OPINION
– Në ditën e fitores mbi fashizmin, na ka mposhtur e keqja brenda nesh –
Nga Llesh NDOJ
9 Maji, Dita e madhe e fitores së forcave përparimtare ndaj forcave nazi – fashiste të errësirës në shkallë botërore, më risolli në mendje kontrastin e madh, apo iluzionin e kësaj fitoreje, nisur nga gjendja aktuale ku fatkeqësisht arena botërore është rikthyer në skenarët e e rinj të luftës. Jo asaj të “ftohtë”, por luftës reale e ndoshta më të nxehtë se kurrë, pasi rreziku i një kolapsi energjetik dhe atomik kërcënon dukshëm gjysmën e globit. Pas asaj fitoreje me rëndësi botërore, një pjesë e botës, duke i duartrokitur ato lejoi që e keqja të lindte e të forcohej çdo ditë, dersa tano afro tetë dekada më pas jemi afërsisht aty ku ishin etërit e Europës në vitin 1945. Megjithatë teatri vazhdon. Aktori real i spektakleve të dikurshme, sot është presidenti i botës, ndërsa ariu polar në krahun tjetër, nga prapaskena lëviz fijet e fshehta, në teatrin e kukullave ku teoricienë gjithfarësh thurin lëmsha demokracie. Gjithçka si në një teatër apo si në një ballo me maska, e ne spektatorët që duartrokasim, shpesh pa e kuptuar se ç’nënkupton zgërdhimja e aktorëve kryesorë. Po regjizori? Ai nuk duket askund, është fshehur brenda etjes për pushtet të pakufizuar, etjes për pasurim të pakufizuar, etjes për dominim edhe mbi vetë Krijuesin, duke e paraqitur veten si shpëtimtarë të botës.
Le të kthehemi me syrin tonë vëzhgues tek bota e vogël (në fakt e madhe!) shqiptare. Ishim krenar se në 1945-n ishim pjesë e koalicionit më të madh përparimtarë të kohës, por kjo nuk mjaftoi që së keqes t’i mbyllej dera. Nën duartrokitjet tona e me tufa lulesh ndër duar, kultivuam për pesëdhjetë vite një të keqe me pasoja sa e si ajo që menduam se u mbyll në vitin 1945, por edhe sot nuk jemi larg. Qofsha unë i gabuar në perceptimin tim, por më duket se ngjarjet në të gjithë botën shqiptare sot zhvillohen si në ndonjë skenë të hapur teatri, ku të gjithë aktrojnë në mënyrën e tyre dhe askush nuk e njeh regjizorin. Prej vërteti këtë shfaqje e konsideroj si pengesën thelbësore, pse përparimi ynë në rrugën e zhvillimit e të krahasimit me kombet e përparuara të botës, ngjanë me hapin e breshkës, apo më keq akoma, bën një hap para e dy hapa pas. Dhe më e bukura është se të gjithë në këtë “skenë” gjigande luajmë si hije dhe njëkohësisht duartrokasim veten, tamam si robotë.
Po të qënit njerëz realë, ku ka mbetur?
Le të shohim përciptas ngjarjet në Shqipëri, atë copë të cilën e kanë lejuar të huajt si skenë eksperimentale të këtij teatri absurd. Ne, të qeverisurit, aq sa kemi mbetur si gjysmë invalid për të jetuar në këtë vend, vetëm duartrokasim. E bëjmë këtë edhe kur protestojmë e hedhim molotovë, e bëjmë në festat e 1 Majit dhe në 8 Nëntor, por edhe në 8 apo 12 Dhjetor… Po t’a pyesish publikisht një popull dosido, menjëherë do të marrësh miratimin e tij publik se kështu si jemi, jemi ok, ndërsa nuk mund të mos vëresh hapur hutimin e tij, bashkë me rrotullimin e syve rreth e përqark, se mos në atë moment ndonjë kamera është fokusuar dhe e regjistron fytyrën e zërin e tij real.
Nëse e josh me kujdes, duke bërë edhe ti opozitarin dhe duke e shmangur diku jashtë “syrit vëzhgues” (edhe ky një iluzion, pasi në fakt të gjithë kujtojmë se jetojmë në një “Big Brother” gjigant!), ai duke e mbuluar pjesën e gojës me dorë nga frika se ndonjë kamer e fshehtë mund t’i interpretojë lëvizjet e buzëve (zakon ky i huazuar nga futbollistët në fushë, kur shajnë kundërshtarin dhe duan t’i shmangen ndonjë dënimi!), prej tij mund të marrësh edhe më shumë opozitarizëm se sa vetë ti e mendon si opozitarë.
Aktrojnë kështu të majtë e të djathtë, a më mirë të themi si ata që hanë pshesh në mashtërkun qeveritar, ashtu edhe ata që ushqehen me “me kinse” opozitarët. Bile ky kufiri pushtetarë – opozitarë, ka pësuar edhe vetë një transformim real. Nga të dyja palët, ajka e tyre, jo në kuptimin cilësorë të fjalës por të pozitës që mbajnë pa asnjë meritë, janë krejt me pushtet dhe rjepin taksat tona si “pabuksa” që jemi, ndërsa ne të tjerët, sigurisht shumica, na kanë “injektuar” një chip, s’dihet kur, ku dhe si, ndoshta bashkë me “vaksinat” e përditshme të hale – mediave, chip i cili na bën të aktrojmë si aktorë – robotë në skenën e servirur prej tyre. Por, nuk jemi vetëm ne shqiptarët e Shqipërisë së mbetur kështu!
Fatkeqësisht të njëjtat role e në skenën e ngritur nga qeveritarët, luajnë edhe vëllezërit tanë në Kosovën e lirë nga të huajt e “të pushtuar” nga vetja. Kosova e kosovarët që për shumë vite luajtën si aktorë realë në skenën e jetës, bile me shumë qëndresë e heroizëm, sot janë kthyer në një si “teatër kukullash”, ku ato që shihen në skenë luhen nga fije të padukshme në prapaskenë, brenda e jashtë Kosovës. Për pushtet të një pakice edhe atje anashkalohet shteti e shtetformimi, dhe të gjithë e duartrokasin këtë si një shëndetësim demokratik të shoqërisë kosovare. Po për ç’shëndetësim demokratik flasim, kur pushtetarët qeverisin pa mandat e pa dhënë llogari, kurse opozitarët janë të lumtur me ndonjë biznes që i pasuron, gjithnjë me leje qeveritare. Opozita e vërtetë, populli votues, ose është larguar në drejtim të paditur për në emigracion, ose jeton “i lumtur” në Kosovë, mjafton që në derë të mos i trokasë milici a paramilitari serb. Jo se kjo është pak, por se afro tri dekada pas fitores së madhe të Lirisë, kjo s’është më as minimumi, jo më optimumi i asaj që duhet të kërkojnë ata.
Ngjarjet në Maqedoninë e Veriut për shqiptarët komb shtetformues, nuk është se bëjnë ndryshim. Shqiptarët gëzojnë ligje të shkruara shqip, por vuajnë të drejtën për të jetuar si shqiptarë. Opozita thotë, se bëmë luftën e tash kemi të drejtën t’i shijojmë arritjet, edhe me ndonjë shkelje syri qeveritare, bashkëpushtetarët me maqedonasit u thonë votuesve: – Rrini urtë, se dje ishit edhe më keq! Në vend që faktori shqiptarë të ishte i bashkuar e në një front rezistent përballë të drejtave të shkelura të shqiptarëve atje, energjitë më të mëdha i harxhojnë në cingla – minglat që i ndajnë mes veti. Rezultati: Të drejtat e shqiptarëve përkeqësohen, e trojet e tyre mbeten shkretë përditë. Mjerim t’a shohësh Dibrën e Madhe në gjendjen e sotme, ku edhe gjuha shqipe flitet si minoritare.
Në trojet shqiptare në Serbi, gjendja s’ka si të mos jetë keq e më keq, ashtu si edhe në Mal të Zi, ku nuk vërehet ndonjë përparim i dukshën në raportet reale me shqiptarët. Shqiptarët, si zogjtë e shqipes pa nanë, kanë “pushtuar” botën, ku kanë fituar jetesën si pakica, por nuk gëzojnë të drejtat e bashkëqytetarëve të tyre në vendet ku kanë emigruar. As në regjistrat e shteteve ku janë e kontribuojnë një jetë, nuk janë të regjistruar si shqiptarë. Për më tepër, as shteti shqiptarë nuk ka një hartë e një numër real të bashkëkombasve të vet nëpër botë. Por teatri vazhdon. I regjistrojmë për votime dhe e manipulojmë si mundemi vullnetin e tyre, në Shqipëri e në Kosovë. Ua duam remitancat, sepse përmes tyre mbahet larg revolta qytetare, por jo fjalën, mendimin e kontributin si të barabartë. Ua duam paratë e shpikim lloj – lloj monstruozitetesh për t’ua marrë, por asnjë lehtësi konkurence e zhvillimi nuk ua sigurojmë në trojet e veta. “Karremi” i radhës është përshembull “Paketa e Maleve”, ku ata ftohen të investojnë në tokat e tjetërkujt.
Pse s’jepen si fillim tokat në pronësi të trashëgimtarëve realë të pronarëve, pa asnjë burokraci, pastaj të stimulohen investimet e shqiptarëve, pare gjaku e djerse të fituara me sakrifica të mëdha në emigrim, duke i përjashtuar nga çdo detyrim ndaj shtetit, përveç sigurimeve shoqërore për vete e të punësuarve të tyre. Në Tiranë ka vite që diaspora mblidhet në “mitingje” entuziaste, por edhe ato duken si me regji. Edhe në këto takime të mirëpritura, roli i përfshinë të gjithë, thuajse pa e kuptuar, por ajo që ngelet pas është më shumë se një shije e hidhur. Gjenden një grusht sish për t’i tërhequr në skenat mafioze të ndonjë investimi që i përpinë paratë e tyre, madje edhe tonat, si ndonjë vampir, përzgjidhet ndonjë edhe në poste të larta, si karemi i radhës për vota e kaq… Efektiviteti i tyre për të tërhequr Shqipërinë drejt Europës, nën modelin e vendeve ku ata jetojnë e kontribojnë prej dekadash, humbet si ndonjë mallkim i hershëm, ndërkohë që në vendet e tyre të reja, shkëlqejnë prej vërteti. Vend i mallkuar apo qeverisje e korruptuar? Kjo është pyetja që përgjigjen e ka të qartë, por ende jo shtegun për të dalë në bulevardin e përparimit ekonomik e shoqërorë.
Ja kështu! Të gjithë aktorë.
Edhe brenda vetë klasave shoqërore, jo veç në marrëdhëniet mes tyre, të gjithë aktorë mbetemi. Shih të punësuarit. Krejt të knaqur, gojëkyçur, duartrokitës, shih nëpër partitë politike: krejt të kënaqur, duartrokitës, të përunjur, shih nëpër familje: krejt të nënshtruar ndaj atij që ka në dorë ekonominë familjare, shih në letërsi: krejt krijues e krejt vlerësues, shih në televizione: teatër i pshtirë, shih në facebuk: like pa lexime, lajka pa pělqime e rrallë ndonjë meme. Dhe pyesim pastaj, pse të gjithë xhirojmë në llaç, e na duket sikur punojmë, por asnjë zhvendosje dhe ecje reale përpara nuk ndodh.
Po regjizori kush është?
Vërtetë kjo pyetje më mundon shpesh e përgjigja nuk më vjen gjithnjë e njëjtë, ndonëse e ndaj bindjen e plotë se ajo është një dhe vetëm një. Frika, servilizmi, përkulja, nënshtrimi ynë. Mendësia që jam mirë, se mundet të jem edhe më keq, ka fituar dukshëm mbi krenarinë e ligjshme që ato që kemi, janë pak në raport me ato që na takojnë, e se çelësi për ndryshim gjendet vetëm brenda secilit prej nesh. Ky është regjizori i madh, kurse mëkëmbësat e tij janë korrupsioni, servilizmi, përtacia, të priturit nga jashtë vetes për ato gjëra të cilat duhet t’i marrim në dorë dhe t’i realizojmë e administrojmë vetem ne. Të drejtat tona nuk mund të na i falë kush. Ato duhen fituar me punë, me djersë, me sakrifica, me përpjekje, me protestë, po e po, dhe jo me ulje kurrizi e shtrirje dore.
Lezhë, më 9 maj 2026






