Hashim Thaçi mori edhe mendimin e Kadaresë, para se të nënshkruante marrëveshjen në Rambuje!

0
Rambuje - Kadare - liderët e Kosovës

Zoti Bahtir Hamza këto ditë, krejt rastësisht ndesha të artikullin tuaj, botuar te “Fjala e lirë” me datën 15 shkurt 2025: ‘…për takimin e Hashim Thaçit me Ismail Kadarenë në Paris, mars 1999‘. Asnjëherë nuk ua kam dëgjuar emrin dhe besoj se edhe ju nuk më njihni. Megjithatë po ju sqaroj me qetësi e pa mllef e ofendime:

Në fundvitin 1999 shkrimtari Ismail Kadare, atë kohë në Paris, në një bisedë telefonike më kërkoi që me rastin e botimit të dytë të librit “Ra ky mort dhe u pamë” të bëja një kornizë hyrëse, gjë të cilën e prita me kënaqësinë e përgjegjësinë më të madhe. Për ngjarjet e Kosovës kisha krijuar një dosje të madhe e kisha mbledhur një informacion të gjërë, duke qëndruar për orë të tëra para ekranit të televizionit, duke ndjekur emisionit televizive italiane, CNN, Euronews të cilët çdo ditë përshkruanin se çfarë ndodhte në Kosovë dhe zhvilloheshin biseda të gjata me shumë të ftuar, politikanë të lartë, historianë, politilogë, shkrimtarë, artistë etj.

Shkruani, “Ndaloni gënjeshtrat për takimet e Hashim Thaçit me Ismajl Kadarenë në Paris të Francës në mars. 1999. Agim Janina stop.stop.stop.gënjeshtrat e tua dhe ata që kanë gënjyer për takimet e Hashim Thaçit me Ismajl Kadarenë në Paris. 1999.sepse e vërteta është e gjallë dhe Ismajl Kadare nuk e ka zgjidhur problemin e lirisë në Kosovës… Thaçi: Në rast se sonte e nënshkruaj marrëveshjen; ti si shkrimtar shqiptar a do të më përkrahësh në këtë akt politikisht?!!!

Nuk e besoni apo nuk doni ta besoni? Po e ka shkruajtur Kadare në faqen 75 dhe po jua citoj, “Ai (Thaçi shën im) më bën një pyetje, që është njëkohësisht një kërkesë: në rast se sonte e nënshkruante marrëveshjen, unë si shkrimtar shqiptar a do ta përkrahja atë akt publikisht?
Pa asnjë ngurrim, iu përgjigja, se do ta përkrahja. Madje, qysh në atë çast.

Takimin e konfirmon edhe Ambasadori shqiptar në Paris Luan Rama në një libër ka ka shkruar.
Në faqen 76 që korespondon me datën 19 mars, pas nënshkrimit të marrëveshjes Kadare shkruan, “është ora tetë e mbrëmjes. Sallonet e ambasadës janë plot. Të gjithë presin me padurim personazhet e ditës: delegatët e Kosovës… pritja mbaron vonë. I vetmi që nuk ka ardhur është Rugova”. Pra, kuptohet që Hashim Thaçi është ndër delegatët në mos më kryesori, dmth. që ishte në Paris, në Ambasadën Shqiptare.

Shkruani, “shkrimi yt duhet, të hidhet në koshin e plehrave, sepse TI Agim Janina, gënjeu dhe bëri lëvdata të rreme me qëllimin për të lavdëruar Ismajl Kadarin. Por, çuditërisht, është e çuditshme pse Agim Janina nuk e tha këtë, kur Ismaj Kadare ishte gjallë, që Ismajl Kadare të merrte çmimin për lirinë e Kosovës, nga Hashim Thaçi”.

Shkrimi im është në botimin e dytë të librit “Ra ky mort dhe u pamë”, gazeta “Telegraf” e ribotoi pas njëzetë e pesë viteve. Pra, është shkruajtur kur shkrimtari ishte ende gjallë, është cituar në ndonjë gazetë po të asaj kohe dhe kur Hashim Thaçi ishte jo ai që është sot.

Në janar të vitit 2020 Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në pritjen që bëri për shkrimtarin theksoi, Nderimi i shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare me titullin e lartë shtetoror “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” nga Presidenti francez Emmanuel Macron është vlerësim i lartë ndërkombëtar për krijimtarinë e jashtëzakonshme të gjeniut të letrave shqipe, që me vite është pretendent për Çmimin Nobel për letërsi” e vazhdon, “Kadare me paraqitjen e tij në shtypin francez vazhdimisht kishte afirmuar dhe mbrojtur çështjen e Kosovës.” Po ashtu Presidenti Thaçi rivlerësoi përkrahjen që Ismail Kadare i kishte dhënë delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë më 1999.

Më qartë se kaq s’ka ku të jetë! Këto janë deklarata publike dhe besoj se i keni dëgjuar apo lexuar.
Pra, dhe kjo akuzë nuk qëndron.

Nuk kam ndërmend të debatoj me ju se sa vlerë ka vepra e Kadaresë dhe vendi që ajo ze të Historinë e Letërsisë Shqipe, se nuk do t’i pranoni.

Shkruani, “Për këtë propagandë false dhe lëvdata të rreme të Ismajl Kadaresë, ai nuk mori çmimin NOBEL për Letërsinë. Ismajl Kadare, një shkrimtar shqiptar i filozofisë komuniste, i cili së bashku me Drito Agollin studioi në Moskë, nën Enverin, Brezhnevin, Hrushovin dhe Stalinin dhe ishte shkrimtar i plejadës komuniste. Por, edhe më e keqe e tij është se: Ismajl Kadare, dëbimin e të rinjve shqiptarë nga Shqipëria në qershor 1991, Ismajl Kadare e quajti: ’Jashtëqitja e Kombit.

Fshiji nga kujtesa gjithçka kanë thënë shqiptarët dhe “propaganda false”, kanë thënë për vlerat e Kadaresë, por si bëhet që është shkrimtari shqiptar më i përkthyer, më i vlerësuar dhe që ka marrë çmime ndërkombëtare, futur në tekste shkollash e pritur e nderuar nga presidentë e burra shteti?
Edhe këto gënjeshtra janë?

Sa herë ishte kandidat për ta marrë çmimin “Nobel”? Sa herë e propozoi Akademia Franceze, duke mohuar shrimtarët e saj. Çdo të thuash që Akademia Suedeze i dha çmimin “Nobel” shkrimtarit austriak, Peter Hendke, i cili mbajti fjalimin në varrimin e Sllobadan Millosheviçit, kur ishte i dënuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës dhe cilësuar si “Kasapi i Ballkanit”? E dini që dhënia e çmimit u shoqërua me kritika të ashpra nga shumë shkrimtarë dhe që u mbështetën edhe nga shoqatat e të afërme të viktimave të masakrave? Protestuat gjë?

Nëse ju mendoni se mosdhënia e çmimit nuk iu dha se kishte filozofi komuniste, iu dha një shkrimtari me shprehje fashiste.
Pra edhe kjo s’është e vërtetë.

Ku e keni të dëshmuar se Kadare ka thënë për refugjatët “jashtëqitja e kombit”? S’ka asnjë dokument që ta vërtetojë. Është pikërisht Sigurimi i Shtetit që ia vuri në gojë atë shprehje dhe këtë e kam shkruajtur në fillimet e demokracisë dhe askush nuk ka gjetur një dokument. Është arritur deri aty sa kanë shkruajtur se e ka shkruajtur në gazetën “Drita”, bile japin edhe datën që rezulton që atë datë nuk dilte gazeta. Është shkruar që e tha në mitingun, që u organizua nga Rregjimi në Sheshin “Skënderbej”, por ku Kadare nuk ka qenë fare, ç’ka vërtetohet nga fotografia e botuar në revstën “Ylli” që doli atë muaj. Nëse e doni mund t’ua dërgoj.
Pra, edhe kjo është s’është e vërtetë.

E kuptoj se gjithë mllefi yt është ndaj Kadaresë. Të vret sytë fama e vlerësimi që ai ka marrë kudo në botë. Duhet të mësohesh e të mos bëhesh personazh qesharak duke shkruajtur broçkulla e të pavërteta. Një shprehje si përshëndetje, që nuk e meriton, sa poshtë paska rënë katundi!

Kisha edhe shumë të tjera për të thënë, por nuk ia vlen e debatoj për gjëra që ti i shikon me syze të errëta.

Të më falë lexuesi për citimet e marra nga shkrimi i Zotit Bahtir Hamza, për të kuptuar se sa keq e shkruan gjuhën shqipe dhe sa shumw e fyen atë.

Sqarim: takimi Thaçi Kadare është bërë në Paris në shtëpinë e Kadaresë. Thaçin e çoi aty me makinë ambasadoriLuan Rama, si ndërmjet i takimit.

Agim Janina
Studiues Arti


Ndiqni prononcimin e Qoses dhe Kadaresë për këtë rast me video në Facebook:
https://www.facebook.com/641085802627403/videos/739669106855579/

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.