( JUBILE I ARTË )
Nga: Isak AHMETI
Në 50-vjetorin e artë të meshtarisë të Dom Ndue, Dom Lush Gjergjit dhe Dom Aleksandër Kolës, mund të shkruhet, mund të flitet gjerë e gjatë; madje me ditë e javë të tëra. Këta klerikë të dëvotshëm, të përkushtuar për 50 vite, në shërbim të Kishës dhe Kombit, bashkëvendas të mi, të një gjenerate, të papërsëritshme, të artë, në shkollë dhe në studime, nesër, me 12 gusht 2023, festojnë 50 vjetorin e meshtarisë.
Veprimtaria e tyre meshtarake, misionare, brenda dhe jashtë vendit, kontributi i tyre në shumë fusha do mbesin thellë në kujtesën tonë. Me jetën dhe veprën e tyre shumë dimensionale, ata për 50 vite, përkatësisht për 150 vite, kanë dhënë një kontribut të veçantë, shumë të çmueshëm, për Kishën, për Kombin, për Atdheun. Me këta tre klerikë me lidhin shumë kujtime që nga fëmijëria e deri më sot…
Duke ju falenderuar për ftesën për të marrë pjesë në Meshën e Shenjtë të falenderimit, me rastin e 50 vjetorit tuaj jubilar, në shërbim të Zotit, grigjes tuaj, Kombit dhe Atdheut, nuk mund të mos e përmend edhe faktin e bashkëpunimit tim me ju për shumë dekada, veçanërisht me Dom Lushin dhe Dom Ndoun edhe në fushën e letrave shqipe, edhe në fushën e botimeve të librave në kuadër të revistës fetare-kulturore “DRITA”, jo vetëm për NËNËN TERZE, por edhe për shumë figura të ndritura të Kishës dhe të Kombit.
Ju për 50 vite keni kontribuar, falë edhe bashkëpunimit tim të pakursyer, me fjalë e vepra, me shkrime publicistike e me botime të veçanta, me shumë libra e vepra me vlera shpirtërore e kulturore. Prandaj ju përgëzoj publikisht, edhe me këtë rast, për veprimtarinë tuaj të begatshme gjysmëshekullore.
Falenderoj Zotin që ju kam njohur nga afër dhe që kam bashkëpunuar me dekada me ju për çka u jam mirënjohës nga zemra.