Edi Rama, një kryeministër luksi që po bëhet varrmihës i “ëndrrës shqiptare” të Lidhjes së Prizrenit!

0
Vuçiq - Rama
Fadil Maloku
Fadil Maloku

Fadil Maloku, sociolog

Ja çfarë thotë Sociologjia e gjuhës;
Edi Rama, pas fitores së 11 majit, po shfaqet jo si kryeministër i një sistemi të dëshmuar parlamentar, por si një lider (Ajatollah!?) suprem, që duhet të vendosë për gjithçka dhe për çdo gjë në Shqipëri dhe (madje, shih ti; edhe për) bashkimin e trojeve shqiptare!?

Duke e quajtur synimin, ambicien, shpresën dhe aspiratën shqiptare si një “formulë të shekujve XIX dhe XX”, ky njeri, përmes këtij deklarimi, përveçse shpreh zhveshjen totale nga rrënjët kombëtare (që as vetë duket s’i ka të qarta!), rrezikon ta relativizojë skajshmërisht idenë e bashkimit kombëtar. Një ide për të cilën shumë gjenerata në të kaluarën sakrifikuan edhe jetën dhe që mbetet ende një aspiratë e papërfunduar historike.

Kjo thënie, e bërë virale në media, ka “mision” dhe qëllim djallëzor të zbehë mitin kombëtar, të ftohë emocionalisht raportin Shqipëri–Kosovë, si edhe të injektojë një mesazh ambiguiteti, dyshimi e konfuzioni, që vetëm ai mund ta imagjinojë!

Kjo retorikë, gjoja moderniste, kozmopolite e integriste, përmban edhe një tendencë publike (!) për t’u “shkurorëzuar” përfundimisht nga narrativat e sakrificës kombëtare (Lidhja e Prizrenit, luftërat për liri, UÇK-ja) gjatë gjithë peripecive historike, dhe për t’i varrosur ato te gjeneratat e reja, që tashmë duken më pak të interesuara e të gatshme për këtë ëndërr gjithshqiptare.

Këtë e bën, sepse i zhytur në luksin e megalomanisë dhe të vetëmjaftueshmërisë së senilizuar, pretendon të “mirëmbajë” një pushtet të kriminalizuar dhe të korruptuar deri në palcë. Pra, me këtë “formulim”, në fakt ai shmang publikisht përgjegjësinë për të ofruar hapa konkretë, se si duhet të bëhet ky bashkim.

Ky diskurs i papërgjegjshëm, i mbushur me hile dhe mashtrime ordinere mediatike në rrethanat e mjegullta aktuale, e ka edhe një qëllim morbid; t’u injektojë shqiptarëve gjithandej, qëllimisht(!), përveç ndjenjës së inferioritetit, edhe apatinë, konfuzionin, dobësimin dhe humbjen e besimit në kapacitetet (politike, ekonomike, kulturore e ushtarake) shtetërore dhe kombëtare shqiptare.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.