BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha & Prof. Dr. Tefik Basha
Ne ende ishim nën qiellin italian, por momentet po kalonin si një ditë që zbutet ngadalë në horizontin e largët. Arta, e ndjeshme ndaj ndarjes që po afrohej si një hije e gjatë, me gjithë dashurinë dhe kujdesin e saj, ndihmonte në përgatitjen tonë për këtë pjesë të fundit të udhëtimit. Ndërsa ne mbyllnim valixhet dhe kontrollonim detajet, syri i saj ndrinte nga ndjenja e shqetësimit për rrugën, duke u angazhuar me gjithë përkushtimin në navigator, si për të tërhequr një hartë të sigurt dhe të qetë nga labirinti i mundshëm i problemeve.
E shihja se brenda saj, shqetësimi ndriçonte si një ngjyrë e errët, por e sigurt dhe e qetë, i thashë se do të vozisnim me kujdes dhe se çdo pengesë do të kalonte pa lënë ndonjë shenjë të dukshme. Me ngadalësi, e pashë se e gjetëm qetësinë, dhe premtova se për çdo ndryshim do ta lajmëroja me përpikëri dhe saktësi.
Por, më e vështira nga të gjitha ishte ndarja me fëmijët. Si të ndaheshim nga ata me të cilët çdo ditë ndanim momente të lumtura? Çdo ditë në plazh, në lojëra pafund, me zëra të gëzuar dhe përqafime të ngrohta, kishim nisur të ndjenim si tonën atë lumturi fëmijërore. Thonë se me kë rri, ashtu bëhesh, dhe ne kishim filluar të bëheshim si ata, plot hare dhe shpirt të lirë. Një buzëqeshje e heshtur shoqëronte mendimin se edhe vese të vogla fëmijërore na kishin kapluar, por ishte e pamundur t’i rezistonim asaj lumturie të pastër.
Arta, me dashurinë e saj, na kishte rezervuar një hotel pranë Vatikanit, ashtu që të mos sorollateshim në rrugët e ngatërruara të Romës. Por, rruga drejt Romës ishte e gjatë, dhe e dinim që duhej të niseshim herët. Pas mëngjesit, përshëndetjet ishin të ëmbla dhe të hidhura. Me Artën u përqafuam me mendjen se do të shihemi sërish, por me fëmijët ishte më ndryshe. Ata, me shpirtin e tyre të bardhë, nuk donin të ndaheshin nga ne. Dhe ne, me një trik të lehtë, i bindëm se largimi nuk ishte aq i vështirë. Por zemrat tona mbetën me ta, si hije që ndjekin çdo hap tonin në largësi.
Ne nuk e donim ndarjen, ajo na lëndonte thellë, dhe çdo largim prej tyre e ndienim si një dhimbje që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Gjatë gjithë udhëtimit, bisedat tona ishin të mbushura me kujtime për ta, për shëtitjet e tyre në qytet, për lojërat në shesh dhe për ato momente të çmuara në plazhe, kur çdo valë deti dukej si një përqafim i tyre. Ata ishin eliksiri ynë, burimi i gëzimit dhe shpresës. Të dashur, të urtë dhe plot hare, çdo mëngjes na zgjonin me duart e tyre të buta, duke mbushur apartamentin me dashuri dhe jetë. Dhe kështu, gjatë tërë rrugës, ndjenim mungesën e tyre si një zbrazëti që nuk mbushej kurrë.
Pa u ndier, kilometrat rrëshqisnin lehtë nën rrotat e veturës sonë, ndërsa sytë tanë soditnin bukuritë italiane që na linin pa fjalë. Ishte fundi i korrikut, dhe fushat e arta të grurit që po korrnin, bashkë me paketimin e kashtës në balesh të rregullta, krijonin një pamje që tek ne nuk ishim mësuar ta shihnim. Mrekullia e thjeshtësisë së tyre na mbushte me habi. Më pas, kaluam përmes kodrave të mbuluara me vreshta, të cilat shtriheshin si një qilim i gjelbër në horizont, dhe çdo kthesë e rrugës zbulonte një tjetër peizazh që na linte pa fjalë.
Rrugët tona përshkonin ura që dukeshin të pafundme, duke shkuar distancat me një elegancë të rrallë. Ndërsa kalonin orët – pesë, gjashtë – para syve tanë nisi të shfaqej Roma madhështore, si një pamje që zbulonte ngadalë të gjithë bukurinë e saj. U rehatuam për një moment në veturë për të pushuar pas rrugës së gjatë. Nxora kafen e ngrohtë nga termosi dhe, ndërsa e shijonim, ndiheshim gati për të hyrë në të panjohurën që na priste përpara. Tefiku, që kishte vizituar Romën edhe më parë, ishte i qetë, por për mua, kjo ishte hera e parë dhe çdo gjë ishte një befasi e ëmbël.
Qyteti gumëzhinte nga zhurmat e jetës dhe turistëve të shumtë. Navigatori na udhëhiqte nëpër rrugët e ngatërruara të Romës, por herë pas here, fillova të dyshoja në të. A do të na çonte në vendin e duhur? Por për çudi, pas një ore, ai na drejtoi para një ndërtese dhe ngriti flamurin, duke treguar se kishim mbërritur. Shikuam njëri-tjetrin me habi, dhe unë i thash Tefikut: “E sheh, kemi mbërritur në hotel!” Ai më pa me mosbesim, sikur nuk e besonte që vërtet ishim në destinacion.
Dolëm nga vetura dhe aty përballë nesh ndodhej hoteli – një hotel i vogël, por i ngrohtë, i pastër dhe plot qetësi. Ndjehej një mikpritje e veçantë, e cila na bëri të ndiheshim menjëherë rehat. Dhe më vonë, kuptuam se ishim fare pranë Vatikanit. Vendosëm gjërat shpejt në hotel, pa shumë procedura, dhe përqafuam ndjenjën e kënaqësisë që na ofroi ai vend i thjeshtë, por i mbushur me ngrohtësi dhe mikpritje të sinqertë.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Sheshi i Shën Pjetrit, Vatikan, 2015
Nxitonim të largoheshim nga hoteli, të kapnim edhe diçka nga dita që po perëndonte. Me rrobat e lehta të mbrëmjes, dolëm në rrugët e Romës, në kërkim të një vendi për të ngrënë dhe për të vazhduar shëtitjet tona të gjata, të ngjashme me një maratonë pa fund. Roma, ky qytet madhështor, ofronte pafundësi mundësish për të eksploruar. Çdo kthesë, çdo rrugë e ngushtë, na dhuronte pamje të reja – atraksione turistike që dukeshin si të pavdekshme, të ngrira në kohë, dhe secila dukej se meritonte të fotografohej, të përjetësohej.
S’kishim durim të prisnim më gjatë. Zemrat tona rrihnin nga dëshira për të parë Vatikanin, atë qytet-shtet të shenjtë që shtrihej pikërisht në zemrën e Romës. Ishim përgatitur mirë për këtë vizitë. Kisha shënuar me kujdes të gjitha vendet që do të vizitonim në një bllok shënimesh. Tani, ndërsa i kalonim një e nga një, i shlyeja me kënaqësi, si të ishin ëndrra që bëheshin realitet.
Kisha lexuar për Vatikanin në Wikipedia dhe e dija mirë historinë e tij, por tani isha gati ta përjetoja me sytë e mi. Vatikani, i njohur zyrtarisht si Shteti i Qytetit të Vatikanit, kjo enklavë sovrane brenda veri-perëndimit të Romës, një vend i vogël në dukje, por i madh në peshën e tij historike dhe shpirtërore. Kjo tokë e veçantë fitoi pavarësinë nga Italia në vitin 1929, me Traktatin e Lateranit, dhe tani mbante statusin e një entiteti sovran, një simbol i fuqisë shpirtërore dhe diplomatike të Selisë së Shenjtë. Me një sipërfaqe prej vetëm 0,44 km² dhe një popullsi prej rreth 453 banorësh, ky vend mbante një rëndësi të jashtëzakonshme.
Ndërsa mendonim për gjithë këtë histori, Roma dhe Vatikani para nesh, ndjenim që çdo hap që bënim, ishte një lidhje e ngushtë me shekuj të tërë historish dhe përvojash që na thërrisnin të ndaleshim, të përjetonim, dhe të përfshihemi në madhështinë e tyre.
Papa, ai qëndron si prijësi i vetëm në këtë tokë të shenjtë, duke mbajtur të gjithë pushtetet – legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, në një simbiozë të rrallë të autoritetit shpirtëror dhe tokësor. Në duart e tij janë përqendruar funksionet e larta, ndërsa klerikët e devotshëm të Kishës Katolike, nga të gjitha anët e botës, i japin jetë dhe vazhdimësi këtij shteti të përjetshëm. Që pas periudhës së papatit të Avinjonit (1309–1377), Pallati Apostolik brenda Vatikanit ka qenë shtëpia kryesore e papëve, një vend që përmbledh në vetvete misterin e shekujve dhe fuqinë e besimit.
Por s’ka qenë gjithmonë kështu, sepse ndonjëherë ata kanë qëndruar në Pallatin Kuirinal të Romës ose kanë kërkuar strehë në vende të tjera. E megjithatë, Vatikani është bërë një simbol, një metonim për vetë Selinë e Shenjtë, e cila rrezaton ndikim përtej kufijve të tij të ngushtë. Në këtë qytet të vogël, që mbart peshën e shekujve, gjenden thesare të pashembullta fetare dhe kulturore: Bazilika e Shën Pjetrit, kishëza Sistine e Michelangelos dhe Muzeumet e Vatikanit, ku ndodhen disa nga veprat më të njohura në botë – piktura e skulptura që kanë shënjuar përjetësinë.
Si çdo gjë tjetër në Vatikan, edhe ekonomia është unike. Mbështetet në donacionet e besimtarëve, në shitjet e pullave postare e suvenireve, në tarifat e hyrjes në muzetë e tij dhe shitjet e botimeve të shenjta. Në këtë tokë të bekuar, taksat nuk ekzistojnë dhe artikujt janë të liruar nga dogana, si një përjetësim i shenjtërisë dhe pavdekësisë së vendit.
Ne ecnim me hapa të ngadaltë në rrugën që na shpinte drejt oborrit të madh të Vatikanit, e ndërsa afroheshim, zhurma e turistëve e gjallonte atmosferën, duke treguar se po i afrohemi destinacionit tonë. Më në fund, ja ku u gjendëm përballë kësaj ndërtesë të shenjtë, dhe një ndjenjë respekti na përshkoi teksa i përshëndetëm me zemër, të heshtur, muret e saj. Ecëm drejt hyrjes, por në vete ndjenim një farë frike e droje, se mendonim që do të duhej të ndaleshim diku, të tregoheshim apo të jepnim ndonjë dokument identifikimi. Por asgjë e tillë nuk ndodhi. Turmat e turistëve hynin dhe dilnin lirshëm, si valët e një deti të pafund, pa asnjë ndalim.
Dhe ashtu, me një ndjenjë shkujdesjeje të çuditshme, u ndodhëm në mes të oborrit të Vatikanit. Nata kishte rënë mbi qytet, dhe ne, të shlodhur e të qetë, u ulëm në shkallët që rrethojnë këtë hapësirë të shenjtë. Përballë nesh qëndronte madhështia e Vatikanit, e mbushur me një histori që përjetëson shpirtin e njerëzimit, dhe ne ishim aty, dëshmitarë të përulësisë dhe madhështisë së saj.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Bazilika e Shën Pjetrit, Vatikan, 2015
Qëndruam gjatë në oborrin e Vatikanit, duke soditur hijeshinë e tij të amshuar. Kudo rreth nesh, bota rridhte e qetë, me turistë që mbushnin shkallët e rrethuara me zhurmën e ujit të fontanës, duke biseduar pa u lodhur, të zhytur në përjetimet e veta, sikur koha të mos kishte fare rëndësi. Vatikani kurrë s’mund të ishte i vetëm, as ditën, as natën. Në çdo moment, frymonte nga njerëzit që, si ne, kërkonin të preknin historinë dhe përjetësinë e tij.
Shëtitëm rreth e qark, humbur në rrugët e ngushta përreth, derisa më në fund u ndodhëm në hotel, të lodhur nga dita e gjatë dhe e mbushur me emocione. Por një natë pushimi e plotë ishte ajo që na nevojitej për të rifituar energjinë. Dhe ashtu, me një vendosmëri të re, të nesërmen vendosëm të eksploronim Romën, këtë qytet të lashtë, por kësaj here me një lehtësi të re – autobusin Hop-On Hop-Off, që na premtonte një aventurë të thjeshtë, me komentet e tij audio në tetë gjuhë botërore.
Në itenerarin tonë, atraksioni më i rëndësishëm dhe i cili ishte shkas që e kishim vizitua Romën, ishte pikërisht Vatikani një ndër atraksionet më të rëndësishëm. Vatikani – një vend aq i vogël në sipërfaqe, por i pamat në ndikimin e tij. Qëllimi ynë në Romë ishte pikërisht ky: të shihnim Vatikanin, qytetin më të vogël dhe më të pavarur në botë. Por ne nuk e dinim se vizita jonë do të përkonte me ditën e fundit të korrikut, një e diel që bëri oborrin e Vatikanit të vogël për të mbajtur turmat e pafundme.
Oborri, shkallët dhe rrugët përreth ishin mbushur përplot me njerëz të ardhur nga të gjitha anët e botës, dhe unë, mes tyre, ndihesha e magjepsur nga ky spektakël njerëzor. Për herë të parë në jetën time, pashë një numër aq të madh të pritur për të hyrë në brendësinë e këtyre mureve të shenjta, duke vizituar Bazilikën e Shën Pjetrit, sheshin madhështor të Shën Pjetrit, dhe duke qëndruar me padurim për të parë muzetë e famshme të Vatikanit. Mes tyre, Kapela Sistinë dhe biblioteka e pasur me thesare të pamatshme – ishin si margaritarë të historisë që prisnin të ndriçonin shpirtin e çdo vizitori.
Vatikani nuk është thjesht një vend, ai është zemra e Kishës Katolike, një qendër e besimit dhe fuqisë, ku Papa, monarku i vetëm absolut në Evropë, ushtron pushtet të plotë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Nga kjo qendër e shenjtë udhëhiqet një komunitet global, dhe rëndësia e tij shpirtërore mbërrin deri në cepat më të largët të botës.
Bazilika e Shën Pjetrit, epiqendra e kësaj fuqie shpirtërore, është jo vetëm një nga vendet më të shenjta të krishterimit, por edhe një monument arkitekturor që mahnit me përmasat e tij. Në sheshin që mban të njëjtin emër, kjo bazilikë e ndërtuar me artin e Bramantes, Berninit dhe Michelangelos, mban brenda varrin e Shën Pjetrit, një dëshmi e përjetësisë dhe besimit të thellë që e përshkon.
Muzetë e Vatikanit janë një botë më vete. Me më shumë se 1400 dhoma, ata përbëjnë një thesar të artit që i ka rezistuar shekujve. Aty ku secila vepër flet me gjuhën e përjetësisë, me mbi 6 milionë vizitorë në vit, këto muze janë ndër më të vizituarit në botë. Kompleksi përfshin Muzeun Egjiptian, Etrusk dhe Etnologjik, si dhe xhevahirin e tij, Kapelën Sistine, ku qielli dhe toka duket se takohen përmes dritës dhe ngjyrave të Michelangelos.
Para Bazilikës madhështore të Shën Pjetrit, shtrihet sheshi i famshëm oval, Piazza San Pietro, një hapësirë e gjerë dhe plot madhështi që mban vulën e Berninit, arkitektit të lavdishëm që i dha formë kësaj mrekullie. Në zemër të këtij sheshi ngrihet krenarisht një obelisk i lashtë nga Heliopolisi i Egjiptit, të cilin Kaligula, perandori romak, e solli në Romë në vitin 37. Ky obelisk, dëshmitar i shekujve të shkuar, qëndron aty nga shekulli i 16-të, i rrethuar nga dy burime të kristalta që freskojnë sheshin. Kolonada madhështore me kolona dorike rrethojn sheshin, mbi të cilat 140 statuja të shenjtorëve ruajnë me qetësi këtë vend të shenjtë.
Në Kapelën Sistine, afresket e Michelangelos rrëfejnë historitë e përjetshme të krijimit dhe gjykimit. Kryeveprat e tij, “Krijimi i Adamit” dhe “Gjykimi i Fundit”, i japin jetë tavanit të kapelës që mbart emrin e Papa Sixtus IV, i cili e rindërtoi këtë mrekulli të lashtë midis viteve 1477-1480. Tavani u transformua nga peneli i Michelangelos midis viteve 1508 dhe 1512, duke bërë që qielli dhe toka të takohen në këtë kryevepër të papërsëritshme.
Mu para Sheshit Shën Pjetri na priste autobusi e që ishte tepër i përshtatshëm si për ne edhe për çdo turist, duke ofruar një udhëtim të qetë dhe informues nëpër vendet më të njohura të Romës. Bileta, e arritshme për çdo xhep, ishte e vlefshme për 24 ose 48 orë, dhe ne ishim të lirë të zbrisnim në çdo pikë që tërhiqte vëmendjen tonë, për të eksploruar atë vend dhe pastaj të kapnim autobusin e radhës, po ashtu Hop-On Hop-Off, kur të donim të vazhdonim udhëtimin, pa pasur nevojë që të paguanim sërish.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Koloseumi, Romë, 2015
Kështu, pasi u rehatuam në sediljet tona, filloi udhëtimi ynë nëpër zemrën e Romës. Përmes kufjeve që ndodheshin në autobus, dëgjuam një zë të butë që na shpjegonte çdo vend që kalonim. Çdo rrugë kishte një histori, çdo ndërtesë një rëndësi të veçantë, dhe ne, të zhytur në atë univers fjalësh dhe pamjesh, mësuam për lashtësinë dhe madhështinë e këtij qyteti. Në çdo ndalesë, Roma na fliste, dhe ne dëgjonim me gjithë shpirt.
Autobusi na priti përpara hotelit, gati për të na çuar drejt një prej monumenteve më madhështore të Romës, Koloseumit. Shpesh thonë me të drejtë, se nëse nuk e ke parë Koloseumin, nuk e ke parë Romën. Dhe vërtet, nga larg ai dukej si një gjigant krenar, i palëkundur përballë shekujve që kishin kaluar mbi të. Kur autobusi ndaloi, turma u ngrit në nxitim për të blerë biletat, të etur për të hyrë brenda në atë monument të përjetësisë. Koloseumi i priste vizitorët e tij nga çdo cep i botës, pa asnjë ngurrim, duke hapur dyert e historisë për secilin.
Ky amfiteatër legjendar, simbol i famës së Romës, tërhoqi më shumë se 4 milionë turistë në vit, sipas një guide që lexuam. Emri i tij buron nga statuja kolosale e perandorit Neron, që dikur qëndronte përpara tij. Një strukturë monumentale, ai kishte kapacitetin për 50,000 njerëz të ulur dhe 10,000 të tjerë në këmbë. Me formën e tij eliptike, që arrinte 189 metra në gjatësi dhe 156 metra në gjerësi, ai mbulonte një sipërfaqe prej 24,000 metra katrorë, me një lartësi që sfidonte qiellin, mbi 48 metra. Ndërtimi i tij kishte zgjatur pesë vite, nga 75 deri më 80 pas Krishtit, dhe që atëherë mbeti dëshmitar i betejave të lavdishme të gladiatorëve dhe shfaqjeve mahnitëse që përfshinin edhe beteja detare të improvizuara brenda arenës, të mbushura me ujë për anijet e vërteta.
Sabile Keçmezi-Basha, Sheshi Shën Pjetri dhe Kolonadat,
mbi të cilat qëndrojnë 140 statuja të shenjtorëve, Vatikan, 2015
Ndërsa prisnim në radhën e gjatë për të blerë biletat, nën pjekjen e diellit, u përballëm me turmën e ethshme, e cila shtyhej për të hyrë sa më parë dhe për të vazhduar drejt vendeve të tjera turistike. Vapa ishte djegëse, por edhe ne, si të gjithë të tjerët, ndjenim presionin për të shfrytëzuar çdo minutë, për të parë sa më shumë nga mrekullitë e këtij qyteti që kurrë nuk resht së befasuari. Koloseumi qëndronte aty, si një kujtesë e përjetshme e historisë, ndërsa ne, të humbur në përjetimet e tij, ndiheshim pjesë e asaj epoke të lashtë që ende ndihej në çdo gur të tij.
Legjenda thotë se Koloseumi dikur ishte një tempull pagan, një vend ku djalli ishte adhurimi i fshehtë i lashtësisë. Por perandorët romakë e shndërruan atë në një arenë të madhështisë, ku përmes lojërave të përgjakshme dhe betejave të pamëshirshme, ata promovuan politikën e tyre. Hyrja në këto spektakle madhore ishte falas për të gjithë qytetarët romakë, si një dhuratë nga perandoria, për të forcuar lidhjet e popullit me udhëheqësit e tyre.
Nga përvoja ime, mund të them me bindje se Roma kërkon një organizim të kujdesshëm për ta shijuar plotësisht. Një udhëzues që të të tregojë çdo kthesë dhe çdo gur me rëndësi do të ishte aleati më i mirë në këtë qytet të lashtë. Një vizitë e paorganizuar, veçanërisht në ditët e mbushura plot me turistë, si të dielën, mund të të lërë të zhgënjyer nga numri i madh i njerëzve që i pushtojnë monumentet. Për fat të keq, të gjithë shfrytëzojnë fundjavat, dhe ajo ndjenjë intime e kontaktit me historinë humbet në zhurmë e ngarkesë.
Pas vizitës së Koloseumit, nxituam të kapnim përsëri autobusin, që na shpinte drejt Forumit Romak. Kjo hapësirë e shenjtë dhe madhështore ishte dikur qendra e jetës politike, kulturore dhe fetare e Romës së lashtë. Në çdo gur e rrënojë qëndronte një copëz nga fuqia e qytetërimit romak, e përjetësuar nëpër shekuj. Edhe pse koha ka lënë gjurmë të thella, disa tempuj ende qëndrojnë krenarë për të na kujtuar madhështinë e dikurshme.
Po aty ndodhen dhe tri harqe triumfale që kanë përjetësuar fitoret e perandorëve romakë – Augustus, Titus dhe Septimius Severus – duke i mbajtur përjetësisht në kujtesën e historisë. Rrënjat e Romës qëndrojnë të fuqishme dhe, mes gurëve të rrënuar, ndjen thellë frymën e një perandorie që dikur sundoi botën.
Gjithkund në botë Panteonët, qëndrojnë si monumente madhështore të njerëzimit, kryevepra arkitekturore që përtej kohës sfidojnë fuqinë e natyrës dhe të njeriut. Dhe Panteoni i Romës është ndër më të lartësuarit. E pabesueshme që, edhe pas 2000 vjetësh, mbetet i paprekur nga tërmetet, plaçkitjet dhe luftërat që kanë rrethuar historinë e tij.
Ndërtuar rreth vitit 125, gjatë mbretërimit të Hadrianit, ky tempull madhështor i dymbëdhjetë perëndive romake qëndron në vendin e një tempulli të mëparshëm nga viti 27 para Krishtit. Sot, megjithatë, ai është shndërruar në një kishë të krishterë, duke ruajtur brenda vetes një histori që bashkon botën e lashtë me atë të re.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, monumnent për Viktor Emanuelin e Savoit II,
Romë, 2015
Duke u larguar nga Vatikani, dhe duke vizituar pa fund atraksione të rëndësishme turistike, një tjetër mrekulli e Romës qëndron me krenari – Shatërvani i madh Trevi. Ndërtuar në shekullin e 18-të, ky monument barok i projektuar nga Niccolò Salvi është një skulpturë e madhe dhe e pasur, e mbushur me dekorime mahnitëse. Me dimensione mbresëlënëse, 26 metra i lartë dhe 49 metra i gjerë, Trevi përfaqëson fuqinë e Neptunit, zotin e detit, rrethuar nga tritonet që mbajnë qetësinë e valëve. Ky shatërvan nuk është vetëm një vepër arti, por edhe një vend i magjisë ku rreth 3000 euro hidhen çdo ditë nga turistët me dëshira për kthim në Romë.
Këto monedha, të mbledhura nga zemrat që shpresojnë, përdoren për qëllime humanitare, duke i dhënë këtij monumenti një tjetër dimension – jo vetëm një vend i bukur, por edhe një burim shprese për ata që kanë nevojë.
Ne përpiqeshim të kapnim çdo fjalë të ciceronit që na e përcillte udhëtimin përmes dëgjuesve në vesh, ndërsa syri ynë endej nëpër këto mrekulli të gjalla. Autobusi përparonte ngadalë, dhe përmes dritareve shihnim shkallët e shumta që përshkonin qytetin si një zbulues poetik. Nëpërmjet fjalëve të ciceronit të padukshëm, mësuam se këto ishin Shkallët Spanjolle, që lidhin Sheshin Spanjoll me Kishën Trinita dei Monti. Eleganca e ndritshme dhe dizajni unik i këtyre shkallëve barok i kishin kthyer ato në një vend të shenjtë për grumbullimin e njerëzve. Gjatë gjithë vitit, Shkallët Spanjolle ishin të mbushura me vizitorë nga e gjithë bota, të cilët vinin për të admiruar këtë strukturë të mrekullueshme.
Në fund të këtyre shkallëve qëndronte një shatërvan barok i Berninit, një krijim i mbushur me elegancë dhe histori, që kishte formën e një varke. Ky shatërvan ishte frymëzuar nga legjenda e një varke peshkimi që ishte zhdukur në përmbytjen e lumit Tiber në shekullin e 16-të. Në vitin 2014, këto shkallë ishin shpallur si atraksioni më i fotografuar në Itali, dhe vetëm dy vjet më vonë ishin restauruar me kujdes nga prodhuesi i bizhuterive luksoze “Bulgari”.
Autobusi lëvizte me ngadalësi, për të siguruar që asgjë të mos na shpëtonte nga vrojtimi ynë i hollë. Kur autobusi ndaloi, dëgjuam nëpër dëgjues se ishim në Sheshin Navona, një vend që na magjepsi me gjallërinë e tij dhe fluksin e turistëve që gëzonin pamjet e artistëve dhe karikaturistëve që sillnin ngjyra në këtë shesh. Kafe dhe bare të shumta, të mbushura me jetë, na ftonin për të ndaluar dhe për të pirë një kafe, por vendet ishin të mbushura deri në karrikën e fundit.
Sabile Keçmezi-Basha, Pamje në Sheshin e Shën Pjetrit dhe bazilikës Shën Pjetrit,
Vatikan, 2015
Ky shesh elegant dhe i zgjatur dominohej nga Shatërvani i Katër Lumenjve, i ngritur në vitin 1651, dhe një krijim i skulptorit dhe arkitektit të famshëm Bernini. Në qendër të shatërvanit qëndronte një obelisk i zbukuruar me stemën papale dhe një pëllumb me një degë ulliri, ndërsa katër gjigantët që rrethonin shatërvanin përfaqësonin lumenjtë Gange, Danub, Nil dhe Rio de la Plata. Përballë këtij shatërvani, Kisha e Shën Agnesës së Agone, e realizuar sipas projektit të Borrominit, ngrihej me një shkëlqim të veçantë.
Në Sheshin Navona, dy shatërvanë të mëdhenj ngrihen si testamente të mjeshtërive të lashta: në jug, Fontana del Moro, e ndërtuar në vitin 1575, dhe në veri, shatërvani i Neptunit nga viti 1574. Ky shesh, njëherësh, është ndërtuar mbi stadiumin e Domitianit nga viti 86, i cili ishte i pari sportiv në Romë dhe ndihmoi në formimin e sheshit siç e njohim sot.
Për më shumë, Sheshi i Luleve (Campo de’ Fiori) është një vend me një histori të veçantë dhe të ndërlikuar. Ky shesh, që dikur ishte një livadh i thjeshtë dhe mori emrin e tij në mesjetë, ka filluar të zhvillohet në shekullin e 15-të. Në një ndryshim të rëndësishëm, ky është një nga sheshet e pakta që nuk ka një kishë përreth.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, monumnent për Viktor Emanuelin e Savoit II,
Romë, 2015
Ky shesh, njëherë, shërbente si skenë për ekzekutime dhe fshikullime nga Kisha Katolike. Një ngjarje tragjike kishte ndodhur më 17 shkurt 1600, kur filozofi dhe astronomi Giordano Bruno u dogj i gjallë nga Inkuizicioni në këtë shesh. Bruno kishte pranuar sistemin heliocentrik të Kopernikut dhe e kishte parë universin si të pafund, një këndvështrim që kundërshtonte besimet e kohës. Që nga viti 1888, një monument madhështor që nderon këtë shkencëtar të madh dominon qendrën e sheshit, ku ai qëndron me dinjitet përballë drejtpeshimeve të Vatikanit.
Autobusi i lodhur, i mbushur me ngarkesën e eksplorimeve dhe ëndrrave, më në fund ndaloi në Sheshin e Popullit (Piazza del Popolo), një hapësirë e madhe dhe madhështore në Romë, që shërben si një nga kryeqendrat më të rëndësishme të qytetit. Ky shesh, i cili ndodhet në rrugën e lashtë që lidh veriun me Romën (Via Flaminia), është kyç për historinë e qytetit, duke u përdorur ndonjëherë për ekzekutime publike, me të fundit që ndodhi në vitin 1826. Në periudhën nga 1811 deri në 1822, sheshi mori pamjen e tij neoklasike të jashtëzakonshme që sot njohim.
Në këtë shesh, tre kishat e bukura përbëjnë një rrethim të shenjtë. Bazilika e Santa Maria del Popolo është ndërtuar mbi varrin e perandorit Neron, ndërsa në dy anët tjera qëndrojnë kishat binjake, Santa Maria në Montesanto dhe Santa Maria dei Miracoli, si dy roje të shenjtë që ruajnë atmosferën e sheshit.
Në qendër të këtij sheshi, një obelisk egjiptian i sjellë nga Heliopolis, me faqet e tij të gdhendura gjatë mbretërimeve të Seti I dhe Ramesses II, qëndron i fiksuar. I sjellë në Romë në vitin 10 para Krishtit, ky obelisk u vendos në vendin e tij aktual në shekullin e 16-të, duke i dhënë sheshit një ndjesi të lashtë dhe të mistershme.
Një ndër momentet më të bukura të kësaj shëtitjeje ishte vizita në kuvertën e vëzhgimit Pinićo (Terazza del Pincio), që ofron një pamje magjepsëse të Romës. Nga aty, qyteti u shfaq si një peizazh tërheqës, i mbushur me drita që shkëlqenin në mbrëmje, duke krijuar një atmosferë që do të mbetet e gjallë në kujtesën tonë për shumë kohë.
Të nesërmen, kur dielli shpërtheu mbi horizont në mëngjes, ne mblodhëm sendet tona dhe u nisëm për rrugën e gjatë që na priste, duke ndarë biseda dhe diskutime mbi gjithçka që kishim parë dhe për atë që mund të kishim eksploruar më shumë.
Ne ndjekim sërish atë rrugë, të cilën dy javë më parë e kishim kaluar së bashku me Arten, Gertin dhe Darsin në një festë gëzimi. Tani, udhëtonim në heshtje, vozitja jonë ishte një simfoni e kujtimeve dhe nostalgjisë. Herë pas here, shpërthenim në biseda për ta, dhe çdo fjalë e thënë ishte një shprehje e thellë e mungesës së tyre, një mall i fortë që na mbante të lidhur me ata që na ishin aq të dashur.
Nga kjo që lexojmë shihet se fund e krye e kishit shëtitur botën. Në kushtet e Kosovës, një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Andaj, me të drejtë shtrohet pyetja me çfarë fondesh i keni bërë gjithë këto vizita.