MUZG VEROR

0
74
Mehmetali Rexhepi

Meti REXHEPI

Sendeve pemëve lisave kodrave kulmeve ngrehinave
si shenj lamtumire dita i zgjati të përhiturat
hiperbola fanitej si përmasë hijesh
ndoshta ishte e dëftuara e fundit e një ndodhie
t`i linte shenjat e rënies së dhimbshme
ca trajta të brishta të rrëshqitjes pjerrtësive
shtrirje të shpifura gjymtyrësh të natyrës
sepse çdo gjësend që u rrotullua mbeti në vend
përveç kohës që nuk frenohet me asnjë send
andaj trashej mbulesa e zijoshes
që ia qepte nata rivales së saj të verdhë
asaj të shtjelle njerëzit i hapnin vrima me llamba
krejt para se të na vishej futë
dhe t`i lëshonte perdet e errëta syve ujë i butë
dita dëftonte për ne ndonjë aset të bardhë
vashën që i ndërronte të brendshmet radhë-radhë
nëse nuk i pa të gjitha
e kishte fanitur shqisa
dhe ajo të lëbyrka
por peneli i dritës i tërheq vijat
si nuk e pe kur e dëboi një ujëvarë
të la në dorë kapistallin e mendjes sikurse kalit
të kulloste në aromën e djeshme të barit
lëbyrja e bardhë verbëri të afshit
terri për inat të ditës
i fshiu të gjitha nuancat pikturës
edhe një rikthim tek e djeshmja
lypje motivesh ngjyrash dhe nuancash
nata shikimet i zhytë në detin e vet
pa ujë pa valë pa dallgë pa kripë
të errëtës së saj as pështymë
nuk i mbeti për vesë
me të gjithë djajtë e fshehur në kujtesë
ajo nuk i mbante dot të pushtuar pinjojtë e dritës
anë e kënd ia shqyenin vellon e zezë yjtë
dhe me krenari vezullonin deri në burgosjen prej agmisë

Gjilan, korrik 2021

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.