30 C
Tirana
E mërkurë, 8 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (44)

ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (44)

0
Pyetsor për të dhënat e të burgosurve

Sabile Keçmezi-Basha Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

FORMULARËT E AMNESTY INTERNATIONAL SI DËSHMI TË PËRNDJEKJES POLITIKE TË SHQIPTARËVE

Pas këtij udhëzimi të hollësishëm, të mbushur me argumente, këshilla dhe thirrje për organizim, Komiteti i Përkohshëm Drejtues i Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ) nuk u mjaftua vetëm me orientime teorike. Për ta bërë këtë aksion sa më të organizuar dhe sa më funksional, ai bashkëngjiti edhe një dokument praktik me rëndësi të jashtëzakonshme: Fletanketën për të dhënat e të burgosurit(-res), të përkthyer posaçërisht në gjuhën shqipe.

Vetë përfshirja e kësaj fletankete dëshmon se Lëvizja nuk vepronte spontanisht apo mbi bazën e informacioneve të rastësishme. Përkundrazi, ajo kishte ndërtuar një metodologji të mirëfilltë dokumentimi, të frymëzuar nga standardet e organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përkthimi i formularit në gjuhën shqipe nuk ishte një veprim teknik, por një hap i menduar me kujdes, që synonte t’u mundësonte bashkatdhetarëve të plotësonin të dhënat me saktësi, pa keqkuptime dhe në përputhje me kërkesat e Amnesty International.

Kjo fletanketë përfaqëson sot një burim të rrallë dokumentar, sepse dëshmon mënyrën se si mërgata shqiptare organizonte mbledhjen sistematike të informacionit mbi represionin jugosllav. Në të nuk kërkoheshin vetëm të dhëna të përgjithshme, por një pasqyrë sa më e plotë e fatit të çdo shqiptari që ishte bërë objekt i dhunës shtetërore. Çdo pyetje ishte menduar për të ndriçuar një aspekt të caktuar të persekutimit dhe për ta shndërruar dëshminë individuale në një dokument me vlerë juridike, historike dhe humanitare.

Në formular përfshiheshin pyetje të detajuara për identitetin e të burgosurit politik, për rrethanat e arrestimit, për datën dhe vendin ku ishte ndaluar, për akuzat e ngritura ndaj tij, për gjendjen shëndetësore, për trajtimin që kishte marrë gjatë hetuesisë dhe vuajtjes së dënimit, si dhe për format e torturës apo të maltretimeve që mund të ishin ushtruar mbi të. Krahas kësaj, fletanketa kërkonte të dhëna edhe për personat e zhdukur, për të përndjekurit politikë dhe për ata që kishin humbur jetën si pasojë e represionit shtetëror. Në këtë mënyrë, dokumenti synonte të përfshinte të gjitha kategoritë e viktimave të politikës represive jugosllave, duke mos lënë jashtë asnjë rast që mund të ndihmonte në ndërtimin e një panorame të plotë të dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve.

Çdo formular i plotësuar përfaqësonte shumë më tepër sesa një dokument administrativ. Ai ishte një dëshmi e vuajtjes njerëzore, një akt kujtese dhe një provë e shkruar kundër një sistemi që përpiqej të mohonte ose të fshihte krimet e veta. Përmes këtyre fletanketave, historia individuale e secilit të burgosur, të arrestuari, të përndjekuri apo të zhdukuri dilte nga anonimiteti dhe bëhej pjesë e kujtesës kolektive të popullit shqiptar.

Ndërsa, botimi dhe shpërndarja e kësaj fletankete shënon një moment të rëndësishëm në veprimtarinë e mërgatës shqiptare. Ajo dëshmon se rezistenca nuk zhvillohej vetëm nëpërmjet protestave, organizimit politik apo veprimit ilegal, por edhe përmes dokumentimit të kujdesshëm të së vërtetës. Pikërisht këto formularë, të plotësuar me përkushtim nga bashkatdhetarët, u bënë një nga burimet më të rëndësishme për ndërkombëtarizimin e çështjes së të burgosurve politikë shqiptarë dhe për denoncimin e shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut në Jugosllavi.

Sot, kjo fletanketë nuk ka vetëm vlerën e një dokumenti organizativ. Ajo përbën një dëshmi të rëndësishme historike, e cila na tregon se mërgata shqiptare kishte kuptuar herët se lufta për liri nuk fitohej vetëm me sakrificë dhe idealizëm, por edhe me dokumente, me fakte dhe me ruajtjen e kujtesës historike. Në këtë kuptim, ajo mbetet një nga shembujt më domethënës të përpjekjeve për ta kthyer vuajtjen e individit në dëshmi të historisë dhe në argument të pakundërshtueshëm para ndërgjegjes së botës.

Fletanketa ishte hartuar me një përpikëri të admirueshme dhe dëshmonte nivelin e lartë të organizimit që kishte arritur mërgata shqiptare në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Çdo rubrikë e saj ishte menduar me kujdes, me synimin që të mos mbetej pa u dokumentuar asnjë element që mund të ndihmonte në zbardhjen e fatit të të burgosurve politikë shqiptarë dhe në dëshmimin e represionit të ushtruar nga regjimi jugosllav.

Formulari fillonte me të dhënat themelore të personit të përndjekur. Në mënyrë të detajuar kërkohej të shënohej data e arrestimit ose e burgosjes, emri dhe mbiemri i plotë i të burgosurit, niveli i arsimimit, profesioni ose puna që kishte ushtruar për herë të fundit, si dhe vendbanimi i tij. Këto nuk ishin të dhëna të zakonshme administrative. Për autorët e formularit, ato përbënin bazën mbi të cilën ndërtohej identiteti i plotë i secilit të burgosur politik, duke e nxjerrë atë nga anonimiteti dhe duke e bërë pjesë të një dokumentacioni të besueshëm ndërkombëtar.

Në vazhdim, formulari hynte edhe më thellë në profilin shoqëror dhe politik të personit. Në të kërkohej të sqarohej nëse i arrestuari ishte anëtar i ndonjë partie politike, organizate sindikale, shoqate kulturore, artistike apo ndonjë organizimi tjetër shoqëror. Përmes këtyre pyetjeve synohej të kuptohej jo vetëm identiteti personal i të burgosurit, por edhe konteksti në të cilin kishte ndodhur arrestimi i tij. Kjo ndihmonte që organizatat ndërkombëtare të vlerësonin nëse burgosja kishte karakter politik, nëse lidhej me ushtrimin e lirive qytetare apo me përkatësinë në organizata të caktuara, duke krijuar kështu një pasqyrë më të qartë të motiveve të përndjekjes.

Veçanërisht domethënës është fakti se formulari kërkonte përgjigje të hollësishme dhe jo vetëm deklarime formale. Të burgosurit ose personat që plotësonin fletanketën inkurajoheshin të jepnin sa më shumë të dhëna mbi rrethanat e arrestimit, mbi mënyrën e trajtimit të tyre dhe mbi gjithçka që mund të ndihmonte në dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Kjo tregon se synimi nuk ishte mbledhja e statistikave, por ndërtimi i dosjeve të plota individuale, të cilat më vonë do të shërbenin si bazë për ndërhyrjet e Amnesty International dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Një detaj me rëndësi të veçantë, që dëshmon seriozitetin juridik dhe etik të këtij dokumenti, është shënimi në anën e djathtë të fletës, ku theksohej qartë se këtë fletanketë mund ta plotësonte vetëm vetë i burgosuri. Ky përcaktim synonte të garantonte autenticitetin e informacionit dhe të shmangte çdo mundësi keqinterpretimi apo shtrembërimi të fakteve. Dëshmia e vetë personit që kishte përjetuar arrestimin dhe burgosjen konsiderohej burimi më i besueshëm dhe më i vlefshëm për organizatat që merreshin me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Po aq domethënës është edhe fakti se formulari parashikonte vendin ku duhej të shënoheshin emri dhe mbiemri i plotë i të burgosurit, ndërsa në fund përmbante formulimin zyrtar: “Kjo korrespodencë i është dërguar Sekretariatit Internacional…”, pas së cilës duhej të vendosej data e hartimit dhe e dërgimit të dokumentit. Ky element tregon se fletanketa nuk ishte menduar të mbetej një dokument i brendshëm i Lëvizjes, por ishte pjesë e një procedure të mirëfilltë komunikimi me strukturat ndërkombëtare të Amnesty International, duke respektuar standardet e dokumentimit dhe të administrimit të rasteve të të burgosurve politikë.

Në planin historik, kjo fletanketë përfaqëson një dëshmi të rrallë të kulturës dokumentuese që kishte zhvilluar mërgata shqiptare në fillim të viteve tetëdhjetë. Ajo tregon se rezistenca shqiptare nuk mbështetej vetëm në idealizëm dhe në përkushtim patriotik, por edhe në një metodologji të mirëorganizuar, ku çdo fakt regjistrohej me përpikëri, çdo dëshmi trajtohej me përgjegjësi dhe çdo informacion synonte të shndërrohej në një provë të pakundërshtueshme të represionit jugosllav. Në këtë kuptim, formulari nuk ishte thjesht një dokument administrativ, ai ishte një instrument i kujtesës historike, një akt mbrojtjeje i dinjitetit njerëzor dhe një dëshmi e përpjekjeve të organizuara për ta bërë botën dëshmitare të vuajtjeve të shqiptarëve nën regjimin jugosllav.

Arkivi i dhimbjes

Fletanketa vazhdonte me një sërë pyetjesh të tjera, të hartuara me një kujdes të jashtëzakonshëm, të cilat synonin të krijonin një pasqyrë sa më të plotë të jetës, të rrethanave dhe të fatit të secilit të burgosur politik. Çdo rubrikë ishte menduar për të mbledhur të dhëna të detajuara, të cilat jo vetëm që do t’i shërbenin dokumentimit të rastit individual, por edhe do të ndihmonin në krijimin e një arkivi të besueshëm mbi përmasat e represionit politik që ushtrohej ndaj shqiptarëve në Jugosllavi.

Ndër pyetjet e para të formularit kërkohej të evidentohej se cila ishte gjuha amtare e të burgosurit dhe cilat gjuhë të tjera ai zotëronte. Në shikim të parë, kjo mund të dukej si një e dhënë me karakter thjesht administrativ, por në të vërtetë ajo kishte një rëndësi të veçantë për organizatat ndërkombëtare që merreshin me dokumentimin e rasteve të përndjekjes politike. Njohja e gjuhës amtare dhe e gjuhëve të tjera që fliste i burgosuri mundësonte vendosjen e një komunikimi më të drejtpërdrejtë dhe më efektiv me të, përgatitjen e korrespondencës dhe të materialeve në gjuhën që ai kuptonte më mirë, si dhe shmangien e keqkuptimeve gjatë mbledhjes së dëshmive. Njëkohësisht, ky informacion ndihmonte në krijimin e një profili më të plotë të personit, duke ofruar të dhëna jo vetëm për përkatësinë e tij gjuhësore e kulturore, por edhe për nivelin e arsimimit, formimin intelektual dhe mjedisin shoqëror nga i cili vinte.

Në këtë mënyrë, edhe një pyetje që në pamje të parë dukej rutinore merrte një dimension më të gjerë dokumentues, duke u shndërruar në një element të rëndësishëm për kuptimin më të plotë të identitetit dhe rrethanave jetësore të të burgosurit politik. Më pas, një vëmendje e veçantë i kushtohej gjendjes shëndetësore të të burgosurit. Formulari kërkonte të jepeshin të dhëna të hollësishme mbi gjendjen fizike dhe shëndetësore të tij, duke pasur parasysh se shumë të burgosur politikë ishin viktima të torturave sistematike, të kushteve çnjerëzore të burgimit dhe të mungesës së trajtimit mjekësor. Përmes këtij informacioni synohej që organizatat ndërkombëtare të krijonin një pasqyrë reale mbi pasojat që kishte lënë dhuna shtetërore mbi jetën dhe shëndetin e të burgosurve, si dhe të ndërhynin në rastet kur gjendja e tyre paraqitej alarmante.

Një tjetër rubrikë me rëndësi të madhe historike kishte të bënte me burgimet e mëparshme. Formulari kërkonte të shënohej nëse personi kishte qenë i arrestuar apo i dënuar edhe më parë, duke specifikuar datën, arsyen e arrestimit dhe dënimin që kishte vuajtur. Kjo pyetje nuk kishte karakter të rastësishëm. Përmes saj bëhej e mundur të dokumentohej përndjekja e vazhdueshme politike ndaj të njëjtit individ dhe të provohej se shumë shqiptarë nuk ishin viktima të një arrestimi të vetëm, por të një politike sistematike ndëshkimi, e cila i ndiqte ata gjatë gjithë jetës së tyre për shkak të bindjeve kombëtare ose politike.

Po aq të rëndësishme ishin edhe pyetjet që lidhen me momentin e arrestimit. Formulari kërkonte të shënohej me saktësi vendi ku ishte kryer arrestimi dhe dita kur kishte ndodhur ai. Këto të dhëna kishin vlerë të shumëfishtë. Ato ndihmonin në rindërtimin kronologjik të ngjarjeve, në identifikimin e valëve të arrestimeve dhe në dokumentimin e mënyrës se si vepronte aparati represiv jugosllav në treva të ndryshme shqiptare.

Formulari nuk ndalej vetëm te fati individual i të burgosurit. Ai kërkonte gjithashtu të sqarohej nëse gjatë arrestimit ishin ndaluar edhe persona të tjerë dhe, nëse po, kërkohej të shënoheshin emrat e të gjithë atyre që ishin arrestuar së bashku me të. Ky element është veçanërisht domethënës, sepse dëshmon se hartuesit e formularit synonin të dokumentonin jo vetëm rastet individuale, por edhe rrjetin e arrestimeve kolektive, i cili ishte një nga karakteristikat e politikës represive të regjimit jugosllav ndaj shqiptarëve. Në këtë mënyrë bëhej e mundur të identifikoheshin grupet e të arrestuarve, të rindërtoheshin proceset gjyqësore politike dhe të kuptoheshin më mirë përmasat e fushatave të ndjekjes së organizuar.

Andaj, këto pyetje tregojnë qartë se formulari nuk ishte hartuar thjesht për të regjistruar disa të dhëna personale. Ai ishte konceptuar si një instrument i mirëfilltë dokumentimi, i aftë të ndërtonte dosje të plota për secilin të burgosur politik dhe njëkohësisht të krijonte një bazë të dhënash mbi mekanizmat e represionit jugosllav. Çdo përgjigje e dhënë në këtë fletanketë ndihmonte në zbardhjen e një pjese të historisë së dhimbshme të shqiptarëve dhe shndërrohej në një dëshmi të çmuar për studiuesit, për organizatat ndërkombëtare dhe për brezat që do të kërkonin të kuptonin të vërtetën mbi përndjekjen politike në Jugosllavinë e asaj kohe.

Pikërisht për këtë arsye, kjo fletanketë përfaqëson sot jo vetëm një dokument administrativ, por një burim të dorës së parë për historinë e represionit politik ndaj shqiptarëve. Ajo dëshmon se mërgata shqiptare kishte kuptuar se mbrojtja e së vërtetës historike fillon me dokumentimin e kujdesshëm të çdo fakti, të çdo emri dhe të çdo ngjarjeje, sepse vetëm mbi këtë bazë mund të ndërtohej kujtesa kolektive dhe të kërkohej drejtësi për viktimat e një regjimi që për dekada u përpoq të mbulonte krimet e tij me heshtje dhe propagandë.

Përpara se të zbardhej e gjithë kronologjia e vuajtjes së një të burgosuri politik, autoritetet hetimore dhe administrative përpiqeshin të ndërtonin një pasqyrë sa më të detajuar të veprimtarisë së tij. Për këtë arsye, formularët dhe dokumentacioni zyrtar nuk kufizoheshin vetëm në të dhënat personale, por zgjeroheshin me një varg pyetjesh që synonin të zbulonin aktivitetin shoqëror, politik dhe kombëtar të të arrestuarit. Nëpërmjet këtyre pyetjeve kërkohej të përcaktohej se çfarë kishte bërë personi para arrestimit, në cilat veprimtari kishte marrë pjesë, me kë ishte shoqëruar dhe nëse kishte qenë pjesë e ndonjë organizimi që autoritetet e konsideronin të paligjshëm ose armiqësor ndaj rendit shtetëror.

Po aq i rëndësishëm ishte edhe sqarimi i mënyrës se si ishte realizuar arrestimi. Në dokumente shtrohej pyetja nëse ndaj të arrestuarit ishin ushtruar forma të ndryshme të dhunës fizike apo psikologjike, presione, kërcënime, maltretime ose reprezalje para se të privohej nga liria. Këto elemente, ndonëse në shumë raste nuk pasqyroheshin plotësisht në procesverbalet zyrtare, përbëjnë sot dëshmi me rëndësi historike, pasi hedhin dritë mbi mekanizmat represivë të aparatit shtetëror jugosllav ndaj shqiptarëve të Kosovës. Shumë ish-të burgosur politikë kanë dëshmuar se faza më e rëndë e persekutimit shpesh nuk fillonte në qelinë e burgut, por që në momentet e arrestimit, gjatë marrjes në pyetje dhe hetimeve paraprake, ku dhuna përdorej si mjet për të nxjerrë deklarata, për të imponuar pranime faji ose për të zbuluar rrjetin e bashkëveprimtarëve.

Një pjesë tjetër me rëndësi e dokumentacionit kishte të bënte me arsyen juridike të arrestimit. I burgosuri duhej të deklaronte ose të evidentohej qartë pse ishte arrestuar, cilat veprime konsideroheshin nga organet shtetërore si vepra penale dhe mbi bazën e cilit ligj apo nen të Kodit Penal ishte ngritur akuza ndaj tij. Kjo nuk kishte vetëm karakter formal juridik, përkundrazi, shërbente si instrument për t’i dhënë një mbulesë ligjore ndjekjes politike. Në shumicën e rasteve, veprimtaria patriotike, shpërndarja e literaturës kombëtare, organizimi i demonstratave, shkrimi i parullave ose kërkesa për barazi e vetëvendosje klasifikoheshin si “veprimtari kundërrevolucionare”, “rrezikim i rendit kushtetues”, “propagandë armiqësore” apo vepra të tjera penale të parashikuara nga legjislacioni jugosllav.

Dokumentet ndaleshin gjithashtu edhe te vendi i vuajtjes së dënimit. Regjistrohej me saktësi institucioni korrektues ku ishte dërguar i arrestuari, qoftë ai burg komunal, qendër paraburgimi apo burg i sigurisë së lartë. Kjo kishte rëndësi jo vetëm për administrimin e sistemit të burgjeve, por edhe për ndjekjen e mëtejshme të dosjes së tij. Në shumë raste, të burgosurit politikë shqiptarë transferoheshin vazhdimisht nga një burg në tjetrin, larg familjeve të tyre, duke e bërë edhe më të rëndë izolimin fizik dhe psikologjik.

Një tjetër element thelbësor lidhej me procesin gjyqësor. Dokumentacioni kërkonte të evidentohej se kur do të organizohej gjykimi, në cilën fazë ndodhej procedura penale dhe cili organ gjyqësor ishte kompetent për shqyrtimin e çështjes. Regjistrohej nëse gjykimi zhvillohej në Gjykatën Komunale, në Gjykatën e Qarkut apo në Gjykatën e Krahinës, varësisht nga natyra e akuzës dhe rëndësia që autoritetet i atribuonin rastit. Kjo ndarje nuk ishte vetëm administrative, por pasqyronte edhe nivelin e trajtimit politik që merrte secila çështje. Sa më e rëndë të konsiderohej akuza politike, aq më të larta ishin instancat gjyqësore që merreshin me të dhe aq më të ashpra ishin zakonisht dënimet që shqiptoheshin.

Sot, këto dokumente kanë një vlerë të jashtëzakonshme historike, sepse na ndihmojnë të kuptojmë mekanizmat e funksionimit të represionit shtetëror dhe mënyrën se si pushteti përpiqej të justifikonte ligjërisht ndjekjen e atyre që kërkonin lirinë, barazinë dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Kosovë.

Një ndër pyetjet më të rëndësishme kishte të bënte me qëndrimin e të burgosurit ndaj akuzës së ngritur kundër tij. Në dokumente kërkohej të evidentohej nëse ai e kishte pranuar apo jo fajësinë. Kjo pyetje nuk kishte vetëm karakter procedural, por mbartte edhe një domethënie të thellë politike. Në shumë raste, pranimi i fajit nuk ishte rezultat i bindjes së të akuzuarit për shkeljen e ligjit, por pasojë e presioneve të vazhdueshme, izolimit, torturave fizike dhe psikologjike ose shpresës për një dënim më të lehtë. Ndërkaq, shumë veprimtarë politikë shqiptarë refuzonin kategorikisht të pranonin fajin, duke deklaruar se veprimtaria e tyre nuk ishte krim, por një angazhim legjitim për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe të lirisë së popullit të tyre. Ky qëndrim shpesh ua rëndonte pozitën para organeve hetimore dhe gjyqësore, por njëkohësisht shndërrohej në një akt të fuqishëm të rezistencës morale.

Po aq e rëndësishme ishte edhe pyetja nëse i arrestuari kishte pasur mbrojtës ligjor. Evidentimi i pranisë ose mungesës së një avokati synonte të pasqyronte nëse ishin respektuar formalitetet procedurale të gjykimit. Megjithatë, në praktikën e proceseve politike gjatë periudhës jugosllave, prania e mbrojtësit nuk garantonte domosdoshmërisht një mbrojtje efektive. Në shumë procese, avokatët kishin hapësirë të kufizuar veprimi, ndërsa vendimet ishin shpesh të paracaktuara nga organet politike dhe të sigurimit. Si rrjedhojë, mbrojtja juridike mbetej më tepër një element formal i procedurës sesa një garanci reale për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Dokumentacioni vazhdonte më tej me pyetjen nëse i dënuari kishte ushtruar të drejtën e ankesës kundër vendimit gjyqësor. Kjo rubrikë kishte rëndësi të veçantë, sepse dëshmonte nëse i burgosuri kishte shfrytëzuar mekanizmat ligjorë për të kundërshtuar aktgjykimin, qoftë duke kërkuar rishqyrtim të çështjes, qoftë duke pretenduar shkelje procedurale apo mungesë provash. Megjithëse sistemi juridik parashihte mundësinë e ankimit, përvojat historike tregojnë se në rastet e proceseve politike këto ankesa rrallëherë ndryshonin thelbin e vendimit, pasi organet më të larta gjyqësore zakonisht konfirmonin dënimet e dhëna nga gjykatat e shkallës së parë.

Vijon

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.