10.5 C
Tirana
E martë, 17 Mars 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën

Një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën

0

Rasim Juniku, 1913-2000

Besnik Fishta Besnik Fishta

Gjatë kërkimeve në korespondencat e shumta filatelike që ruhen në familjen tonë, ne pothuajse një shekull, më terheqin vëmendjen shume prej tyre që lidhen me emrin e intelektualit me origjine nga Gjakova, Z.Rasim Juniku.Ai me kujtohet shume mire qe permbushte cilesite e një personaliteti per te mbetur në kujtesën e kujtdo që pati rastin ta njihte nga afër. Personalisht, unë kam disa arsye për ta kujtuar me respekt Bacën Rasim. E para lidhet me faktin se im atë kishte pasur me të një miqësi të gjate, e cila ishte ndërtuar mbi pasionin e përbashkët për kulturen dhe artin e filatelisë, por mbi të gjitha mbi ndjenjën e thellë patriotike që i bashkonte në dashurinë për Kosovën.

Së dyti, ruaj ne kujtes figuren e tij mbresëlënëse, të cilën pata fatin ta njoh nga afër gjatë kohës kur shërbeja në arsim në qytetin e Kukësit, në vitet ’80. Në shëtitoren hijshme te qytetit, prane gjimnazit ku punoja, e dalloja që larg Bacën Rasim, nga prania e shtatit të tij të drejte dhe te lartë, me të cilën dukej sikur donte t’u kujtonte të gjithëve se ai përfaqësonte denjësisht figurën e patriotit gjakovar në atë qytet, me emrin i tij qe të sillte ndër mend edhe majën e malit Junik, pjesë e Bjeshkëve të Nemuna në Alpet shqiptare. Nuk mund të harroj kurrë shkëlqimin e syve të tij nga gëzimi sa herë që takoheshim dhe sa herë që na jepej mundësia të bisedonim për atë pasion të madh të jetës së tij, filatelinë.

Në ato biseda ndihej qartë se për të pullat postare nuk ishin vetëm objekte koleksioni, por edhe dëshmi të historisë, kulturës dhe jetës së popullit tone. Në rastin e tij dhe të shumë miqve të tij, filatelia ishte bërë një urë miqësie që lidhte njerëz nga vende të ndryshme dhe krijonte marrëdhënie që mbeteshin të qëndrueshme për gjithë jetën. Për këtë arsye, disa fjalë për jetën kontributin të Rasim Junikut janë të domosdoshme te shkruhen, në mënyrë që të kuptohet më mirë se si ai e përjetoi kënaqësinë që i jepte filatelia dhe kontributet intelektuale që dha në lidhje me çështjen e Kosovës dhe kulturën shqiptare.

Rasim Juniku ishte një nga ata njerëz që gjatë gjithë jetës së tij ruajti një lidhje të fortë me dijen, kulturën dhe dashurinë për atdheun. Ai kujtohej nga bashkëkohësit si një njeri i përkushtuar, punëtor dhe me një pasion të veçantë për librin, historinë dhe kulturën shqiptare. Për edukimin dhe arsimimin e tij, si për shumë jetimë nga Gjakova, Malësia e Gjakovës, Hasi dhe Luma, ndikim të rëndësishëm kishin pasur përpjekjet e patriotëve shqiptarë si Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, të cilët mbështetën arsimin e të rinjve shqiptarë në atë kohë të vështirë. Gjate shkollimit Rasim Juniku kishte treguar gjithmonë respekt të madh për mësuesit e tij. Ai i kujtonte ata si njerëz të përkushtuar dhe patriotë të vërtetë, të cilët u kishin dhënë nxënësve jo vetëm dije, por edhe frymëzim. Sipas tij, mësuesit e asaj kohe kishin qenë “trima të zotë të pushkës, të mendjes dhe të pendës”, njerëz që punonin me pasion për edukimin e brezit të ri.

Në vitet 1923–1928 ai kishte ndjekur mësimet në shkollën plotore të Internatit “Kosova” ne Tropojë. Kjo shkollë kishte mbetur në kujtesën e tij si një vatër e rëndësishme edukimi, ku mësuesit përpiqeshin të formonin një brez të ri të ndërgjegjshëm dhe të arsimuar. Në atë kohë librat në gjuhën shqipe ishin të rrallë, dhe Rasimi kujtonte se sa herë që nxënësit arrinin të gjenin një libër në shqip, ata e kalonin dorë më dorë dhe e ruanin me shumë kujdes, si një pasuri të çmuar. Kjo përvojë kishte ndikuar që tek ai të lindte një dashuri e veçantë për librin dhe për çdo gjë që lidhej me kulturën shqiptare.

Rasimi Juniku nuk ishte ndarë kurrë nga dëshira për të mësuar, ai kishte ruajtur lidhje me mësues dhe intelektualë të kohës dhe gjatë jetës së tij qe kishte punuar e jetuar në disa qytete të Shqipërisë, si në Ballsh,Kavaje,Ferizaj,Prizren, Lezhë, Pukë dhe Kukes. Ndër njerëzit me të cilët kishte pasur lidhje dhe miqësi përmendeshin Maksut Milova, Sule Hekali, Feim Lulashi dhe Sulo Klosi në Ballsh; Qamil Golemi dhe Shuaip Domnori në Lezhë; si dhe Milosh Gjergj Nikolla – Migjeni, Abdulla Çanga dhe Engjëll Kosmaçi ne Puke.

Fig. 1. Certifikate mirenjohje per punen ne zyren postare Pukë, 1932

Në vitin 1928 Rasim Juniku kishte filluar punën si praktikant në postën e Pukës. Me përkushtimin dhe korrektësinë e tij në punë ai ishte dalluar shpejt si një nga punonjësit më të përpiktë të shërbimit postar shqiptar. Ai kishte besuar gjithmonë se njeriu kishte për detyrë të jepte kontributin e tij për vendin dhe për shoqërinë. Sipas bindjes së tij, njeriu nuk duhej vetëm të jetonte, por edhe të punonte për të mirën e atdheut dhe për përparimin e vendit.

Fig. 2. Ekspozite filatelike ne Bajram Curri, 1987

Fig. 3. Me pasion tregon eksponatet e ekspozitës, 1987

Përveç punës në shërbimin postar, Rasim Juniku kishte zhvilluar një pasion të veçantë për filatelinë, e cila me kalimin e viteve u bë një nga dashuritë më të mëdha të jetës së tij. Ai ndiente krenari sa herë që shihte në pulla postare simbolet kombëtare shqiptare, si shqiponjën dykrenore, portretin e Skënderbeut, pamje nga trevat shqiptare, elemente të arkeologjisë apo kostume popullore. Për këtë arsye ai kishte filluar t’i grumbullonte dhe t’i ruante me kujdes, duke i konsideruar një pasuri të çmuar kulturore.Me nje vullnet te pazante ,ai iu kishte përkushtuar mbledhjes së pullave të postës shqiptare kudo që mund t’i gjente.

Me ndihmën e miqve dhe bashkëpunëtorëve ai kishte arritur të siguronte në koleksionin e tij edhe pullën e parë postare shqiptare të nxjerrë nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës më 5 maj 1913, si dhe shumë seri të tjera pullash të nxjerra në qytete të ndryshme të vendit gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore dhe më pas gjatë periudhës së mbretërisë së Ahmet Zogut. Një nxitje e rëndësishme për ta thelluar këtë pasion kishte qenë edhe njohja e tij me poetin Migjeni në Pukë. Nëpërmjet miqve dhe bashkëpunëtorëve, si Engjëll Kosmaçi dhe të tjerë, Rasimi kishte zgjeruar rrethin e njohjeve dhe interesave të tij kulturore.

Ai merrte shpesh letra nga vende të ndryshme, në zarfat e të cilave kishte pulla të ndryshme postare. Ai i ruante me kujdes dhe përpiqej të mësonte sa më shumë për historinë dhe origjinën e tyre, sepse për të, çdo pullë përfaqësonte një vend, një kulturë dhe një periudhë historike, pullat postare ishin si lajmëtarë të vegjël të kontinenteve, sepse në një hapësirë të vogël ato përfaqësonin jetën, historinë dhe kulturën e popujve të ndryshëm.

Fig. 4. Kujdesi ne pregatitjen e ekpozites Kukës, 1985

Qendrimi i Rasim Junikut ne shoqeri nuk ishte indifferent, por me karakterin e tij dashamires,ndjenjat e tiaj patriotike dhe pasionin per kulturen perpiqej ti transmetonte tek brezi ri,dhe per kete ai ishte njepjesmarres dhe inisiator i veprimtarive të rëndësishme kulturore. Ai kishte hapur tri ekspozita te sukseseshme filatelike, përkatësisht në Kukës më 1985, në Pukë më 1986 dhe në Bajram Curri më 1987. Këto ekspozita kishin tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve dhe kishin qenë një mënyrë për të promovuar kulturën filatelike. Në ekspozitat e tij ai kishte paraqitur edhe libra të rrallë dhe objekte të tjera muzeale që lidhen me historinë dhe kulturën shqiptare. Ndër to përmendeshin koleksionet e gazetave “Bashkimi”, “Drita”, “Kukësi i Ri” dhe libra të tjera me vlerë historike e kulturore. Për disa vite ai kishte drejtuar edhe rrethin e filatelistëve të rinj pranë Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës, duke ndihmuar të rinjtë të njihnin më mirë historinë dhe vlerat e pullave postare.

Fig. 5. “Mirënjohje” me rastin e 100 vjetorit te krijimit Postes Shqiptare

Pasioni i tij për filatelinë e kishte lidhur Rasim Junikun edhe me shumë filatelistë të njohur nga vende të ndryshme. Ai mbante një korrespondencë të pasur me koleksionistë dhe studiues të filatelisë, ndër të cilët përmendeshin Idriz Fishta ne Shkodra, Robert Ballauri ne Tirane dhe shumë të tjerë. Nëpërmjet kësaj korrespondence ata shkëmbenin jo vetëm materiale filatelike, por edhe të dhëna e informacione mbi botimet më të fundit të pullave postare, si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera të botës.

Megjithatë, jeta e Rasim Junikut nuk kufizohej vetëm në pasionin për filatelinë. Ajo kishte një lidhje të thellë dhe të pandarë me çështjen e Kosovës dhe me të ardhmen e saj, e cila për më shumë se një shekull kishte jetuar nën presionin dhe dhunën e politikës serbomadhe. Kjo ndjenjë e fortë patriotike e kishte shtyrë atë të mbante një korrespondencë të gjerë me personalitete të politikës në Shqipëri dhe në Kosovë, si edhe me figura të njohura të politikës ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli, Itali dhe në vende të tjera. Në këto letra ai shprehte shpesh respektin dhe vlerësimin e tij për politikën e vendeve perëndimore dhe për rolin vendimtar që kishte luajtur NATO në çlirimin e Kosovës. Një jehonë të veçantë patën edhe letrat që ai i kishte dërguar Papa Gjon Palit II, të cilin e falënderonte për mbështetjen morale ndaj popullit shqiptar dhe e ftonte të vizitonte Kosovën, e cila sapo kishte dalë nga lufta dhe kishte fituar lirinë e saj.

Fig. 6. Kopje e letres se derguar Papa Gjon Palit te 2-te ne Rome, 1996

Në përfundim të këtij shkrimi mund të themi me bindje se Rasim Juniku la pas një trashëgimi të pasur shpirtërore dhe materiale. Si rezultat i pasionit të tij të madh dhe i kërkimeve të palodhura ndër vite, ai arriti të krijojë një koleksion të rëndësishëm filatelik. Ky koleksion përbëhej nga 13 albume, që përfshinin një numër të madh zarflash FDC (First Day Cover) dhe shumë seri pullash postare, të sistemuara me kujdes sipas kritereve shkencore. Kjo pasuri përbën një kontribut të vyer për historinë dhe zhvillimin e filatelisë shqiptare dhe, fatmirësisht, ruhet edhe sot nga djali i tij i vogël, Shpëtimi, i cili vazhdon me përkushtim këtë traditë familjare.

Fig. 7. Aktivitet filatelik Kukës, 1996

Me figurën e tij, Rasim Juniku përfaqësonte patriotin e përkushtuar, njeriun e kulturës dhe intelektualin që, edhe në fushën e koleksionizmit, u shqua si një përfaqësues i denjë i kësaj fushe në kulturën e kombit tonë. Ai u nda nga jeta në vitin 2000, duke lënë pas kujtimin e një njeriu të përkushtuar ndaj dijes, kulturës dhe historisë së vendit të tij.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.