Në pranverën e vitit 1994, në foltoren e Parlamentit u ngjit deputeti dhe intelektuali Moikom Zeqo, i cili rrëfeu publikisht arrestimin, burgosjen dhe, sipas dëshmisë së tij, keqtrajtimin nga shërbimet sekrete jugosllave gjatë një udhëtimi në Mal të Zi. Nuk ishte thjesht historia personale e një deputeti. Zeqo e paraqiti ngjarjen si një provë të cenimit të sovranitetit të shtetit shqiptar, të imunitetit parlamentar dhe të detyrimit kushtetues që shteti kishte për të mbrojtur qytetarët e vet jashtë kufijve. Përmes një fjalimi të gjatë dhe të strukturuar në njëmbëdhjetë pika, ai ngriti akuza të drejtpërdrejta ndaj autoriteteve jugosllave, duke pretenduar se ishte arrestuar në mënyrë arbitrare, ishte dhunuar fizikisht dhe ishte përballur me përpjekje për ta rekrutuar si informator i UDB-së.
Në dëshminë e tij, ai kritikoi edhe reagimin e vakët të institucioneve shqiptare. Ai akuzoi qeverinë për vonesë në reagim, mediat për riprodhimin e versionit zyrtar jugosllav dhe kërkoi që Kuvendi të mos e trajtonte rastin si një incident individual, por si një çështje që prekte dinjitetin e vetë Parlamentit dhe të shtetit shqiptar. Zeqo kërkoi ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar rastet e dhunës ndaj deputetëve dhe angazhimin e diplomacisë shqiptare për ta ndërkombëtarizuar çështjen.
Ky debat parlamentar, i zhvilluar në një periudhë kur Kosova po përjetonte shtypjen sistematike të regjimit të Beogradit dhe tensionet në rajon po shtoheshin dita-ditës, pasqyron klimën politike të kohës dhe frikën se përplasjet përtej kufirit mund të shndërroheshin në një krizë diplomatike edhe për Shqipërinë. Dosja parlamentare që sjellim më poshtë dokumenton një prej episodeve më të pazakonta të viteve të para të pluralizmit, kur një deputet shqiptar denoncoi publikisht se ishte arrestuar dhe dhunuar nga UDB-ja jugosllave, duke kërkuar që shteti shqiptar të mbronte jo vetëm të drejtat e tij, por edhe autoritetin e institucioneve të Republikës.
Moikom Zeqo
Kolegë deputetë,
Nëse mbrojtja e të drejtave themelore dhe lirive të njeriut sot është substanca e patjetërsueshme e demokracisë, mbrojta e imunitetit të deputetëve është akoma më shumë, është një kusht i domosdoshëm, është një çështje e trefishtë, njerëzore, parlamentare e shtetërore.
Më 27 shkurt të këtij viti arrestohem papritur në Ulqin nga policia e Malit të Zi në kundërshtim me çdo logjikë, sepse kalimin e kufirit nuk e kam bërë në mënyrë ilegale, por, përkundrazi, në mënyrë të ligjshme.
Gjithashtu, duke gëzuar imunitet të dyfishtë parlamentar dhe diplomatik, çfarëdolloj keqkuptimi nuk mund të legjitimonte në asnjë mënyrë arrestimin tim. Kur persona me pasaportë diplomatike shkelin ligjet e një shteti tjetër, për ta përdoret formula non grata dhe i dorëzohen shtetit përkatës, nuk preken me dorë, nuk rrihen dhe nuk burgosen.
E treta, rasti i arrestimit dhe më pas i burgosjes sime është pa precedent në Evropë. Jam i vetmi deputet, që jam arrestuar nga UDB-ja jugosllave, duke cenuar rëndë ligjin shqiptar për mbrojtjen e deputetit, si dhe ligjet ndërkombëtare.
E katërta, jam trajtuar kafshërisht nga oficerët e UDB-së, të cilët më propozuan të bëhesha informator i tyre, çfarë tregon se politika dhe shovinizmi fashist janë shumë të rrezikshëm dhe shkaktarë të tensionit e të luftës në rajonin e Ballkanit kundër kombit shqiptar dhe shtetit të Shqipërisë.
E pesta, në Dispozitat Kushtetuese në nenin 24 thuhet: “Të gjithë shtetasit që ndodhen jashtë vendit gëzojnë mbrojtjen e shtetit”. Lajmi i arrestimit tim u dha nga legata jugosllave që më 3 mars. Lajmi në informacionet shqiptare u dha në ditën e 7-të të arrestimit dhe çuditërisht sipas variantit jugosllav, që ishte një variant poshtërues, masmedia e dha pa pushim këtë gënjeshtër që për mua ishte një cinizëm. Në ditën e 9 u publikua lajmi se nga ana e Qeverisë së Shqipërisë është caktuar një grup prej 3 vetash për të kontraktuar për këtë çështje, por nuk u dhanë vizat. Unë falënderoj tërë ata që janë shqetësuar dhe interesuar tërësisht, si dhe kam të drejtë të arsyetoj se për punonjësit e ambasadës sonë në ish-Jugosllavi nuk ka nevojë për viza. Unë që në çastin e parë kam kërkuar takim me ta.
E gjashta, denoncoj publikisht veprimin e UDB-së jugosllave ndaj meje, që koincidoi, jo rastësisht, me reprezaljen e personaliteteve kulturore të Kosovës, me aparteidin antishqiptar.
E shtata, kërkoj që Kuvendi Popullor të angazhohet zyrtarisht për rastin tim, për të mbrojtur nderin e vetë Kuvendit Popullor, sovranitetin e tij, për të mos lejuar në asnjë mënyrë çdo lloj rasti të tillë dhune ndaj figurës së deputetit.
E teta, gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme ta interpelojë këtë rast skandaloz, si një dëshmi konkrete të karakterit shovinist dhe agresiv të Jugosllavisë, duke e bërë të njohur në të gjitha rrugët diplomatike.
E nënta, jam rrahur e gjakosur, pikërisht kur po tregoja dokumentin që jam deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe është e pashembullt dhe e veçantë, sepse është bërë jashtë kufijve të vendit. Pra, kjo lidhet edhe me rastet e dhunës që po pësojnë deputetët shqiptarë në vendin e tyre. Kjo dukuri e rëndë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë, prandaj ju bëj apel tërë deputetëve, opinionit publik shqiptar e ndërkombëtar që ta marrin seriozisht këtë çështje themelore të demokracisë në Shqipëri. Kërkoj që Kuvendi Popullor të ngrejë një komision të veçantë për verifikimin e rasteve të dhunës ndaj deputetëve dhe ta shqyrtojë këtë problem në një seancë të veçantë.
E dhjeta, dhuna ndaj figurës së deputetit në shtetet e huaja është dhunë e rrezikshme dhe kjo duhet vlerësuar në maksimum, se mund të sjellë pasoja nga më të papriturat. Ndaj i drejtohem Kuvendit Popullor, Presidentit të Republikës, Parlamentit Evropian, si dhe Presidentit Klinton për të mbajtur në konsideratë rastin tim, sidomos në kushtet e acaruara të rajonit ballkanik.
Dua të kujtoj këtu, se për rastin e priftit grek nga Qeveria greke u bë një zhurmë shumë e madhe deri në acarime të jashtëzakonshme. Unë nuk kam ndërmend që rasti im të shkaktojë acarime ndërmjet shteteve, por rrezikshmëria e rastit tim mund të ndikojë në këto marrëdhënie të acaruara.
E njëmbëdhjeta, duke e pësuar vetë, uroj që asnjë nga kolegët deputetë të mos pësojë gjë në të ardhmen, prandaj prirem të besoj se indiferenca dhe formalizmi i Kuvendit Popullor për këtë çështje të rëndë e skandaloze nuk ka për të ekzistuar jo vetëm për mua, por as për të tjerët.










