Nga Rexhep Çullhaj
– Kanë kaluar 35 vite nga rrëzimi i komunizmit. 35 vite që shqiptarëve u thuhet se kemi ndërtuar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë e tregut. Por le të ndalemi një çast dhe të pyesim: Çfarë ndërtuam realisht? Në vitet ’90 u përmbys një sistem dhe Shqipëria hyri në një rrugë të re. Ishte koha e shpresës, por edhe e një demokracie të egër. Shumë njerëz që kishin punuar në administratë, industri, arsim, shëndetësi apo institucione para vitit 1990 u trajtuan sikur duhej të paguanin një faj vetëm sepse kishin qenë pjesë e sistemit të mëparshëm. -Ironia ishte se disa prej atyre që dje i shërbenin sistemit të vjetër, të nesërmen u shfaqën si demokratë të zjarrtë. Ndërsa specialisti, profesionisti dhe njeriu që kishte vetëm punën e tij, shpesh mbeti jashtë. Pastaj erdhën zgjedhjet.
– Zgjedhje pas zgjedhjesh, me akuza për manipulime, presione dhe deformim të vullnetit të qytetarëve. Dhe pyetja vazhdon të mbetet: Çfarë Shqipërie do të kishim sot sikur vota e çdo shqiptari të ishte respektuar gjithmonë ashtu siç ishte dhënë? Ekonomia e tregut filloi të merrte jetë. U hapën bizneset, u krijuan mundësi të reja, njerëzit filluan të punonin për veten. Por a u krijua një ekonomi me mundësi të barabarta? Jo gjithmonë. -Për dikë u hapën dyert, u gjetën licenca, leje, kontrata dhe mundësi. Për shumë të tjerë mbeti ekonomia informale, puna në të zezë dhe lufta për mbijetesë. Dhe ndërkohë, çfarë ndodhi me pasurinë që trashëguam? Fabrika, uzina, ndërmarrje, magazina, toka dhe objekte të ndryshme u privatizuan, u shpërbënë ose u lanë të shkonin drejt degradimit. Një pjesë e pasurisë së krijuar ndër vite nuk u shndërrua në bazë për një ekonomi të re prodhuese.
Shpesh u kthye në prona, skrap, truall dhe mundësi për pasurim të shpejtë. Nga ekonomia që duhej të prodhonte, kaluam te ekonomia që shiste. Po drejtësia? Edhe këtu kemi një histori të gjatë. Një shtet demokratik nuk ndërtohet duke zëvendësuar thjesht njerëzit në zyra. Drejtësia kërkon profesionalizëm, integritet, pavarësi dhe meritë. Për vite me radhë, shqiptarët panë se si sistemi i drejtësisë ndryshonte, ndërsa besimi i qytetarëve mbetej problematik. U krijuan edhe situata që sot kujtohen me termin ironik “shkolla e plepave”, duke iu referuar mënyrave të shpejta dhe të diskutueshme të formimit të disa gjyqtarëve e prokurorëve. Por drejtësia nuk është kurs gjashtëmujor, nuk është post politik dhe nuk është shpërblim. Drejtësia është themeli mbi të cilin duhet të qëndrojë shteti.
Pastaj kemi politikën. Në krye të vendit kanë ardhur qeveri, parti dhe liderë të ndryshëm. Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Edi Rama. Kanë ndryshuar sloganet. Kanë ndryshuar koalicionet. Kanë ndryshuar flamujt politikë. Por a ka ndryshuar aq sa duhet jeta e qytetarit? Sepse qytetari vazhdon të kërkojë gjëra fare të thjeshta: punë, drejtësi, shëndetësi, arsim, siguri dhe dinjitet. Dhe ndërkohë Shqipëria po zbrazet. Të rinjtë largohen. Familjet ndahen. Fshatra të tëra mbeten pa banorë. Profesionistët ikin sepse nuk shohin hapësirë për të ndërtuar jetën që dëshirojnë këtu. Një vend nuk humbet vetëm popullsi kur ikin njerëzit. Humb të ardhmen. Dhe ndërsa njerëzit largohen, administrata vazhdon të rritet. Zyra, institucione, drejtori, agjenci, këshilla, borde… Sa prej tyre janë vërtet të domosdoshme? Sa prej tyre prodhojnë shërbim real për qytetarin? Dhe sa janë thjesht vende pune të krijuara nga politika?
Edhe parlamenti me 140 deputetë ngre pyetje për qytetarët: a është kjo struktura më efikase e mundshme për një vend me përmasat dhe popullsinë e Shqipërisë? Por ndoshta pyetja më e dhimbshme është tjetër: Çfarë ndodhi me korrupsionin? Korrupsioni nuk është më vetëm një fjalë që dëgjojmë në lajme. Për qytetarin, ai mund të jetë një përvojë e përditshme. Një dokument. Një leje. Një vend pune. Një tender. Një shërbim. Një vizitë te mjeku. Dhe këtu arrijmë te shëndetësia. Shëndetësi falas? Falë kujt? Kur një qytetar shkon te mjeku specialist, ambienti është publik, pajisjet janë publike, institucioni është publik dhe një pjesë e sistemit financohet nga taksat e qytetarëve. Por pastaj qytetari mund të përballet me pagesa për konsultë, vizitë apo shërbime të tjera.
Dhe nëse pagesa shkon në shifra që për një familje të zakonshme janë të rënda, atëherë pyetja është e pashmangshme: Çfarë kuptimi ka “falas” nëse qytetari duhet të paguajë përsëri kur ka nevojë për shërbimin?Nëse një mjek ushtron aktivitet privat, duhet të jetë e qartë ku mbaron shërbimi publik dhe ku fillon ai privat. Nuk mund të kemi një sistem ku qytetari paguan taksat, paguan kontributet dhe, kur sëmuret, duhet të paguajë përsëri. Kjo nuk është vetëm çështje mjeku. Është çështje sistemi. Dhe pas 35 vitesh kemi të drejtë të bëjmë pyetje. Jo për të kthyer kohën pas. Jo për të rikthyer një sistem të vjetër. Por për të kuptuar pse një vend që kishte kaq shumë shpresë në vitet ’90 sot përballet me emigracion masiv, korrupsion, pabarazi, mosbesim te institucionet dhe një administratë që shpesh duket më e madhe se nevojat reale të qytetarit. 35 vite janë mjaftueshëm.
Mjaftueshëm për të mos kërkuar më justifikime te e kaluara. Mjaftueshëm për të mos fajësuar gjithmonë qeverinë paraardhëse. Mjaftueshëm për të mos thënë gjithmonë: Edhe këta para nesh kështu bënë.” Sepse pas 35 vitesh pyetja nuk është më vetëm: Kush e kishte fajin?” Pyetja është: Kush mban përgjegjësi?” Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishme: A do të ndërtojmë më në fund një shtet që i shërben qytetarit, apo do të vazhdojmë të ndërtojmë qytetarin që i shërben shtetit dhe politikës? Kjo është pyetja që duhet t’i bëjmë vetes sot. Jo nesër. Pas 35 vitesh, Shqipëria nuk ka më nevojë për premtime. Ka nevojë për llogaridhënie


