S h ë n i m: Marrë nga fb i Çelo Hoxhës.
Rreth librit të zotit Enver Lepenica me të njëjtin titull
Nga Dr. Çelo Hoxha
Drejtor i Institutit të Studimeve për krimet dhe Pasojat e Komunizmit
Në kolanën e librave të botuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit gjatë vitit 2024, përfshihet edhe libri i studjuesit Enver Lepenica “Uan Filipi politikan dhe luftëtar i çështjes kombëtare”.
Autori i librit shkruan në parathënien e këtij libri: “Emri i patriotit të shquar Uan Filipi (Mbrostar Fier 1901 – pushkatuar në Tiranë 1948), politikanit atdhetar dhe luftëtarit deri në frymën e fundit i çështjes kombëtare ishte bërë shumë i dashur për mua, pasi e kisha dëgjuar për herë të parë në familjen time, në fshatin tim dhe në krahinën time, por kur fillova të hulumtoj në fushën e historisë jo vetëm që mu rrit vlerësimi për të por ndjeva detyrën të shkruaja për veprën e tij patriotike, për jetën që ia kishte kushtuar popullit të tij.
Uani u diplomua në Itali për mjeksi. Hyri shpejt në lëvizjen patriotike fillimisht në grupet komuniste, mori pjesë në kryngritjen e Fierit dhe u denua me vdekje. Ishte ideolog dhe udheheqës i Ballit Kombëtar dhe Luftës Antifashiste me veprimtari kryesisht në Vlorë, në krah të Dr. Skënder Muços e Hysni Lepenicës.
Kujtimet e të afërmve të mi por edhe të fshatarëve të mi që e kishin njohur Uanin, në vendlindjen time Lepenicë dhe në qarkun e Vlorës gjatë Luftës Antifashiste përsëriteshin e ripërsëriteshin në kujtesën time.
Një vend të veçantë në nxitjen për të shkruar këtë libër pati edhe çifti bukur vlonjat Pandeli dhe Tefta Mërkuri – Janina. Pandeli Mërkuri ishte nipi i Uan Filipit, pasi babi tij, Koli ishte kushëri i parë i Uan Filipit.
Sidoqoftë në këtë libër jam munduar të paraqes jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Uan Filipit patrioti që e lidhi fatin e tij me fatin e atdheut dhe që punoi e luftoi për lirinë dhe përparimin e vendit të tij, me guxim e trimëri, pa u dorëzuar nga burgimet dhe dënimet me vdekje, pa u tërhequr, duke lënë shembullin e një luftëtari demokrat revolucionar, luftëtari antifashist dhe antikomunist.
Komunistët terroristë e torturuan dhe e pushkatuan pa pasur prova dhe fakte juridike dhe më pas u munduan të mbulonin kujtimin e tij me heshtje, por nuk ia arritën qëllimit mizor të tyre. Veprimtaria e Uan Filipit ishte shkruar në historinë dhe ndërgjegjen e popullit të tij”.
* * *
Me shumë interes në këtë libër paraqet edhe hetimi, torturat çnjerzore mesjetare dhe gjykimi dhe dënimi i ashtuquajturve grupi i dytë i deputetëve, në të cilin u përfshi pa lidhje edhe Uan Filipi. Ky grup, sikundër u deklarua gjatë gjyqit dhe ankesave që bënë të dënuarit, ishte një grup i krijuar nga Sigurimi i Shtetit dhe shumë prej tyre e njohën njeri tjetrin në sallën e gjyqit.
Autori Lepenica na thotë se ky gjyq ishte një komedi me përfundime tragjike.
U dënuan 7 vetë me vdekje dhe u pushkatuan: deputeti Riza Dani 63 vjeç, deputeti Faik Shehu 48 vjeç, deputeti Islam Radovicka 49 vjeç, tregtari Syrja Selfo 35 vjeç, mjeku Uan Filipi 47 vjeç, juristi Hilmi Hysi 35 vjeç, komunisti revolucionar Hasan Reçi.
Këta ishin 7 të dënuarit me vdekje, por në të dënuarit me vdekje duhen shtuar edhe ata që vdiqën nën torturat çnjerzore mesjetare: Paulin Pali, Myzafer Pipa, Ferit Hysenbegasi, Demir Kallarati, Mestan Ujaniku, Hivzi Kokalari etj.
U dënuan me burgim të përjetshëm 6 vetë: Deputeti Kostandin Boshnjaku pjesmarrës në revolucionin e tetorit 1917 në Rusi, n/kolonel Mestan Musabelliu, kapiten Demir Kallarati, mjeku Isuf Hysenbegasi, mësuesi Nexhmi Ballka, juristi Hivzi Kokalari.
U dënuan me 20 vjet burg: deputeti Arif Gjyli, inxhinjer Adem Beli, fetar Ibrahim Hasa, ekonomist Bexhet Shehu.
U dënuan me 15 vjet burg: kapiten Halit Gjolena, kapiten Kamber Backa.
Autori i librit përshkruan aktivitetin e të gjithë të dënuarve. Të gjithë ata ishin pjesmarrës aktiv në Luftën Antifashiste të rreshtuar në Frontin Nacionalçlirimtar që udhëhiqej nga Partia Komuniste. Në saje të meritave të luftës pas çlirimit ishin në detyra të larta shtetërore ushtarake dhe civile.
Kështu që libri nuk paraqet vetëm verimtarinë atdhetare të Uan Filipit, por duke përshkruar dënimin e grupit dytë të deputetëve bëhet pjesë e historisë së Luftës Antifashiste dhe të diktaturës komuniste, i mbështetur në dokumente të shumta arkivore.
* * *
Promovimi do të bëhet më 21 shkurt, në “Ditët e Kujtesës”, Tirana Internacional Hotel, salla Abret, ku çdo libër do të prezantohet nga vetë autorët.