Don Lush Gjergji dhe Nënë Tereza
Nga Ismet M. Hasani, Suedi
Biograf i Nënë Terezës
November 7, 2011/
http://www.revistadrini.com/wp-content/uploads/2011/11/Lush-Gjergji.jpg
“Shenjtëria e Nënë Terezës e kishte burimin nga shtëpia. Nëse bota e njeh për dedikimin e pareshtur ndaj të varfërve të Planetit, ndoshta jo të gjithë e dinë që Nënë Tereza, me Çmim Nobel për Paqe në 1979, e bekuar në 2003 nga Papa Gjon Pali II, kishte prindër shembullorë në bamirësi. Kolë dhe Drane Bojaxhiu, shqiptarë nga Shkupi, ku Anjeza Gonxhe Bojaxhiu (Nënë Tereza) lindi në 26 gusht 1910.
Këtij pohimi pa dilema i ka mëshuar fort biografi i njohur i Nënë Terezës, shqiptari Don Lush Gergji. Një ndër biografët e shumtë, por ai ndër më kryesorët, të cilit i referohet shumëkush që do të shkruajë diçka për shenjtoren e gjithë botës. Pasi si Don Lush Gjergji askush tjetër ndër shqiptarë nuk ka hulumtuar plot tridhjetë vjet studim dhe miqësi me Nënë Terezën.
Ka pasur fatin ta takojë nga afër në vitet kur shqiptarët e tjerë nuk i dinin as emrin. Por i përkiste edhe të njëjtit besim me të; atij katolik, duke pas qenë ipeshkv, pikërisht edhe në vendlindjen e Nënë Terezës, Shkup. Por edhe në Prizren, Prishtinë. Në disa nga botimet e tij jetëshkrimore kushtuar Nënë Terezës sjell dëshmi autentike rreth origjinës së saj shqiptare. Duke treguar se si shtëpia e Bojaxhinjve afër qendrës së qytetit të Shkupit ishte fare afër Katedrales ku është pagëzuar Gonxhja e vogël, pa ndonjë kishë ortodokse afër, siç pretendojnë për origjinën e saj sllave.
Apo se babai i saj ishte i vetmi katolik ndër këshilltarët e qytetit. Apo se në Letnicë shtegtonte edhe familja e Bojaxhinjve. Mënyra e shtegtimit bëhej së bashku me familjet e tjera katolike shqiptare, siç e dëshmon vet Lazri, vëllai iNënë Terezës”, thuhen tek libri ‘Nëna jonë, Terezë”. Tek ‘Nëna e dashurisë’ gjendet fotografia në moshën 16-vjeçare e Nënë Terezës me kostum tipik kombëtar të zonës së Prizrenit. Këto pak nga dëshmitë e pasura që sjell Don Lush Gjergji nga moria e kontakteve që ka pasur duke jetuar afër Nënë Terezës.
Kujtime nga takimi i parë
E ka takuar për herë të parë Nënë Terezën në Romë, kur ishte 19 vjeç. “Isha në vitin II të studimeve filozofike. Kisha dëgjuar të flitej shumë për legjendën e murgeshës shqiptare në Indi. Isha përgatitur gjithë natën për takimin, por u ndjeva si të isha pranë nënës sime. Në thjeshtësinë e saj kishte një ngarkesë spiritualiteti, dashurie dhe thjeshtësie të shkëlqyer”, kujton. Nënë Tereza i dallonte njerëzit në nevojë kudo që gjendeshin. Në Romë kishte zgjedhur një lagje të vogël në zonën e Castelgandolfo, ku ciganët dhe refugjatët jetonin në kufijtë e ekzistencës, dhe iu ishte dedikuar bashkë me motrat e saj. Gjithë këtë përkushtim për të varfrit sipas Don Lushit, Nënë Tereza e kishte marrë në familje. Babai i saj, Kolë, ishte një tregtar, sipërmarrës dhe politikan i impenjuar në kauzën për pavarësinë e Shqipërisë. Udhëtonte në gjithë Europën për aktivitetet e tij dhe kur kthehej në shtëpi i shpërndante fëmijët ngado për të dhuruar veshje dhe para për të varfrit.
“Por nëna Drane ishte një Nënë Tereza në miniaturë”, vijon Lushi. Nga dhjetë shtëpitë që familja Bojaxhi kishte në pronësi, nëntë ua kishte dhënë të pastrehëve. Kishte strehuar në familjen e saj gjashtë jetimë dhe çdo ditë përgatiste drekën për rreth njëzet vetë; kur fëmijët pyesnin se ç’ishin këta mysafirë që vinin rrotull nëpër shtëpi, ajo iu përgjigjej thjesht: “miq”. “Një herë ndërsa ishte për drekë me papa Ëojtyl”-ën, – kujton Don Lushi,- i them: ‘Shenjtëri, ndoshta jam duke thënë ndonjë budallallëk, por unë do të shpallja një herë të shenjtë nënën më pas bijën’. Papa buzëqeshi dhe më tha: ‘Ke të drejtë. Vetëm prindër të mëdhenj lindin fëmijë të mëdhenj.”.
Pyetja enigmë
Don Lushi pati fatin t’i drejtonte përballë edhe pyetjen e madhe, se si i erdhi urdhëresa hyjnore për të lënë kuvendin dhe për t’iu përkushtuar të varfërve. Nënë Tereza iu përgjigj duke qeshur: “Ishte zëri i Zotit që të jetoja me të varfrit, si të varfrit. Ishte një urdhër, një detyrë, një qartësi. Nuk ka rëndësi forma se si Zoti na thërret. Secilin nga ne e thërret në mënyra të ndryshme. Ne nuk kemi asnjë meritë për këtë. Por rëndësi ka t’i përgjigjemi thirrjes me gëzim. Edhe në çastet dramatike, edhe tani, jam e sigurt që ishte vepër e Zotit, jo imja. Duke qenë vepër e Zotit e dija që bota do të kishte të mira, që ai do të përdorte varfërinë time, dobësinë time, jetën time për t’iu dhënë më të varfërve ndër të varfër dashurinë e tij.”
Botime nga Don Lush Gjergji
“Nënë Tereza – Dashuria në veprim” dhe “Nënë Tereza – Shenjtëresha e dashurisë”, “Të jetosh, të dashurosh, të dëshmosh rrugëtimin e saj shpirtëror”, ‘Nëna e dashurisë’ apo ‘Nëna jonë Terezë’. Ka publikuar 37 botime përkthyer në 35 gjuhë të ndryshme. Me dëshmi nga gjithë jeta e shenjtores, letra, fotografi, shkrime publicistike etj.
Jetëshkrimi
62 vjeç, Vendlindja: Stubëll e Epërme – Viti, Kosovë. Vendbanimi: Prishtinë, Kosovë
Arsimi: Filozofi, teologji, psikologji ‘La Sapienza’ në Romë. President i Kosova Humanitarian and Charitable
Society “Mother Tereza” në Prishtinë. Bashkë me Ibrahim Rugovën, mbështetës i lëvizjes paqësore për pavarësinë e Kosovës. Ipeshkv katolik i Ipeshkvisë Shkup-Prizren. Një nga biografët kryesorë të Nënë Terezës.
Magdalena Alla
KOMENT
Ismet M. Hasani, Suedi 7 nëntor 2011
Biografin e “Nenës Tereze” të respektuarin don Lush Gjergji, kam patur rastin ta njoh edhe për së afërmi në vitin 2010 në Prishtinë – afër Katedralës, ku, pasi i këmbyem vizitëkartelet, më fëtoi të jam mysafir në Katedrale, mbi cka e falënderova përzemërsisht.
Nga ky njeri kam mësuar shumë mbi “Nënën Terezë”, e për momentin po i citoj vetëm dy rrëfime të tij, e këto janë:
(1) Sa ishte Gonxheja e vogël, baba i saj Kolë Bojaxhiu ia la këtë këshillë:
“Bija ime, mbaje në mend: as mos na hyft, as mo na dalt kush prej kësaj dere, në qoftë se sado pak nuk ke ka ndie dashurinë e kësaj shtëpie!”
(2) “Bija ime, bëhu bamirëse! Bamirësia është si një guracel, të cilin e gjuen thellë në det, e ti kurrë mâ nuk e sheh, por ai aty qëndron dhe kurrë nuk humbë!”
Të lumtë z. don Lush Gjergji! Paq shëndet të plotë, me qëllim që të arrijsh suksese me rezultate të mrekullueshme, duke shkuar drejt majave më të larta të përparimit të mendimit dhe dashurisë njerëzore!
Dhe, po e përfundoj, duke ju lënë vend edhe të tjerëve, por po e them edhe këtë:
Dashuria i afron të gjithë njerëzit, e me afrimin, zvogëlohen dallimet midis tyre.
Përshëndetje!
Ismet M. Hasani, Suedi 7 nëntor 2011
F a l ë n d e r i m
Ju lumtë z. Bajram Gjergj Kabashi. Vazhdoni me punë dhe vepra te mira! Vazhdoni me përparimin e zhvillimin e mendimit pozitiv njerëzor, drejt arritjes ne majat me te larta. Ju uroj shëndet, harmoni e lumturi në familje, suksese me rezultate te Larta. Uroj qe mbi Ju të mbizotëroi Qetësia Absolute Shpirtërore!
Konsideroj qe do mbetem i manget në qoftë se po këtu nuk them ca fjalë për ”DRINI.com” dhe të zotin e kësaj Shtëpie, njeriun e mirë – z. Bajram Gjergj Kabashi, i cili me vetëflijim është shndërrua në urë-lidhjeje, sipër së cilës po mbikalojmë pa vështirësi ujëra të thella, ama shumë të rrezikshme, po kalojmë në ”toka te reja, në një botë krejtësisht tjetër nga kjo ”e jona”, po krijojmë miqësi të reja e të mirëfillëta dhe shumëdobiprurëse. I jam shum mirënjohës këtij njeriu, që po bën kaq të mira, mbi të gjitha për Çështjen Kombëtare Shqiptare dhe për né.
Përshëndetje!
Ismet M. Hasani Suedi, më 7 nëntor 2011
F U N D











