Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Sa herë që i bie udhëve të Prishtinës, më pushton një ndjenjë e heshtur mungese, sikur këto rrugë, këto sheshe dhe këto hapësira të qytetit mbartin mbi vete një zbrazëti që nuk mund të fshihet lehtë. Është një mungesë që nuk lidhet vetëm me gurin, bronzin apo mermerin, por me kujtesën, me mirënjohjen dhe me detyrimin tonë moral ndaj atyre që ia falën jetën lirisë. Në këto sheshe mungojnë përmendoret, statujat dhe bustet e atyre burrave dhe grave që, në kohë të hershme e më pas në kohë më të afërta, u bënë themelet e lirisë sonë. Mungojnë shenjat e dukshme të një historie të gjatë sakrifice, mungon prania simbolike e atyre që ecën para nesh në rrugën e mundimshme të çlirimit.
Dhe kjo mungesë nuk është thjesht estetike. Ajo është një boshllëk në vetë ndërgjegjen qytetare, një heshtje e pashpjeguar në mesin e një qyteti që jeton mbi kujtimin e flijimeve të panumërta. Sepse liria që sot e gëzojmë nuk lindi befas, as nuk erdhi si dhuratë e një dite të vetme. Ajo nuk nisi sot, as dje. Ajo është fryt i një rruge të gjatë, të dhembshme e të përgjakur, që është shtrirë nëpër shekuj dhe është mbajtur gjallë prej brezash të tërë që u dogjën si qirinj për të ndriçuar të ardhmen tonë.
Për ta kuptuar më thellë këtë të vërtetë, duhet të zbresim shkallëve të historisë, njëra pas tjetrës, deri aty ku gjenden gjurmët e para të qëndresës sonë. Duhet të hapim kujtesën kombëtare dhe të shohim se sa shumë njerëz u flijuan që ne sot të mund të flasim lirshëm, të ecim në këtë qytet me kokën lart dhe të kemi një shtet që e quajmë tonin. Çdo epokë ka pasur martirët e saj, çdo kohë ka lindur bij e bija që nuk kursyen as rininë, as ëndrrat, as jetën për idealin e lirisë. Ata ishin njerëz të zakonshëm që u bënë të jashtëzakonshëm pikërisht sepse besuan se liria vlen më shumë se vetja.
Prandaj, mungesa e përmendoreve nuk është vetëm mungesë e figurave në hapësirë, është mungesë e një dialogu të gjallë mes së shkuarës dhe së tashmes. Një qytet pa shenjat e heronjve të vet rrezikon të humbasë jo vetëm kujtesën, por edhe busullën morale që e orienton drejt së ardhmes. Përmendorja nuk është vetëm gur i ngritur, as bust i ftohtë mbi një piedestal, ajo është një thirrje e heshtur që u flet brezave, një kujtesë e përhershme se liria ka emra, ka fytyra, ka histori dhe ka gjak.
Prishtina, me gjithë gjallërinë e saj, me ritmin e saj të përditshëm dhe me vrullin e jetës moderne, do të duhej të mbante më dukshëm në gjoksin e vet shenjat e atyre që e bënë të mundur këtë frymëmarrje të lirë. Sepse qytetet nuk ndërtohen vetëm me ndërtesa e rrugë, por edhe me kujtesë, me nderim dhe me vetëdije historike. Dhe kur kujtesa gdhendet në gur, ajo bëhet më e fortë se harresa.
Në fund, pyetja që mbetet pezull është e thjeshtë, por e rëndë: si mund ta jetojmë lirinë pa i bërë vend të dukshëm atyre që e sollën atë? Ndoshta ka ardhur koha që sheshet tona të mos jenë vetëm hapësira kalimi, por edhe vende përkujtimi, që gurët e qytetit të flasin, që bronzi të dëshmojë dhe që brezat që vijnë të mësojnë, jo vetëm nga librat, por edhe nga vetë zemra e qytetit, se kjo liri është ndërtuar mbi sakrificën e shumë brezave.
Prof. Ymer Berisha përmendej me nderim si njëra ndër figurat më qendrore të lëvizjes ilegale, si mendja dhe zemra e një përpjekjeje të fshehtë, por vendimtare, që rrihte për lirinë e vendit. E megjithatë, po të nisej dikush sot në kërkim të një gjurme të prekshme të tij, të një shenje të gdhendur në bronz a të skalitur në gur, zor se do ta gjente aty ku do të duhej të ishte prej kohësh. Dhe kjo mungesë bëhet edhe më e dhimbshme kur mendon se Prof. Ymer Berisha e ka me të drejtë vendin e vet në qendër të Prishtinës, në zemrën e kryeqytetit, por po aq natyrshëm edhe në sheshet e qyteteve tona të tjera, aty ku kujtesa publike duhet të marrë formë e të flasë përmes monumenteve.
Është e çuditshme dhe njëherazi e trishtueshme se si koha, me rrjedhën e saj të pandalshme, arrin të mbulojë me pluhur edhe emra të tillë, emra që dikur ishin dritë udhërrëfyese për brezat. Ndoshta sot ka prej atyre që e dëgjojnë emrin e tij dhe ndalen për një çast, duke u përpjekur të kujtojnë se kush ishte në të vërtetë ky atdhetar i madh. Ndoshta ka edhe të tillë që, në zhurmën e së tashmes, e kanë lënë të zbehet në kujtesë figurën e tij. Por harresa, sado e rëndë të jetë, nuk mund ta zhbëjë madhështinë e një jete të vënë në shërbim të atdheut. Prandaj, për ta risjellë sado pak më pranë ndërgjegjes sonë, mjafton të ndalemi dhe të kujtojmë disa të dhëna jetësore e biografike për Prof. Ymer Berishën, jo thjesht si një ushtrim informimi, por si një akt nderimi për një njeri që jetoi me idealin e lirisë dhe me barrën e përgjegjësisë kombëtare mbi supe.
Ai nuk ishte vetëm një emër në rrjedhën e historisë, por një figurë që mbarti në vetvete peshën e një kohe të vështirë, një personalitet që nuk e ndau dijen nga përkushtimi atdhetar, as mendimin nga veprimi. Tek ai, intelektuali dhe luftëtari i çështjes kombëtare bashkëjetonin si dy anë të së njëjtës frymë. Pikërisht për këtë, figura e tij nuk duhet të mbetet në margjinat e kujtesës, as të jetojë vetëm në faqet e pakta të librave a në kujtimet e disa studiuesve. Ajo meriton të dalë në dritë, të marrë vendin që i takon në hapësirën publike dhe të bëhet pjesë e vetëdijes sonë kolektive.
Të flasësh për Prof. Ymer Berishën do të thotë të flasësh për një kohë kur liria nuk ishte fjalë e lirë, por ëndërr e ndaluar, kur atdhedashuria nuk shpallej me zë të lartë, por ruhej në zemër dhe veprohej me guxim të heshtur. Ai i përkiste atij brezi burrash që nuk kërkuan lavdi për vete, por u shkrinë në emër të një ideali më të madh se jeta e tyre. Kjo e bën edhe më të padrejtë heshtjen që shpesh e rrethon sot figurën e tij.
Prandaj, para se të japim disa të dhëna biografike për të, duhet ta themi qartë, rikujtimi i Prof. Ymer Berishës nuk është vetëm nevojë historike, por edhe detyrim moral. Një popull që nuk i kthen sytë te figurat e veta udhërrëfyese rrezikon të humbasë fillin e vet shpirtëror. Dhe një qytet që nuk u bën vend në qendrën e tij njerëzve që e ndriçuan historinë, lë të kuptohet se ende nuk e ka përmbushur plotësisht borxhin ndaj kujtesës.
Në këtë frymë, le të ndalemi për një çast dhe ta sjellim sërish pranë nesh figurën e këtij atdhetari të madh, përmes disa të dhënave biografike, si një mënyrë modeste, por të domosdoshme, për të mos lejuar që emri i tij të tretet në mjegullën e harresës. Në fund të fundit, njerëz të tillë nuk i përkasin vetëm së kaluarës, ata mbeten pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe vazhdojnë të na flasin sa herë që kemi vullnetin t’i dëgjojmë.
Prof. Ymer Berisha lindi më 1912, në Gjurgjevik të Madh, një fshat pranë Klinës, në një kohë kur trojet shqiptare bartnin mbi vete plagë të shumta historie dhe kur vetë lindja e një njeriu në këto anë dukej sikur e lidhte që në djep me fatin e dheut të vet. Rruga e tij e dijes nisi herët dhe u shtri nëpër hapësira që do ta formësonin jo vetëm si intelektual, por edhe si atdhetar të përkushtuar. Shkollën fillore e kreu në Krumë të Hasit, ndërsa shkollimin e mesëm e vazhdoi në Shkollën Normale të Elbasanit, vatër e njohur e formimit arsimor dhe kombëtar të shumë brezave shqiptarësh. Më pas, etja e tij për dije dhe përgatitje e çoi deri në Romë, ku kreu Fakultetin e Shkencave Natyrore, në degën Histori-Gjeografi, si dhe Akademinë Ushtarake. Kështu, në personalitetin e tij u ndërthurën në mënyrë të rrallë mendja e studiuesit, formimi i mësuesit dhe disiplina e ushtarakut.
Pas përfundimit të studimeve, ai u kthye në Shqipëri, duke zgjedhur të mos mbetej larg popullit të vet, por të vihej në shërbim të tij. Punoi si mësues në shumë fshatra të Shqipërisë Veriore, aty ku dija nuk ishte thjesht mësim, por dritë, shpresë dhe thirrje për vetëdije kombëtare. Në ato vise, ai nuk ishte vetëm një mësimdhënës i zakonshëm, ishte një njeri që mbillte ndër breza jo vetëm njohuri, por edhe ndjenjën e përkatësisë, të dinjitetit dhe të dashurisë për atdheun. Tek ai, mësuesia nuk ishte profesion i thjeshtë, por mision.
Viti 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, shënoi një kthesë të rëndë në fatin e kombit, por edhe në jetën e Prof. Ymer Berishës. Përballë asaj furtune historike, ai, së bashku me xhaxhain e vet Sejdi Berishën, kaloi në Kosovë. Ky kalim nuk ishte vetëm lëvizje gjeografike nga një vend në tjetrin, ai ishte një udhëtim i një njeriu që e ndiqte fatin e kombit të vet kudo që ai kërkonte qëndresë, mendim dhe veprim. Në Prishtinë, ai nisi punën si profesor në Gjimnazin “Sami Frashëri” gjatë viteve 1941–1944, duke u bërë pjesë e brezit të atyre arsimtarëve që, përmes shkollës, përpiqeshin të ringjallnin ndërgjegjen kombëtare në një kohë të trazuar e të pasigurt.
Mirëpo jeta e tij nuk do të mbetej e kufizuar brenda mureve të klasave. Me pushtimin e Kosovës në vitin 1944, kur rrethanat historike u errësuan sërish dhe liria u vu nën kërcënim të ri, Prof. Ymer Berisha u detyrua të dalë nga jeta e hapur qytetare dhe të strehohej në malet e Drenicës. Aty, mes ashpërsisë së natyrës dhe barrës së kohës, ai u bë një nga organizatorët e rezistencës së armatosur kundër pushtuesve të rinj. Në këtë fazë të jetës së tij, figura e profesorit u shndërrua në figurë prijësi, e pena e dijes iu bashkua pushkës së qëndresës. Ishte koha kur mendimi nuk mjaftonte më vetëm të ndriçonte, por duhej edhe të luftonte.
Prof. Ymer Berisha konsiderohet me të drejtë njëri ndër ideologët dhe hartuesit e platformës politike për mbrojtjen e kufijve etnikë të trojeve shqiptare të Kosovës dhe për bashkimin e saj me Shqipërinë. Ai nuk ishte thjesht njeri i veprimit, por edhe i vizionit. Në një epokë kur shumëçka vendosej me forcë e dhunë, ai përpiqej t’i jepte rezistencës shqiptare edhe bosht mendimi, edhe themel politik, edhe orientim kombëtar. E kuptonte qartë se një popull nuk mbrohet vetëm me armë, por edhe me ide, me program, me vetëdije dhe me besim në të drejtën e vet historike.
Gjatë gjithë jetës së tij, Prof. Ymer Berisha mbeti një luftëtar i palëkundur kundër fashizmit dhe komunizmit, duke i parë të dyja si forma shtypjeje që cenonin lirinë e njeriut dhe të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë në trojet e veta. Ai nuk u përkul para ideologjive të kohës, as nuk e ndau idealin kombëtar sipas rrymave të imponuara nga jashtë. Për të, liria nuk ishte slogan, por themel i qenies kombëtare, nuk ishte premtim politik, por e drejtë e shenjtë për të cilën vlente të sakrifikohej gjithçka.
Në tërësinë e figurës së tij, Prof. Ymer Berisha shfaqet si një nga ata burra që historia i lind rrallë: i ditur, i formuar, i guximshëm dhe i përkushtuar deri në flijim. Ai i përkiste asaj kategorie njerëzish që nuk e jetojnë jetën për vete, por e shkrijnë atë në shërbim të një ideali më të madh. Në të u bashkuan mësuesi që ndriçonte mendje, intelektuali që formulonte vizion, dhe luftëtari që nuk u tremb nga stuhitë e kohës. Pikërisht për këtë, emri i tij mbetet i gdhendur jo vetëm në faqet e historisë sonë kombëtare, por edhe në ndërgjegjen e atyre që e kuptojnë se liria e një populli është vepër e gjatë, e mundimshme dhe e larë me sakrifica.
Të shkruash për Prof. Ymer Berishën do të thotë, në të vërtetë, të shkruash për një brez të tërë idealistësh që ecën përmes zjarrit të historisë pa kërkuar as lavdi, as shpërblim. Do të thotë të rikujtosh se pas çdo përpjekjeje për liri qëndrojnë figura që nuk pranuan të heshtnin, të përuleshin apo të harroheshin. Dhe mes tyre, Prof. Ymer Berisha qëndron si një lis i fortë i kujtesës sonë kombëtare, si një emër që meriton të përmendet me nderim, të studiohet me seriozitet dhe të ruhet me dashuri në kujtesën e brezave që vijnë.
Ai nuk luftonte vetëm për një copë toke të quajtur Kosovë, por për një tërësi shpirtërore e historike që përfshinte të gjitha trojet shqiptare, të ndara padrejtësisht nga kufij të imponuar, të vizatuar nga duar të huaja dhe të ushqyer nga ambicie shoviniste të fqinjëve dhe vendime të padrejta të fuqive të mëdha. Në vizionin e tij, Shqipëria nuk ishte një hartë e cunguar, por një organizëm i gjallë, i copëtuar me dhunë, që kërkonte ribashkim dhe dinjitet. Rrezikun më të madh ai e shihte në shovinizmin serbomadh, i cili jo vetëm që mbante Kosovën nën zgjedhë, por nuk e kishte ndalur kurrë etjen për zgjerim dhe nënshtrim të mëtejshëm. Por syri i tij i mprehtë nuk ndalej vetëm aty; ai dallonte me të njëjtën qartësi edhe rrezikun që vinte nga jugu, nga pretendimet dhe ambiciet e shovinizmit grek ndaj viseve shqiptare.
Në këtë përballje të ashpër me ideologjitë e huaja dhe shtypëse, Prof. Ymer Berisha nuk i përkiste asnjë rryme të importuar. Ai njihte vetëm një ideologji – atë kombëtare shqiptare, një ideologji që nuk ishte e shkruar në libra të huaj, por e gdhendur në ndërgjegjen historike të një populli që kërkonte të ishte zot i vetes. Këto ideale gjetën shprehjen e tyre në momente kyçe të historisë, si Mbledhja e Mukjes dhe vendimet e Bujanit, ku u artikulua me zë të qartë e drejta për bashkim dhe vetëvendosje.
Figura e tij nuk mbeti vetëm në fushën e mendimit. Ai ishte ndër nismëtarët dhe themeluesit e Organizatës ilegale Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSH), ndërsa në vitin 1945, në Kuvendin e Dobërdolit, hodhi themelet e një tjetër organizimi të fshehtë, “Besa Kombëtare”. Këto nuk ishin thjesht struktura organizative, ato ishin përpjekje për t’i dhënë formë rezistencës, për ta shndërruar revoltën në strategji dhe dëshirën për liri në veprim të organizuar. Nga “malet e lira të Dardanisë”, siç i quante ai me një ndjenjë të thellë simbolike, i drejtohej botës përmes fjalës së shkruar. Letra që i dërgoi gjeneralit britanik Hadson nuk ishte vetëm një raport mbi terrorin sllavo-komunist ndaj shqiptarëve të Kosovës, ajo ishte një thirrje, një dëshmi dhe një apel për ndërgjegjen ndërkombëtare, një përpjekje për ta bërë të dukshme atë që shpesh fshihej në errësirën e politikave të mëdha.
Si patriot i përkushtuar, ai nuk qëndroi në distancë nga populli. Përkundrazi, ai u zhyt në mesin e tij, duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me njerëzit e thjeshtë, me ata që e jetonin përditë peshën e pushtimit. Në vjeshtën e vitit 1944, ai zbriti në Drenicë, në një nga trevat më të forta të qëndresës shqiptare, ku u takua me figura të njohura të kohës si Shaban Polluzha, Sadik Zeneli, Jusuf Gradica, Rexhep Vojvoda dhe shumë të tjerë. Këto takime nuk ishin vetëm biseda mes burrash, ato ishin përpjekje për të përcaktuar fatin e Kosovës, për të gjetur rrugën e qëndresës dhe për të bashkuar forcat në një moment vendimtar të historisë.
Në një tubim të mbajtur më 28 nëntor në Drenicë, përpara fshatarëve të asaj ane, fjala e tij mori peshën e një betimi: “Nuk ka besë më me serbë, prandaj duhet të organizohemi dhe të luftojmë deri në bashkimin kombëtar.” Kjo nuk ishte thjesht një thirrje për luftë, ishte një shprehje e një bindjeje të thellë, e lindur nga përvoja dhe nga zhgënjimet historike, një apel për unitet dhe vendosmëri.
Në rrugën e vështirë të ilegalitetit, ai nuk ishte i vetëm. Krahas tij qëndronte edhe figura e guximshme e Marie Shllakut, një grua e rrallë në qëndresën shqiptare, e cila u bë bashkëpunëtore e ngushtë e tij. Së bashku, në Kuvendin e Dobërdolit, ata morën pjesë në themelimin e “Besës Kombëtare”, duke i dhënë një dimension të ri organizimit politik dhe patriotik. Ajo, me përkushtimin dhe seriozitetin e saj, mbajti procesverbalin e atij tubimi, duke lënë një dëshmi të shkruar të një momenti të rëndësishëm të historisë sonë.
Në tërësi, figura e Prof. Ymer Berishës shfaqet si një bashkim i rrallë i mendimit dhe veprimit, i idealit dhe sakrificës. Ai ishte një njeri që nuk e pa kurrë lirinë si koncept abstrakt, por si detyrë konkrete, si rrugë që kërkonte guxim, organizim dhe përkushtim të plotë. Dhe pikërisht për këtë, jeta dhe veprimtaria e tij mbeten një testament i gjallë për brezat që vijnë – një kujtesë se liria nuk është dhuratë, por vepër e atyre që guxojnë ta kërkojnë dhe ta mbrojnë deri në fund.
Si intelektual i formuar me dije të gjerë dhe me një nuhatje të hollë politike, Prof. Ymer Berisha nuk ishte nga ata që joshen lehtë prej premtimeve të kohës apo që i marrin ngjarjet sipërfaqësisht. Ai e njihte mirë frymën e epokës, lëvizjet e fshehta të politikës, prapaskenat e vendimmarrjes dhe sidomos mënyrën se si shpresa e popujve të vegjël shpesh thyhej nën peshën e interesave të mëdha. Prandaj, qysh herët, ai kishte shprehur dyshime të thella për realizimin e vendimeve të Konferencës së Bujanit. Edhe pse ato vendime për shumëkënd përfaqësonin një dritë shprese dhe një premtim për të ardhmen, ai, me kthjelltësinë e mendjes së tij, e ndiente se midis fjalës së dhënë dhe jetësimit të saj qëndronte një humnerë e madhe politike.
Duke i kuptuar me saktësi këto rrethana, ai nuk zgjodhi të mbetej vetëm vëzhgues i historisë. Përkundrazi, ai u bë pjesëmarrës aktiv i saj, duke bërë përpjekje të pareshtura për t’i ndërgjegjësuar shqiptarët e Drenicës, të Llapushës dhe të disa viseve të Dukagjinit. Ai i thërriste jo vetëm me fjalën e arsyes, por edhe me forcën e bindjes atdhetare, që të mos pajtoheshin me politikën okupuese, të mos e pranonin nënshtrimin si fat dhe të mos lejonin që shpresa e tyre të mbetej peng i mashtrimeve politike. Në përpjekjen e tij për t’i bindur, ai vinte përballë jo vetëm argumentin, por edhe ndjenjën e thellë të detyrës kombëtare. Dhe kur rrethanat u ashpërsuan deri në skaj, ai arriti të besonte se rezistenca nuk mund të mbetej më vetëm në nivel të mendimit e qëndresës pasive, por duhej të merrte edhe trajtën e kryengritjes së armatosur.
Kur shpërtheu kryengritja në Drenicë, ai e pa menjëherë se fati i saj nuk do të vendosej vetëm brenda kufijve të asaj treve heroike. Me vizionin e tij strategjik, Ymer Berisha e kuptonte se suksesi i saj varej nga aftësia për t’u zgjeruar në të gjitha anët e Kosovës, për t’u kthyer nga një vatër qëndrese lokale në një lëvizje të përgjithshme kombëtare. Ai e dinte se një trevë, sado e fortë dhe e vendosur të ishte, nuk mund të qëndronte e vetme përballë një aparati të organizuar pushtues. Kryengritja, në mendimin e tij, duhej të bëhej një jehonë që përhapej nga mali në mal, nga fshati në fshat, nga zemra në zemër.
Nuk mbeti vetëm te fjala. Në Drenicë solli edhe armë, sepse e dinte se në ato ditë të zymta liria duhej mbrojtur jo vetëm me ideal, por edhe me mjete konkrete. Sipas dëshmisë së Hajriz Domanekut, në Obri kishte sjellë disa automatikë, armë me të cilat luftëtarët e asaj ane vazhduan qëndresën deri në shuarjen e rezistencës së Drenicës. Kjo e bën figurën e tij edhe më të plotë: ai nuk ishte vetëm mendimtar i kauzës, por edhe furnizues i saj me forcë veprimi, jo vetëm frymëzues i qëndresës, por edhe njeri që vinte në shërbim të saj atë që kërkonte momenti historik.
Pasi lufta e Drenicës u shua në gjak dhe sakrificë, rruga e tij nuk u ndërpre. Nga ato vise të përflakura ai kaloi në ilegalitet, duke marrë udhën drejt anës së Prizrenit, Podrimës dhe Rahovecit. Ishte një kalim i vështirë, jo vetëm në kuptimin gjeografik, por edhe në atë historik e shpirtëror. Nga një rezistencë e hapur, ai u detyrua të kalonte në errësirën e ilegalitetit, në atë botë të heshtur ku çdo lëvizje duhej peshuar, çdo fjalë duhej ruajtur dhe çdo kontakt duhej ndërtuar me kujdes të madh. Por edhe në atë terr të rrezikshëm ai nuk e humbi orientimin, as nuk e zbehu idealin.
Më vonë, ai iu përkushtua një detyre po aq të rëndësishme, unitetit të ilegales shqiptare. E kuptonte se shpërndarja e forcave, veprimi i copëzuar dhe mungesa e koordinimit e dobësonin thelbin e rezistencës. Prandaj, në territoret e Dukagjinit, ai punoi për të krijuar komitete rajonale, të rretheve dhe të komunave, duke u dhënë atyre një strukturë të ngjashme me atë të NDSH-së. Kjo nuk ishte thjesht çështje organizimi teknik, ishte përpjekje për t’i dhënë ilegales shqiptare bosht, disiplinë, rend dhe frymë të përbashkët veprimi. Në këtë mënyrë, ai synonte që lëvizja të mos mbetej vetëm një shpërthim i çastit, por të shndërrohej në një organizëm të qëndrueshëm politik e kombëtar.
Në gjithë këtë rrugëtim, Prof. Ymer Berisha shfaqet si figurë e jashtëzakonshme e një kohe të trazuar, një njeri që i lexonte qartë rreziqet e historisë, që nuk i dorëzohej iluzioneve, por përpiqej t’i kthente dyshimet e tij në veprim, ndërgjegjësim dhe organizim. Ai ishte nga ata burra që nuk e pranuan fatin si diçka të dhënë, por luftuan për ta ndryshuar atë. Dhe pikërisht për këtë, jeta e tij mbetet dëshmi e asaj se intelektuali i vërtetë nuk mjaftohet vetëm me të kuptuarit e kohës së vet, por ndjen si detyrim edhe përpjekjen për ta drejtuar atë drejt lirisë.
Më 22 tetor të vitit 1945, Prof. Ymer Berisha i dërgoi një njoftim shefit të misionit ushtarak anglez, gjeneralit Hadson, për ta vënë në dijeni mbi përfundimin e luftës së Drenicës dhe mbi gjendjen e rëndë që po mbretëronte në Kosovë. Ky veprim nuk ishte vetëm një akt komunikimi politik, por një përpjekje e dëshpëruar dhe e ndërgjegjshme për ta bërë botën të dëgjonte zërin e një populli që po kalonte nga një dhunë në një tjetër, nga një robëri në një formë të re shtypjeje. Mirëpo, fati i këtij raporti qe tragjik: ai ra në duart e OZN-së, sepse korrieri që e bartte ishte bashkëpunëtor i tyre.
Ky fakt e bën edhe më të rëndë atmosferën e asaj kohe, ku rreziku nuk vinte vetëm nga jashtë, por shpesh fshihej edhe pranë vetë radhëve të lëvizjes. Ishte një kohë kur besimi bëhej i vështirë, kur fjala duhej peshuar me kujdes dhe kur çdo hap mund të përfundonte në kurth. E megjithatë, pavarësisht kësaj mjegulle të dendur tradhtish dhe ndjekjesh, Prof. Ymer Berisha nuk pushoi së vepruari, sepse e ndiente thellë se heshtja, në ato rrethana, do të ishte një lloj dorëzimi.
Ai ishte thellësisht i shqetësuar për gjendjen që u krijua pas aneksimit të Kosovës nga Serbia. Në sytë e tij, ajo që po ndodhte nuk ishte thjesht një riorganizim administrativ apo një ndryshim pushteti, por një rikthim i një politike të vjetër shtypjeje, e veshur me petka të reja. Për nga përmasat e terrorit, qëllimet politike, metodat e përdorura, propaganda e ushtruar dhe dhuna e zbatuar ndaj shqiptarëve, situata i ngjante frikshëm asaj të viteve të sundimit të dinastisë mbretërore jugosllave të paraluftës. Pra, historia dukej sikur po përsëriste të njëjtën tragjedi, vetëm se me emërtime të tjera dhe me mjete të reja legjitimimi.
Para luftës, shqiptarët në Jugosllavi konsideroheshin si “element destabilizues”, si trup i huaj brenda një shteti që nuk i pranonte as në të drejtën, as në dinjitetin e tyre. Pas luftës, po ata shqiptarë u shpallën “separatistë”, “armiq”, “kundërshtarë të rendit të ri”, dhe u ngarkuan me çdo epitet që i shërbente justifikimit të represionit. Në të dy rastet, thelbi mbetej i njëjtë: shqiptari paraqitej si fajtor vetëm pse kërkonte të jetonte i lirë, me identitetin e vet dhe në trojet e veta. Kjo vazhdimësi e padrejtësisë e lëndonte thellë Prof. Ymer Berishën, sepse ai e shihte qartë se ndërrimi i regjimeve nuk kishte sjellë ndërrimin e fatit për popullin shqiptar të Kosovës.
Duke e vërejtur pakënaqësinë e thellë dhe dëshpërimin që kishte përfshirë popullin, ai nuk zgjodhi rrugën e tërheqjes, por të angazhimit edhe më të madh. Ai vuri lidhje me organizatat ilegale që vepronin në Kosovë dhe punoi me ngulm për bashkimin e tyre. Për të, shpërndarja e forcave ishte luks që koha nuk e lejonte. Ai e kuptonte se përballë një aparati shtetëror të organizuar dhe të pamëshirshëm, qëndresa shqiptare nuk mund të mbetej e copëzuar, e shpërndarë në grupe të izoluara. Bashkimi ishte domosdoshmëri, jo vetëm politike, por ekzistenciale.
Në këtë kuadër, dëshmia e Gjon Serreqit, dhënë para hetuesve në burg, hedh dritë mbi autoritetin dhe rolin që gëzonte Prof. Ymer Berisha brenda botës ilegale shqiptare. Sipas kësaj dëshmie, lidhjet me organizatën “Besa Kombëtare” të Ymer Berishës ishin vendosur që nga qershori i vitit 1946, përmes korrierit të Hilmi Zariqit. Edhe pse grupet nuk kishin ndërmarrë aksione të përbashkëta, sepse secila vepronte në hapësirën e vet – njëra në Dukagjin, tjetra diku tjetër – megjithatë ekzistonte një ndjenjë nderimi dhe respekti të veçantë ndaj figurës së tij. Gjon Serreqi dëshmonte se të gjithë e çmonin Ymer Berishën si organizatorin më të aftë. Kjo nuk ishte një vlerësim i zakonshëm. Në kohë ilegaliteti, kur çdo organizator mbante mbi vete barrën e jetëve, të planeve dhe të vetë mbijetesës së lëvizjes, të quheshe “më i afti” do të thoshte të kishe fituar besimin më të madh të bashkëveprimtarëve.
Po ashtu, sipas kësaj dëshmie, Prof. Ymer Berisha kishte bërë me dije se ishte i ndërlidhur me Muharrem Bajraktarin dhe me konsullin anglez në Tiranë, Hadsonin. Këto lidhje tregojnë se veprimtaria e tij nuk ishte e kufizuar në një horizont të ngushtë vendor, por se ai kërkonte ta shtrinte çështjen shqiptare edhe përtej kufijve të Kosovës, duke e lidhur rezistencën e brendshme me faktorë të tjerë politikë e diplomatikë. Ai e dinte se liria nuk fitohet vetëm me pushkë, por edhe me aleanca, me informim dhe me përpjekje për ta ndërkombëtarizuar të vërtetën e një populli të shtypur.
Fakti që kjo dëshmi u dha në burg, nën hetim, në orët e hershme të mëngjesit, i jep edhe më shumë peshë dramatike kësaj panorame. Aty ndihen hijet e dhunës, të presionit, të frikës dhe të netëve pa gjumë, ku njerëzit detyroheshin të flisnin mes ankthit dhe rrezikut. E megjithatë, edhe në ato kushte, emri i Ymer Berishës del si emër autoriteti, si figurë që nderohej, si organizator me ndikim dhe si njeri që kishte ditur të krijonte ura mes grupeve të ndryshme të ilegales.
Në tërësi, kjo periudhë e jetës dhe veprimtarisë së tij e paraqet Prof. Ymer Berishën jo vetëm si luftëtar të pushkës dhe të mendimit, por edhe si njeri të rrjetëzimit politik, të bashkimit organizativ dhe të ndërgjegjësimit kombëtar. Ai e kuptonte se populli shqiptar në Kosovë nuk kishte përballë vetëm një pushtet të dhunshëm, por një sistem të tërë mohimi, i cili përpiqej ta shkatërronte jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Dhe përballë këtij sistemi, ai vuri në lëvizje gjithçka që kishte: mendjen, lidhjet, guximin dhe besimin e palëkundur në të drejtën shqiptare.
Prandaj, figura e tij në këtë kapitull të historisë nuk duhet parë vetëm si figurë e një njeriu që raportonte, organizonte apo ndërlidhej me grupe të tjera. Ajo duhet kuptuar si figura e një ndërgjegjeje kombëtare që nuk pranonte të heshtte, që nuk i dorëzohej dëshpërimit dhe që përpiqej, në mes të terrinës së pasluftës, të mbante ndezur dritën e shpresës për liri dhe bashkim kombëtar.
Prof. Ymer Berisha kishte krijuar lidhje të forta e të besueshme me Ukë Sadikun dhe me shumë nga krerët më të njohur të lëvizjes ilegale shqiptare. Ai nuk ishte thjesht një emër që përmendej me respekt në rrethet atdhetare, por një nyje e gjallë e asaj rrjete të fshehtë që mbante ndezur shpresën e lirisë në kohë të errëta. Marrëdhëniet e tij me bashkëveprimtarët nuk mbështeteshin vetëm mbi domosdoshmërinë e bashkëpunimit politik, por mbi një besim të përbashkët, mbi një ideal të madh që i bashkonte dhe i bënte të qëndronin të palëkundur përballë rrezikut. Në atë botë të heshtur të ilegalitetit, ku fjala duhej matur dhe besimi fitohej me sakrificë, Prof. Ymer Berisha zinte një vend të veçantë, sepse ai shihej si njeri i mendimit, i veprimit dhe i përkushtimit të pakompromis ndaj çështjes kombëtare.
Pas një veprimtarie të ngjeshur në fshatrat e Gjakovës, ku ai kishte lëvizur për të forcuar lidhjet, për të përhapur frymën e organizimit dhe për të mbledhur mendime e mbështetje për rrugën e rezistencës, profesori pati edhe një konsultim me Ukë Sadikun. Këto takime nuk ishin vetëm biseda ndërmjet bashkëveprimtarësh, por çaste vendimmarrjeje, ku peshohej fati i lëvizjes dhe i vetë Kosovës. Pikërisht pas këtyre konsultimeve, ai njoftohet se në malet e Lipovicës do të mbahej Kongresi i Pestë i ONDSH-së dhe se ishte i ftuar të merrte pjesë në të. Kjo ftesë nuk ishte e zakonshme, ajo ishte një dëshmi e autoritetit të tij, e rolit të rëndësishëm që kishte në lëvizjen kombëtare dhe e besimit që krerët e ilegalitetit kishin tek ai.
Por historia, që aq shpesh ka qenë mizore me bijtë më të mirë të këtij vendi, po përgatiste një nga kthesat e saj më të dhimbshme. Sipas të dhënave që jepen nga Gojko Medenica, më 10 korrik të vitit 1946, në malet e Hereçit të Gjakovës, ndërsa ishte nisur drejt Kongresit të Pestë të ONDSH-së që mbahej në Lipovicë, Prof. Ymer Berisha ra në një pritë të egër, i rrethuar nga forcat e të ashtuquajturës “Mbrojtja Popullore” dhe milicia jugosllave. Udhëtimi i tij drejt një kuvendi të shpresës u shndërrua kështu në një kalvar gjaku dhe sakrifice. Ai nuk shkonte drejt një takimi të zakonshëm, por drejt një ngjarjeje që synonte të mbante gjallë organizimin, unitetin dhe frymën e rezistencës shqiptare. Dhe pikërisht në atë udhë, ku ideali dhe rreziku ecën krah për krah, e priste vdekja.
Së bashku me shoqëruesit e tij, ai bëri përpjekje të dalë nga rrethimi. Nuk u dorëzua, nuk u thye dhe nuk kërkoi shpëtim të lehtë. Si gjithmonë, ai zgjodhi qëndresën. Në atë përplasje të përgjakshme, mes armëve, britmave dhe tymit të një nate tradhtie, Prof. Ymer Berisha ra heroikisht bashkë me tetë patriotë të tjerë, ndërsa dymbëdhjetë të tjerë u plagosën rëndë. Bashkë me të u vra edhe mësuesi Fehmi Kura, një tjetër emër që iu shtua vargut të atyre që e shkrinë jetën e tyre në emër të lirisë. Kjo skenë e rëndë, e mbushur me dhembje dhe burrëri, mbeti si një nga ato plagë të historisë që nuk mbyllen lehtë, sepse aty nuk u shuan vetëm jetë njerëzish, por u godit një pjesë e mendjes dhe e shpirtit të rezistencës shqiptare.
Vdekja e Prof. Ymer Berishës dhe e bashkëluftëtarëve të tij u mbajt e fshehur deri më 25 korrik 1946, kur u mbajt Kongresi i Lipovicës. Kjo heshtje e detyruar, kjo fshehje e tragjedisë, i jep edhe më shumë peshë dramatike ngjarjes. Ishte sikur mali vetë mbante në gjoks një sekret të përgjakur, ndërsa shokët e idealit nuk dinin ende se një nga figurat më të ndritura të tyre kishte rënë në udhë e sipër, në prag të një kuvendi ku fjala e tij do të kishte peshë dhe drita e tij do të kishte ndriçuar mendjet e të pranishmëve.
Vetëm atëherë doli në shesh edhe fytyra e tradhtisë. U zbulua se korrieri i rrejshëm, Rexhep Alush Carabregu, i cili në të vërtetë ishte spiun i Spasoje Gjakoviqit, kishte luajtur për një kohë të gjatë lojën e dyfishtë. Ai kishte bartur letra ndërmjet Shtabit II në Drenicë dhe organizatës “Besa Kombëtare” në Dukagjin, duke u paraqitur si hallkë besnike e lidhjeve ilegale, ndërkohë që në të vërtetë përgatiste grackën e tradhtisë. Kjo figurë e errët mishëron një nga plagët më të mëdha të çdo lëvizjeje çlirimtare, depërtimin e armikut në petkun e mikut, helmin e tradhtisë që vepron jo nga larg, por nga brenda.
Nën trysninë e gjyqit popullor të kongresit në Lipovicë, Rexhep Carabregu pranoi se Prof. Ymer Berisha kishte rënë në grackë me ndihmën e tij dhe se likuidimi i tij ishte bërë pikërisht përmes kësaj loje të ndyrë mashtrimi. Ky pohim, i dalë në dritë në çastin kur e vërteta kërkonte hakun e vet, nuk ishte vetëm pranim i një krimi, por edhe dëshmi e hidhur se sa e kushtueshme ishte për lëvizjen ilegale mungesa e besës së vërtetë. Në një kohë kur fjala “besë” mbante peshën e nderit dhe të jetës, tradhtia e tillë merrte përmasa edhe më të rënda morale e kombëtare.
Prandaj, gjyqi popullor i kongresit e dënoi aty për aty me pushkatim edhe vetë Rexhep Carabregun, afër vendit ku mbahej kongresi. Ky akt, i ashpër dhe i menjëhershëm, nuk ishte vetëm ndëshkim për një njeri, por një përgjigje e fortë morale ndaj tradhtisë që kishte çuar në vrasjen e njërit prej organizatorëve më të rëndësishëm të lëvizjes. Ishte një mënyrë për të shpallur se lëvizja mund të plagosej, mund të humbiste bijtë më të mirë, por nuk do të pajtohej me tradhtinë dhe as do ta linte atë pa gjykim.
Rënia e Prof. Ymer Berishës, pra, nuk ishte një vdekje e zakonshme në rrjedhën e historisë. Ajo ishte një akt martirizimi në udhën e idealit, një prerje e dhunshme e një jete që jetonte vetëm për çështjen kombëtare. Ai ra jo në heshtje, por në lëvizje; jo në tërheqje, por në udhëtim drejt një kongresi të rezistencës, jo si njeri i thyer, por si luftëtar i rrethuar, që kërkoi të çajë rrugën përmes zjarrit. Dhe pikërisht kjo e bën figurën e tij edhe më madhështore, ai nuk u nda nga jeta në një cep harrese, por në mes të përpjekjes, në mes të misionit, në mes të betimit të tij për Kosovën.
Në kujtesën historike, kjo ngjarje mbetet një ndër faqet më të rënda e më të dhimbshme, ku heroizmi dhe tradhtia përplasen ballë për ballë. Nga njëra anë qëndron profesori-atdhetar, i pajisur me dije, me vizion dhe me përkushtim të pashoq; nga ana tjetër, hija e errët e spiunazhit, e mashtrimit dhe e dorës së armikut. E megjithatë, edhe pse tradhtia arriti t’ia ndërpresë jetën, ajo nuk mundi t’ia shuajë emrin. Sepse njerëz si prof. Ymer Berisha nuk jetojnë vetëm në frymën e kohës së vet, por në ndërgjegjen e një kombi që di t’i nderojë ata që ranë për të mos e lënë atë të bjerë.
Kongresi i Lipovicës i hapi punimet më 25 korrik të vitit 1946, në një kohë të rëndë, të ngarkuar me ankth, shpresë dhe përgjegjësi historike. Ishte një mbledhje që synonte të mbante të gjallë frymën e rezistencës shqiptare, të forconte organizimin ilegal dhe të gjente udhën e vazhdimit të luftës politike e kombëtare në një periudhë kur errësira e pushtetit po rëndonte mbi Kosovën. Dhe pikërisht në atë kongres, në një ironi tragjike që vetëm historia di ta shkruajë me aq dhimbje, u propozua që komandant i përgjithshëm i ilegales shqiptare të emërohej Prof. Ymer Berisha, pa e ditur askush se ai, që përmendej aty me nderim si figurë prijëse e lëvizjes, kishte rënë pesëmbëdhjetë ditë më parë, i vrarë në udhë drejt vetë atij kuvendi.
Sa e rëndë duhet të ketë qenë ai çastësi i zbulimit, kur emri i tij ende shqiptohej me shpresë në mesin e bashkëveprimtarëve, ndërsa trupi i tij tashmë kishte rënë në dheun e Kosovës, bashkë me idealin e pashuar të lirisë. Ai përmendej për t’u ngritur në një detyrë të lartë, ndërkohë që kishte hyrë tashmë në përjetësinë e martirëve. Në atë përplasje të dhimbshme mes padijes dhe së vërtetës, kongresi mori mbi vete jo vetëm barrën e organizimit të rezistencës, por edhe plagën e rëndë të humbjes së njërit prej mendjeve dhe zemrave më të ndritura të saj.
Kur më pas u bë e ditur se Prof. Ymer Berisha ishte likuiduar nga UDB-ja, aparati propagandistik i kohës u vu menjëherë në lëvizje për të njollosur figurën e tij. Shtypi i regjimit, me një gjuhë të ashpër, të ulët dhe të zhveshur nga çdo ndjenjë e së vërtetës, dha njoftime të shkurtra e të helmuara, duke e quajtur “ballist”, “antipopullor”, “antidemokratik”, “spiun gjerman” dhe duke e paraqitur si vegël të “reaksionit të jashtëm”, si udhëheqës të një organizate ku, sipas tyre, qenkan bashkuar “spiunë fashistë, zogistë, irredentistë, ballistë dhe tradhtarë të tjerë të popullit shqiptar”. Ishte ajo gjuha e njohur e regjimeve shtypëse, që nuk mjaftohen me vrasjen fizike të kundërshtarit, por përpiqen të vrasin edhe kujtimin e tij, nderin e tij, emrin e tij.
Dhe kështu, mbi trupin e një patrioti të rënë, u hodh balta e shpifjes. Mbi një intelektual që kishte jetuar me idealin e lirisë, u derdh helmi i propagandës. Mbi një njeri që kishte ngritur zërin për mbrojtjen e trojeve shqiptare, u varën etiketa të fabrikuara nga një pushtet që i druhej jo vetëm pushkës së rezistencës, por edhe mendimit të lirë. Pa asnjë fije turpi, shtypi i kohës ia mveshi Prof. Ymer Berishës lloj-lloj epitetesh, nga më të çoroditurat e deri te më fyeset, duke tentuar ta kthejë një atdhetar në armik, një martir në figurë përçmuese, një idealist në objekt denigrimi publik. Por propaganda, sado e zhurmshme të jetë, nuk ka fuqinë ta ndryshojë të vërtetën historike. Ajo mund të turbullojë përkohësisht mendjet, por nuk mund të shlyejë sakrificën.
Sepse qëllimi i parë dhe i fundit i Prof. Ymer Berishës, ashtu si edhe i gjithë atyre burrave e grave që ranë në atë rrugë të mundimshme, kishte vetëm një emër dhe vetëm një synim: BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE ME SHTETIN AMË, SHQIPËRINË. Ky ishte ideali që i mbante gjallë, ky ishte betimi që i bënte të qëndronin, ky ishte ylli i vetëm që u ndriçonte udhën nëpër netët e errëta të okupimit, ndjekjes dhe flijimit. Ata nuk ranë për emër, as për pushtet, as për përfitime të çastit. Ranë sepse besonin në një të drejtë historike, në një amanet kombëtar, në një Shqipëri që nuk duhej të mbetej e copëtuar.
Prandaj, kur sot e kujtojmë Prof. Ymer Berishën, nuk kujtojmë vetëm një njeri, por një ndërgjegje. Nuk kujtojmë vetëm një emër, por një epokë të tërë sakrifice. Ai mishëronte në vetvete trimërinë dhe dijen, idealizmin dhe organizimin, guximin e luftëtarit dhe kthjelltësinë e intelektualit. Ishte nga ata njerëz që nuk jetojnë për veten e tyre, por për një qëllim më të madh se jeta. Dhe pikërisht për këtë, mungesa e një përmendoreje të tij në Prishtinë është jo vetëm boshllëk në hapësirën publike, por edhe plagë në ndërgjegjen tonë kolektive.
Është e dhimbshme, madje e pafalshme në njëfarë mënyre, që në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinën për të cilën ai mendoi, punoi dhe sakrifikoi, ky njeri i madh, ky atdhetar, ky trim dhe ky intelektual të mos ketë një përmendore të denjë, ku populli të ndalet, ta kujtojë dhe të mos e harrojë kurrë. Një popull që nuk ua bën vendin e merituar bijve të vet më të ndritur, rrezikon t’i lërë në harresë jo vetëm ata, por edhe idealet për të cilat ata ranë. Përmendorja nuk është thjesht gur apo bronz. Ajo është kujtesë e ngritur në këmbë. Është mësim për brezat. Është nderim i gdhendur në hapësirë.
Prishtina do të duhej ta kishte prej kohësh një shenjë të dukshme të emrit të Prof. Ymer Berishës, një vend ku historia të flasë, ku të rinjtë të pyesin, ku të moshuarit të kujtojnë, dhe ku vetë qyteti të dëshmojë se nuk i harron ata që e mbrojtën me mendje dhe me gjak. Sepse kujtesa kombëtare nuk ruhet vetëm në libra, por edhe në sheshe, në rrugë, në monumente, në gurë që nuk flasin me zë, por që i thonë shumë ndërgjegjes së një populli.
Lavdia e Prof. Ymer Berishës nuk buron nga fjalët që i shkruajmë sot, por nga jeta që ai jetoi dhe nga vdekja që ai përqafoi pa u zmbrapsur. Ai mbetet një ndër ato figura që historia nuk i harron, edhe kur shoqëria vonon t’i nderojë si duhet. Dhe derisa emri i tij të përmendet me respekt, derisa sakrifica e tij të kujtohet me mall e krenari, ai do të vazhdojë të jetojë në vetëdijen tonë kombëtare, si simbol i një ideali që nuk u shua me rënien e tij.
Lavdi Prof. Ymer Berishës dhe shokëve të tij të idealit.
20 prill 2026
Prishtinë











