
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
(Mr. Aliriza Selmani & Hafiz Avni Aliu: Myderriz Haki Efendiu (1914-1948” botoi Këshilli i Bashkësisë Islame- Gjilan, 2025)
Që në fillim, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për ribotimin e këtij libri, i cili, në kontekstin kohor dhe rrethanat aktuale, paraqet një vepër me rëndësi të veçantë shkencore dhe historike. Ky ribotim nuk është thjesht një akt editorial, por një ndërhyrje e domosdoshme në ruajtjen dhe rikthimin e kujtesës historike, veçanërisht në një kohë kur rreziku i harresës vazhdon të jetë i pranishëm.
Figura me peshë kombëtare, si ajo e Mulla Haki Sermaxhajt, përbëjnë kapituj të rëndësishëm të historisë sonë dhe mbartin vlera të qëndrueshme historike, kulturore dhe morale. Trajtimi dhe rikthimi i tyre në diskursin publik dhe akademik është një detyrë e domosdoshme, sepse këto personalitete nuk përfaqësojnë vetëm individë të veçantë, por edhe periudha, qëndresa dhe ide që kanë ndikuar drejtpërdrejt në formësimin e vetëdijes kombëtare. Prandaj, ribotimi i këtij libri shërben si një kontribut i çmuar për ruajtjen e trashëgimisë historike dhe për vazhdimësinë e kujtesës kolektive, duke siguruar që figura të tilla të mos mbeten në harresë, por të zënë vendin e merituar në historinë e shkruar dhe të studiuar.
Andaj, siç është dëshmuar në mënyrë të përsëritur përgjatë historisë, Kosova ka arritur të tërheqë vëmendjen e opinionit më të gjerë vetëm në ato momente kur padrejtësitë e akumuluara kanë shpërthyer në forma të hapura rezistence. Fatkeqësisht, vuajtjet e heshtura, diskriminimi i përditshëm dhe shkeljet sistematike të të drejtave të saj rrallëherë janë marrë seriozisht, derisa zëri i paknaqësisë nuk është shndërruar në përballje të drejtpërdrejtë. Vetëm atëherë, kur armët kanë krisur, bota ka kthyer vështrimin drejt Kosovës, duke e njohur realitetin që për dekada ishte injoruar.
Në këtë kontekst, formimi dhe veprimtaria e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, së bashku me angazhimin e forcave të tjera nacionaliste të asaj kohe, nuk përfaqësonin vetëm një reagim të armatosur ndaj shtypjes, por një sinjal alarmi ndaj ndërgjegjes kolektive kombëtare dhe ndërkombëtare. Këto lëvizje shërbyen si thirrje alarmi në periudha kur padrejtësitë po normalizoheshin dhe kur heshtja e faktorit ndërkombëtar po kthehej në bashkëfajësi. Ato ishin shprehje e një vetëdijeje që refuzonte të shuhet, një përpjekje për të rikthyer dinjitetin dhe për t’i kujtuar botës se një popull i nëpërkëmbur nuk mund të mbetet pafundësisht i padukshëm.
Prandaj, veprimtaria e këtyre lëvizjeve duhet parë jo vetëm si kapitull i rezistencës politike dhe kombëtare, por edhe si akt historik i ndërgjegjësimit, që synonte të thërriste vëmendjen atje ku syri ishte mbyllur dhe veshi ishte bërë i shurdhër. Ato përfaqësonin përpjekjen për ta nxjerrë Kosovën nga margjina e harresës dhe për ta vendosur çështjen e saj në qendër të debatit historik dhe politik, si një realitet që kërkonte njohje, drejtësi dhe zgjidhje të qëndrueshme.
Vitet e pasluftës, veçanërisht periudha që pasoi vitin 1945, të shënuara nga lufta dhe nga një varg i gjatë padrejtësish sistematike ndaj Kosovës, nxorën edhe një herë në pah pakënaqësitë e thella dhe reagimet e akumuluara të popullit të saj. Premtimet për barazi dhe liri, që shoqëruan fundin e luftës, u zëvendësuan shpejt me politika represive, diskriminim institucional dhe mohimin e të drejtave themelore, duke krijuar një klimë zhgënjimi të thellë dhe mosbesimi të përgjithshëm.
Në këto rrethana të reja historike, forcat nacionaliste në Kosovë u gjendën përballë një realiteti të dyfishtë: nga njëra anë, ndjenjës së zhgënjimit dhe tradhtisë, dhe nga ana tjetër, barrës së rëndë të përgjegjësive të reja që koha u impononte. Vështirësitë objektive, presioni i vazhdueshëm dhe rreziqet e shumta nuk i zbehën këto forca, por i vendosën përballë detyrës për të rikonceptuar format e veprimit dhe për të kërkuar rrugë të reja për ndryshimin e gjendjes ekzistuese.
Kësaj situate komplekse dhe këtyre obligimeve historike iu përgjigjën me përkushtim dhe heroizëm një plejadë personalitetesh të shquara, të dalë drejtpërdrejt nga gjiri i popullit. Këta individë morën përsipër udhëheqjen e lëvizjes në kushte të reja politike dhe shoqërore, duke siguruar vazhdimësinë e qëndresës kombëtare. Veprimtaria e tyre përfaqësonte një hallkë të rëndësishme në zinxhirin e gjatë të përpjekjeve historike, duke e vazhduar luftën për të drejtat kombëtare aty ku e kishin lënë brezat e mëparshëm dhe duke e përshtatur atë me sfidat dhe realitetet e kohës së re.
Në këtë periudhë të rezistencës dhe në kuadër të kësaj veprimtarie patriotike ilegale, spikati pa mëdyshje figura e patriotit dhe imamit Myderriz Haki Sermaxhaj, i cili deri në fund të jetës së tij mbeti i palëkundur në angazhimin për çështjen kombëtare. Ai nuk e ndërpreu asnjëherë luftën dhe punën e tij në shërbim të interesave të popullit, duke e konsideruar këtë angazhim si mision jetësor dhe përgjegjësi morale.
Gjatë veprimtarisë së tij, Myderriz Haki Sermaxhaj arriti të ndërthurë me sukses dimensionin fetar me atë kombëtar, duke dëshmuar se besimi dhe atdhedashuria nuk ishin sfera të ndara, por elemente plotësuese në funksion të qëndresës dhe ruajtjes së identitetit. Po ashtu, ai kombinoi në mënyrë të qëndrueshme veprimtarinë legale me atë ilegale, duke u përshtatur me rrethanat politike dhe duke shfrytëzuar çdo hapësirë të mundshme për veprim.
Me vendosmëri dhe besnikëri ndaj parimeve të tij, ai artikuloi qartë luftën dhe kërkesat kundër robërisë dhe ripushtimit jugosllav, duke u bërë zë i qëndresës dhe i aspiratave për liri. Veprimtaria e tij përfaqëson një shembull domethënës të angazhimit të pandërprerë, ku bindja personale, përgjegjësia shoqërore dhe përkushtimi kombëtar u shkrinë në një veprimtari të vetme, të qëndrueshme dhe me ndikim afatgjatë në historinë e rezistencës shqiptare në Kosovë.
Ai e kishte të qartë, me një vetëdije të mprehtë historike, se koha nëpër të cilën po kalonte Kosova ishte e mbarsur me rreziqe të shumta dhe kërcënuese. Ishte një periudhë kur fati i saj varej në fije të perit, kur hija e gllabërimit po zgjatej dita-ditës mbi tokën dhe mbi njerëzit e saj. Rreziku që Kosova të përfshihej, e të zhdukej brenda strukturave të Jugosllavisë, nuk ishte thjesht një frikë e hamendësuar, por një realitet i afërt që, fatkeqësisht, edhe u bë fakt historik.
Myderriz Haki Sermaxhaj nuk u pajtua kurrë me këtë përfundim okupues. Ai nuk e pranoi nënshtrimin si fat të pashmangshëm, as heshtjen si rrugë shpëtimi. Për të, pushtimi nuk ishte vetëm një çështje territoriale, por një dhunim i dinjitetit, i identitetit dhe i së drejtës për të qenë vetvetja. Prandaj qëndresa e tij nuk ishte episodike, por e vazhdueshme, jo impuls i çastit, por bindje e rrënjosur thellë në ndërgjegjen e tij.
Autorët e kësaj monografie e dëshmojnë bindshëm këtë qëndrim të palëkundur, duke sjellë fakte, argumente dhe rrëfime që flasin për një njeri që e kuptoi herët peshën e historisë dhe nuk pranoi të rreshtohej në anën e harresës. Përmes kësaj vepre, shpaloset figura e një qëndrestari që e jetoi kohën e vet me vetëdije, guxim dhe përgjegjësi, duke e kthyer refuzimin e okupimit në akt moral dhe historik, që i mbijetoi edhe vetë pushtimit.
Për rrjedhojë, nevoja për ribotimin e një vepre të tillë, siç është monografia e autorëve Mr. Aliriza Selmani dhe Hafëz Avni Aliu, “Myderriz Haki Efendiu (1914-1948)”, kushtuar kësaj figure të shquar të historisë kombëtare, u ndie sërish në mënyrë të theksuar brenda literaturës historiografike. Ky ribotim nuk përfaqëson vetëm një rikthim të një vepre të rëndësishme në qarkullim shkencor, por edhe një përgjigje të domosdoshme ndaj mungesave dhe zbrazëtive që kanë karakterizuar deri më tani trajtimin e kësaj figure në studimet historike.
Përveç faktit se ky botim plotëson një boshllëk paradoksal në historiografinë tonë, ai njëkohësisht hap shtigje të reja kërkimore për një vlerësim më të gjithanshëm të veprimtarisë së patriotëve të tjerë që vepruan në kuadër të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH). Figura e Myderriz Haki Efendi Sermaxhajt shërben si pikë referimi për të kuptuar më qartë dinamikat, idealet dhe format e veprimit të kësaj lëvizjeje, si dhe kontekstin më të gjerë politik e shoqëror në të cilin ajo u zhvillua.
Myderriz Haki Efendi Sermaxhaj paraqitet në këtë vepër si një personalitet i madh dhe i dashur për popullin, me një natyrë kryengritëse dhe një guxim që shkonte deri në vetësakrifikim. Në të njëjtën kohë, ai ishte thellësisht popullor, i lidhur ngushtë me njerëzit dhe me realitetin e tyre të përditshëm, duke dhënë një kontribut të spikatur dhe të vazhdueshëm në shërbim të çështjes kombëtare. Prandaj, ribotimi i kësaj monografie nuk ka vetëm vlerë dokumentuese, por përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një kuptimi më të plotë dhe më të balancuar të historisë së rezistencës dhe të figurave që e kanë mishëruar atë.
Patrioti Haki Efendi Sermaxhaj ia kushtoi tërësisht jetën e tij idealeve të larta kombëtare, duke e shndërruar përkushtimin ndaj atdheut në boshtin kryesor të ekzistencës së vet. Ai nuk kërkoi nga jeta privilegje personale, përfitime materiale apo nderime të përkohshme, aspirata e tij e vetme dhe e pandryshueshme ishte realizimi i ëndrrës së madhe që kishte ushqyer breza të tërë- ta shihte Kosovën të bashkuar me Shqipërinë. Ky ideal nuk ishte për të një slogan politik, por një bindje e thellë morale dhe historike, e rrënjosur në ndjenjën e përkatësisë dhe në të drejtën për vetëvendosje.
Asnjë kthesë e historisë, asnjë rrethanë e pafavorshme apo presion politik nuk arriti ta shkëpuste nga ky gjakim i vazhdueshëm. Përkundrazi, sfidat dhe tragjeditë e kohës vetëm sa e forcuan vendosmërinë e tij, duke e bërë që sakrifica personale të shihej si pjesë e natyrshme e angazhimit kombëtar. Në këtë kuptim, jeta dhe veprimtaria e Haki Efendi Sermaxhajt përfaqësojnë një shembull të qartë të përkushtimit të plotë ndaj një ideali kolektiv, ku interesi personal zëvendësohet nga përgjegjësia historike.
Pikërisht ky përkushtim i pakushtëzuar, i kurorëzuar me sakrificën më të madhe — dhënien e jetës — mjaftoi që ai të zinte një vend të nderuar në Panteonin Kombëtar Shqiptar. Figura e tij mbetet kështu jo vetëm pjesë e kujtesës historike, por edhe simbol i qëndresës, i idealizmit dhe i besnikërisë ndaj aspiratave themelore të kombit.
Patrioti dhe veprimtari i shquar i LNDSH-së i përkiste atij brezi të rrallë intelektualësh atdhetarë, që fatin personal nuk e ndanë kurrë nga fati i popullit të tyre. Qysh në hapat e parë të jetës publike, ai e lidhi ekzistencën e vet me rrugëtimin kolektiv të shqiptarëve, duke e kuptuar se dija, ndërgjegjja dhe përgjegjësia nuk kanë vlerë nëse nuk vihen në shërbim të së përbashkëtës. Çdo energji, çdo aftësi dhe çdo grimë diturie që zotëronte, ai ia kushtoi pa rezervë çështjes kombëtare.
Me plot të drejtë mund të thuhet se kontributi i tij ishte i pazëvendësueshëm për kohën në të cilën veproi. Prania e tij shënoi momente kyçe dhe kthesa të rëndësishme në zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare në Kosovë, duke e bërë figurën e tij pjesë integrale të historisë së saj. Ai nuk ishte vetëm dëshmitar i ngjarjeve, por aktor aktiv, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në proceset që formësonin rezistencën dhe vetëdijen kombëtare.
Angazhimi i tij konkret u materializua edhe në rolet udhëheqëse që mori përsipër. Si anëtar i Komitetit Qendror të NDSH-së në Shkup dhe si themelues i NDSH-së në Gjilan, ai kontribuoi në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave organizative të lëvizjes. Përmes këtij angazhimi, ai dëshmoi se përkushtimi i tij nuk ishte thjesht ideor apo deklarativ, por i shndërruar në veprim të organizuar, në punë konkrete dhe në përgjegjësi të marrë me vetëdije të plotë përballë historisë dhe popullit të vet.
Si rrjedhojë e gjithë kësaj veprimtarie të gjerë dhe të qëndrueshme, figura e Myderriz Haki Sermaxhajt shpalos dhe rrezaton vlera që nuk kufizohen vetëm brenda kornizës kombëtare. Ndihmesa e tij historike, morale dhe shoqërore tejkalon kufijtë e ngushtë të një angazhimi të vetëm politik apo etnik, duke u shtrirë në një dimension më të gjerë, me frymëzim dhe humanizëm të karakterit universal.
Veprimtaria e tij dëshmon se parimet për të cilat ai u angazhua — dinjiteti njerëzor, liria, drejtësia dhe përgjegjësia morale — nuk janë vlera ekskluzive të një kombi të vetëm, por pjesë e trashëgimisë së përbashkët njerëzore. Pikërisht për këtë arsye, figura e Myderriz Haki Sermaxhajt mund të lexohet dhe të vlerësohet edhe jashtë kontekstit të ngushtë historik shqiptar, si shembull i një intelektuali dhe veprimtari që e kuptoi misionin e tij në funksion të së drejtës universale dhe të humanizmit.
Në këtë kuptim, ai përfaqëson një model ku angazhimi kombëtar dhe ndjeshmëria njerëzore nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por bashkëjetojnë dhe përforcohen reciprokisht. Prandaj, trashëgimia e tij mbetet e vlefshme jo vetëm për historiografinë kombëtare, por edhe për reflektimet më të gjera mbi rolin e individit në mbrojtje të vlerave themelore njerëzore, duke i dhënë figurës së tij një dimension që i reziston kohës dhe hapësirës.
Monografia “Myderriz Haki Efendiu (1914-1948” përfaqëson një vepër shumëdimensionale, e konceptuar dhe e realizuar me një qasje pothuajse shteruese ndaj jetës dhe veprimtarisë së kësaj figure të rëndësishme historike. Autorët i janë qasur subjektit me seriozitet shkencor dhe me një strukturë të menduar mirë, duke synuar të ofrojnë një pasqyrë sa më të plotë dhe të argumentuar të personalitetit, rolit dhe kontributit të Myderriz Haki Efendiut.
Përveç Parathënies, burimeve arkivore dhe literaturës përkatëse, si dhe rezymesë në gjuhën angleze, libri përfshin edhe materiale plotësuese me vlerë të veçantë dokumentare. Ndër to bëjnë pjesë reflektimet dhe vlerësimet e autorëve të tjerë për Myderriz Haki Efendiun, dokumente burimore të pabotuara më parë, si dhe një fond i pasur fotografik familjar, i cili i jep veprës një dimension shtesë dëshmues dhe vizual. Këto elemente e pasurojnë ndjeshëm tekstin, duke e shndërruar monografinë jo vetëm në një studim akademik, por edhe në një arkiv kujtese.
Libri është i strukturuar në njëzet kapituj, të cilët ndjekin një rrjedhë kronologjike të qartë. Autorët e nisin trajtimin me të dhëna që nga fëmijëria dhe vendlindja e atdhetarit, duke ndërtuar gradualisht kronologjinë e ngjarjeve dhe etapave kryesore të veprimtarisë së Myderriz Haki Efendiut. Në këtë mënyrë, lexuesi udhëhiqet përmes zhvillimit personal, arsimor, fetar dhe politik të tij, në përputhje me kontekstin historik të kohës.
Monografia përmbyllet me përshkrimin e vdekjes së tij tragjike në burgun famëkeq të Mitrovicës së Sremit. Siç dëshmojnë të dhënat e shumta të lëna nga të burgosurit politikë, ky burg shërbente si vend internimi për të dënuarit me dënime të rënda, zakonisht mbi dhjetë vjet burgim, kategori në të cilën bënte pjesë edhe vetë Myderriz Haki Efendiu. Ky përfundim tragjik i jetës së tij i jep monografisë një dimension të fortë dëshmues, duke e vendosur figurën e tij në kontekstin e sakrificës dhe të represionit politik, si pjesë e pandarë e historisë së rezistencës shqiptare.
Në Parathënien e librit, autorët na vënë në dijeni se ndërtimi i kësaj monografie nuk ka qenë një punë e rastësishme apo e mbështetur vetëm në burime të njëanshme, por një udhëtim i gjatë kërkimi dhe përkushtimi në gjurmët e historisë. Ata kanë shfletuar me durim arkivat e vendit, kanë hyrë në fondet e Arkivit Shtetëror të Shqipërisë, kanë konsultuar literaturën relevante dhe kanë mbledhur një pasuri të gjerë dëshmish, të shkruara dhe të folura, nga vetë pjesëmarrësit e ngjarjeve që përbëjnë boshtin e kësaj vepre.
Në këtë proces, fjala e dokumentit është ndërthurur me kujtesën njerëzore: shënime memoriale, kujtime të ish-nxënësve, dëshmi të ruajtura në forma të ndryshme, shënime stenografike dhe shtypi i kohës janë bërë pjesë e një mozaiku të gjerë burimor. Çdo fragment kujtese, çdo fjalë e ruajtur në letër apo në mendje, ka gjetur vendin e vet në këtë rrëfim të ndërtuar me kujdes.
Të gjitha këto të dhëna, të mbledhura me këmbëngulje dhe ndjeshmëri shkencore, autorët i kanë sintetizuar përmes një qasjeje analitike dhe studimore, duke i vendosur në dialog të vazhdueshëm me ngjarjet dhe kohën historike në të cilën ato u zhvilluan. Kështu, monografia merr formën e një rrëfimi të argumentuar dhe të ndërtuar mbi fakte, ku kujtesa individuale dhe dokumenti arkivor bashkëveprojnë për të rindërtuar jo vetëm jetën e një figure, por edhe frymën e një epoke.
Patrioti Haki Efendi Sermaxhaj i përket, pa asnjë dyshim, plejadës së atyre luftëtarëve dhe veprimtarëve që e kishin bërë lirinë e atdheut qëllimin themelor të jetës së tyre, duke synuar çlirimin nga çdo formë e sundimit të huaj. Për të, ashtu si për shumë bashkëluftëtarë të tij, realiteti që pasoi të ashtuquajturin “çlirim” nuk përmbushi pritjet dhe shpresat për të cilat ishin bërë sakrifica të mëdha. Përkundrazi, zhgënjimi nga zhvillimet historike dhe nga vazhdimi i padrejtësive u shndërrua në një ndjenjë të vazhdueshme që e shoqëroi gjatë gjithë jetës.
Jeta e tij, e shtrirë ndërmjet 14 tetorit 1914 dhe 27 janarit 1948, përbën një segment relativisht të shkurtër në dimensionin kohor dhe edhe më të kufizuar në hapësirën e përvojës jetësore. Megjithatë, pavarësisht këtyre viteve të pakta, jeta e tij ishte e ngarkuar me përjetime të thella, me dhembje, tensione dhe drama të shumta, të diktuara nga rrethanat historike dhe politike të kohës. Ky intensitet i përvojës e bën jetën e tij domethënëse përtej kufijve të saj kronologjikë.
Dashuria e madhe për vendin dhe popullin e vet të nënshtruar, e shoqëruar nga dhembja për fatin e tyre historik, la gjurmë të pashlyeshme në formimin e tij shpirtëror dhe ideor. Pikërisht këto ndjenja e orientuan drejt idealeve që premtonin horizonte të reja lirie dhe drejtësie, duke e tërhequr drejt veprimtarisë ilegale në Kosovë si mjet për realizimin e aspiratave kombëtare. Në këtë kuptim, angazhimi i tij nuk ishte rezultat i një zgjedhjeje të rastësishme, por i një procesi të thellë reflektimi dhe përjetimi të realitetit historik në të cilin jetoi.
Jeta e Haki Efendi Sermaxhajt u shqua për një energji të jashtëzakonshme dhe një intensitet të lartë veprimi, të cilat e karakterizuan qëndrimin e tij të pandërprerë kundër rrethanave okupuese. Angazhimi i tij ishte i mbështetur në një punë këmbëngulëse dhe në një reagim të fortë ndaj padrejtësive, duke e çuar shpeshherë qëndrimin e tij deri në kufijtë e një përkushtimi të pakompromis. Kjo energji dhe vendosmëri e bënë atë një figurë të veçantë në mesin e bashkëkohësve, të aftë për t’u përballur me sfidat e kohës pa u lëkundur nga parimet themelore.
Megjithatë, përtej këtij intensiteti veprimi, Haki Efendi Sermaxhaj dallohej edhe për objektivitetin e gjykimit dhe për arsyetimin racional, cilësi që e veçonin nga shumë të tjerë në rrethana të ngarkuara emocionale dhe politike. Rasti i sulmit të Gjilanit në vitin 1944 përbën një shembull domethënës të kësaj qasjeje të matur dhe të bazuar në analizë, ku vendimmarrja nuk u udhëhoq nga impulsiviteti, por nga vlerësimi realist i rrethanave dhe pasojave.
Ai e artikulonte shpesh bindjen se “Kosova tani është në luftë”, duke e kuptuar situatën jo si një episod të përkohshëm, por si një gjendje të vazhdueshme përballjeje historike. Në këtë frymë, ai angazhohej vazhdimisht për të gjetur forma dhe mjete të përshtatshme për t’iu përgjigjur kohës së rëndë, duke u mbështetur në përvojën historike dhe trashëgiminë e së kaluarës. Qasja e tij nuk ishte dogmatike: ai i konsideronte si mjetet paqësore, ashtu edhe luftën e armatosur, si alternativa të mundshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në varësi të rrethanave dhe nevojave konkrete të momentit historik.
Falë autoritetit personal që gëzonte, aktivitetit të vazhdueshëm që zhvillonte dhe përkushtimit të theksuar në veprimtarinë ilegale, Haki Efendi Sermaxhaj ushtroi një ndikim të ndjeshëm mbi masat e gjera të popullsisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në zgjerimin e radhëve të LNDSH-së në atë pjesë të Kosovës. Prania e tij aktive dhe besueshmëria që kishte ndërtuar në mesin e njerëzve krijuan kushte që lëvizja të fitojë mbështetje më të gjerë dhe të konsolidohet si faktor i rëndësishëm i rezistencës kombëtare.
Nga të dhënat dhe analizat që ofrojnë autorët e kësaj monografie, Mr. Aliriza Selmani dhe Hafiz Avni Aliu, del qartë se Myderriz Haki Efendiu nuk pati mundësinë të jetojë gjatë. Megjithatë, edhe pse jeta e tij u ndërpre herët, ajo u jetua me një intensitet dhe sinqeritet të rrallë, tërësisht të mbështetur mbi parimet e atdhetarisë dhe të përgjegjësisë morale ndaj popullit dhe çështjes kombëtare. Në këtë kuptim, vlera e jetës së tij nuk matet me kohëzgjatjen, por me thellësinë e angazhimit dhe me ndikimin që ai arriti të ketë në një periudhë të vështirë historike.
Ishte i ri — ndoshta tepër i ri — kur u hodh në ato hapësira të errëta që ai vetë i quante “qeli të pista”, sikur fjala të mos mjaftonte për ta përshkruar poshtërimin që mbartnin. Ishte vetëm tridhjetë e dy vjeç kur porta e hekurt u mbyll pas tij dhe ajo mbyllje u shndërrua në përfundim pa kthim. Nga aty nuk do të dilte më kurrë. Edhe sot, eshtrat e tij mungojnë: mungesë për familjen që e priti kot, mungesë për Kosovën që ai e deshi me një dashuri pa kushte, deri në vetëzhdukje.
Çfarë përjetoi ai në ato kazamate jugosllave për më shumë se dy vjet — i dënuar me njëzet vjet burg — sot mund ta përfytyrojmë vetëm në mënyrë të cunguar. Fjalët nuk e përmbajnë dot përmasën e asaj vuajtjeje, dhe imagjinata stepet përballë thellësisë së saj. Ishte një tragjedi jo vetëm personale, por kolektive, sepse aty kalonin shumë shpirtra nëpër rrathët e ferrit, të zhveshur nga çdo mbrojtje njerëzore.
Dy vjet presionesh të pandërprera, fyerjesh të qëllimshme, keqtrajtimesh fizike e psikologjike, torturash që synonin thyerjen e trupit dhe shpirtit — një pafundësi tmerri dhe dhune e ushtruar mbi qenien njerëzore. Dhe megjithatë, brenda asaj errësire të dendur, ekzistonte edhe diçka tjetër: një rezervë e jashtëzakonshme qëndrese shpirtërore dhe morale, thuajse e paimagjinueshme. Një forcë e heshtur që nuk u pa, nuk u shkrua, por që e mbajti njeriun njeri edhe aty ku gjithçka tjetër synonte ta zhdukte.
Mund të thuhet pa hezitim se, gjatë gjithë jetës së tij, përjetimi i Haki Efendi Sermaxhajt u ndërtua mbi dy pole të kundërta, por thellësisht të ndërlidhura: urrejtjen dhe dashurinë. Urrejtja e tij nuk ishte emocionale apo personale, por e drejtuar ndaj okupuesit dhe ndaj tiranisë mizore që shtypte lirinë dhe dinjitetin e njeriut. Ai refuzonte me vendosmëri ndarjet politike dhe ideologjike në ato momente kur atdheu ndodhej në rrezik, duke i parë ato si pengesa që dobësonin qëndresën kolektive dhe fragmentonin energjitë kombëtare.
Në anën tjetër, dashuria që e udhëhiqte ishte po aq e fuqishme dhe e qëndrueshme. Ajo shprehej në përkushtimin e tij të palëkundur për lirinë e atdheut, në respektin për njeriun dhe në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor si vlerë themelore. Këto parime formësuan botëkuptimin dhe veprimtarinë e tij, duke e bërë atë një figurë që vepronte mbi baza morale dhe jo mbi interesa të ngushta apo kalkulime të përkohshme.
Në këtë kontekst, është e kuptueshme që pushteti i kohës e perceptoi rrezatimin dhe ndikimin e këtij patrioti të shquar si kërcënim serioz. Autoritetet e ndoqën dhe e hetuan me vëmendje të shtuar, duke e konsideruar praninë e tij një faktor destabilizues për rendin e imponuar. Pikërisht për këtë arsye, u ndërmorën hapa të shpejtë për ta neutralizuar dhe asgjësuar Myderriz Haki Efendi Sermaxhajn. Ai, megjithatë, nuk pranoi asnjëherë të bashkëpunonte me pushtetin represiv, refuzoi të shpifte, të tradhtonte shokët apo të tjetërsonte identitetin e vet. Mbi të gjitha, ai nuk pranoi kurrë të mohonte veten, duke mbetur besnik ndaj parimeve dhe ndërgjegjes së tij deri në fund.
Edhe sot, monografia “Myderriz Haki Efendiu (1914-1948”, e hartuar nga studiuesit e përkushtuar të jetës dhe veprës së këtij atdhetari të devotshëm, Mr. Aliriza Selmani dhe i ndjeri Hafiz Avni Aliu, vazhdon të mbetet një vepër me rëndësi të veçantë shkencore dhe dokumentare. Ajo përfaqëson një plotësim domethënës të korpusit të dijeve historiografike, duke ofruar një sasi të konsiderueshme të dhënash dhe faktesh që deri më tani kanë qenë të panjohura ose pak të trajtuara në diskursin publik dhe akademik.
Vlera e kësaj monografie qëndron jo vetëm në pasurinë e materialit burimor, por edhe në kontributin që ajo jep në thellimin e kuptimit të proceseve historike dhe të figurave kyçe të lëvizjes kombëtare. Përmes këtij studimi, lexuesi fiton një pasqyrë më të qartë dhe më të argumentuar mbi jetën dhe veprimtarinë e Haki Efendi Sermaxhajt, si dhe mbi kontekstin politik dhe shoqëror në të cilin ai veproi.
Në këtë kuadër, ribotimi i kësaj vepre është më se i mirëpritur dhe i domosdoshëm. Ai krijon mundësi të reja për qasje dhe studim, duke e rikthyer në qarkullim shkencor një punë që ndriçon aspekte të rëndësishme të historisë së ONDSH-së dhe të popullit shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Jeta dhe veprimtaria e Haki Efendiut, e trajtuar në këtë monografi, shërbejnë kështu si një dritare e rëndësishme për të kuptuar më thellë zhvillimet historike, sakrificat dhe përpjekjet kolektive për liri dhe dinjitet kombëtar.
Ju falënderoj për vëmendje
(Fjalë e mbajtur në promovimin e librit në Gjilan, më 28 prill 2026)











