FITUESI PA FITORE

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Arif Ejupi (Kjo poezi satirike buron nga pakënaqësitë e votuesve, të cilët po shohin se të përzgjedhurit e tyre, në mënyrë të paskrupullt, po luajnë dhe po abuzojnë me besimin dhe votën e tyre. Është një shprehje ironike e zhgënjimit qytetar ndaj atyre që votën e marrë si përgjegjësi po e trajtojnë si privilegj për interesa personale e partiake.)

Në LDK thonë:
“Ne jemi themeltarë,
kemi rrënjë e histori,
dimë me ndërtuar shtetin
dhe me mirëmbajt shtëpinë.”

Në PDK e AAK thonë:
“Ne kudo dalim
me ballin lart e krenarë,
se jemi çlirimtarë.”

Në Nismë thonë:
“Kemi ca halle e derte,
por ne ishim nismëtarë.
S’dimë ç’na gjeti,
pragu na u shndërrua
në Murin Kinez;
kësaj radhe mbetëm
pa hyrë në Parlament.”

Në AKR thonë:
“Shumë njohje kemi sjellë,
e prapë na etiketoni
e përgojoni kudo.
Edhe pse ju mbështesim me para,
s’na votoni.”

Socialdemokratët psherëtijnë:
“Si na i mpiu sorra mendtë!
Lëshuam shtëpinë
e dolëm në hajat.

Tash po e shohim
që kemi ngelë
as mish, as peshk;
askush s’afrohet pranë nesh.”

Vetëvendosja thotë:
“Ne jemi fitimtarë
e reformatorë;
vetë vendosim,
vetë vulosim
e askujt llogari s’i japim.”

Në ekrane televizive,
çdo natë shfaqen gangsterë,
rrëfejnë trimëritë e tyre
e çojnë selame anembanë:

“Kujdes, mos na prishni terezinë
e mos na prekni
llogaritë,
se fare lehtë
ju zhdëpim dajak.”

Presidentja me ngulm kërkon
edhe një mandat,
por vonë ka kuptuar
që, kur iku nga LDK-ja,
bëri mëkat.

Duhet ditur fare mirë:
kush ikën nga shtëpia,
vështirë se gjen rehati
te komshiu.

Analistët gjithandej,
si kërpudhat pas shiut;
atyre u intereson vetëm leku,
pa e çarë fare kokën
se uji në mullirin
e kujt përfundon.

Kaluan muaj
e u bënë gati dy vjet;
ne, të gjorët, mbetëm
me institucione të brishta
e pa president.

As marrëveshje, as ujdi,
sharje e fyerje në Kuvend,
lojëra e marrëzi,
pa e kuptuar asnjëherë
që jeni deputetë
e jo fëmijë.

Çuna të rinj nga mërgimi,
keq i ka kapluar zemërimi;
hyjnë në Kuvend
e bëjnë zhurmë e poterë,

pa menduar
se, në këtë lojë,
janë si vesa
para dielli.

Deputetë e deputete
nuk ruajnë sekrete;
ofendojnë njëri-tjetrin
zi e më zi,

për të ruajtur
karrige e parti.

Zvarritje, bojkotim
e mijëra hile,
papërgjegjësi absolute
e aspak seriozitet.

Të gjithë po e shohim
se Asociacioni
i komunave serbe
te dera po na pret.

Po u bë Asociacioni
me kompetenca ekzekutive
e lidhje me Serbinë,

Kosova humb sovranitetin
dhe mbushet, si dikur,
me zullumqarë e priftërinj leshatak.

Atëherë u hapet rruga
Radojçiqëve e dobiçëve,
e Kosovën e rruan
dreqi.

Ngatërrohen dinari e leku,
përzihen plisi e kokarda.

Atëherë, ju rrahagjoksë,
thirruni në pozita e grada.

Sa s’është bërë vonë,
bëhuni një,
flisni me një zë,
pa na ndodhur
kjo e keqe.

Arif Ejupi
Gjenevë, 16 gusht 2026

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit