Ese:
Nga Safet SADIKU
Jugosllavizmi politik nuk është zhdukur plotësisht edhe me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Por, në forma të ndryshme, ai mund të ketë mbijetuar si mentalitet, si mënyrë organizimi dhe si kulturë politike, duke u përshtatur me rrethanat e reja dhe duke gjetur hapësira në politikën shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri. Ai nuk shfaqet më si një regjim i deklaruar, por si një hije politike e padukshme, që ndikon në mënyrën se si konceptohen pushteti, identiteti kombëtar, marrëdhëniet ndërshqiptare dhe raporti me faktorët e jashtëm. Pikërisht kjo mbijetesë e heshtur e mentaliteteve dhe mekanizmave të së kaluarës kërkon të analizohet pa tabu, përtej emrave, partive dhe individëve.
1) Degjenerimi i kominikimit të liderëve politikë: Ky degjenerim i planifikuar ka arritur kulmin deri te: “Propozimi i Ilaz Ramajlit për president të Kosovës, (ose i I.Berishës) dhe në rast se do të aprovohej, do të ishte një fitore politike e Serbisë dhe një dështim i rëndë i Kosovës, sepse ky skenar do të rikthente në qendër të institucioneve politike figura dhe mentalitete të lidhura me elitën e vjetër politike të Kosovës si kohë kur ajo elitë (e viteve 80-ta) ishte e nënshtruar para Serbisë. Ilaz Ramajli ishte në krye të Kuvendit të Kosovës, dhe më 23 mars 1989 votoi, nën trysninë e regjimit të Millosheviqit, për shfuqizimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974. Ky ishte një nënshtrim i plotë politik ndaj regjimit të Beogradit. Tani pas dy vitesh krizë institucionale, problemi nuk është më vetëm se kush ulet në karrigen e presidentit, por se Kosova, në çfarë modeli politik po rikthehet përmes saj.”
Dikur kishim Jugosllavinë. Sot nuk e kemi më. Të paktën kështu na thonë librat e historisë, fjalimet politike dhe hartat. Por, siç duket, kemi harruar ta kontrollojmë një gjë të vogël: a ka dalë Serbo-Jugosllavia nga politika shqiptare, apo vetëm nga harta? Pra, bëhet fjalë për një sistem politik i së kaluarës, që nuk ka nevojë të ekzistojë më te ne shqiptarët, as si shtet dhe as për të vazhduar të jetojë si mentalitet. Por, Jugosllavizmi i padukshëm “nuk është nostalgji” për shumicën e shqiptarëve si një shtet i zhdukur juridikisht, por metodologjia e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë e më gjërë është ende e njëjtë dhe shumë perfide! Është metodologji për mbetjen e mënyrave të vjetra të të menduarit: për pushtetin si pronë politike, për institucionin si plaçkë negocimi, për postin si shpërblim dhe për qytetarin si spektator të një marrëveshjeje që bëhet mbi kokën e tij. Në Kosovë mund të kalojnë muaj, mund të zhvillohen zgjedhje, mund të numërohen votat dhe të shpallen fituesit, por kur vjen puna te postet, karriget fillojnë të sillen sikur secila e kanë Kushtetutën e tyre. Njëra palë kërkon këtë post, tjetra atë post, dikush kryetarin, dikush nënkryetarin, sa ministri kujt i takojnë, dikush një komision etj., ndërsa qytetari pyet: “Po shteti, kur do të konstituohet?” Dhe kështu kalon një vit. Pastaj edhe një tjetër.
Në parim mund të kemi një rekord të ri historik: shteti ekziston, por institucionet presin që partitë të merren vesh se kush do të ulet në karrige. Këtu është dobësuar funksionaliteti shtetëror. Dhe pikërisht këtu “Jugosllavizmi i padukshëm” bëhet më i dukshëm. Nuk të thotë më kush je. Nuk të kërkon më të flasësh një gjuhë tjetër. Nuk të vendos më një flamur mbi kokë. Të mëson diçka shumë më moderne: si ta kthesh shtetin në një tavolinë negocimi për poste. Të gjitha vlerat tjera harrohen. Në këtë klimë, edhe debatet rreth propozimeve për pozita drejtuese shndërrohen në përplasje të forta politike dhe në interpretime të ndryshme mbi qëllimet e pasojat e tyre. Por pas gjithë kësaj zhurme mbetet një pyetje shumë më e madhe: Nëse kërkesat këmbëngulëse të elitave politike arrijnë ta mbajnë një shtet për dy vjet pa funksionim normal institucional, çfarë ka ndryshuar vërtet? Mos vallë kemi ndërruar vetëm emrat e zyrave?
Mos vallë kemi ndërruar flamujt e liderëve partiakë por jo mënyrën e mendimit? Mos vallë kemi bërë revolucionin e reformatorit duke e sharë dhe përqafuar njëkohësisht Serbinë, por kemi harruar revolucionin e mendjes? Sepse një revolucion i vërtetë nuk matet vetëm me rrëzimin e një sistemi. Ai matet me atë që vjen pas tij. Nëse pas çlirimit nga një sistem vazhdojnë të jetojnë mekanizmat e vjetër të privilegjit, klientelizmit, ndarjes së pushtetit dhe kontrollit mbi institucionet, atëherë historia ka bërë vetëm gjysmën e punës. Gjysma tjetër na takon neve. Edhe Shqipëria nuk është jashtë këtij rrethi vicioz. Edhe këtu politika shpesh sillet sikur shteti është një tortë: fillimisht ndahen pjesët, pastaj caktohen njerëzit që do t’i marrin pjesët dhe, në fund, qytetarit i thuhet se duhet të jetë i lumtur që torta ekziston. Kjo është arsyeja pse “Jugosllavizmi i padukshëm” nuk duhet kuptuar si nostalgji për një shtet të zhdukur.
Përkundrazi, është një “hije funksionale” që ende mjerisht po e kontrollon Serbia përmes mentaliteteve politike që nuk po zhduken vetëm duke ndryshuar kufijtë, flamujt apo emrat e institucioneve dhe të liderëve politik që i përfaqësuan. Dhe këtu vjen përfundimi më i hidhur i kësaj norme pa parime demokratike. Ndoshta Jugosllavia u shpërbë, por revolucionet tona nuk e përfunduan punën. Sepse nëse ende luftojmë dy vjet për karrige, dhe shteti pret në korridor, nëse posti është më i rëndësishëm se institucioni, nëse partia është më e fortë se ligji, nëse interesi i grupit vendoset mbi interesin publik, atëherë kemi arsye të pyesim: A e rrëzuam vërtet sistemin, apo thjesht i ndërruam tabelën në derë? Dhe, për të mos e mërzitur shumë historinë, mund ta themi edhe më shkurt: Jugosllavia iku. Karriget mbetën. Mentaliteti, siç duket, nuk mori biletë për të ikur.
2) Katër dekada më vonë: Dhe këtu hyn dhimbja e Kosovës. Gjithë ajo sakrificë, gjithë ai gjak i derdhur, gjithë ajo luftë për liri dhe shtet, dhe në fund, pas më shumë se tri dekadash nga aktet politike të vitit 1990 dhe më shumë se dy dekadash nga çlirimi, të shohësh sërish figura të një epoke të kaluar të shfaqen në debatet për majat e shtetit, të detyron të bësh një pyetje që nuk mund të fshihet pas protokollit: Çfarë ndodhi me atë revolucion politik e kombëtar për të cilin Kosova pagoi një çmim kaq të lartë? Ilaz Ramajli nuk është një figurë e panjohur e historisë politike të Kosovës. Ai ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës në periudhën e “rezistencës institucionale” të para viteve ‘90-ta dhe më pas gjatë viteve 1990–1992. Po ashtu ai u rehabilitua dhe më pas shërbeu në role të tjera politike e diplomatike. Burimet zyrtare të “Presidencës së Kosovës e rendisin gjithashtu ndër të dekoruarit me Medaljen e Pavarësisë”.
Pikërisht për këtë arsye, një propozim i tij për një nga postet më të larta të shtetit nuk mund të shihet vetëm si çështje biografike. Ai mund të bëhet simbol i një pyetjeje më të gjerë: a po ecën Kosova përpara, apo po rikthen në majat e institucioneve figura dhe modele politike të epokave të dështuara që në fakt duhej të ishin kapërcyer? Kjo nuk është domosdoshmërisht një akuzë për individin. Është një pyetje për modelin politik. Dhe pikërisht këtu duhet të bëjmë dallimin mes historisë së një njeriu dhe kuptimit politik të një rikthimi. Sepse nëse pas gjithë asaj sakrifice, pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë, në krye të shtetit mund të propozohet një figurë që për një pjesë të opinionit publik simbolizon një politikë të vjetër jugosllave, atëherë kemi të drejtë të pyesim: A kemi ndryshuar vetëm sistemin formal apo edhe mendësinë politike? Ky është “jugosllavizëm” me emër, mbiemër dhe adresë politike, jo domosdoshmërisht si nostalgji për Jugosllavinë, por si rikthim i pyetjes se sa nga mënyra e vjetër e organizimit të pushtetit ka mbetur ende gjallë. Kosova nuk derdhi gjak që, pas disa dekadash, të kthehej te një politikë ku karrigia e pushtetit bëhet më e rëndësishme se kujtesa e popullit.
Prandaj pyetja nuk është vetëm: “Kush do të bëhet president?” Pyetja e vërtetë është: “Çfarë Kosove po ndërtojmë pas gjithë asaj sakrifice?” Sepse nëse përfundimi i një lufte për liri është rikthimi i mendësive të vjetra në majat e shtetit, atëherë ndoshta revolucioni i vërtetë politik ende nuk ka ndodhur. Ndërkaq, gjithnjë e më shumë vëhet në dukje injorimi total i rolit të SHBA-së, gjë e cila nuk duhej të ndodhte!











