26 C
Tirana
E premte, 12 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj DALZOTËSIT E KOSOVËS ENDE JANË GJALLË

DALZOTËSIT E KOSOVËS ENDE JANË GJALLË

0
Elife Luzha - libra

Autore:
Elife LUZHA

Miq të dashur,

Po e rikthej një shkrim të shkruar para 16 vitesh, për të rikujtuar disa nga çështjet e ngritura atëherë, veçanërisht ato që lidhen me praktikat politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat, vazhdojnë të përsëriten edhe sot.

Është shqetësuese sjellja e LDK-së, e cila sot e kësaj dite vazhdon me politikat e saj më shumë penguese sesa ndërtuese për shtetin dhe institucionet e tij.

Lexim të këndshëm!

Fjala “ikje”, pothuajse në çdo rrethanë, mbart një kuptim negativ. Ajo nënkupton shmangie nga detyrimi, largim nga përgjegjësia ose dorëzim përballë sfidave. Kur kjo ikje është e vetëdijshme dhe lidhet me detyrime familjare, shoqërore, shtetërore apo kombëtare, atëherë ajo nuk është më thjesht ikje; është dezertim, e në raste të caktuara edhe tradhti.

Thuhet se tradhtia është po aq e vjetër sa vetë shoqëria njerëzore. Ajo ka rrëzuar mbretëri, ka shembur shtete dhe ka ndryshuar fatet e kombeve. Në historinë shqiptare, fatkeqësisht, tradhtia lidhet me disa nga plagët më të rënda kombëtare: me copëtimin e trojeve shqiptare, me ndarjen e dhunshme të kombit dhe me përpjekjet e pandërprera për nënshtrimin e tij.

Ajo na kujton gjithashtu gjenocidin, masakrat dhe politikat shfarosëse që Serbia ka ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës për më shumë se një shekull. Dhe gjithmonë arma më e fortë e politikës serbe kanë qenë bashkëpunëtorët dhe individët që, me veprimet e tyre, kanë vepruar në dëm të interesit kombëtar.

Sidoqoftë, tradhtia asnjëherë nuk ka mbetur pa u gjykuar.

Thuhet se mbretëresha Teutë u tradhtuar nga dardanët. Ndërsa Moisi Golemi dhe Hamza Kastrioti e tradhtuan Skënderbeun. Jo sepse u munguan postet apo privilegjet, por sepse nuk mund të bëheshin Skënderbe.

Edhe Ahmet Zogu, pasi largoi Fan Nolin nga Shqipëria me ndihmën e jugosllavëve, iku nga Shqipëria. Ai tradhtoi pavarësinë dhe e la Shqipërinë të pambrojtur në duart e fashizmit. Megjithatë, Shqipëria dhe shqiptarët mbijetuan, sepse ky popull lindi bij e bija që, me sakrificën dhe gjakun e tyre, ujitën tokën e lulëkuqeve të Kosovës, duke e shndërruar atë në simbol të qëndresës, dhimbjes dhe të krenarisë kombëtare.

Kosova u tradhtua rëndë më 1912, kur u nda dhunshëm nga trungu mëmë. U tradhtua sërish më 1945, kur iu mohua bashkimi me Shqipërinë. U tradhtua edhe gjatë viteve 1968 dhe 1981, kur zëri i rinisë shqiptare për liri dhe barazi u përball me represion, ndërsa figura të kohës, si Azem Vllasi apo i ndjeri Fadil Hoxha, u rreshtuan kundër aspiratave të popullit të vet.

Në një frymë të ngjashme gjatë vitit 1998, drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës i quajtën luftëtarët e lirisë “grup njerëzish të frustruar” ndonëse një pjesë e rëndësishme e botës demokratike, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kishte njohur UÇK-në si lëvizje çlirimtare që luftonte për lirinë e Kosovës.

Prandaj lind pyetja: a nuk ishte kjo një përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë kombëtare dhe historike për çlirimin e Kosovës me luftë, të vetmen gjuhë që njohu Serbia? Një luftë së cilës nuk mundën t’i shmangeshin as republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Gjithsesi, rrjedha e ngjarjeve e dha përgjigjen e saj. Ishin dalzotësit e Kosovës, siç do të shprehej Rexhep Qosja, ata që qëndruan të palëkundur, në mbrojtje të nderit dhe tokës së saj. Ishin pikërisht ata që e mbrojtën Kosovën dhe morën mbi supe barrën e kohës dhe përgjegjësinë e historisë.

Duhet kujtuar se në Konferencën e Rambujesë, ndër të tjera, delegacioni i Kosovës kishte arritur edhe një marrëveshje për krijimin e një Qeverie Unitetit. Mirëpo, përfaqësuesit e LDK-së nuk pranuan të bëheshin pjesë e saj. Ata refuzuan të ndanin përgjegjësinë me përfaqësuesit e luftës çlirimtare, duke u bërë pengesë në procesin e konsolidimit institucional të Kosovës në periudhën e pasluftës.

Pavarësisht kësaj, Qeveria e Unitetit vazhdoi ta udhëhiqte Kosovën edhe pa pjesëmarrjen e LDK-së, në një periudhë të vështirë dhe sfiduese për vendin.

Ndërtimi i demokracisë në shtetet e dala nga lufta dhe nga periudha të gjata pushtimi, siç është Kosova, është një proces kompleks dhe shpesh i vështirë. Ngritjet dhe rëniet e partive politike në garat elektorale për pushtet janë dukuri të zakonshme në demokraci. Por, siç paralajmëronte Platoni, demokracia mund të degjenerojë kur qytetarët nuk arrijnë të dallojnë mes atyre që pushtetin e shohin si mjet në shërbim të qytetarit dhe atyre që e shohin atë si mjet për interes personal.

Në vitin 2007, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i fitoi zgjedhjet dhe nisi procesin e formimit të qeverisë. PDK-ja i zgjati dorën e bashkëpunimit LDK-së e cila, pas kalkulimeve të veta politike, ndryshe nga refuzimi i mëhershëm për të marrë pjesë në Qeverinë e Unitetit, këtë herë e pranoi ofertën. Ajo u bë pjesë e qeverisë, për t’u tërhequr më vonë në një moment që mund të ishte politikisht i favorshëm për të, por që për Kosovën përbënte një nga periudhat më kritike. Ishte një kohë kur bashkimi dhe uniteti institucional ishin jetikë për konsolidimin e shtetit të ri (kujtojeni 25 marsin e vitit 2020, kur LDK-ja, përmes një mocioni mosbesimi rrëzoi Qeverinë Kurti, me të cilën ishte partnere në koalicionin qeverisës).

.
Prishja e koalicionit dhe largimi i LDK-së nga qeveria, më sjell ndërmend tradhtinë e Hamzait e Moisiut, zbehjen e idealeve të Pavarësisë së Shqipërisë gjatë periudhës së Ahmet Zogut dhe largimin e kryesisë së LDK-së në Itali gjatë luftës. Mënyra dhe koha e largimit të LDK-së nga koalicioni qeverisës, në një periudhë kur zgjedhjet e parakohshme tashmë ishin përcaktuar, dhe kur, edhe pas 70 njohjeve ndërkombëtare dhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, shteti i Kosovës përballej me kërcënime serioze nga Serbia, nuk mund të shihej thjesht si kapriço apo papërgjegjësi politike ndaj institucioneve shtetërore, por më shumë se kaq. Në këtë këndvështrim, kjo thjesht quhet tradhti.

Populli i shumëvuajtur i Kosovës nuk e ka merituar një nënçmim të tillë nga përfaqësuesit e vet politikë. Qytetarët, të tronditur, ndoqën largimin e përfaqësuesve të tyre nga institucionet e shtetit, duke parë sjellje që, nga njëra anë u perceptuan si të papërgjegjshme dhe dezertuese, e nga ana tjetër arrogante dhe sunduese.

Populli i Kosovës i dergjur për shekuj nën robëri, është burgosur, vrarë, masakruar dhe dhunuar nga pushtuesi serb. Sot ai përballet me papunësi, mungesë të kujdesit social dhe shëndetësor, ndërprerje të energjisë elektrike e mungesë të ujit të pijshëm, ndërsa së fundi, edhe pa institucione funksionale të shtetit, ndihet si refugjat në shtetin e vet.

Në anën tjetër, me një nihilizëm dhe servilizëm të paturpshëm, të vetëquajturit përfaqësues të populli, të relaksuar dhe të buzëqeshur para ekraneve televizive, vazhdojnë të shfaqen me poza e propozime të ndryshme, duke përdorur një retorike të mbushur me deklarata plot dashuri për shtetin, ndërkohë që, vetë janë varrmihësit e tij.

Kurse Serbia, vazhdon të provokojë kriza të reja në rajon dhe të dërgojë mesazhe nënçmuese për shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare, duke deklaruar se është e gatshme për bisedimet me Kosovën, por se nuk ka me kë të bisedojë, pasi sipas saj, Kosova nuk ka institucione.

Nuk ka gjë më të turpshme sesa ajo që po i ndodh Kosovës. Nuk ka gjë më paradoksale sesa fakti që, derisa bota demokratike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështet dhe e ndihmon shtetin e Kosovës, por këtë nuk e bëjnë vetë përfaqësuesit e saj.

Nuk ka dyshim se Kosova do ta kalojë edhe këtë sfidë, sepse dalzotësit e saj ende janë gjallë. Por duhet ta kenë të qartë të gjithë ata që janë bërë pengesë e ndërtimit të shtetit dhe institucioneve shtetërore se një ditë do t’i gjykojë historia.

Ju falënderoj për vëmendjen!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.