Fatbardha Fishta Hoxha
Nga cikli “Humaniste te hershem shqiptare shek XV-XVIII”
Pjetër Bogdani, si e thotë edhe vetë në parathënien librit të tij, ishte prej Gurit të Hasit, afër Prizrenit, ku edhe lindi më 1630. Në ditët tona nga shtëpia e madhe e Bogdanëve, që nxori nga gjiri i saj shumë klerikë të njohur para dhe pas Pjetër Bogdanit, sot ruhen vetëm disa rrënoja. Flitet edhe për ekzistencën e një manastiri. Studjuesit e shohin këtë manastir të lidhur me Rregulltarët në Çiprovac në Bullgari, ku Pjetër Bogdani ka kryer shkollën fillore. Ai edhe më vonë do të kthehet disa herë në atë vend, por rruga e shkollimit të tij është në Evropën Perëndimore. Më 1647 nis studimet e mesme në Kolegj Ilirik të Loretos në Itali. Më vonë e shohim të ndjekë studimet në Universitetin e Padovës. Më 1650 shugurohet prift. Më 1651 punon si meshtar në Pult e në Prizren. Më 1656 thirret në Romë dhe mbaron për dy vjet studimet e larta në teologji dhe filozofi duke marrë titullin doktor në teologji dhe filozofi.
Sipas dëshmive, Princesha Rosana e thirri disa herë për kapelan të saj, por ai duke refuzuar nderimet e oborreve, u kthye në atdheun e vet. Në tërë këto vite ai pati nxitjen dhe mbështetjen e Andrea Bogdanit, ungjit të tij, autor i një gramatike latinisht dhe që pat shërbyer si ipeshkëv në Prizren, Ohër e Shkup. Me mbarimin e Kolegjit të Propagandës Fide në Romë emërohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Arqipeshkvisë së Tivarit. Në vitet 1654–1669, në kohën e luftërave turko-austriake është i ndjekur dhe jeton i fshehur në rrethinat e Shkodrës. Pjetër Bogdani qëndroi në Shkodër 21 vjet dhe u bë i njohur për idetë e reja të kulturimit të popullit të vet për lulëzimin e fesë dhe të gjuhës shqipe, si organizator i revoltës popullore antiosmane, si dhe krijues i të parës vepër origjinale në gjuhën shqipe. Më 1677, me propozimin e Andrea Bogdanit dhe me urdhër të Papës Inocenti XI, Bogdani emërohet arqipeshkëv i Shkupit dhe administrator i Serbisë dhe Kosovës. Pas vitit 1683, me formimin e koalicionit austriak me popujt ballkanikë, P. Bogdani kalon nëpër male. E shohim të kthehet në Ciprovac, më pas në Dubrovnik dhe në Venedik dhe Padova ku gjen përkrahjen dhe mbështetjen e Kardinalit Barbarigo, në shtypshkronjën e të cilit boton edhe veprën e tij “Çeta e profetënvet”.
Dëshirën e madhe për të botuar këtë libër ai e ka shprehur në parathënien e tij, çfarë dëshmon për vetëdijen e lartë të krijuesit dhe motivet shtytëse të veprës së tij. Ai mendon se me botimin e kësaj vepre që e kishte përgatitur me aq mund të madh dhe e kishte përkthyer edhe në italisht me kërkesën e eprorëve të vet, do të ndihmojë “të vobek dhe të Arbënit” dhe se do të shpërbejë “si qiri qi t’ua ndriçojë mendjen bashkëqytetarëve dhe për ruajtjen e fesë së krishtenë”. Vitet 1685–1689 janë të mbushura me veprimtari të dendur atdhetare dhe intelektuale. Duke u kthyer në Kosovë, ai kalon në Malësi të Madhe, në Kelmend, siç lajmëron, ku ishin bërë përgatitje për kryengritje. Ai kthehet në Kosovë dhe gjithë energjinë e derdh për organizimin e qëndresës antiturke. Atë e entuziazmon jo vetëm ngritja në revoltë e shqiptarëve të besimit të krishterë por të atyre muhamedanë, si edhe e kombësive të tjera të Ballkanit. Ai i siguron ushtrisë së drejtuar nga Gjeneral Pikolomini 6000 ushtarë shqiptarë.
Por ky koalicion i gjerë thyhet nën peshën shkatërruese të epidemisë së murtajës nga e cila vdes në Prizren Pikolomini, dhe sëmuret rëndë Pjetër Bogdani, i cili vdes më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë, ku e kanë sjellë për t’u shëruar nga mjekët austriakë. Për hakmarrje turqit jo vetëm që e zhvarrosën, por e poshtëruan duke ua hedhur trupin e tij qenve në sheshin e Prishtinës. Personaliteti krijues i Pjetër Bogdanit u formua dhe u plotësua në rrethanat e njohura, kur pushtuesi osman përpiqej të ç’bënte çdo gjë shqiptare e t’i jepte vendit një fizionomi tjetër, një mendësi tjetër shumë më të prapambetur nga ajo që ekzistonte. Ai me personalitetin dhe veprën e tij origjinale me vlera të shumfishta, me veprimtarinë e tij do të sfidonte ndikimin mbytës së kulturës osmane dhe do të ruante lidhjet e lashta të kulturës arbërore me kulturën e kontinentit evropian të cilës i përkiste.
Kultura e gjerë që mori në rininë e vet, sa në atdhe dhe në qendrat e kulturës humaniste ku u shkollua e bënë Bogdanin që të shkruante një vepër jo vetëm fetare, por një vepër me përmbajtje të gjerë filozofike e shkencore. “Çeta e profetnëve” me karakterin origjinal që ka, me zhvillimin dhe nivelin që shënoi në fushën e gjuhës së shkruar shqipe dhe me gjithë materialin e shumanshëm që përmban shënon një kthesë me rëndësi në letërsinë shqiptare. Ajo shënoi fillimin e një etape të re, të etapës së krijimtarisë origjinale në gjuhën shqipe. Si me jetën dhe veprën e tij, Pjetër Bogdani radhitet ndër mendimtarët dhe veprimtarët më të shquar të shekullit XVII në Ballkan. Personalitetin e tij politik, atdhetar, kulturor e shkencor e gjejmë të reflektuar edhe në letrat dhe relacionet që i dërgon Selisë së Shenjtë në detyrat e rëndësishme të hierarkisë kishtare që pati për vite me radhë në Shkodër, Tivar, Kosovë dhe Shkup. Vepra e tij që një ndër botimet luksoze të kohës, e shoqëruar me disa gravura të mrekullueshme.
Pas botimit të parë në Padova më 1685, pasojnë dy botime të njëpasnjëshme, më 1691 dhe më 1702, çfarë tregon se libri i tij i është imponuar lexuesit italian, ndërsa për qarkullimin e librit në viset tona nuk ka të dhëna deri vonë. Libri në disa kopje gjendet në seminarin arbëresh të Gjergj Guzetes në Palermo. Pjesë të kësaj vepre boton Vajgardi me një biografi të Bogdanit si dhe Gustav Majeri, Lambertz-i dhe albanologë të tjerë të huaj. Më 1930 vëllimin e dytë të veprës e boton Ndre Mjeda, ndërsa vëllimin e parë e boton Mark Harapi dhjetë vjet më vonë. Një botim të plotë të saj e bën në Munih më 1977 Rudolf Trafeniku, që përmban dy parathënie, njëra nga Martin Camaj dhe tjetra nga Zef Valentini. Një studim monografik mbi jetën dhe veprën e Pjetër Bogdanit e ka botuar në Prishtinë Ibrahim Rugova, më 1982. Ndërsa dy vëllimet e veprës së Bogdanit i ka botuar të përshtatura në gjuhën e sotme studiuesi Engjëll Sedaj.
Po ky autor ka botuar edhe një vëllim të tretë me relacionet dhe letrat të Bogdanit dërguar Selisë së Shenjtë. Relacionet dhe letrat e Bogdanit janë një kontribut me rëndësi për historinë e gjeografinë historike të Shqipërisë dhe më gjerë. Relacionet nuk mjaftohen me paraqitjen e gjendjes kishtare të vendit por kanë mjaft të dhëna me interes për gjeografinë, historinë, ekonominë dhe demografinë. Vetë mënyra e hartimit tregon se nuk kemi të bëjmë me raporte të thjeshta kishtare përshkruese dhe informative por me një paraqitje më të gjerë që lidhet me lëvizje e plane për shpëtimin e shqiptarëve nga zgjedha osmane. Në këto relacione e letra ai përshkruan Tivarin, Ulqinin, Shkupin, Prizrenin, Pejën, Mitrovicën, Shkodrën, Lezhën etj. Jep shumë të dhëna mbi të kaluarën e qyteteve duke iu referuar historianëve dhe shkrimtarëve të lashtësisë dhe të Mesjetës si Tit Livit, Plinit, Virgjilit, Marin Barletit etj.
Këto relacione e letra dëshmojnë për kulturën e autorit, për kërkesat e tij të larta ndaj vetes në hartimin e tyre ku pasqyrohet formimi i shumanshëm i tij. Ai është ndër të parët gjurmues dhe regjistrues i vlerave arkeologjike e mbishkrimeve të hershme, të gojëdhënave popullore. Pjetër Bogdani në to nuk pushon së foluri për qëndrimin e shqiptarëve kundër pushtuesve, për dëshirën e zjarrtë të tyre për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Janë këto letra dhe relacione që së bashku me veprën e zbulojnë personalitetin e rrallë të atdhetarit, të politikanit, filozofit dhe njohësit të thelluar të arritjeve të mendimit evropian në shekullin XVII. Por gjithsesi vepra kryesore e tij është libri dy vëllimesh me 400 faqe “Çeta e profetënvet” (Cuneus Prophetarum) botuar më 1685 në Padova, e ndarë në shkallë e secila e këtyre në ligjërata. Vepra u botua në dy shtylla për çdo faqe, shqip dhe italisht. Po të vështrohet në pikëpamje të strukturimit del se kjo vepër i përgjigjet strukturës së Biblës.
Libri është i ndarë në dy pjesë, ashtu siç është e ndarë edhe Bibla në Dhjatën e Vjetër dhe Dhjatën e Re, në rastin e veprës së Bogdanit në “Cuneus prophetarium” dhe “De vita Jesu Christi salvatore mundi” e që dalin së bashku në titullin e veprës. Këto dy pjesë ndërlidhen mjaft mirë ndërmjet tyre, çfarë kundërshton çfarëdo mendimi që i sheh ato si pjesë pa lidhje në mes tyre. Po ashtu mendimi se është një përmbledhje e Biblës dhe e doktrinave të krishtera i kundërqëndron ideja e organizimit të librit nga ana e autorit. Ajo është një vepër shumë origjinale në kontekstin e vet kohor-kulturor që ka si burim dhe bazohet në Biblën. Ajo ka një strukturë sistematike ku shkrihen dhe harmonizohen ideja dhe struktura. Siç ndodh në praktikën e botuesve të kohës, edhe kjo vepër hapet me shkrime në trajtë falënderimi, përgëzimi, letra lexuesve dhe autoriteteve kishtare.
Pas tyre botohet proza në gjuhën shqipe “Të primtitë përpara letrarit” (Udhëzime lexuesit) ose parathënia e autorit, në të cilën ai shpreh shqetësimet dhe kredon e tij krijuese, që, siç del, nuk është vetëm fetare por më shumë se kaq. Në parathënien “Të primitë përpara letrarit”, Bogdani shpreh shqetësimin për gjendjen e robëruar të vendit. Interesant është fakti se ai flet këtu për domosdoshmërinë e zhvillimit të arsimit, të përhapjes së dijes dhe të kulturës, sepse sipas Bogdanit: “nd’atë dhee ku lulëzojnë Dotorëtë, Letërarëtë e dieja lulëzon ende shenjtëja Fee”. Me interes në këtë parathënie janë edhe vlerësimet për gjuhën dhe nevojën e përpunimit të saj, çfarë ai e realizon në veprën e vet në një shkallë të lakmueshme. Vëllimin e parë e ka ndarë në këto shkallë:
1. Si e krijoi Zoti njeriun
2. Profetët dhe rrëfimet e tyre për ardhjen e Mesisë
3. Jeta e profetëve dhe profecitë e tyre
4. Jeta e dhjetë sibialëve
Vëllimi i dytë, i titulluar “Mbi jetën e Krishtit, shpëtimtarit të botës”, i kushtohet kryesisht Dhjatës së Re:
1. Jeta e Jezu Krishtit
2. Mrekullitë e Jezu Krishtit
3. Vuajtjet dhe vdekja e Jezu Krishtit
4. Ringjallja dhe ardhja e dytë e Krishtit
Kjo pjesë përfshin edhe përkthime të pjesëve të Biblës në gjuhën latine, greke, armene, siriane, hebraike, arabe, italiane dhe shqip. Në fund ka edhe shënime mbi vjetërsinë e Shtëpisë së Bogdanëve. Në fillim të librit, ndër kushtimet, ai ka përfshirë edhe dy poezi në gjuhën shqipe: njëra e Dom Lekë Sumës nga Shkodra, tjetra e Lukë Bogdanit, fis me autorin. Ne 52 faqet e para të vëllimit përmbajnë mbishkrime, dedikime, poezi në gjuhë latine, sllave, italiane, që dëshmojnë lidhjet intelektuale të Bogdanit dhe vlerësimin që i bëhej në qarqet kulturore italiane dhe ballkanike. Botimi luksoz i veprës dhe përkrahja e Barbarigos, kardinal dhe ipeshkëv i Padovës, dëshmojnë autoritetin e Bogdanit. Poezitë shqipe që i kushtohen Pjetër Bogdanit janë dëshmi e një tradite poetike që nis me Palin e Hasit, por vlerën më të veçantë e ka poezia e Lukë Bogdanit, që shpreh një admirim estetik dhe respekt për autorin e “Çetës”. Strofa e katërvargëshme:
“Duel n’Gurit bukuria
Zana si nji Sut’e naltë
Qi s’kish mbrrenda Veneqia
Te Pashtrikut muer maltë…”
është një shprehje e admirimit për autorin dhe veprën e tij. Për veprën e Bogdanit kanë shkruar:
Prof. E. Çabej, Dh. S. Shuteriqi, M. Domi, S. Riza, J. Rrota, G. Petrota, Z. Valentini, M. Harapi, N. Mjeda, M. Camaj, Gj. Ferrari, I. Rugova, E. Sedaj, L. Marlekaj, Sh. Sinani, A. Plasari, A. Xhiku etj. Vepra e P. Bogdanit i përket traditës së hapur nga Buzuku, Budi e Bardhi, përsa i përket poetikës së shkrimit të gjuhës amtare, por ka synime më të mëdha, më të qarta; ajo shënon një fazë të re në evolucionin e letërsisë së vjetër shqiptare. Me këtë vepër nuk kemi as përkthim, as një përshtatje siç kishte ndodhur me veprat e autorëve më të hershëm; nuk kemi as një shkrim me lëndë të zakonshme të shërbimit dhe të mësimit fetar, si në botimet e paraardhësve, por një vepër kryesisht origjinale, e para vepër origjinale e letërsisë shqiptare që flet shqip, një trajtesë teologjike e filozofike me shumë lëndë shkencore e letrare.
Me kulturën e tij të gjerë të formatit evropian, Pjetër Bogdani, si dhe me punën e gjatë këmbëngulëse 30-vjeçare, krijoi një vepër madhore që kurorëzoi traditën letrare e kulturore, lëvizjen mendore shqiptare të asaj kohe. Duke bërë moto lëvizëse binomin “dije dhe urti”, ai vuri gjithë aftësitë dhe dashurinë e tij të madhe për atdheun në punën për kulturimin e shqiptarëve, për zhvillimin e kulturës kombëtare dhe gjuhës amtare, duke paralajmëruar periudhën e Rilindjes Kombëtare. Bogdanin e shqetëson pamasë, më shumë se çdo gjë tjetër, gjendja e rëndë e shtypjes, e mjerimit dhe e padijes në të cilën lëngon populli i tij. Në dy pjesët që ka vepra, sidomos pjesa e parë është e pasur me çështje ontologjike, gnosologjike, diturore etj. Në bazë qëndron filozofia e krishterë, por e pasuruar me elemente të humanizmit dhe racionalizmit.
Siç thekson edhe I. Rugova, studiues I veprës së P. Bogdanit, ajo është një filozofim i pasur dhe i thelluar me argumente për krijimin në kuptimin më të gjerë, për qenien, natyrën, për njeriun, për jetën dhe përvojën njerëzore. Tezat e doktrinës së krishterë autori nuk i paraqet të ngurtësuara por përpiqet të arsyetojë, të tregojë vërtetësinë e tyre, duke u përpjekur të pajtojë fenë me të dhënat e diturive. Në vepër gjen shprehje një aftësi e veçantë për trajtimin e problemeve nga më të vështirat, një logjikë e fortë. Dalin aty njohuritë e tij aq të gjera në fusha të ndryshme të dijes, përpjekja e arritur e tij për të bërë të qartë, të kapshëm e të kuptueshëm trajtimin e një problematike abstrakte e të vështirë nga një masë më e gjerë lexuesish, ndërmjet shtjellimit të një mendimi teorik sistematik të lidhur e të zhdërvjelltë dhe të një gjuhe sa më të saktë e më të pasur.
Mbi gjithçka shquhet originaliteti i trajtimit të tij, aftësimi i shqipes për të shprehur nocionet e konceptet abstrakte e të holla nga një mendje e mprehtë dhe një erudit jo i zakonshëm. Pjetër Bogdani është njohës i mirë jo vetëm i filozofisë, teologjisë por edhe i letërsisë greke-romake, si edhe i letërsisë popullore shqiptare. Nga vepra del se ai ka njohuri për mendimin shkencor të shekullit të 17. Janë vënë në dukje nga studiuesit takimet e Bogdanit me humanizmin, racionalizmin. Tek Bogdani mendimi, arsyeja janë mjet që njeriu të njohë Zotin, botën dhe vetë qenien njerëzore. Po kështu është vënë re prirja për të mbështetur mendimet në realitetin konkret. Në pjesën e parë të veprës trajtohen edhe probleme të ndryshme të shumë prej degëve të shkencave shoqërore si dhe natyrore si të historisë, gjeografisë, të estetikës, të teorisë së letërsisë, të pedagogjisë, të astronomisë, të fizikës etj.
Shpjegimet e lehta e të arsyeshme të dukurive të natyrës ai përpiqet t’i pajtojë me doktrinën fetare. Ai flet për burimin e dukurive atmosferike si formohen breshëri, bora, vetëtima etj., duke mënjanuar shpjegimet jo të vërteta që qarkullojnë për to. Ai flet për të zënët e diellit dhe të hënës. Me interes janë edhe idetë e tij pedagogjike si ato për ndarjen e moshave si dhe idetë e tij morale. Ai ka bërë të tijat arritje të mendimit më të përparuar pedagogjik të kohës kur pranon se njohja përfshin njohjen shqisore dhe atë racionale. “Gjithqish hin në mend — thekson Bogdani — përcillet nëpër shqisë të trurit.” Në libër bëhet fjalë për kategoritë estetike dhe sidomos për të bukurën. Ai konceptin e tij fetar e mbron. Sipas tij Zoti krijoi vetëm gjëra të bukura: kozmosin, njeriun, natyrën dhe gjallesat e tjera mbi tokë. Bogdani mendon se e bukura, e ndershmja dhe moralja shkojnë bashkë, nënkuptojnë njëra-tjetrën.
Pjetër Bogdani e çoi përpara mendimin shqiptar e ngriti më lart letërsinë shqiptare me përmbajtjen aq të pasur të veprës së tij, me idetë e tij, me problemet filozofike që ai trajtoi në një nivel të lartë, si dhe me ndjenjat atdhedashëse që gjetën shprehje në parathënie dhe gjatë veprës. Ai gjen rast të ngrejë lart e të çmojë qëndresën burrërore të kelmendasve që arritën të sfidojnë një armik shumë herë më të fortë se ata. Pjetër Bogdani e pasuroi letërsinë shqiptare jo vetëm me mendimin filozofik e dituror. Ky mendimtar e letrar i shquar dha ndihmesë në zhvillimin e gjinive letrare, në mjetet e stilet e ligjërimit, ç’është më e rëndësishmja në aftësimin e shqipes për të shprehur gamën e gjerë të problematikës së veprës. Në teorinë letrare ai shtron problemin e klasifikimit të tipeve të shkrimit, shqyrton në mënyrë të veçante poetikën dhe retorikën e Shkrimit të Shenjtë, duke sjellë nga të parët kontribut në këtë lëme.
Flet në mënyrë të veçantë për rolin e metaforës, parabolës dhe simboleve në këto shkrime. Në pjesën e dytë ai solli në letërsinë tonë biografinë artistike. Figura e Krishtit është dhënë me realizëm. Në skalitjen e kësaj figure, ka studiues që shohin një nga drejtimet e rëndësishme të humanizmit evropian, që u dha jetë të veçantë njerëzore figurave të shenjtëruara të Zotit. Ai është ndër të parët që krijoi ligjërimin origjinal artistik me dialogun dhe monologun shprehës. Në veprën e Bogdanit gjejmë edhe shembulla të polemikës filozofike e shkencore. Në veprën e Pjetër Bogdanit janë vënë re mjaft aspekte që i bëjnë nder asaj dhe autorit. Në të krahas teologjisë është gjetur pra edhe mitologji, humanizëm, racionalizëm, etikë, estetikë, retorikë, poetikë, skolastikë, pedagogji, semantikë, semiotikë. Sipas studiuesit Ibrahim Rugova, Pjetër Bogdani me origjinalitetin e konceptimit të tij teologjik dhe filozofik krijon një kozmogoni të vetën.
Pikërisht këtu qëndron edhe risia që solli Bogdani pas Buzukut, Budit e Bardhit. Në studimin monografik të I. Rugovës i jepet një vend i gjerë arsyetimit që Bogdani me pasurinë e problematikës që përmban vepra e tij qëndron midis dy Rilindjeve, Rilindjes Evropiane dhe Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Orientimi humanist në paraqitjen e subjekteve biblike, referimi dhe admirimi i vlerave filozofike e letrare të antikitetit. Sipas Rugovës, në veprën “Çeta e profetënvet” përmenden e citohen mbi tridhjetë dijetarë antikë që nga Homeri, Platoni, Sokrati e Aristoteli deri tek Horaci dhe Seneka. Ai përmend Thomas Akuinin por edhe Luterin e Kalvinin. Por me kultin e tij për atdheun, gjuhën amtare, për dijen dhe dritën e diturisë që ai e shfaq pareshur dhe në mënyrë të pandërprerë në vepër ai fare drejt mund të konsiderohet një nga pararendësit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Bogdani dha ndihmesë të rëndësishme veçanërisht në formimin e prozës shkencore shqipe, si nga shtjellimi i parashtimit, si dhe nga përpunimi stilistik e gjuhësor i saj. Ai tregon mjeshtëri të veçantë dhe origjinalitet në shprehjen letrare të mendimit të pasur për probleme të vështira filozofike. Stili i tij mban vulën e stilit klasik të lashtë që është faktori kryesor i personalitetit të tij letrar së nuk mungon edhe ndikimi nga folklori burimor. Në frymën e vajëve popullore ai ka krijuar një monolog dramatik që Shën Mëria e shqipton për birin e saj të martirizuar. Stili i prozës së tij dallohet për përpikmëri, maturi, si dhe për bukuri dhe delikatesë siç edhe ai i mbylljes së parathënies së veprës ku ai komunikon afërsisht me lexuesin të cilin e konsideron të domosdoshëm në këtë proces komunikimi. “Të lutem pra, letrarari em e i urti, të më ndëjejsh ndë gjëç fjalëzë që të trazon veshëtë. perse as dielli pa hie, as hana pa mjegullazë mbi faqe nuk ansht, pa ven roe se kush na ka pushtuem e ndë kujët jemi ani me zemërë anëko posi tha Ovidi (Libri II ‘elegia’):
“Si qua videbuntur casu dicta latine
in qua scribebam barbare terra fuit”
(Në qoftë se gjuha që kam përdorur nuk të duket latine, kjo vjen nga që unë shkrova në dhé të huaj.) Me veprën e Bogdanit letërsia e hershme shqiptare pasurohet edhe nga pikëpamja e zhanrit dhe e formës letrare. Nëse me Barletin mund të vërejmë biografinë e romanësuar (Skënderbeun…) dhe kronikën e romanësuar (Rrethimi i Shkodrës), tek Bardhi shfaqet forma e trajtesës historike polemike (Apologjia e Skënderbeut), ndërsa tek Budi forca e përkthyesit dhe trajta e poezisë. Tek Bogdani i gjejmë të gjitha, dhënë përmes veprës së tij komplekse. Aty janë edhe trajtesa shkencore filozofike, edhe poezia e proza artistike që ndërthuren në vepër. Në pjesën e dytë të librit shfaqet jetëshkrimi apo biografia letrare mbi jetën e Krishtit. Por në veprën e Bogdanit gjejmë edhe përkthyesin e parë të poezisë antike me fragmente nga Homeri, Virgili, Juvenali, me përkthimin e citateve të referuara, të cilat paraprijnë përkthimin shkencor-filozofik.
Pjetër Bogdani është ndër përkthyesit e parë diturorë e letrarë në gjuhën shqipe. Me versionin italisht me të cilin qe i detyruar të shoqërojë botimin e veprës së tij, ai del si përkthyesi i parë nga shqipja në një gjuhë të huaj. Ai ka një njohje të lakmueshme të autorëve që përmend dhe citon si Sokrati, Platoni, Aristoteli, Diogjeni, Aristarku, Epikuri, Hipokrati, Pitagora, Varoni, Seneka, Ciceroni, Ovidi, Plini i vjetër, Salusti, Properci, Averroe, Makiaveli etj. Pjetër Bogdani njihet më tepër dhe kryesisht si prozator, por më pak është i njohur si poet, megjithëse numri i vargjeve të tij origjinale dhe të përkthyera nuk është i vogël. Dhe me shumë vargje në gjuhën latine dhe italiane, gama e poezisë së tij paraqitet edhe më e gjerë. Përveç 133 vargjeve në gjuhën shqipe mbi sibilat, në veprën e tij mund të vihen re edhe shumë vargje të tjera origjinale dhe të përkthyera.
Kështu, duke përfshirë edhe vargje të tjera që gjenden në pjesën e parë dhe të dytë të librit, gjithsej vargje origjinale të Bogdanit janë 161, kurse të përkthyera janë: tri vargje të Homerit, katër vargje të Juvenalit, pesë të Virgjilit, tre të Marcialit, dy nga teksti i Toma Akuinit, katër nga libri i Proverbave të Biblës, gjashtëmbëdhjetë nga poezia e “Krijimit të rruzullimit” të një poeti të panjohur dhe 22 vargje të tjera pa emër autori. Pra, 217 vargje origjinale e të përkthyera. Mendimi i P. Bogdanit për poezinë përkon me atë të poetëve antikë e mesjetarë që shkruanin poezi sipas rregullave të ngurta të metrikës. Rregullat e metrikës ai i kupton jo vetëm në organizimin dhe ndërtimin e vargut të tetërrokëshit (popullor) dhe të njëmbëdhjetërrokëshit sipas sistemit silabik, por edhe duke zbatuar edhe rimën.
Këtë koncept mbi tetërrokëshin e rimuar ai e ka trashëguar nga poezia popullore shqiptare, sidomos nga poezia popullore kishtare, që kishte një traditë në këndimin e ritualeve të doktrinave (Matrënga, Budi), kurse vetëdija e tij në përkthimin e poezisë mbështetet në lirinë krijuese dhe në kujdesin e veçantë për kuptimin e poezisë në gjuhën e përkthyer. Vetëdija e tij mbi artin poetik është e lartë, në njërën anë ai nuk largohet nga një traditë e gjatë dhe e pasur e lexim-këndimit kishtar, kurse në anën tjetër ajo bazohet në prozodinë klasike. Ndër poezitë përkthimore në “Çetën e profetënvet”, ajo që i dedikohet Andrea Zmajeviqit, arqipeshkëvit të Tivarit, edhe pse nuk ka emër autori, ka gjasë të jetë poezi e shkruar nga Pjetër Bogdani. Ajo ka 24 vargje tetërrokëshe të shkruar në strofa katërshe. Le të sjellim strofën e parë:
“Ban-Baroni prej Tivari,
Zmajeviq o drita jonë;
Ruen Arbënin i pari;
Posi Krishti mal Syonë”
Edhe nga këto katër vargje nga evokimet e emrave të historisë shqiptare dhe kishtare, të derdhura mirë në përputhje me ligjësitë e rimës dhe të ritmit në poezi, arrijmë të dallojmë mendimet dhe idealet e larta të poetit për të krijuar poezi si dhe njohjen e teknikës së ligjërimit poetik. Pra vargu tetërrrokësh, strofa katërshe dhe rima e alternuar janë veçori që karakterizojnë vargun e poezisë popullore, që del edhe në poezinë e Rilindjes Kombëtare. Konceptimi poetik metrik i Bogdanit, në lidhje të ngushtë me përvojën e poezisë popullore, u shfaq dhe u forcua si një risi e gjithë letërsisë shqiptare. Poezia e tij nuk ka vetëm vargje, strofa, por përdor frazeologji dhe ritme popullore.
Siç vëren me të drejtë studiuesi I. Rugova, poezia është mjaft e pranishme në veprën e Bogdanit “Çeta e Profetënvet”. Ajo luan rolin e ilustrimit, të argumentimit të ideve dhe të pikëpamjeve të ndryshme të veprës. Por ajo po aq ka edhe një funksion të dytë. Ajo funksionon si praktikë poetike autonome, sadoqë ndërvartet nga idetë e veprës. Lidhur me këtë, studiuesi Sabri Hamiti mendon se poezia e Pjetër Bogdanit është poezi e krijimit, e sidibila dhe poezi kushtimi. Përsa i përket poezive të krijimit, ai konsideron të tillë si dhe Rugova, një poezi shumë interesante që ai e përfshin në ligjëratën IV të shkallës I. Ajo është poezi e një poeti të panjohur, të cilën P. Bogdani e përkthen (në një mënyrë mjaft të lirë) duke e vënë përmbajtjen e saj në lidhje me fjalët e librit të Gjenezës.
Ibrahim Rugova e ka quajtur në përputhje me brendinë këtë poezi “Krijimi i rruzullimit”. Poeti na njeh me një atmosferë kaotike midis elementeve të krijimit të botës, të cilën e rregullon Hyji (Zoti) vetëm me një fjalë: “Banftu” (le të bëhet). Vjersha përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë vërejmë aktin krijues përmes kundërshtive, bartës të të cilave janë katër elementet e krijimit të botës: Ajri, Zjarri, Dheu dhe Uji. Përmes përzierjes dhe brenda veprimit të këtyre elementeve dalin forma të reja, që përfaqësojnë elemente të jetës. Ky shndërrim elementesh, thënë me një gjuhë metafizike e mistike, është lënda për ide poetike, që do të jetë një ndër motivet më interesante edhe për poezinë moderne.
Në pjesën e parë të poezisë, përmes katër elementeve kryesore në krijimin dhe formimin e botës, jepet dinamika e shndërrimit të tyre. I gjithë procesi i krijimit është dhënë përmes kontrastit, të ndryshimit por edhe shkrijes në të njëjtën kohë të Qiellit me Dheun, në mes të të cilëve hyn Deti dhe Zjarmi. Këtu poeti operon me figurat poetike si dhe sinedokën, tërësinë e dukurisë për të veçantën: për Ajrin merr Qiellin (Kozmosi), për Ujin merr Detin, si dhe Zjarrin dhe Tokën jo në kuptim të figurshëm.
Përmes vargjeve poeti jep përmasën e Kohës: “Paresë Qiellja, Dheu, Deti e Zjarmi
Ishte: kjo Zjarmi, Dheu, Qiellja e Deti”
Pas kësaj vjen Veprimi:
“Ma shempton Qiellja Dhenë e Detin Zjarmi”
Pastaj prapë vjen Koha dhe Hapësira e përcaktuar:
“Se ku ish Qiellja, Dheu, Zjarmi dhe Deti
Dheu Qiellnë mbëlon e Zjarrminë Deti”
Në dy vargjet e fundit vjen akti i formimit, i shfaqjes së Dheut:
“Qiellja, Deti ende Zjarmi, ishte endë Dhet
Dheu, Zjarmi, ende Qiellja ishte në Det”
Në këtë vjershë me tetë vargje, shumë interesante poeti jep krijimin sipas konceptit biblik i marrë nga Gjeneza (kapitulli i parë i Biblës mbi krijimin). Sipas Gjenezës krejt Toka së pari ishte e mbuluar me ujë. Në strofën e dytë jepet zbrazëtia e hapësirës kozmike (Qiellit), një zbrazëti e pakufishme. Duke apostrofuar dukuritë që shfaqin plotësinë dhe integritetin ekzistues theksohet më tepër zbrazëtia, hapësira bosh, simbol i errësirës apo i të mbrytit, siç thotë Bogdani. Le të sjellim vargjet e kësaj strofe:
“Mbë Qiell’ nuk’ ishte, as Yll, as Diell,
Qi me dritetë vet zbardhen drit’ e re,
As Hana delte me dy të rgjanta bri,
As prej qiellshit vinte ndonjë Reze për dhe,
As Dheu si shqype nalt qëndron e ri,
As mjegullë me shi, as breshën, as Rrëfe,
As Deti me valë eptë të madhe gjamë,
As lymenatë me Breg ishin zanë”
Nëse në strofën e parë kemi procesin e shndërrimit të elementeve në krijimin e botës në strofën e dytë del Kozmosi (Qielli) ku zotëron një Errësirë totale, hapësira që kthjellohen, mbushen e plotësohet me dritën e një fuqi mbinatyrorë që vjen nga Hyji (Zoti) që marrin pamjen e formën e tyre përmes procesit të krijimit. Mesazhi poetik: se krijimi i botës, i kozmosit, universi zhvillohet midis errësirës dhe dritës, midis së mirës dhe së keqes, midis Dionisit (e errëta) dhe Apolonit (e ndritshmja), po të përdorim terminologjinë figurative greke.
Po ta vështrojmë strukturën strofike të kësaj vjershe ajo është strofë e stancës e cila përbëhet nga tetë vargje. Kjo është strofa tipike e epit italian të shekullit XV–XVI që përhapet shumë në sajë të epit të T. Tossos, “Jeruzalemi i çliruar”. Pra stanca, është e përbërë nga tetë njëmbëdhjetërrokësh me renditjen rimore abababcc. Këtë strukturë e ruan edhe P. Bogdani. Njëmbëdhjetërrokëshi dhe kjo strofë janë forma të preferuara të Bogdanit. Në këto stanca nuk rimojnë vetëm artikulimet e fundit të vargjeve, por strofa varu ka edhe rima të brendshme, duke theksuar fjalë kyçe si janë: qiellja, dheu, deti, zjarri, uji, dielli, drita, hana, rrezet, valët e detit, mjegulla, shiu, breshëri, lymenat dhe brigjet. Forca krijuese e poetit shfaqet në të gjitha momentet e rindërtimit apo mbindërtimit të teksteve poetike, aq sa të krijon përshtypjen se është tekst origjinal në dy gjuhët: në shqip dhe italisht.
Originaliteti i kësaj poezie antologjike është i madh, në të cilën Bogdani, përmes mendimit metafizik, arrin të transmetojë në poezi kozmogoninë e tij të mbështetur në Bibël. Në të ndërtohet një nivel i lartë i menduarit metafizik biblik me mendimin poetik figurativ. Me sa duket kjo shkrirje e natyrshme në mes tyre e befasonte Lasgush Poradecin, që do të shprehej për këtë poezi: “Tekstin e Bogdanit e citova pas disa shënimesh që kam marrë në Vjenë. Vjeshtën e 1924-ës, kur pata gëzimin t’i-a shikoj me sy, t’a çik me dorë… t’i-a studioj dhe t’i-a përpij Cuneus-in në shpirtin tim për herë të parë. Përveç shënimesh të tjera gjuhësore që më qëndruan për zemre, kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar jo vetëm i gjuhës shqipe, po i republikës së letrarëve përgjithësisht.”
Kozmogonia e të Madhit shqiptar i-u bën ballë me cilësitë e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase), ashtu sikundër këtë e shohim në Biblën Hebraike, dhe kozmogonisë indike, ashtu sikundër këtë na e shfaqin Vedat e Shenta. Bogdani na paraqitet me më shumë poezi në shkallën IV të pjesës I të librit. Njëmbëdhjetë “ligjëratat” e kësaj shkalle janë “kanketë” e sibilave dhe disa shënime mbi jetën e tyre për të kaluar në pjesën e dytë të veprës që flet për jetën e Jezu Krishtit, jo në mënyrë prozaike, por me këngë profetike të të gjitha trevave botërore nga lindja në perëndim. Siç dihet, sibilave, këtyre figurave legjendare, të cilat në aspektin liturgjik-letrar bashkonin antiken me mesjetën, kulturën e lindjes me të perëndimit iu atribuoheshin qindra vargje profetike mbi ngjarje të ndryshme.
Por Bogdanin e interesojnë veçmas vargjet që paralajmërojnë ardhjen e Krishtit. Profetesha i kishte cilësuar edhe Pjetër Budi (“Si Profeta ban dëshmi / Me sibilinë po thonë”). P. Bogdani sibilat i përfytyron në shoqërinë e apostujve. Sipas të dhënave Sibilat ishin femra të frymëzuara nga zotat. Atyre u atribuohen mrekulli të ndryshme. Për to është shkruar në antikë, Mesjetë dhe në Rilindjen Evropiane. Ato janë pranuar si profetesha të cilat flasin për ato që kanë ndodhur dhe do të ndodhin, po të përdorim një term më kuptimplotë, ato kishin aftësi parashikuese e prapashikuese. Mikelanxhelo në afresket e tij krahas shtatë profetëve, pikturoi edhe pesë sibilia në Kapelën Sistinë të Vatikanit.
Në librin e P. Bogdanit Sibilat e shkallës IV paraqesin vetëm fundin e kësaj “Cete” dhe fillimin e një “epoke të re në historinë botërore” (pjesa II e librit). Bogdani do ta shfrytëzonte, si erudit që ishte, këtë traditë mbi sibilat, por studiuesit nisur nga kjo por edhe nga fakti se ai solli mbindërtime poetike në variantet e tij të sibilave, i ka çuar ato në mbrojtjen e tezës së dyautoresisë së këtyre poezive. Këtë e kishte vërejtur edhe M. Harapi në botimin që i bëri pjesës së parë të veprës më 1943, në Shkodër. Të gjitha këngët e sibilave në veprën e Bogdanit janë të shkruara në stanca, formë tradicionale poetike me tetë vargje me skemën e rimës ABABABCC, që ai e ka përdorur edhe në poezinë “Krijimi i rrozullimit”, e cila ndërtohet me varg njëmbëdhjetërrokësh. Ky është modeli i vargut dhe strofës që krijon Bogdani, i shkolluar dhe i kulturuar jashtë, që i ka njohur mirë këto modele. Krejt ndryshe vepronte në vjershat e tij P. Budi, që do të preferonte përgjithësisht vargun tetërrokësh popullor dhe strofën katërshe, që përputhej me formimin e tij shpirtëror popullor.
Bogdani e shpreh burimin e dijes mbi Sibilat, sepse në fund shënon: “Këta ashtë ata qi mujta me mbledhun për mbi Sibilat.”
Dhe nëse në gjithë librin e tij ai përdor referimet “Si thotë filozofi” apo “Dotorët thonë”, në tekstet e Sibilave merr këto trajta klishe:
“Ashtu Sibila thotë se ka për të ardhë.” “Ineja Sibilë këndon e shkruan.” “Ashtu Sibila jonë nd’vjershë këndon e flet.”
Në këtë mënyrë, duke u ndërtuar burimi i parë i këngës me autorin dhe vetë këngën, krijohet një proces, lind teksti ose më saktë mbiteksti, por mjaft kompleks nga pikëpamja e artikulimit, pra një tekst herë i shqiptuar nga Sibila që këndon, herë nga autori që e ritregon. Ky ndërrim bëhet në vartësi të njërit apo tjetrit burim të autoresisë. Në këngën hyrëse, në një të ardhme ndërmjet simboleve himnizuese këndohet shfaqja e Krishtit, Hyj e njeri dhe vepra e tij. Sibila Kumea këndon paqen që zbret nga qielli për të mënjanuar kundërshtitë në një të ardhme; Sibila Libika jep shenjat e një shpëtimtari që shëron të sëmurët, por nuk kuptohet nga vdekëtarët, këndohet më shumë se shembulli i një personazhi. Sibila Delfika shqipton vajin për mundimet e heroit, që jepen përmes një ndërhyrjeje të autorit për dhimbjen që shkakton.
Sibila Persika shpreh nevojën e predikimit për të gjetur Parrizin. Sibila Eritrea jep pamjet e tmerrshme të mundimit, por me ndërhyrjen e autorit krijon një tekst polemik në mbrojtje të idesë së Krishtit. Sibila Samia me ndërthurjen e asaj që ka ndodhur dhe do të ndodhë përsërit mundimet e heroit. Sibila Kumana jep shfaqjet figurative të Hyjit dhe profetizon bashkë me të të ardhmen. Elespontika këndon simbolin për të krijuar procesin At-Bir-Shpirt. Sibila Frigia me një tekst poetik këndon vdekjen dhe ringjalljen. Sibila Tiburtina vijon tregimin për të ndodhurën dhe përvaje “lija plakë bie nën lijën e re”, këtu ndërtohet e mbyllet sistemi i doktrinës së re.
Në këtë cikël që janë gjithsej njëmbëdhjetë vjersha (në shqip 113 vargje), secila vjershë është tërësi më vete edhe poetike edhe tematike, sepse paraqet një moment të personazhit apo nga vepra e tij dhe të gjitha në tërësi e përgjithshme poetike na sjellin aktin e një jete e vepre me rënie e ngritje të përkushtuar idenë për të mirën, të vërtetën, të drejtën, që është në qendër të kësaj feje dhe filozofie. Bogdani i përmbahet parimit se poezia e thotë të vërtetën me figura. Kështu tek poezia e Sibilës Libika gjejmë një nga metaforat më të hijshme në poezinë tonë.
“Me dielli veshun’ e mbathun me Hanë,
Me yj kryetë rreth ngjeshunë Kunorë,
Vajza Mri, e bukura si Zanë,
Djalin Jezu kërthi mbaj ngrykë ndorë”
Edhe pse një numër relativisht i kufizuar i vargjeve dhe vjershave, aty nuk mungon një gjuhë e ngritur poetike, çfarë shfaq forcën poetike të Bogdanit në këto mbindërtime. Le të sjellim edhe ndonjë shembull tjetër:
“Ashtu Sibila thotë ka për të ardhë
Fajtorët e grisem, e me shelbuem
Posi vjollëza në Dimenë pa mardhë
Ndershen e si Niegullatë palë, palë,
Reze n’ diell prezë tu dhanë Malë”
Bogdani, përmes krahasimit e metaforës, krijon tekstin e bukur poetik, herë lirik e herë dramatik, nëpërmjet të cilit i krijon dhe i shpreh të ngjarat, ndërton situatat apo përshkruan gjendjet e personazhit. Një proces tjetër i shndërrimit të figuracionit poetik të Sibilave, me këtë rikrijim të Bogdanit, është mënyra e përcaktimit të tyre duke i vënë në një rreth të botës shqiptare. Kështu, në një grafikë të librit të Bogdanit, rifigurohen Sibilat, që nuk i përkisnin asnjë vendi e asnjë kohe, i vendos simbolikisht në qytete dhe vise që i ka njohur e përshkruar, kështu: Sibila Delfika → Hasjanja, Kume → Prizrenjasja, Libika → Shkodranja, Frigjia → Shkupjanja, Tiburtina → Lezhnjanja, Samia → Zadrimorja, Eritrea → Kosovarja. Edhe me këtë riemërtim që u bën Sibilave, Bogdani është në udhën e origjinalitetit të tij poetik e krijues, që tej idesë fetare shkon në rrafshin e idesë atdhetare.
Në pjesën e dytë të Çetës flitet për jetën e Jezu Krishtit, ku zotëron ligjërimi artistik ndaj ligjërimit shkencor që zotëron në pjesën e parë. Në këtë pjesë Bogdani ka shpalosur aftësitë e tij në përshkrimin e portreteve fizike e shpirtërore të personazheve. Ndër më të pikëzuarit është figura e Shën Mërisë dhe e Krishtit. Ajo si nënë përjeton çaste lumturie kur shtrëngon foshnjën ngrykë, për të cilën autori shkruan “ma të bukurin se Djelli, as kurraj të kallëzuem nuk ka”. Pjetër Bogdani po me aq mjeshtëri ka depërtuar në përjetimet e shpirtit të Marisë pas martirizimit të Jezusit. Nga fundi i shpirtit të saj të trazuar fjalët burojnë si ujvarë: “Si të jes unë tue pamë ty të vdekun?” Ndërsa tek portreti i Jezu Krishtit ka derdhur ndjesi dhe hire që shprehin idealet e tij estetike, etike. Ai përbën modelin e përkryer fizik e shpirtëror. “Asht i naltë, fort i hijshëm, e i bukur atëji që e soditën. Ka një faqe të tmerrshme (të rreptë), të ndershme të dashur, ka flokë të verdhë si më të kuq, porsi ar, ka një ballë të pëlqeym e fort të bukur”.
Siç mund të vërehet, Bogdani e shfaq humanizmin e tij duke i bërë njerëzore figurat e përëndive. Figura e Shën Mërisë dhe e Krishtit janë konceptuar me vetëdije si bartës të ndjenjave dhe gjendjeve njerëzore. Bogdani i drejtohet Shën Mërisë vajzë dhe Krishtit thjesht bir, duke sjellë emocione të fuqishme me parafytyrat e krijuara. A nuk do të vepronte po kështu edhe Matrënga më herët, e Jul Variboba më pas? A nuk do të vepronte kështu edhe Onufri që me ngjyrat e tij të spikatura realizonte botë të pafund njerëzore në afresket e tij të famshme që do të mrekullonin njerëzit edhe pas shumë shekujsh? A nuk kishin vepruar kështu piktorët e skulptorët e Rilindjes Evropiane, Rafael, Mikelanxhelo, Da Vinçi, Dyrer etj?
Në vend të portreteve skematike që ishin tipike mesjetare, ne vepren e Bogdanit shndrisin portretet me jetë tokësore të përëndive. Vajtimi i Shën Mërisë mbi Krishtin e martirizuar është një monolog që të kujton vajet tradicionale shqiptare të Veriut, që me dramaticitetin e fjalës artistike e përfaqëson denjësisht nivelin e letërsisë sonë të hershme. Jo rrallë në veprën e Bogdanit, dhe sidomos në pjesën e dytë, që sipas I. Rugovës, të duket sikur Bogdani “i afrohet romanit”, do të ndeshesh dhe do të konstatosh afëri me këngët tradicionale popullore shqiptare, të cilat autori, si erudit që është, di t’i shfrytëzojë mrekullisht në veprën e vet. Dhe, siç është theksuar nga studiuesit, është ndërgjegja humaniste e Bogdanit që e çon sa nga antikiteti greko-latin, aq nga folku i popullit të vet, sa nga gjuha e kulturës në atë kohë e më parë latinishtja, në gjuhën e folur të popullit të vet.
Humanistët shqiptarë, pothuajse pa përjashtim, iu drejtuan kronikave, legjendave, fjalëve të urta, këngëve, vlerave popullore dhe mbi të gjitha pasurisë bazë të etnisë dhe të kombit, gjuhës amtare. Është veçanërisht i çmuar kontributi i Pjetër Bogdanit në përpunimin e gjuhës letrare shqipe, ku ai me vetëdije futi në përdorim “fjalë plaka dhe harruara” me qëllim për të arritur përsosjen e të shprehurit, siç kishin vepruar edhe Buzuku, Budi, Bardhi, me një mënyrë të menduari humanist, duke aplikuar poetikën evropiane të shkrimit të gjuhës amtare pothuajse në tërë veprën e tyre. Pjetër Bogdani, me veprën e tij shumëdimensionale, është personalitet nga më të rëndësishmit të letërsisë së hershme humaniste shqiptare, një ndër ato autorë që ndërlidh epokën e humanizmit në letrat shqipe me epokën e Rilindjes Kombëtare.











