Përkujtim
(Me rastin e katërdhjetë vjetorit te vdekjes (1985-2025)
Në sajë të veprimtarisë së tyre personalitete të veçanta nderohen edhe pas vdekjës jo vetëm në vendin ku kanë jetuar e vepruar por edhe më gjerë, duke qenë model në kohën e tyre dhe më pas. Në këtë kategori bën pjesë edhe sheh Tahir Kanaqi, nga Kraja e Shkodrës, i cili ka qenë personalitet shumëplanësh si imam, sheh, edukator, intelektual e humanist duke mbetur i pa përseritshëm deri në ditët tona
Nail Draga
Ndonëse për nga përgatitja profesionale ishte teolog, ai ishte i përgatitur me njohuri shumëdimensionale dhe si i tillë dallohej nga kolegët e tij bashkëkohës. Ndërsa veprimtaria humaniste duke iu ndihmuar personave të ndryshëm ka ndikuar në autoritetin e tij, pothuaj në të gjitha viset shqiptare në Mal të Zi, dhe më gjerë. Ai me qendrimin e tij rrezatonte qetësi dhe mirësi si rrallë kush, andaj edhe sot kujtohet me admirim.
Në shërbim të fesë e kombit
Imam, sheh Tahir Kanaqi është personi tipik i binomit fe e atdhe, sepse ai ishte i devotshëm si besimtar por edhe kombëtar i përkushtuar që e ka dëshmuar me veprimtarinë e vet jetësore. Ka lindur në Ostros të Vogël në Krajën e Shkodrës në vitin 1907, e cila në atë kohë ishte në kuadër të Shqipërisë, përkatësisht të Perandorisë Osmane. Në vendlindje ka kryer mejtepin e më pas Medresën në Shkodër(1921-1927). Shkodra në këtë kohë si qendra jo vetëm kulturore në Veriun shqiptar ndikoi në formimin e personalitetit të Tahir Kanaqit.
Këtu në sajë të kontaktëve me personalitete të kohës dhe literaturës së përdorur, nuk ka qendruar statik, por në vendlindje ka sjellur edhe Abetaren, Algjebren e tekste të tjera shkollore. Ka filluar të punojë si imam në Arbnesh(1927-1929), por si intelektual i dalluar dhe edukues i të rinjve, shtetit të atëhershëm jugosllav i pengonte kjo veprimtari, andaj e ftuan të shkojë ushtarë. Por, ai refuzoi atë shërbim dhe shkoi në Shqipëri(1930-1944) fillimisht në Shkodër e më pas në Tiranë.
Në Shqipëri përveç se ka studiuar e punuar aty është bërë pjesëtar i tarikatit rufai. Gjatë qendrimit në Shqipëri, ka jetuar në Tiranë, Burrel, Peshkpoi, Voskopojë, Korçë, Durrës e së fundit përseri në Shkodër. Ai ka punuar si gardian burgu dhe së fundit në Shkodër(1940-1944) si nëpunës në prefekturën e Shkodrës. Në vitin 1944, kthehet në vendlindje në Krajë, duke iu përkushtuar profesionit të imamit në disa fshatra në Krajë. Në sajë të qendrimit dhe raportëve shoqërore atij i janë ofruar pozita të ndryshme udhëheqëse, por i ka refuzuar sepse ishte i vendosur ti shëbejë profesionit të tij e jo ideologjisë së pushtetit të kohës.
Në këtë aspekt duhet cekur se në tubimin popullor i cili është mbajtur në Ostros me 1 janar 1945, pranoi detyrën e kryetarit të Këshillit Nacional Çlirimtar për Krajë, por duke kuptuar intrigat e pushtetit dha dorëheqje nga ajo pozitë. Gjatë veprimtarisë së tij si imam është treguar besimtar i devotshëm dhe i guximshëm, duke sfiduar rrethanat e pushtetit të të kohës. Ai duke qenë i veçantë nga imamet e tjerë përcillej nga pushteti, madje edhe e kanë burgosur por ai ishte i vendosur në misionin e tij fetar.
Ishte anëtar i tarikatit Rufai, fillimisht ishte myhib, ndërsa në vitin 1975 u bë veqil-ushtrues i detyrës së shehut, ndërsa në vitin 1982, u bë sheh i këtij tarikati.
Ka vdekur me 15 dhjetor 1985, në vendlindje në Ostros.
I pasionuar pas librave
Në sajë të edukimit e pasionit pas librave Tahir Kanaqi kishte një bibliotek të të pasur, duke qenë e veçantë për kohën në Krajë. Ai në bibliotekën e tij kishte libra, revista, gazeta, por edhe dorëshkrime të ndryshme si ditarë, letra, vendime, korrespondencë, pastaj fotografi të ndryshme etj., që tash janë pronë e trashëgimtarëve të familjes së tij. Ai librat nuk i kishte për vetën, por iu jepte në shërbim atyre qe kanë treguar interesim, që dëshmohet në sajë të ditarëve dhe shënimeve që janë të depozituara në bibliotekë.
Lexues i gazetës “Rilindja”
Në sajë të pasionit për informim Tahir Kanaqi, ishte ekzemplar i veçantë, sepse ai ishte lexues i rregullt i gazetës “Rilindja”, e cila i vinte rregullisht me postë, duke qenë model për kohën kur ka jetuar e vepruar. Dhe jo vetëm këtë gazetë, por ka qenë i parapaguar edhe për gazetën “Flaka e Vëllazërimit” e cila dilte në Shkup. Ishin këto medie të shkruara të cilat kanë informuar opinionin e gjërë për rrethanat shoqërore e kulturore për hapësirën shqiptare.
Humanist i përkushtuar
Ata të cilët e kanë njohur e pasur kontakte me te kanë theksuar se Sheh Tahiri, ka kryer edhe punët e mjekut, sepse ka pasur njohuri nga mjekësia popullore, ndërsa ne çantën e tij ka pasur edhe mjetët e ndihmës së parë (jod, alkool, tableta etj.) që i përdorur për ata të cilët kanë pasur nevojë, në disa fshatra të Krajës.
Por, e veçanta e tij ka qënë se ai i ka shëruar individët e ndryshëm pa përdorur mjete mjekësore. Kështu kur i ka ardhur ndonjë person për të kërkuar ndihmë, ai që në takimin e parë „pacienitin“ e ka pyetur për emrin e tij dhe të nënës. Pasi ka shikuar në librat e tija, mënjëher i ka thënë se për çka ke ardhur te ai. Ai ka shëruar në mënyra te ndryshme si dhimjen e kokës, çrregullimet shpirtërore e ato nervore, magjinë, paralizën, ngrënien e gjarprit etj, të cilat me sukses i ka eliminuar.
Por, nëse i sëmuri „nuk ka qenë për te“, e ka udhëzuar të shkojë në spital, duke dëshmuar e vlerësuar parimet mjekësore e humaniste e jo egoizmin personal. Për „shërbimet“ e tia asnjëher nuk ka kërkuar kompensim, sepse gjithmonë ka theksuar se ai është vetëm ndermjetës, ndërsa është në duar të Zotit fati i të sëmurit dhe shërimi i tij. Ai kishte aftësi të veçanta mistike e spirituale, që si rrallë kush e ka dëshmuar në praktikë.
Individët të cilët kanë pasur nevojë i ka pranuar në çdo kohë, pa marrë parasysh së cilës fe, gjuhë e komb iu takojnë. Në lidhje me tolerancën fetare ka mbetur emblematike thënia e tij se “Fetë janë si lulet e një bahçeje”.
Sheh Tahir Kanaqi(1907-1985)
Nderohet me veprimtari kulturore
Në shenjë nderimi jetës dhe veprimtarisë së tij, me 13 korrik 2012, në Ulqin në organizim nga OJQ”Harmonia” dhe Qendra Kulturore e Uqinit, është mbajtur veprimtaria kulturore “Mbrëmja përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së Sheh Tahir Kanaqit”. Në këtë veprimtari e cila kishte karakter kulturor, fetar, shoqëror e kombëtar, me kumtesat e tyre kanë marrë pjesë studiues nga Mali i Zi, Shqipëria e Kosova, duke vlerësuar lartë veprimtarinë e Sheh Tahir Kanaqit.
Në kuadër të kësaj veprimtarie në Galerinë e artëve të Qendrës Kulturore-Ulqin, është hapur edhe ekspozita me fotografi, dorëshkrime e dokumente që janë prezatuar për herë të parë për opinionin e gjerë. Ndërsa kurorëzimi i kësaj veprimtarie u realizu në vitin 2014, ku materialet e prezantuara janë botuar në monografinë “Jeta dhe veprimtaria e Sheh Tahir Kanaqit”, duke qenë botimi i vetëm i tillë në shqip në Mal të Zi.
Përfundim
Ndonëse kanë kaluar 40-vjet nga vdekja e tij, më veprimtarinë, qendrimin dhe autoritetin shoqëror si rrallë kush në kohën e tij ai përkujtohet me admirim nga të gjithë ata të cilët kanë pasur fat ta njohin dhe bashkëpunojnë me te, duke qenë të priviligjuar se kanë jetuar në kohën e tij.
Po e mbyllim këtë shkrim përkujtimor në 40-vjetorin e vdekjës së Sheh Tahir Kanaqit me thënien e tij “Të duash kombin tënd do të thotë të duash vetvehten” duke qënë testament për të gjitha kohërat.
(Dhjetor 2025)


