
Agron Tufa
Poetja dhe shkrimtarja Lindita Arapi ka shkruar një libër të thellë, që nuk të lë të qetë e të tërheq ta rinisësh nga pika të ndryshme. Është libri me ese “Identitete” (Onufri, 2025).
Në faqet e këtyre eseve merret e rimerret brenga e rrënjëve identitare në një botë metropolesh të huaja ku gjithçka është në ndryshim të vazhdueshëm, tok me raportet mes “tëndes” dhe “të huajës”, të cilat zhbalancohen vazhdimisht. Të detyrojnë të rishqyrtosh mitin e unit tënd kulturoro-historik, raportet mes miteve shoqërore, traditës dhe simbolikave etike e filozofike.
Karakteri autobiografik i eseve ku mbizotërojnë epizodet jetësore nga përvoja autoriale, si minitregime, e bën leximin një akt joshës, meditativ, tejet origjinal.
Rreth disa eseve kam shkrimin e mëposhtëm në link, nga Ex libris:
https://exlibris.al/agron-tufa-ngado-qe-shkoj-shqiperine-e-bart-si-nje-plagosje/
Por për të ata që duan të shijojnë drejtpërdrejt natyrën e këtyre eseve dhe diskursin që propozojnë ato, po jap si ilustrim esenë më të shkurtër nga ky libër, pa qenë mevoja të lexojnë detyrimisht dhe reflektimet e mia mbi librin. Ndiqeni:

LINDITA ARAPI
GURI DHE LUMI
Gur i rëndë në vend të vet apo lumë që rrjedh paprerë, asnjëherë më i njëjti?
Në kopshtin para shtëpisë së fundit në rrugicën time ka një gur në cep të bordurës prej betoni që kufizon barin. Skulpturë e natyrës. Nuk më bie ndër mend që kur, por sa herë kaloj e shoh në të njëjtin vend. Fqinjin rreth të nëntëdhjetave që jetonte aty e përshëndesja sa herë e shihja kur e shtynte me karrocë kujdestarja trupvogël aziatike. Ai vetëm më buzëqeshte dhe ngrinte dorën.
Fqinji im ka ndërruar jetë ndërkohë, por guri është aty. E do të qëndrojë ndoshta përgjithmonë, nëse nuk e lëviz dora e njeriut.
I patundshëm. I patjetërsueshëm. Dëshmitar i vjetër i historisë së kësaj familjeje dhe kushedi sa familjeve që kanë jetuar në këtë rrugicë, kanë ndërruar shtëpi e janë larguar, ai mbart në heshtje e me qetësi stoike historitë. Të hareshme e tragjike, nga njerëz shpirtvegjël e shpirtmëdhenj, kushedi sa prej tyre guri nuk i sheh më. Një ditë edhe mua.
I pafrymë, pa asnjë vramendje. Ky gur më bën të ndihem e dobët, më kujton përkohësinë time. Në fund të fundit, ai do të bëjë rojë mbi kokën time kur të mos marr më frymë.
Gur varri. Unë nën të.
Annie Dillard, poetja dhe eseistja amerikane e nderuar me çmimin “Pulitzer” për vëllimin me ese Të bësh një gur të flasë (Matthes & Seitz Berlin), rrëfen për një burrë në një ishull që do ta bëjë gurin të flasë. Larry jeton në një kasolle në ishull bashkë me gurin që e mban mbuluar me një copë lëkure të paregjur mbi dhogë, të cilën e heq vetëm kur i jep mësim. Disa herë në ditë.
Larry tallet nga banorët e ishullit. E çfarë historish do të rrëfente një guralec deti, aq i madh sa e zë edhe pëllëmba e dorës? Asgjë. Gurit nuk i bëhet vonë për Larryn, nuk ka shpirt, mbetet memec. Po Larry i merr seriozisht ritualet e tij me të, madje do t’ia lërë këtë detyrë edhe djalit që jeton me nënën e ndarë. Ndoshta ai nuk pret që guri t’i rrëfejë historitë, por beson te mençuria e heshtur e zallit. Nuk dihet nëse Larry ka lexuar shkrimtarin gjerman Ernst Jünger që u kushton gurëve një ese me të njëjtin titull, por Ernst Jünger i flet Larryt nga shpirti kur shkruan se ata, gurët që kanë mbijetuar katastrofat dhe stuhitë, ndoshta “nuk rrëfejnë ndonjë histori, por fshehin një të vërtetë më të thellë, një të vërtetë që ndodhet përtej fjalëve”.
Guri i rëndë në vend të vet është mençuria shqiptare për vendlindjen. Metafora e vijimësisë dhe qëndresës. Simbol stabiliteti, force. Aty ku flitet gjuha amtare. Aty ku njihen sinorët dhe mosndryshimi i tyre është siguria jote. Aty ku shihesh shpesh me të njohurit mëngjeseve në lagjen e qytetit, këmben dy fjalë njerëzisht dhe vazhdon më tej ditën, edhe nëse me hallin më të madh. Rruga e lagjes dhe rrugët e vendlindjes janë degëzime rrënjësh që të mbajnë të mos rrëzohesh kur jeta do të të flakë përtokë.
Po guri që mbetet gur në vendin e vet njeh vetëm një botë. Atë që mbaron aty ku zhduket vija e horizontit. Për botët e tjera përtej saj dëgjon vetëm nga të tjerët, si guri i Larryt që ka “dëgjuar” prej shekujsh historitë e sjella me vete nga të ardhurit në ishull, por botët e këtyre të ardhurve mbeten të panjohura për të. Nuk i ka përjetuar, nuk i ka “dëgjuar” zhurmat, nuk është “rrokullisur” nëpër rrugët e tyre e duhet një imagjinatë e fortë që të mund t’i përfytyrosh prej gjendjes statike.
Sa herë e kam dëgjuar, të shoqëruar gjithmonë nga një psherëtimë, proverbin e vjetër “guri i rëndë në vend të vet”. E gati gjithmonë o nga prindërit, o nga ndonjë i afërm i moshuar. Ndoshta mosha luan një rol dhe e bën njeriun si gurin që zë vend diku dhe nuk lëviz më. Rrit fëmijët, ata marrin flatra, largohen, ti ngulesh aty duke i pritur të kthehen, të dëgjosh historitë që vijnë nga botërat e tjera, në pamundësi të shtegtosh dhe të endesh në botë të reja. Pa dyshim, edhe historia aty ndryshon, pasurohet, mbushet me shumë rrëfime, edhe aty vjen bota. Po më duket se është një ndryshim brenda rrethit. Pa rrjedhje.
Rrjedhja është lumi.
Unë dua lumin që rrjedh, kohën dhe jetën bashkë me të, transformimin e vazhdueshëm. Ujërat që të marrin me vete dhe të çojnë në vise të reja. Lumi është përmallim për të panjohurën. Mund të ulesh në breg të tij, të ngulesh për ca kohë të shijosh qetësinë, natyrën, të reflektosh për kohën dhe jetën, por ndërkohë nuk je më para të njëjtit lumë. Lumi është gjithmonë i ri. “Askush nuk hyn dy herë në të njëjtin lumë, se nuk është më i njëjti lumë dhe nuk është më i njëjti njeri”, – shkruante Herakliti, filozofi i Efesit. Shelgjet që varen në anë janë ndoshta e vetmja konstante.
Të duash lumin, do të thotë të mësosh të jetosh me pasigurinë. Të duash të zbresësh në porte të reja, të njohësh botë të reja, të takosh njerëz të rinj, të marrësh diçka të re me vete dhe të lësh diçka prej teje. Me lumin je gjithmonë në udhë, po kush ka frikë nga ujërat e ndryshimit, më mirë të zbresë në një port. Se me gjithë metaforat që i kanë thurur prej shekujsh, të mos harrojmë, lumi ka rreziqet e veta, mund të vijë i mbarsur nga shirat, të të përpijë. Kush e përjeton ndryshimin si humbje të identitetit, ndihet si një i rrëmbyer papritur nga ujërat. E lumi një destinacion njeh, ai rrjedh drejt detit të madh e të paanë.
* * *
Qindra-mijëra shqiptarë të larguar në vitet e eksodit të madh shqiptar, që filloi më 1990 dhe ende nuk është platitur, ndoshta e lënë si gurin edhe lumin në vendin e vet, nuk e brejnë veten me pyetje që, në fund të ditës, nuk derdhin asgjë në xhirollogari. Po në fundin e ditës, kur janë lënë mënjanë çekanët dhe mistritë në kantieret e ndërtimit të Europës, janë mbyllur kasat në qendra tregtare, janë futur në depo kovat e pastrimit apo është kyçur zyra e sipërmarrjes së re të një shqiptari, i vjen shpesh radha WhatsApp-it dhe video-telefonatave me atë që shihet si e patundshme, familjen shqiptare, me të afërm e miq. Kthim virtual i përditshëm në atdhe, që shuan nevojën për ngrohtësi për ata që janë larg.
Emigranti i sotëm nuk është i mërguari i dikurshëm. As mërgimi nuk është më një rrugë pa kthim, pa kontakt, me lajme shumë të rralla. Vaji për mërgimtarin se po ikën në kurbetin e zi apo malli për djemtë në kurbet mund të shërbejë më shumë për koncerte folklorike dhe nostalgjinë e një të shkuare që nuk është më si dikur. Nuk ka më dramacitetin epik si në këngën e Shkurte Fejzës: edhe malet po lotojnë/ edhe kepat po rënkojnë/ për do turma pa mbarim/ kah po nisen për mërgim.
Lot nënash derdhen ende apo një peng në zemër mbetet, por emigranti i sotëm e kërkon me vetëdije ndryshimin, i hyn madje me dëshirë sfidës së shkeljes në një territor të ri dhe në realitete tërësisht të tjera sociale e teknologjike. Emigrantët kanë një gjë të përbashkët, të thjeshtë. Ata nuk janë më në vendlindje.
Guri ka lëvizur nga vendi i vet.
Jeta është bërë ai lumi që rrjedh, asnjëherë më i njëjti.











