Urgjenca e ndryshimit të ligjit zgjedhor
Nga Sheradin Berisha
Hyrje
Reforma zgjedhore përbën një nga çështjet më të rëndësishme për konsolidimin e sistemit dhe funksionalitetin institucional të Republikës së Kosovës. Prej shumë vitesh kam kërkuar jo vetëm rishikimin e dispozitave kushtetuese që burojnë nga Pakoja e Ahtisaarit, por edhe një reformim substancial të Ligjit Zgjedhor.
Sistemi aktual, i ndërtuar mbi një zonë të vetme zgjedhore dhe mbi mekanizmin e vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë, është dëshmuar se ka ndikuar në krijimin e krizave të përsëritura institucionale dhe në dobësimin e përfaqësimit të drejtpërdrejtë të votuesve. Në këtë kontekst, kam propozuar një model të ri zgjedhor që synon të jetë më funksional, më përfaqësues dhe më i barabartë.
1. Ndarja e Kosovës në 5 – 7 zona elektorale
Aktualisht, Kosova funksionon si një zonë e vetme zgjedhore, ku të gjithë deputetët zgjidhen nga një listë qëndrore. Ky model e zbeh lidhjen ndërmjet deputetit dhe rajonit që ai përfaqëson, ndërsa fuqizon strukturat qendrore partiake e klienteliste në përzgjedhjen e kandidatëve.
Prandaj Kosova duhet të organizohet në 5 – 7 zona elektorale, ku secila zonë do të kishte një numër mandatesh proporcional me popullsinë dhe elektoratin e saj. Çdo zonë do të përfaqësohej me 10 – 20 deputetë, duke siguruar një shpërndarje më të drejtë territoriale të përfaqësimit.
Ky model mbështetet edhe në praktikat e vendeve të tjera evropiane. Shqipëria dhe Kroacia kanë nga 12 zona zgjedhore, Maqedonia e Veriut 6, ndërsa Sllovenia 8 zona elektorale.
2. Reformimi i sistemit të votimit
Një nga mangësitë kryesore të sistemit aktual është mundësia që një votues të përzgjedhë deri në dhjetë kandidatë brenda së njëjtës listë. Kjo nxit konkurrencën e brendshme ndërmjet kandidatëve të së njëjtës parti, duke tjetërsuar votën gjatë numrimit, krijon konfuzion te votuesit dhe e dobëson përgjegjësinë individuale të deputetit.
Si alternativë të bëhet që çdo votues të votojë vetëm një kandidat. Një sistem i tillë do ta bënte më të qartë lidhjen ndërmjet votës dhe mandatit, duke rritur përgjegjësinë politike të përfaqësuesit ndaj elektoratit.
3. Reduktimi i numrit të deputetëve nga 120 në 100
Një element tjetër i reformës është zvogëlimi i përbërjes së Kuvendit nga 120 në 100 deputetë. Ky ndryshim duhet të bëhet si një masë që e bën parlamentin më racional, më ekonomik dhe më efikas, pa cenuar parimet themelore të përfaqësimit.
Sipas këtij qëndrimi, një Kuvend me 100 deputetë është më i përshtatshëm për madhësinë territoriale dhe demografike të Kosovës.
4. Përfaqësimi proporcional sipas strukturës demografike
Regjistrimi i popullsisë në Kosovë i vitit 2024 tregon se rreth 93% e banorëve të Kosovës janë shqiptarë, ndërsa rreth 7% u përkasin komuniteteve joshumicë.
Në përputhje me këtë strukturë demografike, Kuvendi me 100 ulëse të përbëhet nga:
A. 93 – 94 deputetë që përfaqësojnë shumicën shqiptare;
B. 6 – 7 deputetë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.
Ky propozim mbështetet në parimin e proporcionalitetit, sipas të cilit përfaqësimi parlamentar duhet të pasqyrojë sa më afër përbërjen reale të popullsisë.
5. Rishikimi i vendeve të rezervuara për komunitetin serb
Sipas regjistrimit të vitit 2024, komuniteti serb përbën rreth 2.31% të popullsisë, ndërsa për shkak të bojkotimit të regjistrimit kjo përqindje mund të jetë afërsisht 3%.
Në sistemin aktual, komuniteti serb gëzon 10 vende të rezervuara në Kuvend. Kam propozuar që këto mandate të mos jenë më të garantuara, por të fitohen përmes votës, duke rezultuar në 3–4 deputetë, në përputhje me peshën e tij demografike.
Po ashtu kam propozuar edhe heqjen e mekanizmit të shumicës së dyfishtë (2/3 e deputetëve të komuniteteve), me arsyetimin se ai shpesh krijon bllokada në procesin e vendimmarrjes parlamentare.
6. Përfaqësimi i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve
Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian aktualisht përfaqësohen me tre mandate të rezervuara. Duke marrë parasysh përmasën e tyre demografike dhe prejardhjen e përbashkët historike, ato duhet të përfaqësohen me një deputet, të zgjedhur përmes votës dhe jo përmes kuotave të garantuara.
7. Boshnjakët dhe goranët në një njësi të përbashkët zgjedhore
Aktualisht komuniteti boshnjak përfaqësohet me dy deputetë, ndërsa komuniteti goran me një. Me ligjin e ri zgjedhor parashoh që Prizreni dhe Sharri të formojnë një zonë të përbashkët elektorale, ku boshnjakët dhe goranët mund të garojnë për një mandat në Kuvend, të fituar mbi bazën e votës. Sipas këtij modeli, përfaqësimi do të fitonte legjitimitet më të madh dhe do të shmangeshin privilegjet e mandateve të rezervuara.
8. Përfaqësimi i komunitetit turk
Komuniteti turk përbën rreth 1.22% të popullsisë dhe është i përqendruar kryesisht në Prizren dhe Mamushë.
Ndërsa sistemi aktual i garanton dy vende të rezervuara, me ligjin e ri ky komunitet do të përfaqësohet me një deputet, i zgjedhur përmes votës. Në këtë mënyrë, përfaqësimi do të mbështetej në legjitimitetin elektoral dhe jo në kuotat e përcaktuara me ligjin aktual.
Përfundim
Reforma zgjedhore është e domosdoshme për funksionalizimin e sistemit politik të Kosovës. Ndarja e vendit në 5–7 zona elektorale, votimi i një kandidati, reduktimi i Kuvendit në 100 deputetë dhe zëvendësimi i vendeve të rezervuara me mandate të fituara përmes votës përbëjnë shtyllat kryesore të këtij propozimi.
Sipas kësaj qasjeje, vetëm një sistem zgjedhor që ndërthur proporcionalitetin demografik me përfaqësimin territorial mund të krijojë institucione më të qëndrueshme, më funksionale dhe më legjitime në Republikën e Kosovës











