Taulant Xhaka me origjinë nga Miroci i Podujevës i dha fund karrierës së tij si futbollist profesionist, duke zhvilluar ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Baselit.
Ai ndeshjen e 407-të dhe lamtumirëse e luajti kundër FC Luzern-it, ku skuadra e tij triumfoi me rezultat bindës 4:0.Futbolli, ashtu si sportet e tjera, është i ndërtuar mbi emocione herë gëzim, herë dëshpërim. Për më shumë se një dekadë, stadiumi ‘St. Jakob-Park’ në Basel ka qenë shtëpia e dytë e Taulant Xhakës, vendi ku ai jetoi momentet më të ndritura dhe më sfiduese të karrierës së tij.
Taulanti, gjatë karrierës së tij të bujshme në fanellën e FC Basel, ka fituar 7 tituj kampioni dhe 4 Kupa të Zvicrës.
Klubi i tij javën e ardhshme, në Finale ndaj Bielit në stadiumin Wankdorf të Bernës, shpreson se pas fitimit të titullit të Kampionit, do ta fitojë për herë të pestë edhe Kupën e Zvicrës.
Të pranishëm në këtë ndarje të Taulant Xhakës nga futbolli aktiv ishin familjarë, bashkëlojtarë të dikurshëm dhe figura të njohura të futbollit zviceran, përfshirë edhe vëllain e tij më të vogël, Granit Xhaka aktualisht lojtar kyç i Bayer Leverkusen.
Pas ndeshjes, Graniti ngjalli kureshtje me një deklaratë intriguese:
“Një Xhaka po largohet, por një tjetër do të rikthehet shumë shpejt!”
Ky një sinjal që lë të kuptohet për një mundësi të ardhshme për rikthim të Granitit në Basel, qoftë si lojtar, apo si figurë drejtuese.
Tifozët gjatë gjithë takimit FC Basel-FC Luzern, krijuan një atmosferë mbresëlënëse me koreografi speciale dedikuar Taulant Xhakës. Andaj, në një atmosferë si kjo edhe lotët janë të pashmangshëm.
Taulant Xhaka, përveç kontributit të jashtëzakonshëm në klubin e FC Basel, mbetet një emër i paharruar edhe për Kombëtaren shqiptare.
Ai me fanellën kuqezi, ishte pjesë e brezit historik që për herë të parë e çoi Shqipërinë në Kampionatin Evropian, “FRANCA 2016” ky një moment krenarie kombëtare që vulosi angazhimin dhe përkushtimin e tij, edhe në arenën ndërkombëtare.
ARIF EJUPI