Në nderim të hapit që solli dritë

0
Florin Llugaliu

I dashuri Ilaz,

Sot, ndiej kënaqësi që, krahas festave të tjera të Nëntorit ,që aq shumë do të thonë për ne, të të uroj 27 Nëntorin, ditën që aq mirë e zgjodhët për t’i shpalosur idetë që aq gjatë kishin qëndruar të ndrydhura ndër ne; idetë që nisën hapin e parë drejt rrugës së popujve të lirë dhe të civilizuar.

Sa pak i bëhet jehonë kësaj ngjarjeje të vitit 1968! Atëherë kur dolët haptazi mu aty ku filloi drita, mu aty ku filloi rrita: te dyert e Universitetit të Prishtinës (edhe pse ende nuk e mbante këtë emër, të cilin ju tashmë ia kishit bërë gati).

Edhe pse nuk i kisha mbushur ende pesë vjet, e kujtoj babanë duke treguar me një fytyrë të vrerosur dhe me një ton drithërues nga dhimbja, një mbrëmje vjeshte, se si policia kishte burgosur djemtë më të mirë që kishim.

Unë, duke e dëgjuar me një zë kaq të pazakontë për të, dhe me një fytyrë që përveç dhimbjes shprehte edhe një mllef që nuk ia kisha parë kurrë më parë, fillova të dënesja. Me një gjykim fëmijëror thashë (jo se dija qëllimet e idealet tuaja, por sepse besoja verbërisht babanë):

“Kam me shkua me një çekiç, me thye burgun e me i nxjerrë që aty.”

Edhe për t’i dhënë më shumë peshë tregimit, ai m’ përmend edhe burgosjen e berberit tim, Hamitit, që më kishte bërë për vete me butësinë e tij. E unë, si fëmijë, si të mos ju krahasoja me të? Si të mos besoja se policia kishte arrestuar njerëzit më të mirë?

E përmend këtë detaj sepse, qysh prej asaj dite, ideja për ju dhe vlerësimi ndaj jush si atdhedashës të pa ekuivokë më ka bërë të ndihem krenar me historinë e kohës sonë.

Nuk e di që ndonjëherë ndër ne kosovarët të jetë zgjedhur kairosi më mirë se në Nëntorin e ’68-ës.

Ju e kishit kapur momentin kur Jugosllavia kërkonte mbështetjen e Perëndimit, duke propaganduar se ishte shteti që më së miri i kishte zgjidhur çështjet nacionale; momentin atu ku jehona e studenteve çekosllovak, francezë … ndjehej kudo si dhe momentin kur në Kosovë ishte krijuar një bazë intelektuale që mund ta bartte barrën e zhvillimit të saj.

Ju thjesht artikuluat qartë e arsyeshëm kërkesat nacionale e sociale dhe besueshmërinë në popull e fituat duke dalë haptazi në ballë të frontit.
Për mua, demonstratat e ’68-ës paraqesin kairosin më të mirë të menduar ndonjëherë tek ne.

E gjithë kjo jo vetëm që pati jehonë në opinion, por detyroi shtetin jugosllav të reagojë, duke pranuar hapjen e Universitetit dhe avancimin kushtetues të vitit 1974.

Për mua, ju mbeteni një shembull i rrallë i atdhedashurisë, jo vetëm pse ishit aktorë të një akti kaq gjurmëlënës, por dëshmuat se atdhedashuria është mishërim i heroizmit me njerëzoren, dhe se ky mishërim duhet të jetë i rrjedhshëm si lumi, një legurizim virtytesh që, fatkeqësisht, rrallë e gjejmë.

Vërtet rrallë!

Florin O. Llugaliu
Solothurn, Nëntor 2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.