Mentor Kikia
Sërish për çështjen e rrugës së Librazhdit… Se kam dëgjuar e lexuar shumë opinione të tipit: Ç’faj ka projektuesi? Ç’faj ka inxhinieri zbatues, etj etj.

Unë nuk jap dot “vendim” se jam i pazoti ta bëj, por po shtroj publikisht nja dy pyetje:
Dy fotot e para nga kantieri i ndërtimit tregojne qartë se aty ka patur një përrua, ndaj dhe ata të “vjetrit” kanë bërë një urë, që të rrjedhe uji nën të.
Projekti i ri e ka mbyllur përroin, duke e mbushur. Kjo ka ndodhur sepse bie më lirë se sa të bësh një urë, merr zhavorr në lumë dhe mbush përroin, dihet ajo punë.
Por, ku do të shkojnë ujerat që sjell përroi? Kjo dihet: Uji depërton nën tokë, aq më shumë që ishte gërrmuar nga lart një goxha trase(kanal). Kur toka mbingopet me ujë, ai rrjedh nëpër kapilarë e duke rrjedhur merr edhe dheun me vete. Dhe kështu rrëshqiti jo vetëm ura por i gjithë shpati. Sepse kështu rrëshqet edhe një mal i tërë.

A kanë faj inxhinerët këtu apo jo?
Le të jenë sa duan të korrptuar ata lart. Nuk ta dikton projektin as drejtori, as ministri, as kryeministri. Inxhinieri është gjykatësi i veprës, ai është si gjenerali në luftë. Ai është teknik, ai nuk pranon të shkelë rregullat e shkencës dhe natyrës për shkak të interesave të pronarit të kompanisë. Nëse ia kërkojnë me forcë, dorëzon letrat.

Shikoni pak foton 3: Janë 5 inxhinierët më të shquar shqiptarë. Askush nuk di kush ka qenë drejtor apo ministër energjitike në atë kohë. Ata janë sot në memorien e historisë, si ballarët e shumë veprave të mëdha hidro-energjitike, përfshirë edhe HEC-in e Fierzës.
Shikojeni urën e famshme të Zogut në Milot(para se ta shembnim ne). Askush nuk di kush ka qenë ministër e drejtor, por dihet se inxhinieri projektues është profesori Gjerman Emil Mersh (Emil Morsch) dhe zbatues është talenti i madh i konstruksionit shqiptar Gjovalin Gjadri.

Shikojeni urën e famshme te Gomsiqes, projektuar e ndërtuar nga Gjovalin Gjadri. Askush nuk di as drejtor e as ministër, por njohin Gjadrin e madh si autor.
Drama e madhe e këtij vendi është se ka rënë pesha e profesionistit, e projektuesit dhe autoriteti i inxhinierit, të cilët për një rrogë firmosin projekte e ndryshime projektesh nëpër kafene, e zbatojnë urdhërat e pronarëve të kompanive për të rritur fitimet në dëm të cilësisë, sigurisë dhe natyrës. Duke shkelur integritetin e profesionit!
P.S: Historia e shkatërrimit të shtratit të lumit nga marrja e inerteve, është një tjetër histori. Dëmi aty është sa për 1000 ura.











