjen që çështja e Kosovës dhe pozita e shqiptarëve në Jugosllavi të nxirreshin përtej rrethit të mërgatës dhe t’i paraqiteshin edhe opinionit të vendit ku ata kishin gjetur strehim.

Deklarata ishte formuluar me një gjuhë të ashpër dhe pa ekuivoke. Vizita e udhëheqësit jugosllav në Izmir nuk paraqitej prej saj si një ngjarje e zakonshme diplomatike ndërmjet dy shteteve. Përkundrazi, “Lidhja Kosovare” e cilësonte Titon si drejtues të një shteti që ajo e konsideronte “okupator”[1], duke e lidhur praninë e tij në Turqi drejtpërdrejt me përvojën politike të shqiptarëve në Jugosllavi. Në këtë mënyrë, organizata përpiqej ta zhvendoste vëmendjen nga protokolli i vizitës shtetërore drejt çështjes së Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve.

Në deklaratë flitej në emër të atyre shqiptarëve që ishin larguar nga Jugosllavia dhe ishin vendosur në Turqi. Ata e paraqisnin largimin e tyre si pasojë të presionit politik dhe të sistemit komunist jugosllav, të cilin në gjuhën e kohës e përshkruanin si “zullum komunist”. Ky formulim pasqyronte jo vetëm kundërshtimin e tyre ndaj regjimit jugosllav, por edhe kujtesën e përvojave që mërgata i lidhte me represionin, shpërnguljet dhe pasigurinë që shqiptarët kishin përjetuar gjatë dekadave të para të Jugosllavisë socialiste.

Veçanërisht domethënës ishte referimi ndaj Turqisë si “Turqia e Ataturkut të Madh”. Për autorët e deklaratës, Turqia paraqitej si vendi që u kishte ofruar strehim pasi ishin larguar nga Jugosllavia. Duke iu drejtuar opinionit turk në këtë mënyrë, “Lidhja Kosovare” kërkonte të krijonte një dallim të qartë ndërmjet shtetit që, sipas saj, i kishte detyruar të largoheshin dhe vendit që i kishte pranuar. Mirënjohja ndaj Turqisë ndërthurej kështu me protestën ndaj Titos dhe me përpjekjen për t’i dhënë reagimit një dimension sa politik, aq edhe moral.

Zgjedhja e gazetës “EGE TELEGRAF” si mjet për publikimin e deklaratës kishte gjithashtu rëndësi. Mërgata shqiptare nuk po i drejtohej vetëm komunitetit të vet, por opinionit publik turk. Në mungesë të mundësive për të ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimet politike në Kosovë dhe në Jugosllavi, shtypi bëhej një prej instrumenteve kryesore përmes të cilit organizatat e mërgatës mund të artikulonin qëndrimet e tyre, të protestonin dhe të kërkonin mbështetje ndërkombëtare.

Për këtë arsye, formulimi se vizita e Titos protestohej “në mënyrën ma energjike”[2] përmes shtypit nuk ishte i rastësishëm. Ai tregonte se organizata e konsideronte ardhjen e udhëheqësit jugosllav në Turqi një mundësi për ta bërë më të dukshme kauzën e saj. Një vizitë diplomatike, e cila në nivel shtetëror synonte forcimin e marrëdhënieve jugosllavo-turke, për mërgatën shqiptare shndërrohej në rast për t’ia kujtuar opinionit turk se pas imazhit ndërkombëtar të Jugosllavisë ekzistonte, sipas këndvështrimit të tyre, edhe një realitet tjetër: ai i pakënaqësive dhe kërkesave të shqiptarëve.

Deklarata është me interes edhe për të kuptuar ndarjen e thellë ndërmjet diskursit zyrtar jugosllav dhe diskursit politik të një pjese të mërgatës shqiptare. Jugosllavia e Titos përpiqej të ndërtonte në arenën ndërkombëtare imazhin e një federate shumëkombëshe, të pavarur nga blloku sovjetik dhe të mbështetur mbi parimin e “vëllazërim-bashkimit”. Në anën tjetër, organizata si “Lidhja Kosovare” e kundërshtonin pikërisht këtë paraqitje dhe përpiqeshin të dëshmonin se shqiptarët nuk gëzonin pozitën dhe të drejtat që propaganda shtetërore pretendonte se u garantoheshin.

Në këtë prizëm duhet kuptuar edhe përdorimi i termit “shtet okupator”[3] në deklaratë. Ai nuk duhet marrë si një përcaktim neutral i statusit juridik të Kosovës në atë kohë, por si pjesë e fjalorit politik të organizatës që e hartoi dokumentin. Për “Lidhjen Kosovare”, ky formulim shprehte mënyrën se si ajo e konceptonte marrëdhënien ndërmjet shqiptarëve, Kosovës dhe pushtetit jugosllav. Pikërisht për këtë arsye, dokumenti është i vlefshëm si burim historik: jo vetëm për atë që thotë për Jugosllavinë, por edhe për atë që zbulon rreth mendimit politik, gjuhës dhe objektivave të mërgatës shqiptare në fund të viteve gjashtëdhjetë.

Në fund, protesta e 31 marsit 1968 dëshmon se veprimtaria politike shqiptare nuk zhvillohej vetëm brenda Kosovës. Ajo kishte edhe një dimension të rëndësishëm mërgimtar. Organizatat shqiptare jashtë Jugosllavisë përpiqeshin të shfrytëzonin vizitat ndërkombëtare të udhëheqësve jugosllavë, shtypin e vendeve ku vepronin dhe kontaktet me opinionin e huaj për ta mbajtur çështjen e Kosovës të pranishme në debatin publik. Për “Lidhjen Kosovare”, ardhja e Titos në Izmir nuk ishte vetëm vizita e një udhëheqësi të huaj në Turqi; ishte një rast politik për ta kundërshtuar publikisht narrativën zyrtare jugosllave dhe për t’i dhënë zë, jashtë kufijve të Jugosllavisë, versionit të saj për pozitën e shqiptarëve dhe të Kosovës.

Në vazhdim të argumentimit të saj kundër politikës jugosllave, “Lidhja Kosovare” sillte edhe një episod që, sipas saj, dëshmonte kundërthënien ndërmjet qëndrimeve që Josip Broz Tito shprehte në politikën e jashtme dhe mënyrës se si trajtoheshin aspiratat kombëtare të shqiptarëve brenda Jugosllavisë. Për këtë qëllim përmendej vizita e Titos në Qipro dhe takimi i tij me kryepeshkopin Makarios III, udhëheqësin e atëhershëm qipriot[4]. Pikërisht kjo vizitë përdorej nga autorët e deklaratës si argument për ta vënë në pikëpyetje koherencën e politikës jugosllave kur bëhej fjalë për parimin e vetëvendosjes dhe të drejtën e popujve për të përcaktuar të ardhmen e tyre.

Sipas mënyrës se si episodi përcillej në deklaratë, Tito, gjatë qëndrimit në Qipro, u ishte drejtuar grekëve qipriotë duke shprehur mirëkuptim për aspiratat e tyre kombëtare. Madje, atij i atribuohej pohimi se do të dëshironte që, në një vizitë të ardhshme në ishull, t’i gjente të realizuara dëshirat e tyre dhe se, nëse do të përmbushej ENOSIS-i, pra bashkimi i Qipros me Greqinë, ai do ta konsideronte veten jashtëzakonisht të lumtur[5].

Për autorët e deklaratës, rëndësia e këtij pohimi nuk qëndronte vetëm te çështja qipriote. Episodi përdorej para së gjithash për të ndërtuar një krahasim politik. Nëse udhëheqësi jugosllav mund të shprehte simpati apo mirëkuptim ndaj aspiratës së grekëve të Qipros për bashkim kombëtar, atëherë shtrohej pyetja se përse një parim i ngjashëm nuk mund të diskutohej kur bëhej fjalë për shqiptarët dhe aspiratat e tyre. Pikërisht këtu “Lidhja Kosovare” kërkonte të evidentonte atë që ajo e konsideronte një standard të dyfishtë të politikës jugosllave.

Në diskursin politik të mërgatës shqiptare, ky krahasim merrte një peshë të veçantë. Çështja nuk paraqitej vetëm si kundërshtim ndaj një politike konkrete të Beogradit, por si problem parimor: a mund të mbështetej e drejta e një populli për realizimin e aspiratave të tij kombëtare jashtë kufijve të Jugosllavisë, ndërsa kërkesat e shqiptarëve brenda saj të shiheshin me dyshim, të kufizoheshin ose të konsideroheshin kërcënim ndaj shtetit?[6] Për “Lidhjen Kosovare”, pikërisht kjo mospërputhje e dobësonte retorikën jugosllave mbi barazinë e popujve dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje.

Episodi bëhej edhe më domethënës në kontekstin ndërkombëtar të kohës. Jugosllavia e Titos kishte ndërtuar një pjesë të konsiderueshme të autoritetit të saj ndërkombëtar mbi mbështetjen e dekolonizimit, sovranitetit të shteteve dhe të drejtës së popujve për të vendosur për fatin e tyre. Si një prej vendeve udhëheqëse të Lëvizjes së të Painkuadruarve, ajo kërkonte të paraqitej si mbështetëse e popujve që luftonin kundër varësisë dhe dominimit të jashtëm. Pikërisht për këtë arsye, mërgata shqiptare përpiqej ta ballafaqonte këtë gjuhë të politikës së jashtme me realitetin që ajo pretendonte se shqiptarët përjetonin brenda federatës jugosllave.

Në këtë mënyrë, përmendja e Qipros dhe e ENOSIS-it nuk ishte një shmangie nga tema e Kosovës. Përkundrazi, ajo ishte pjesë e një strategjie argumentuese përmes së cilës “Lidhja Kosovare” kërkonte ta ndërkombëtarizonte çështjen shqiptare dhe ta paraqiste atë përmes parimeve që Jugosllavia vetë përdorte në marrëdhëniet ndërkombëtare. Duke e vendosur rastin e Qipros përballë atij të shqiptarëve, autorët e deklaratës synonin të tregonin se parimi i vetëvendosjes nuk mund të përdorej në mënyrë përzgjedhëse: të mbështetej kur bëhej fjalë për popuj të tjerë dhe të kufizohej kur prekte drejtpërdrejt interesat e brendshme të Jugosllavisë.

Prandaj, pohimi që deklarata ia atribuonte Titos për ENOSIS-in merrte në faqet e shtypit të mërgatës një kuptim shumë më të gjerë sesa vetë çështja qipriote. Ai shndërrohej në një argument politik kundër Beogradit dhe në një mënyrë për të nxjerrë në pah atë që “Lidhja Kosovare” e konsideronte kundërthënie ndërmjet parimeve të shpallura jashtë vendit dhe politikës së zbatuar ndaj shqiptarëve brenda tij. Në këtë lexim, Qiproja shërbente si pasqyrë për Kosovën: jo sepse të dyja rastet ishin historikisht dhe juridikisht të njëjta, por sepse përmes krahasimit mërgata shqiptare kërkonte të ngrinte pyetjen se përse një aspiratë kombëtare mund të mirëpritej në një vend tjetër, ndërsa kërkesat shqiptare trajtoheshin sipas një logjike tjetër[7].

Në vazhdim të deklaratës së saj, “Lidhja Kosovare” e zgjeronte protestën përtej kundërshtimit të një vizite zyrtare jugosllave në Turqi, duke e shndërruar tekstin në një akuzë më të gjerë politike ndaj Jugosllavisë dhe mënyrës se si ajo, sipas organizatës, e kishte trajtuar Kosovën dhe popullsinë shqiptare. Gjuha bëhej gjithnjë më e drejtpërdrejtë dhe polemike, ndërsa argumentet ndërtonin një lidhje ndërmjet politikës së jashtme jugosllave, pozitës së shqiptarëve dhe trashëgimisë historike të marrëdhënieve shqiptaro-serbe.

Në qendër të reagimit kësaj radhe vendosej Mika Shpiljak, të cilin deklarata e përmendte në lidhje me qëndrimin e Jugosllavisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sipas “Lidhjes Kosovare”, Shpiljaku kishte vepruar në OKB kundër tezës së mbrojtur nga Turqia, duke kontribuar, siç pretendonte deklarata, që 43 shtete të votonin kundër qëndrimit turk[8]. Për organizatën shqiptare në mërgim, ky fakt merrte një domethënie të veçantë pikërisht sepse përmendej në një deklaratë të botuar në shtypin turk. Synimi ishte i qartë: opinionit të Turqisë t’i paraqitej një udhëheqës jugosllav jo vetëm si përfaqësues i një shteti që mërgata e kundërshtonte për shkak të Kosovës, por edhe si përfaqësues i një politike që, sipas deklaratës, kishte vepruar kundër interesave turke në arenën ndërkombëtare.

Pas këtij argumenti, deklarata kalonte drejtpërdrejt te çështja e Kosovës. “Lidhja Kosovare” pohonte se në Kosovë jetonin rreth dy milionë shqiptarë, ndërsa territorin e cilësonte si të “okupuar nga Jugosllavët”[9]. Sipas saj, popullsisë shqiptare nuk i njiheshin të drejtat që duhej t’i gëzonte një popull i lirë. Edhe këtu duhet pasur parasysh karakteri i dokumentit: si numri prej dy milionësh, ashtu edhe përcaktimi i Kosovës si territor “i okupuar”, përfaqësojnë pohimet dhe terminologjinë politike të vetë organizatës dhe duhen lexuar si të tilla, jo si formulime neutrale statistikore apo juridike.

Megjithatë, pikërisht kjo gjuhë e bën deklaratën një burim domethënës për studimin e mendimit politik të mërgatës shqiptare. Për “Lidhjen Kosovare”, problemi i Kosovës nuk reduktohej në kërkesën për disa të drejta shtesë brenda sistemit ekzistues jugosllav. Organizata e konceptonte atë si një çështje të pazgjidhur kombëtare dhe historike. Prandaj edhe fjalori i saj ndryshonte dukshëm nga ai që përdorej në diskutimet politike brenda Kosovës, ku kërkesat e vitit 1968 artikuloheshin shpesh përmes nocioneve të barazisë, avancimit kushtetues, përdorimit të gjuhës shqipe, arsimit dhe përfaqësimit politik.

Kjo bëhej edhe më e qartë kur deklarata i drejtohej personalisht Mika Shpiljakut me paralajmërimin se, për aq kohë sa Jugosllavia do të vazhdonte atë që organizata e quante “politikë të okupatorëve Karagjorgjeviq”[10], nuk mund të kishte paqe të qëndrueshme në Ballkan. Me këtë formulim, “Lidhja Kosovare” ndërtonte një vijë vazhdimësie ndërmjet politikës së Mbretërisë së Jugosllavisë dhe asaj të Jugosllavisë socialiste. Ndryshimi i sistemit politik pas Luftës së Dytë Botërore, nga monarkia në federatën socialiste, sipas këtij interpretimi, nuk kishte sjellë një shkëputje të mjaftueshme nga politika e mëparshme ndaj shqiptarëve.

Kjo mënyrë e interpretimit të historisë ishte thelbësore për argumentin e deklaratës. Për autorët e saj, çështja shqiptare nuk kishte filluar me konfliktet dhe pakënaqësitë e viteve gjashtëdhjetë. Ajo vendosej në një hark shumë më të gjatë kohor, që përfshinte dekadat e sundimit jugosllav mbi Kosovën. Pikërisht për këtë arsye deklarata fliste për “55 vjet” të politikës së okupimit, duke e paraqitur kujtesën historike si pjesë të drejtpërdrejtë të argumentit politik të vitit 1968[11]. Në këtë perspektivë, e kaluara nuk ishte një kapitull i mbyllur, por përdorej për të shpjeguar pakënaqësinë e së tashmes.

Edhe më e rëndë ishte akuza që pasonte. “Lidhja Kosovare” pretendonte se nga viti 1945 e deri në kohën e hartimit të deklaratës ishin vrarë 65.000 kosovarë të pafajshëm[12]. Megjithatë, pavarësisht çështjes së saktësisë së shifrave, rëndësia e deklaratës qëndron edhe në mënyrën se si mërgata shqiptare ndërtonte kujtesën e represionit. Shprehja se “kosovarët nuk e kanë harruar” ishte në vetvete një mesazh politik. Ajo sugjeronte se kujtesa e dhunës dhe e padrejtësive të perceptuara nuk ishte zhdukur me kalimin e viteve dhe se pikërisht kjo kujtesë ushqente vazhdimësinë e kërkesave politike shqiptare.

Në këtë pikë, deklarata kalonte nga protesta ndaj një politikani të caktuar në një paralajmërim shumë më të gjerë për të ardhmen e rajonit. Pohimi se “nuk do të ketë kurrë paqe në Ballkan” për aq kohë sa vazhdonte politika që organizata e konsideronte pushtuese e paraqiste zgjidhjen e çështjes së Kosovës si kusht për stabilitetin rajonal. Në mendimin politik të “Lidhjes Kosovare”, Kosova nuk ishte vetëm problem i brendshëm jugosllav; ajo paraqitej si një çështje ballkanike, zgjidhja ose moszgjidhja e së cilës mund të ndikonte në marrëdhëniet ndërmjet popujve dhe shteteve të rajonit.

Deklarata përfundonte duke marrë edhe një formë të qartë përfaqësimi institucional. Ajo nuk paraqitej si reagim anonim apo mendim individual, por mbyllej me formulën “N’emën të Lidhjes Kosovare” dhe me emrin e Fadil Bytyçit[13]. Kjo i jepte dokumentit karakterin e një qëndrimi të artikuluar në emër të organizatës dhe dëshmonte për përpjekjen e mërgatës shqiptare që veprimtarinë e saj politike ta zhvillonte në mënyrë të organizuar dhe ta bënte të dukshme në opinionin ndërkombëtar.

Parë në tërësinë e saj, deklarata e botuar në Izmir është një dëshmi interesante për diskursin politik të mërgatës kosovare në vitin 1968. Ajo bashkonte kujtesën historike, akuzat për represion, çështjen e të drejtave të shqiptarëve, kritikën ndaj politikës së jashtme jugosllave dhe paralajmërimin për stabilitetin e Ballkanit. Mbi të gjitha, dokumenti dëshmon se, ndërsa brenda Kosovës kërkesat shqiptare po fitonin gjithnjë më shumë hapësirë në jetën politike, kulturore dhe studentore, jashtë Jugosllavisë një pjesë e mërgatës përdorte një gjuhë shumë më radikale, duke e paraqitur çështjen e Kosovës jo thjesht si problem të barazisë brenda federatës, por si një çështje kombëtare të pazgjidhur që duhej të bëhej e njohur edhe përtej kufijve të Jugosllavisë.

Në këtë kuptim, nënshkrimi i Fadil Bytyçit në emër të “Lidhjes Kosovare” nuk mbyllte vetëm një protestë të rastit ndaj vizitës së një përfaqësuesi jugosllav në Turqi. Ai vuloste një mesazh politik më të gjerë: sipas kësaj organizate, kalimi i kohës nuk e kishte mbyllur çështjen e Kosovës dhe as nuk e kishte fshirë kujtesën e së kaluarës. Përkundrazi, mërgata synonte që atë kujtesë ta shndërronte në argument politik dhe ta bartte çështjen shqiptare nga hapësira e kontrolluar jugosllave drejt opinionit publik ndërkombëtar.

Vijon

[1] “Deklarata”, gazeta “Besa”, Stamboll, 1968.
[2] Po aty.
[3] Po aty.
[4] Po aty.
[5] Po aty.
[6] Po aty.
[7] Po aty.
[8] Po aty.
[9] Po aty.
[10] Po aty.
[11] Po aty.
[12] Po aty.
[13] Po aty.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.