Me Beqirin njihemi që në vitet ’80 pasi kemi punuar si mësues në fillimet e punës tonë në zonë. Më pas Beqiri vazhdojë arsimin e lartë dhe pas tij edhe unë të njëtin fakultet. Atje u forcuan edhe më shumë lidhjet, më ndihmoi me libra dhe shpesh konsultohesha me të për probleme të ndryshme.
Ditën e hënë më datën 17.01.2022 pas telefonatës së bërë nga ana ime, takohemi në vendin e tij të punës. Megjithëse kishte mbaruar orari zyrtar, ai vazhdonte të punonte. Përshëndetemi dhe i tregoj qëllimin e takimit. Biseda qe e shtruar, miqësore dhe e gjatë…
Beqiri lindi në Mojsit më 13.11.1957. Ai lindi në një familje të thjeshtë por me tradita të spikatura dhe e njohur në krahinë dhe jashtë saj. Qe fëmijë i shkathët, çapkën dhe si i vetëm djalë në familje dhe disi “problematik”.
Babai i tij Sulejman Meta qe njeri i ditur, shumë human, i angazhuar me pushtetin e kohës, pati mjaft shoqëri me pushtetarët, qe mjaft i komunikueshëm, dhe gjithçka e vuri në shërbim të bashkëfshatarëve të tij… Ai ka ndihmuar dhe shpëtuar nga uria shumë familje dhe njerëz në nevojë nga e gjithë krahina, pasi ka punuar një “jetë të tërë” në depot shtetërore… Unë ruaj kujtimet më të mira prej tij.
Shkollën fillore dhe arsimin 8 vjeçar Beqiri e mbaron në fshatin e tij të lindjes me nota shumë të mira. Duke u kthyer në kohë ai kujton me nostalgji shkollën e Mojsitit, seriozitetin dhe përgatitjen e mësuesve, punën plot pasion të tyre. Këto mësues mua më ndryshuan jetën. Kujtoj me shumë mall mësuesin e klasës së parë Shaban Gjyla i cili qe i veçantë gjatë gjithë jetës për mua. Po kështu edhe mësuesja e matematikës Zhaneta e cila më bëri ta admiroj matematikën, dhe ajo e biokimisë Ballkizja ,ishin të arrira si mësuese dhe kanë lënë mbresa tek unë si nxënës”. Më tej Beqo shton: “Nga familja e madhe kisha 4 veta në shkollë të mesme ndaj mua nuk më doli e drejta e studimit. U dëshpërova maksimalisht!
Falë babait dhe miqësisë së tij me Fadil Lamin ish-Sekretar i K. P. Rajonit Nr.4, unë vajta në Shkollën Pedagogjike “17 Nëntori”, Tiranë”. Falë rezultateve në shkollë ai fitoji edhe bursë shteti. Këtu veçon profesorin e matematikës Besim Turdiu si një mësues i përkryer dhe që bënte punë jashtë programit mësimor me të. Pasi mbaron pedagogjiken me rezultate shumë të mira aplikon për arsimin e lartë. Ai kujton: “Aplikova për matematikë( dy herë) dhe inxhinjeri gjeologjike.
Nuk më doli arsimi i lartë pasi sipas tyre isha me bazë pedagogjike. Me kokën qethur për ushtar, në vitin 1976 vazhdoj punën si mësues provizor në Shkollën 8 Vjeçare Bastar i Mesëm dhe pastaj në Bastar-Murrizë në lëndën e matematikës”. Puna atje qe e bukur, u njoha me shumë shokë, si Ju, Bestarin, Cenin, Përparimin, Afërditën, Skënderin, etj”. Për ato tre vite në arsim në zonën e tij Beqiri pohon: “Ruaj kujtime shumë të bukura atje. Zona jonë është shumë arsimdashëse, me tradita, me kulturë, mikpritëse, me njerëz punëtor, me dinjitet, me shumë kuadro me arsim të lartë në profile të ndryshme. Kam ngrënë bukë atje ndaj ju jam shumë mirënjohës. E ndiej veten krenar që jam bir i asaj zone”.
Në vitin 1977 vazhdon studimet në U.T. në Fakultetin e Histori-Filologjisë dega Histori-Gjeografi. I mbaron ato me rezultate shumë të mira në vitin 1981. Duke kujtuar vitet në fakultet citon: “Fakulteti mua më hapi dyert e jetës, ruaj kujtimet më të mira si student për të, për stafin e pedagogëve me emër të madh, si: Aleks Buda, Thoma Murzaku, Todi Dhamo, Hysni Myzyri, Drita Mehmeti, Vasil Naçi, Perikli Qiriazi, Adem Mezini, Vasil Kristo, etj”.
Pas mbarimit të arsimit të lartë fillon punë në vitin 1981 si mësues histori-gjeografie përsëri në Bastar Murrizë.
Më 3 janar të vitit 1983 fillon punë në Drejtorinë e Përgjithëshme të Arkivave të Shtetit – Sektori i Botimit të Dokumentave Historikë. Këtu punoj me profesionalizëm, përkushtim dhe disiplinë të lartë. Bën botimin e parë me bashkëautor Rinush Idrizin me titull: “Lufta e fshatarësisë për tokën gjatë viteve 1925-39. Kryen detyrën e Kryetarit të Degës së Përpunimit Shkencor të dokumentave në vitet 1988-91. Në vitet 1991-93 kryen detyrën e Përgjegjësit të Sektorit të Dok.His. në I. e Historisë. Emërohet Shef i Departamentit të Historisë për periudhën moderne të Shtetit Shqiptar në vitin 1994 deri në vitin 1997. Në vitet 1997-2005 punon si studiues në D.H. së periudhës moderne, në Institutin e Historisë.
Nga viti 2005-2008 emërohet Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Nga viti 2008-2021 ka kryer detyrën e Drejtorit të Institutit të Historisë dhe Zv.Drejtorit të Q.S.Albanologjike. Duke u kthyer në kohë dhe analizuar arritjet në vite Beqiri thotë: ” Rezultatet, po ti quaj kështu, janë arritur me disiplinë në punë, punë studimore të vazhdueshme, kualifikim shkencor në vite, studime të fushës në arkivat tona dhe sidomos në ato ndërkombëtare. Në çdo institucion, kam ecur me punë dhe kam punuar në grup. Kujtoj projektin e madh të punës për hartimin e Historisë së Popullit Shqiptar që përfshinte 45 autor me tituj “profesor” nga të gjitha trevat shqiptare. Puna në grup, bashkëpunimi dhe marrdhëniet e mira me shokët, edhe punën e vështirë e bëjnë të lehtë, pavarësisht se ajo është realisht shumë e vështirë. Nuk kam pasur suport, gjithçka e kam arritur me djersë. E urrej shumë egoizmin” – përfundon Ai.
Beqiri ka përvojë në mësimdhënje si pedagog dhe udhëheqës doktoraturash ku ka punuar: Pedagog në UT në Fakultetin e Histori-Filologjisë, pedagog në U.Elbasanit, pedagog në U.Durrësit, kordinator Shkollës Doktorale të Historisë, pedagog i disa lëndëve në Q.S.Albanologjike, udhëheqës shkencor i 25 doktoraturave, etj.
Ai për një periudhë të gjatë kohore ka kryer hulumtime në disa arkiva, si: Bullgari, SHBA, Francë, Britani të Madhe, Gjermani, Romë, Maqedoni e Veriut, Turqi etj. Në arkivat dhe bibliotekat e këtyre vendeve ai ka gjetur dhe studiur materiale me vlera për Shqipërinë , ngjarjet historike dhe figurat e saj.
Beqiri në vite ka të botuara e ribotuara këto monografi:
1- “Politika tatimore e shtetit shqiptar”.
2- “Federata panshqiptare “Vatra”.
3- “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”, në shqip dhe gjuhë të huaj.
4- “Shqipëria dhe Greqia 1949-1990″, paqja e vështirë”, në shqip dhe gjuhë të huaj.
5- “Tragjedia Çame”, në shqip dhe gjuhë të huaj.
6- “Minoritetet dhe ndërtimi kombëtar në Shqipëri 1912-1924”.
Gjatë këtyre viteve Beqo ka marrë pjesë edhe në shumë Konferenca Shkencore brenda dhe jashtë vendit, ka mbi 400 kumtesa të referuara, por shumica edhe të botuara në organe shtypi brenda dhe jashtë vendit, 40 artikuj tematikë. Krahas tyre ka edhe 6 studime ndërdisiplinore.
Pas arsimimit të lartë nga viti 1991 deri mē 2008 ka fituar titujt dhe gradat shkencore: Kandidadat i shkencave, Doktor i shkencave, Profesor i asociuar, Profesor dhe Akademik. Njeh gjuhët anglisht, rusisht dhe italisht.
Eshtë i martuar me Ermira Qordjen. Ajo ka mbaruar arsimin e lartë pranë U.T. në degën ekonomi. Vjen nga një familje e thjeshtë por me tradita. Kanë dy fëmijë, të dy me arsim të lartë. Besmiri ka mbaruar për Inxhinjeri informacioni ndërsa Edlira për mjekësi në UT.
Pata kënaqësinë të bëj një shkrim modest për ish – kolegun tim Beqirin. Ai ka një krijimtari të pasur në fushën e histori-grafisë dhe të botimeve shkencore. Ai është një njeri i përkushtuar në punë, i matur, i thjeshtë, model i njeriut të punës, një studiues i palodhur, një historian i formuar.
Ai ka edhe një “merak” të fundit : “Ju përgëzoj shumë ty dhe kolegun tënd për botimin e monografisë për Bendën. Shpresoj dhe duhet të bëjmë një studim bashkë që ai të pasurohet nëpërmjet dokumentave të reja. Ty, Ibrahim të falenderoj shumë për këtë shkrim për mua. Pavarësisht disa mospërputhjeve tona në mendime, për periudhën e historisë moderne, ne na bashkon miqësia e vjetër, mikpritja e dy prindërve të tu, të zonës ku punova, dashuria për traditat, na bashkon vendlindja”.
Ibrahim Kabili
Tiranë më 20.01.2022