Avdush CANAJ
Ti, fëmijë i Beogradit,
a të ka treguar
babai yt se
një herë u bë ujk,
erdhi në Dardani
me shumë ujqër të tjerë,
ma vrau nënën,
ma vrau babanë.
Motrën time,
që ishte si krejt prej molle,
ia fali hienave.
M’i dogji librat,
ma dogji shtëpinë,
lapsin ma theu
në katër copë.
Pa faj.
Unë isha lindur
në tokën time.
Isha përkundur
në djepin tim me shqiponjë.
S’ia kisha marrë
askujt shtëpinë.
As diellin.
As bukën.
As një copë qiell.
Ti ishe fëmijë
si unë.
Ndoshta edhe ti
kishe një motër,
kishe një laps
në dorë.
Por babai yt
më la jetim,
pa zërin e motrës.
Kur u kthye në shtëpi
a e ke pyetur:
Ku e ke njërën këmbë?
Ku të mbeti?
Nuk ia hëngri ujku i përrallës së Kësulëkuqes.
Flaka e lirisë së Dardanisë
ia mori,
patericat i fali.
Tani më thuaj:
Çka të shkruajmë
nëpër hartime tona
me temë historie?
Çka?











