DUKE KUJTUAR NJȄ PERSONALITET TȄ SHQUAR

1
Llesh Ndoj - Hasan Hasani

5 vite më parë me shkrimtarin Hasan Hasani – Përkola, në një aktivitet për t’mos u harruar

Nga Llesh NDOJ

E nisa këtë shënim modest me titullin ndërkombëtar “in memoriam”, por akoma pa mbërritur në fundin e tij të afërt u kujtova:

– Po të jetë gjallë personazhi për të cilin po shkruaj, jo vetëm se nuk do të kënaqej, por ndoshta edhe do të zemërohej, dhe vetëm nga respekti si vëlla do të mjaftohej me shprehjen “ma mirë t’a kishe shkruar në shqip, vlla!”, prandaj iu riktheva shpejt e shpejt dhe e korigjova edhe nga frika e mëkatit, se ai edhe atje në vendin e përjetshëm ku prehet që nga 1 dhjetori i vitit 2020, mund të lëndohet. Nuk mund t’a mbaja këtë mëkat, sese shkrimtari dhe poeti i shquar Hasan Hasani ka shkruar dhe folur shqip gjithë jetën e vet dhe këtë na e ka transmetuar përmes veprës së tij të gjerë e të thellë, ku në të gjallë të tij numërohen mbi 75 libra të botuara, përmbledhur edhe në 15 vëllime, përveç disave të tjera që koha s’i premtoi t’i botonte, e ato u botuan pas vdekjes nga djemtë e bashkëpunëtorët.

Ishte 3 Tetori i vitit 2020, plot 5 vite më parë, shënon takimin tim të fundit fizik me shkrimtarin e njohur, si vllaun tim të origjinës domgjonase, mirditorin e shqiptarin e mirë Hasan Hasani – Përkola. Them takimin e fundit fizik, sepse “takimet” tona virtuale vazhduan shumë intensive për aq sa shëndeti i tij i përkeqësuar me hapa të përshpejtuara nga sëmundja e mallkuar, murtaja e shekullit të ri covid – 19, e lejoi të shkruante e të fliste përmes celularit, komunikime të cilat i kam pasqyruar në librin “Mirditiada”, mbetur në proces prej tij e botuar pas ndarjes nga jeta. Këto “komunikime” virtuale vazhdojnë e do të vazhdojnë gjithë jetën për mua, që as personin Hasan, as veprën e tij nuk i largoj kurrë nga vetja. Pengu im i padiskutueshëm mbetet pamundësia me ia parë sytë për së gjalli, kur ai lëngonte në shtrat i sëmurë, as për t’ia hedhur një grusht dhe mbi varr atje në Dushkajën e tij të dashur, që s’e largoi nga vetja as në të gjallë, as në të vdekur.

Prof. Hasani, krahas cilësisë sё vargut, zgjeroi spektrin tematik, himnizoi heroin lirik si dhe solli një ndjesi të re ndaj figurës letrare, ndaj përdorimit artistik të fjalës nё gjuhën shqipe. Poeti i njohur Hasan Hasani u ngjit natyrshëm në majat e poezisë shqipe, sepse kjo ngjitje u përshkallëzua në kohë që nga vëllimi i parë i tij me poezi “Krojet e bardha”, botuar në vitet 1967, dëri tek vepra e tij e fundit, “Mirditiada” që lexuesi tashmë e ka nëpër duar, falё kontributit tё miqëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Vëllimi i parë poetik, tregoi se në letërsinë shqiptare po lindte një talent i spikatur, ndaj dhe kritikёt nuk kishin gabuar kur e kishin vlerёsuar si poet i sё ardhmes, sepse veprat e Hasanit pasuan njëra – tjetrën.

Sot në korpusin e letërsisë sonё spikasin vepra të tilla si “Dallgёt e vrrinit” – 1969, “Dy legjenda” – 1969, pastaj vjen para lexuesit si prozator me romanet “Ulёrima” – 1989, “Kodi i gjakut” – 2014 dhe mё vonё edhe si kritik, përmes veprave “Tё anatemuar” – 2005, “Faqe libri” – 2007, “Metafora e dhembjes” etj. Ështё e pamundur tё rreshtojmё numrin e madh tё veprave të prof. Hasanit nё kёtё material modest, sepse sot duam të perkujtojmë një ngjarje të shenuar në jetën e tij.

… atë ditë të 3 Tetorit 2020, gjithshka shkoi bukur. Hasanit ia dallova gëzimin, kënaqësinë, por edhe lotin, e gjithshka nga ai aktivitet u kthye në dritë në sytë e tij. Peng më mbeti se në përfundim të takimit Hasani iku “si hije”, e atëherë kur unë isha çliruar nga ethet e organizimit të atij aktiviteti të bukur, ai s’mundi të qëndronte më gjatë. Jo nga shëndeti e shkaqe të tjera fizike, por thjesht se donte të udhëtonte e të nderonte shokët e tij shkrimtarë që kishin mbërritur nga Kosova enkas për atë aktivitet. Iku si hije për t’u takuar prej asaj ditë vetëm në kujtime.

Po ç’ishte e ç’përfaqëson ajo datë në kalendarin e kujtesës time?

Me këmbënguljen time dhe miratimin e tij, miratim që ia mora disi me pahir, atë vjeshtë botova librin e tij “Monolog me Malin”, libër që me plot të drejtë është cilësuar si amaneti poetik i shkrimtarit, të cilin donim t’a promovonim në Lezhën tonë artdashëse. Pothuajse tinëzisht, unë kisha gërmuar në jetën e tij jo vetëm letrare, i kisha “vjedhur” edhe një intervistë pak ngapak, dhe kisha botuar librin tim monografik “Hasan Hasani – Përkola, Dushkaja emër, Mirdita mbiemër”, i cili u promovua së bashku me të. Me një grup shokësh e miqsh e me dashamirësinë e padiskutueshme të z. Eduart Ndreca, asokohe Kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhë, kishim lobuar për t’i akorduar shkrimtarit titullin “Nderi i Qarkut Lezhë”, vendim që u muar unanimisht prej tyre.

Kjo ishte pjesa “mbitokësore” e programit të asaj dite, ndërkohë që në sekret ndaj tij dhe publikut, krijuesi i nderuar Vlash Prendi kishte shkruar një tekst kënge kushtuar shkrimtarit Hasan, tekst që e mori përsipër dhe e realizoi me mjeshtri e humanizëm këngëtarja mirditore Angjelina Mena – Nikolli. Edhe kjo këngë u këndua publikisht për herë të parë atë ditë të 3 tetorit 2020. Kënga titullohet “Jam domgjonas përgjithmonë”, për të cilën gjej rastin t’a falenderoj përsëri tekstshkruesin, këngëtaren dhe kantautorin z. Mark Gjoni për muzikën e realizimin e saj në studio. Të gjitha sa u thanë atë ditë e emocionuan dukshëm prof. Hasanin, por kënga bëri që loti t’a tradhëtonte në sy të gjithë pjesmarrësve të shumtë që kishin mbushur sallonin e madh të Bibliotekës “Gjergj Fishta” në qytetin e Lezhës.

Nga distanca e 5 viteve, sot shfrytëzoj rastin t’a rifalenderoj Këshillin e Qarkut Lezhë dhe ish – Kryetarin z.Eduart Ndreca, që jo vetëm na e plotësuan kërkesën, por edhe i dhanë hijeshi e solemnitet atij aktiviteti të bukur, me organizim e pjesmarrje, falenderoj poetin e nderuar Viktor Gjikolaj për moderimin, të gjithë shkrimtarët e studiuesit këndej e andej kufirin që referuan rreth librave që u promovuan, dhe çdo pjesmarrës që ishte i pranishëm. Një falenderim i posaçëm shkon për djemtë e Hasanit, Blerimin e Butrintin, që vazhdojnë të ruajnë kontaktet e me shokët e miqtë e shumtë të Hasanit dhe të kujdesen për t’i respektuar ata.

* * *

– A vdiq filani? – e pyet njëri bashkëudhëtarin e tij, kur po ktheheshin nga i njejti varrim ku kishin marr pjesë.
– Ti ishe vetë dhe je dëshmitarë se ia hodhe edhe një grusht dhe! – ia ktheu tjetri, dhe vazhdoi:
– Po pse po më pyet? – ia ktheu ai.
Bashkëudhëtari, më i moshuar në moshë dhe i zgjuar, pasi u mendua pak, e shikoi tjetrin në sy, dhe iu ridrejtua:
– Unë pashë se ka dhënë frymë, por nuk ia njoh ç’ka len pas…

I solla këta rrjeshta, ndoshta të mbërritur tek unë si filozofi popullore dhe që ndoshta realisht nuk kanë ngjarë kurrë, për t’u rikthyer aty ku isha. Njeriu ndërron jetë e kjo është ligjësi e gjithëpranuar, por kur le pas vepra të mira, kur le familje të bekuar, ai kurrë nuk vdes. Fryma e tij rron me veprën që le pas, me kujtimet e bukura si ky për të cilin i kushtova këto radhë dhe tek pasardhësit e tij. E Hasan Hasani – Përkola nuk ka vdek. Ai rron me veprën e mrekullueshme që ka lënë, me familjet e pasardhësve të denjë, që ia ngrenë lart emrin e kujtesën, ai rron edhe në kujtesën e shokëve e miqve të shumtë, që bëri ne jetën, kulturën, me shpirtin njerëzorë e punën e tij të madhe në shërbim të letrave shqipe, ku e ka shënuar emrin në panteonin e artë përjetësisht.

I paharruar vlla Hasan!

Lezhë, më 3 tetor 2025

1 KOMENT

  1. I perjetshem Qofte Kujtimi i te ndjerit tashme Hasan Hasani-Perkola, sa Ju dite NJEMIJE i ndeuari Llesh Ndoi, sa me sillni mu 89 vjjcarit tej oqeanit kete shkrim sa te perkryer. dhe PLUMB dhimbjeje per ndarien nga jeta te ketij KJIJUESI mbreselenes, qe mua me vjen keq Njohur vetem permes shkrimeve te ti sa Ky i juaji SOT, qe flet shume e na LE -MESIME*! Vetret i PAHARRUAR si e quani JU*Vella-Hasani*, qe me shkrimin tuaj me bete mua 89vjecarin te lotoj. I perjetshem kujtimi i Tij -Juve-Mbrodhesi Ju uroj; si 89 vjecar, tej oqeanit (bileten prere per Atdhe), aktualisht me mendie e ZEMRER me Ju dhe ATDHEUN-me Lezhen-*KASTRIOTASE*mua *Bir i Dangellise Naimjane*-vite-Shku e ardhe-pas femijeve emiigrante te *viteve fakeqe te pas 90tes te atdheut tone),qe prag festave te *TRE NENDOREVE*te PV e Cl. ne Atdhe -bileten prere-(Eshterat Atje te me TRETEN) . Juve MBRODHESI Ju uroj i nderuari Lesh Ndoi-kete shkrim lamtumirre per-*vella* HASAN-Hasani-Perkola-Ndiese Paste! Toronto 02 Teteor 2025.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.