Ese politike: (Nga romani në dorshkrim: „Diplomacia e shterrur“)

0
Albin Kurti - Memli Krasniqi

Kur pazari zë vendin e parimit

Safet Sadiku

a) Ky mund të quhet „Pushteti“ dhe “Kjameti” i klasës politike, që kanë filluar të flasin ndër veti. Deri dje u shanë tani bëjnë pazare për ndarjen e karrikeve! Dy liderët e partive që me më së shumti fituan vota në zgjedhjet e fundit në Kosovë, (VV-së dhe PDK-së) nuk arrijnë as ta shikojnë në sy njëri-tjetrin.

b) Profesori i thirri tre studentët e Fakultetit Juridik , të cilët gjatë vitit të parë kishin dhënë mendime rreth proceseve politike. Ata edhe pse këtë vit janë apsolventë, kanë arritur rezultate shumë të mira në kalimin e notave. Që të tre kanë notat mesatare me mbi nëntë (9-të), gjë që është një arritje superiore për ta…

Pamja në foto e dy liderëve; VV-së dhe PDK-së, tregon shumë. Po tregon se është e pranishme mungesa e koherencës, e sinqeritetit dhe përgjegjësisë politike, te drejtuesit e partive politike. Kur pushteti bëhet qëllim në vetvete dhe jo mjet për t’i shërbyer qytetarit, atëherë politika shndërrohet në një teatër ku morali shpesh zë vendin e fundit.

Shprehja “kjameti i klasës politike” është shumë domethënëse. Është një përshkrim figurativ i krizës së besueshmërisë dhe vlerave që përfaqësojnë këta liderë. Ironia e pranishme është sepse: “deri dje u shanë, tani bëjnë pazare“, dhe e gjithë kjo tregon se parimet shpesh sakrifikohen për interesa momentale dhe për ndarjen e posteve. Kur dy liderët më të votuar nuk e shikojnë dot njëri-tjetrin në sy, kemi të bëjmë me një mungesë të thellë të vullnetit për bashkëpunim demokratik. Dhe në një sistem demokratik të shëndetshëm, dialogu dhe kompromisi janë më të rëndësishmet, por jo kështu që në vend të „dialogut të hapur“, ky komunikim të zëvendësohet „nga armiqësia dhe pazaret” pas dyerve të mbyllura.

Pushteti dhe “Kjameti” i klasës politike nuk është ndonjë gjë e re për ne qytetarët.Nga një cikël zgjedhor në tjetrin, qytetarët bëjnë detyrën e tyre demokratike: votojnë me shpresën se përfaqësuesit e tyre do t’i dëgjojnë, do t’i shërbejnë dhe do të jenë të denjë për besimin që marrin. Por, çfarë marrim në këmbim? Një klasë politike që, në vend të reflektimit, prodhon pazare; në vend të vizionit, ndan poste; dhe në vend të bashkëpunimit, ofron urrejtje të recikluar për konsum ditor. Deri dje ishin nëpër studio televizive duke u sharë me fjalorin më të rëndomtë. Sot janë nëpër takime të fshehta, duke ndarë karriket që ende nuk i kanë zënë. Dhe janë votuesit, është qytetari, ai që mbushi kutitë e votimit me besim. Tani qytetari po shndërrohet në spektator të një teatri politik që nuk ka kush e përfaqëson.

A ka më kuptim fjala “lider”? Si mund të quhen liderë ata që nuk arrijnë ta shikojnë në sy njëri-tjetrin, edhe pse përfaqësojnë shumicën e qytetarëve? Demokracia nuk funksionon pa dialog, dhe as nuk ndërtohet mbi hakmarrje personale apo arrogancë politike. Funksionon vetëm kur vullneti i qytetarit vendos drejtimin, jo kur interesat personale maskohen si marrëveshje “kombëtare”. Kjo nuk është demokraci. Është krizë përfaqësimi. Është “kjameti” i një klase politike që ka humbur kontaktin me realitetin dhe që, në vend të reflektimit mbi përgjegjësinë, ka zgjedhur rrugën e kompromisit të ulët për hir të pushtetit.

Dhe kjo nuk është më thjesht përgjegjësi e tyre. Është alarm për të gjithë ne! Alarm!
“Kiameti” i pushtetit erdhi pasi premtimet e djeshme u harruan në pazaret e sotme. Tri vite më parë, në një diskutim akademik, tre studentë trajtuan me mprehtësi pasojat e mosrealizimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare. Fjalët e tyre sot tingëllojnë profetike. Ata folën për dëmtimin e imazhit ndërkombëtar, për humbjen e besimit të partnerëve strategjikë, për pasojat ekonomike dhe tensionet që lindin kur një vend nuk është në gjendje të qëndrojë pas fjalës së dhënë.

Sot, ajo çfarë ndodh në skenën politike në Kosovë, pas zgjedhjeve që sollën tension, pritje dhe shpresë, i konfirmon të gjitha mendimet e tyre, duke i dhënë një kuptim të ri gjithë analizës, ndonëse rezultatet janë edhe më të hidhura. Dy liderët e partive politike që morën më së shumti vota nuk mund të shikohen në sy, e lëre më të bashkëpunojnë për të çuar vendin përpara. Deri dje ishin në përplasje publike, duke e baltosur njëri-tjetrin para opinionit, e sot, në heshtje, bëjnë pazare për poste e ndarje të pushtetit. Kjo nuk është politikë e pjekur. Ky është “kjameti” i një klase politike që ka vendosur interesin personal mbi vullnetin qytetar.

Studenti i parë dikur, (para pesë vitesh): “Profesor, nëse një marrëveshje ndërkombëtare nuk realizohet, pasojat mund të jenë të shumanshme, si në aspektin politik, ekonomik, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nga një perspektivë politike, kjo mund të dëmtojë imazhin dhe besueshmërinë e vendit në arenën ndërkombëtare. Partnerët mund të jenë më të rezervuar për të bashkëpunuar me ne në të ardhmen, duke parë vendin si të pabesueshëm ose të paaftë për të respektuar angazhimet e veta. Ekonomikisht, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta si humbje investimesh, penalitete financiare ose ngecje të projekteve zhvillimore që varen nga marrëveshja. Po ashtu, moszbatimi mund të përkeqësojë marrëdhëniet me partnerët që janë pjesë e marrëveshjes, duke çuar vendin tonë në izolim ose tensione diplomatike.“

Studenti i parë tani, po fliste po njëjtë për humbjen e besueshmërisë dhe rezervimin e partnerëve ndërkombëtarë. Çfarë besueshmërie mund të pretendojë një klasë politike që nuk arrin të krijojë konsensus as mes fituesve? Kur liderët nuk janë në gjendje të komunikojnë mes vete, si mund të presim që Kosova të trajtohet si partnere serioze në dialogje ndërkombëtare?

Studenti i dytë dikur: “Unë mendoj se një marrëveshje ndërkombëtare e parealizuar mund të krijojë tensione të brendshme dhe të jashtme. Brenda vendit, mosrealizimi mund të rezultojë në humbje të mbështetjes publike, sidomos nëse marrëveshja ka qenë një çështje e rëndësishme politike ose ekonomike. Nga ana ndërkombëtare, kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe të çojë në izolim diplomatik. Në raste më të rënda, mosrespektimi i marrëveshjes mund të përshkallëzojë konfliktet ose të shkaktojë sanksione nga organizatat ndërkombëtare ose shtetet e tjera.“

Studenti i dytë tani, po paralajmëronte për tensionet e brendshme dhe rënien e mbështetjes publike. E pikërisht kjo ndodhi: qytetarët ndihen të gënjyer. Nuk kanë përballë liderë që i përfaqësojnë me dinjitet, por aktorë që lëvizin sipas interesit të momentit. Ky është çasti kur distanca mes popullit dhe politikës thellohet, dhe e ardhmja demokratike vihet në pikëpyetje.

Studenti i tretë dikur: “Profesor, pasojat varen nga natyra e marrëveshjes. Nëse është një marrëveshje tregtare, për shembull, moszbatimi mund të çojë në dëme ekonomike, si humbje tregu ose rritje të tarifave tregtare. Nëse është një marrëveshje për sigurinë apo paqen, atëherë pasojat mund të jenë më serioze, duke përfshirë rrezikun e destabilizimit rajonal ose përkeqësimin e krizave ekzistuese. Po ashtu, një marrëveshje e parealizuar mund të ndikojë në marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare, si BE ose OKB, duke e vështirësuar integrimin apo bashkëpunimin e mëtejshëm.“

Ndërsa studenti i tretë tani, po theksonte varësinë e pasojave nga natyra e marrëveshjes, realiteti i sotëm na tregon se kriza politike brenda vendit mund të ketë pasoja po aq të rënda sa një marrëveshje ndërkombëtare e dështuar. Kur vendi ngec në bllokim institucional, kur mungon bashkëpunimi dhe transparenca, dëmtohen si proceset e brendshme, ashtu edhe marrëdhëniet me jashtë. Kështu, ajo që po përjetojmë sot mund të përmblidhet në një fjali: Pushteti si qëllim dhe jo si përgjegjësi është fillimi i „kjametit” politik të një shoqërie. Politika pa vizion, pa parime dhe pa dialog prodhon vetëm krizë, zhgënjim dhe izolim…

Kosova ka nevojë për më shumë fuksionalitet se sa vetëm fitues formalë zgjedhjesh. Ka nevojë për liderë që i shërbejnë qytetarëve dhe jo vetes. Nëse ata nuk arrijnë ta kuptojnë këtë, atëherë jo vetëm marrëveshjet ndërkombëtare që do të dështojnë, por sigurisht se do dështojë vetë ideja e përfaqësimit.

“Kiameti” i pushtetit dhe politika e dy fytyrave po aktualizohet përsëri. Në një diskutim të fundit në auditor, tre studentë dhe profesori i tyre analizuan zhvillimet politike paszgjedhore në Kosovë. Ajo që nisi si një reflektim akademik, u kthye shpejt në një pasqyrë të thellë të realitetit tonë politik, ku parimet bien dhe pazaret ngrihen. Në qendër të vëmendjes: çarja e thellë mes diskursit publik dhe veprimit politik.

Studenti i parë vuri në dukje një mendim logjik me sarkazëm të mprehtë: “Vetëvendosja po kthehet në kujën e PDK-së.” Një ironi që përshkruan kthesën e papritur të partisë që deri dje sulmonte „establishmentin“, por sot është pjesë e të njëjtës lojë pushteti që dikur e përçmonte. Ky është procesi i transformimit të një lëvizjeje në një strukturë të zakonshme politike që, për hir të pushtetit, po i harron premtimet e veta.

Studenti i dytë solli në vëmendje tensionet brenda koalicioneve: “Partia Guxo ka kundërshtuar z. Fatmir Limajn të zgjedhet si Kryetar të Kuvendit.” Ky kundërshtim nuk është thjesht çështje emrash. Kundërshtimi tregon përçarjen në mes VV-së dhe L. Guxo, si dhe mungesën e një vizioni të përbashkët dhe përpjekjen për të ruajtur sa do pak një farë kredibiliteti moral në një betejë ku, për fat të keq, me këtë rast, morali po humbet terren.

Po ky student vazhdoi me një tjetër vëzhgim goditës: “Kurti po e mëson artin e politikës: ndryshe flet, ndryshe vepron.” Nga retorika radikale „anti-establishment“ dhe qëndrimi kritik ndaj politikës amerikane, ai sot kërkon postin e Kryeministrit, edhe pse thuhet ose po vlerësohet, se është në një raport të ftohtë me aleatin më të fuqishëm të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E megjithatë, kalkulimi politik duket se e mban në lojë. Ai po pret natyrshëm që “kombinimi i pazareve” t’i sjellë një përfitim të ri.

Studenti i tretë ndërkaq, me qasje të tij më strukturore, e shpjegoi këtë situatë si një dështim institucional që mund të sjellë pasoja serioze për të ardhmen e vendit: humbje investimesh, tensione diplomatike, izolim ndërkombëtar dhe bllokim të zhvillimit politik. Me fjalë të tjera: as pushtet, as perspektivë, por situata aktuale po prodhon, vetëm një ngërç të zgjatur.

Në fund, profesori i komplimentoi studentët për analizat e tyre dhe i vlerësoi me të drejtë me nota të larta, sepse ajo që ata bënë nuk ishte thjesht analizë politike, por një akt qytetar: të flasësh hapur për “kjametin” që po na ndodh, kur politika shkel parimet, kur liderët harrojnë premtimet dhe kur qytetari mbetet gjithmonë humbësi… Kjo rrethanë është përsëritur disa herë.

Në një kohë kur klasës politike i mungon ndershmëria dhe koherenca, zëri i studentëve, i njohur si zëri i mendimit kritik, është më i domosdoshëm se kurrë. Në fund të këtij diskutimi profesori e bëri një vlerësim përmbyllës:

1) “Pushteti” i klasës politike si zakonisht edhe tani, pra edhe ky pushtet nuk i referohet vetëm qeverisjes formale, por kapjes së institucioneve dhe kontrollit mbi mekanizmat shtetërorë për interes personal apo grupor. Është një pushtet që synohet jo për t’i shërbyer qytetarët, por për të ndarë privilegje, për të ushtruar ndikim dhe për të bërë pazare politike pas perdeve. Termi përçon idenë se klasa politike është e bashkuar kur vjen fjala për ndarjen e “karrikeve”, pra përfitimeve nga pushteti.

2) “Kjameti” i klasës politike ka një ngjajshmëri. Edhe “kjameti” është një term i përdorur zakonisht për të përshkruar fundin, shkatërrimin apo krizën e një sistemi. Në këtë rast, “kjameti” i referohet momentit kur klasa politike tregon hipokrizinë dhe korrupsionin e saj moral, sepse dikur palët paraqiteshin armiq të egër në publik, por sot të gatshëm të ulen bashkë për interesa të ngushta. Ky është çasti kur zbulohet fytyra e vërtetë e politikës. Ky është çasti i dështimit moral dhe besueshmërisë përballë qytetarëve.

Këto dy terma, në këtë përdorim figurativ, përfaqësojnë dy anët e një medaljeje të errët politike: nga njëra anë etja për pushtet, dhe nga ana tjetër shpërbërja e çdo morali politik, që shfaqet në formën e “kjametit”. Kur politikanët që deri dje shanin njëri-tjetrin tani bëjnë marrëveshje të fshehta, zbulohet jo vetëm thelbi i dështimit të sistemit, por edhe funi i një klasë politike, e cila po del se është e bashkuar vetëm për interesa, jo për ta përfaqësuar shtetin në nivel të mirëfilltë!…

Në fund profesori e mbylli fjalimin me dy fjalë: “Në mes këtyre rreshtave qëndrojnë marrëveshjet me Serbinë që tërë klasën politike po i ndjekin pas“. Kjo politikë ngjall ndjesinë e një realiteti të fshehur pas fjalëve zyrtare dhe publike. Profesori tha se marrëveshjet me Serbinë nuk janë vetëm çështje diplomatike të zakonshme, por edhe lëvizje që ndjekin një agjendë të përbashkët ose të heshtur të klasës politike, pa dallim partish?

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.