Nga Gjon Marku
- Tregim
Cingërima e ziles së orës i nxori gjumin e ai kishte prej krevatit në këmbë si të kishte brofur prej një humnere. Ishte ora më e vdekur e natës, kur gjithçka bie në heshtje dhe dritat e pallateve shuhen njëra pas tjetrës. Trotuaret ishin bosh; anash rrugës që përdridhej si gjarpër, nuk dukej asnjë këmbë njeriu.
Doli jashtë dhe ndenji një çast në shqimin e portës. Pastaj hodhi hapat mbi trotuar, duke tërhequr pas vetes hijen e vet – po atë natë iu duk më e errët se terri, më e frikshme se vetë frika që e rrethonte. Ajo s’ka shqisa, vetëm sy për vete, mërmëriti. Nëpër palcën e eshtrave ndjeu diçka që i ngjante frymës së vdekjes. Pemët e parkut iu dukën si një grumbull shpirtrash që endeshin pa drejtim. Pak minuta më parë ishte kalamendur ende brenda një ëndrre: një udhëtar që që pas e ndjiqte një maceje të zezë. Atje ka gjarpërinj, i kishte thënë me vete udhëtari – dhe pikërisht atëherë kishte cingëruar zilja e orës, por macja e zezë i kishte mbetur në kujtesë, edhe pasi kishte hedhur ujë mbi fytyrë, edhe pasi kishte dalë prej shtëpisë e kishte ecur disa metra mbi trotuar.
Ditë e natë, natë e ditë, hija ime shëtit me mua dhe pa mua. Hija ime më mashtron, herë s’e mbërrij, herë s’e shquaj, më fshihet, diku ikën. e frynte në thellësitë e tij, dhe ankthe të shumta ia kishin pushtuar qenien.
E hodhi vështrimin nëpër gjarpërimin e rrugës, të shquante diku dritat e makinës, por ajo nuk po dukej kështu që ishte i detyruar të priste. Ajri po merrte ngjyrën e mërzisë. Zakonisht ata dilnin prej strofullave të tyre në kohën kur këndonte qokthi, por plani i kësaj nate ishte tjetërsoj – bile i menduar dhe piketuar mirë. Një klithmë zogu, si një zë i mjegullt, ia drithëroi trupin.
“Ç’kam kështu sonte?” – mërmëriti. Terrin e lexoj më mirë se dritën, i tha vetes. Si fantazmë e kam rrugën të lirë. E prapëseprapë, diçka e kishte pushtuar që s’ia linte mendjen të qetë: hija e tij që nën dritat e trotuarit zmadhohej dhe deformohej, macja e zezë, dhe shpirtrat tek të cilët s’kishte besuar kurrë e s’i kishte kujtuar kurrë deri atë natë.
Kokrrat e shiut ia nisën të përplaseshin ndër gurë. Qielli është i zemëruar, mendoi, dhe pikërisht në këto mendime të përhumbura mbërriti makina. Të tre së bashku arritën para ndërtesës pesëkatëshe. Ai, bashkë me njërin nga shokët, doli me vrap dhe filloi të ngjitej si mace nëpër tubin e gazit, drejt katit të katërt, ku një dritë e zbehtë ndriçonte njërën prej dritareve.
Shoferi kishte shuar dritat e makinës dhe priste në timon, duke ndjekur me vëmendje ngjitjen e tyre nëpër tubat e hollë. Po sikur të këputej ai tub dhe trupat e tyre të fluturonin mbi trotuar? “Larg qoftë, o Zot,” mërmëriti me vete, dhe iu kujtua një bisedë e vjetër me një tjetër emigrant, njeri që lodhej ditë për ditë vetëm për të mbajtur familjen.
– Po marrim para gjaku? – i kishte thënë ai kur po pinin një kafe të gjithë së bashku!
– Jo, ore jo. Ti merr para djerse. Para gjaku marrim ne, që kacavirremi natën nëpër tuba gazi. A e di ç’më ndodhi një natë? Isha ngjitur në katin e katërt, isha futur në një dhomë – e brenda, një qen i madh nisi të kërcëllojë dhëmbët. E qetësova, mblodha ca sende të florinjta mbi një komodinë, dhe isha duke marrë një tufë kartëmonedhash kur një burrë, tri herë sa unë, u ngrit në këmbë. Mendo vetë – desh më la shpirti. Por ai vetëm më tha: “Dil jashtë.” Kur u drejtova nga dera, m’u kthye: “Jo, jo – dil andej nga hyre.” Dhe m’u desh të kacavirrem sërish nëpër tub, me sytë e tij ngjitur pas shpine. Prita i fshehur nëpër shkurre, duke pritur sirenën e policisë – asgjë. Ai atje, në dritare, vetëm vështronte. Mendo veç një çast sikur ai të kishte marrë çiften, ose tubi të ishte këputur…
Xhemali, atje në katin e katërt, kapërceu dritaren dhe u fut në dhomën ngjitur. Shoku i tij, që e kishte ndjekur nga kati i tretë, arriti pas tij. Kontrolluan sirtaret, mblodhën disa sende të florinjta, disa kartëmonedha, ndonjë celular të shtrenjtë, dhe po shkëpusnin nga priza një laptop, kur pa folur, tjetri i bëri me gisht drejt dhomës ngjitur. Kaluan duke ulur kokat, që të mos i vinin re nëpër derën e xhamtë, ku një njeri i zymtë lexonte mbi libra të trashë kushedi çfarë – prej syzeve, e prej thinjave të bardha, i vinte një lloj force e heshtur.
Në atë dhomë, njeri tregoi me gisht një kasafortë të murosur në mur. Iu vunë punës që të dy; çelësat ishin lënë vetë në derë. Hapën, rrëmbyen gjithçka gjendej brenda. Por atje, mes plaçkës, ishte edhe një kuti e madhe prej fildishi, e mbyllur, që s’e hapnin dot. Vendosën ta marrin ashtu siç ishte, dhe u drejtuan nga dera.
“O Zot,” mërmëriti Xhemali me vete,”sa fat paskemi pasur sonte! Kushedi sa para do të ketë brenda kjo kuti – do të kthehemi në vendin tonë e do të jetojmë si njerëz.” Vrapuan drejt makinës, ku shoferi i priste në timon, dhe sapo u futën brenda, ai ia futi marsheve njëra pas tjetrës, si një pilot vdekjeje, dhe makina filloi të fluturonte nëpër rrugë.
Xhemali u përpoq ta hapte kutinë, por s’ia doli. Kutia e fildishtë mbeti e mbyllur, kushedi sa para mbante brenda. Makina ecte drejt strofullave të tyre, ndërsa ata dëshironin vetëm një gjë: ta hapnin sa më parë e t’i ndanin paratë. Ndoshta mjaftonte kjo natë, mendonin, që t’i kthente në një jetë tjetër – një jetë ku s’do t’u mungonte më asgjë.
– Mirë thonë, – tha shoku në sediljen e parë. – Punë të mirë ka hajduti; milioner e bën minuti.
Mbërritën në ndërtesën e Xhemalit. Shuajtën dritat, futën makinën në garazh, dhe të tre u turrën drejt dhomës të hapnin kutinë e të numëronin thesarin. Morën kaçavidat me nxitim; nuk pyesnin më për kutinë – vetëm për atë çfarë kishte brenda. Duart u dridheshin. Kishin harruar çdo gjë tjetër. Sa herë e kishin vënë kokën në rrezik – tani, më në fund, fati u kishte trokitur në derë. Punuan ngutshëm dhe me padurim, duke pritur që para tyre të derdhej një mal me para, derisa më në fund kutia u hap.
Një kadife e kuqe mbështillte, brenda vetes, një komplet të plotë kockash njeriu – kockat e një të rrituri.
Xhemali brofi në këmbë dhe fryma desh iu ndal. Shtangu. Dora e tij nuk punonte më, e iu ngri në ajër, e pafuqishme. Sytë nën vetullat e zeza iu bënë si dy puse të harruara.
– A ka kund, Zot, – foli me zë të mbytur. – Kob i zi më ka rënë sonte mbi shpirt.
Mbi tavolinë kishin rënë kockat e një njeriu që s’dihej kur kishte vdekur, as pse. Ai burrë flokëthinjur i mbante të fshehura në kutinë e fildishtë, brenda kasafortës – vendi më i sigurt që kishte. Askush nuk guxonte t’i prekte. Në gjithë atë jetë vjedhjesh, kurrë s’u kishte rastisur të vidhnin kockat e një të vdekuri.
Xhemalit po i merreshin mendtë. Iu duk se pa një shpirt që endej nëpër dhomë, që sillej nëpër ajër një shpirt të shëtiste nëpër dhomën e tij. Shpirti i tij vetë tashmë ishte tharë. Kjo natë kishte qenë për të një natë rrezikzezë – dhe ai vend, me atë njeri flokëthinjur që ruante në kasafortë eshtrat e dikujt, ishte një zezanë që s’e kuptonte dot. Ndjehej i ngathët, i rënduar. Iu kujtuan papritur petkat e dekës së të ëmës.
Po ta dinte i ati çfarë kishte bërë, mendoi, s’do të mund të shkelte kurrë më në derën e tij.
Dy shokët e tij kishin shtangur e nuk flisnin asnjë fjalë. E vuri re buzërrudhjen e tyre të idhët, atë heshtje që peshonte më shumë se çdo britmë.
– Njeriu për njeriun është një qen i zbutur që të ha nga pas shpine, – lëshoi ai një britmë që u ngul në ajër, i këputur, i lodhur, sikur të kishte dalë nga fundi i një pusi.
I mblodhën kockat, i futën në kutinë e fildishtë, e vunë brenda një qeseje të zezë, dhe të tre së bashku u nisën t’i hedhin te koshi i plehrave.
* * *
Edhe pas dy dozash valium, gjumi nuk e zinte më. Ishte bërë peng i pagjumësisë. Sapo lodhja i binte mbi vetulla, i dukej se nëpër muzg vinin drejt tij dy hije. Cingërima e bulkthit i tingëllonte si një kor hijesh. Nuk gjente qetësi askund. Nuk po i ecte dhe nuk po mund të vidhte më që nga dita kur ai kishte grabitur kockat.
U nis drejt kishës së Shën Palit. Futi dorën në xhep, nxori një tufë monedhash dhe i rrasi në kutinë e lëmoshës.
Shpesh, tani, kur shihte prapa, i dukej se një skelet e ndiqte në çdo hap. I kthehej vazhdimisht kujtimi i asaj nate – ëndrra me udhëtarin, macen e zezë që e ndiqte pas.
Atje ka gjarpërinj, kishte thënë udhëtari.
Dhe Xhemali e dinte tashmë: gjarpërinjtë nuk ishin diku larg. Ishin brenda tij.











