VRASJA E FILIP VOJVODËS NË MALET E DIBRËS

0
Kalosh Çeliku

(Historia e kapedanëve shqiptar, që nga Pirroja i Epirit dhe deri në ditët tona është e mbushur me të njohura dhe të panjohura, me vlerësime dhe sharje, me pohime dhe mohime, me urime dhe mallkime. Noli thotë diku: ”Kush merret me historinë e kapedanëve shqiptar, humbët kohën kot”.)
Moisi MURRA (Historian dhe studiues nga Peshkopia e Shqipërisë).

NGA KALOSH ÇELIKU

Im Atë, Emin Çeliku pranë oxhakut me struken krahëve rrëfente shumë ngjarje historike interesante për atë kohë qorre, kur Zonja Vdekje na ecte hap pas hapi përmbrapa si hije. Nuk e dije se, ku ta ka vënë pritën: pas Çuke, te xhamia, në Çarshi të Kërçovës. Apo, pas porte… Livadhi i “Xha Nefruzit”… Lëmë, pas gardhit te Pragu i Shtëpisë.

Gjyshi im, rrëfente im Atë plot krenari: ka qenë trim mbi trima. Unë, si pasardhës i tij, jo vetëm që trashëgova emrin e tij, por edhe mësova shumë në jetë nga strategjia e tij luftarake kaçake. Vërtetë ishte, një shkollë lufte. Jetën e kaloi maleve. Mallë e kishim ta shohim në shtëpi. Edhe, kur vinte për vizitë, vinte pasmesnate. Askush nuk e dinte se kur hynte në Shtëpi, cilës dhiare, ose rruge. Vetë, apo vetë i treti.

Strategjia e tij luftarake, mua ma shpëtoi jetën si “ballist”. Parashikimi i Mahmut Dumanit, i cili gjatë një vizite në shtëpinë tonë natën, më tha: a, sheh në lëmë? Jo, iu përgjigja. Përveçse, terr. E, unë, shoh edhe në lëmë. Koha, Sot është të parashohim Larg. Eca në jetë gjurmëve të gjyshit, kaçakut me dy “nagëntë” në brez. Shkaku, se: mund të ndodhë ndonjëri të ngatërrohet, mos shkrepë. Bir, miku më i mirë besnik i burrit, është arma. Ose, mauzerri hedhur krahut nën gunën e zezë. Dita, ose nata vjen më këmbë, kurrë arma nuk paguhet me para. Dardhat “turke” (“kashikarat” e serbit), gjithëmonë duhet t’i kesh me vete në xhepat e strukes. Edhe mollët e kuqe të italjanit.

Nuk i bija të njëjtës rruge. Herë pas Çuke, herë nga xhamia e herë nga Kolibaret, teposhtë kodrave përmes lisave dhe dardhave gorricë, ende të pashartuara me sharrë nga Xha Deralla, te “Përroni Thanës”. “Mrizet e Zanave” me lisa siç, u ka kënduar në libra Gjergj Fishta. Dhiare malore të cilat edhe ma shpëtuan jetën mes pusive. Pak vetave u zija besë asaj kohe. Porosia e gjyshit: Besë ki, por besë mos i zë askujt! Edhe këmishës tënde, që e ke veshur në trup. Rrëfente plot krenari im Atë, i thelluar në mendime pranë zjarrit oxhakut me flakë, dromaxhakut me kokë gjarpëri, në mes të dhomës shtëpisë.

Im Atë, në mesin e atyre rrëfimeve historike, padashtas një ditë ma rrëfeu edhe vrasjen e Filip Vojvodës, ulur mbi një shkam me tri këmbë. Ende e kam parasysh atë shkam me lëkurë dashi. Ende e mbaj mend, e kam parasysh sesi e ndreçi vetë atë shkam nga cungu i lisit, që e preu në fund të Livadhit për Dimër. Ishte shkami i tij personal. Nuk ishte mbretëror nga ari, por ishte i kaçakëve të malit me lëkurë ogiçi. Askush nuk guxonte të ulet në atë shkam. Nëna ime e ndjerë, shpeshëherë thoshte pas ikjes së tij nga mesi ynë familjar: Po, t’i thoshe se do të jetosh sa ky shkam, me siguri do të zemerohej, nxirrte “nagëntin “ nga brezi.

Kurrë nuk shtriheshte në shtrat pa “nagëntin”, një hanxhar nën jastëk dhe mauzerrin mbi krye. “Kashikarat” e serbit në xhepat e strukes varë pas dere. Mollët e kuqe të italjanit. Nata, thoshte nuk ka besë. Edhe, muret e shtëpisë kanë sy e veshë. E përsëriste shpesh këtë nga përvoja e tij si kaçak mali. Ngjarjen e filloi ashtu papritmas: Filip Vojvoda bënte shumë dëme në anën e Dibrës. Emin Çeliku (Xhambazi), dhe shoku tij i pushkës, kaçaku Halil Reka nga Dibra e Madhe, vendosën që ta vrasin natën në shtëpi.

Pasmesnate, kur i gjithë fshati ishte në gjumë, ato i hynë për baxhe të çatisë në shtëpi. Por, kur arritën te dhoma e gjumit, përçudi ishte e mbyllur me reze. Nuk mund të hynim brenda, kryejnë porosinë e Atdheut. Papritmas, u kujtuan, se: gruaja e Filip Vojvodës herët në mëngjes do ta hap vetë derën, ngrihet të gatuaj bukën. Ashtu, edhe ndodhi. Para se, të zbardhë agimi gruaja e Filip Vojvodës u zgjua nga gjumi, e hapi derën dhe zbritii poshtë në dhomën tjetër ta gatuaj në sofër bukën. Kaçakët tinëz, u përvodhën nëpër çardak dhe hynë në dhomën e fjetjes të Filip Vojvodës. E therën me thikë Filip Vojvodën, në gjumë. Vrik e vrik, njëri pas tjetrit u ngjitën në tra, përsëri të dalin nga kishin hyrë për baxhe, e jo nga oxhaku.

Në ndërkohë, gruaja e Filip Vojvodës kur kthehet në dhomë dhe e sheh burrin e larë në gjak, e rrëmben pushkën e tij dhe delë në çardak. Emini më veç kishte dalë mbi çati, Halil Reka pas tij dilte për baxhe. Përçudi, papritmas gruaja e Filip Vojvodës shkrepë pushkën. Edhe, në krahët e kaçakut e vrau Halil Rekën. Kohë, nuk pati që të kthehet pas gruas të Filip Vojvodës. Shkaku se, zbardhi drita maleve. Fshati po zgjohej nga gjumi. Iku me Halil Rekën e pajetë mbi shpinë përmes lisave. Në malet e Dibrës, pranë një burimi e varrosë shokun nën një hije lisi.

Hakmarrja për shokun e luftës nuk e lente të qetë as në gjumë. Një ditë, vendosi që t’ia marr hakun. Por si, dhe kur?! Gruan e Filip Vojvodës si ta vriste, marrë hakun shokut të pushkës. Aty për aty, iu kujtua: gruaja e Filip Vojvodës, patjetër ditën e dielë do të dilte të shkoj te varret, vizitojë burrin. E ruajti, gjithë natën. Dhe, ditën e dielë, erdhi gruaja te varri. Tinëz e nxorri thikën dhe ia preu kokën. I vu zjarrin shtëpisë të Filip Vojvodës. E mori hakun e Halil Rekës. Tashti, tha me vete: rehat mund edhe ta vazhdoj luftën kundër turqve.

Pas kësaj ndodhie, Emin Kaçaku largohet nga vendi i ngjarjes ku pati kryer hakmarrjen dhe shkoi te varri i Halil Rekës, dhe ia tha dy-tri fjalë te koka, se ia kishte marrë hakun: O Halil, bre shoku im, si të vrau bre Lilë ajo shkinë e keqe?! E, më vonë Dervish Emin Kaçaku i thuri edhe një këngë shokut të pushkës. Këngë, të cilën shpesh e këndonte Im Atë. Unë nuk e mbaj krejtësisht në mend, por më kujtohen disa vargje të asaj kënge historike, dy strofa, ku përkujtohet me mall si kaçak mali Halil Reka:

Halil Rekë, bre sojin pi trejmi
Mal më mal të shkon kushtrejmi!
Mal më mal e kep më kep
Pushkë e Lilës veç kërset.

Pushka e Lilës me dy teneqe
Si të vrau bre Lilë ajo shkinë e keqe?!
Sa të jem gjallë bre Lilë do të kujtoj
Asnjëherë bre Lilë, s’të harroj…

Ditën e nesërme iu bashkangjitë Kryengritjes të Dervish Carës. Emin Ҫeliku (Xhambazi) ishte edhe largpamës, dhe besonte se do të vijnë ditë më të mira për popullin shqiptar. Dhe, se: një ditë do të jetojnë të lirë në trojet e tyre etnike. Ajo ditë arriti edhe para syve të tij, në vitin 1912, në qytetin e Vlorës u shpallë Pavarësia e Shqipërisë. Dita e Madhe, kur Shqipëria u çlirua nga prangat e pushtetit turk. Gëzim, që nuk zgjati shumë në zemrën e tij liridashëse.

Sepse, shqiptarët e pësuan edhe më keq nga pushtuesit serb, bullgar e grek. Me sytë e tij pa masakrën e vitit 1913 në Cërvicën e tij, ku edhe vetë mezi shpëtoi nga vdekja së bashku me dy djemtë e tij Bajramin dhe Ademin, si dhe luftërat ballkanike. Emri i Emin Kaçakut (Xhambazi), tani më ishte i njohur  nëpër të gjitha  trojet etnike shqiptare, prandaj në vitin 1878, do të marrë thirrje që të marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit. Edhe pse, i përndjekur nga pushteti turk këmba-këmbës, ai së bashku me një shok tjetër kaçak nga fshati Premkë i Kërçovës do të marrë pjesë në mbledhjen që do të mbahej në Prizren si delegat nga Kërçova.

I njohur si trimi i maleve, në mbledhjen e Prizrenit bashkë me shokë të tjerë do të përbetohet se do të luftojë deri në vdekje për të drejtat e shqiptarëve kudo që jetojnë ata, në trojet e tyre etnike për të fituar një shtet shqiptar nga pushteti turk, si që e patën fituar këtë të drejtë popujt tjerë në Ballkan, e sidomos serbët, grekët e bullgarët. Prezenca e tij në këtë mbledhje demanton të dhënat turke se, ai pas çlirimit të Shkupit (1844) u vra në Betejën e Katllanovës. E në veçanti se, atij pasi u kap rob nga turqit, iu pre koka aty për aty si kryengritës.

Dhe, sipas historianit dhe studiusit Moisi Murra: “në vitin 1844 dokumentet bullgare bëjnë fjalë për një Emin Xhambazi nga Cërvica (Kërçovë), i cili nuk është tjetër veçse Emin Ramë Osmani. Me fjalë të tjera deri në vitin 1844, madje dhe më pas, Emin Ramë Osmani u njoh me mbiemrin Emin Xhambazi. Pra, nuk mbante mbiemrin Ҫeliku.

Këtu duhet sqaruar se ka ekzistuar dhe një Emin Xhambazi nga Prishtina. Edhe ky ka qenë udhëheqës i shquar dhe ka luftuar përkrah Dervish Carës, ku sipas konsullit anglez, Ҫarls Balantit, Dervish Cara u kap rob, ndërsa Emin Xhambazi u vra me 450 vetë të tjerë, dhe iu zunë 200 luftëtarë.” Ndoshta, ky i ”vrari” është Emin Xhambazi i vërtetë me 450 kryengritës të tjerë, që doli në Kosovë për ta vazhduar luftën (K. Ҫ.).

Dyshimi lindë, sipas librit të Aleksandër Matkovskit: “Kryengritja e Dervish Carës” (1985), pas çlirimit të Shkupit (1844) dhe pas shpartallimit të Betejës Katllanovës, kryengitësit ndahen në dy grupe: njëri grup vazhdon luftën në malet e Dibrës kundër Hajredin Pashës. Dhe, grupi tjetër kalon në Kosovë, Grykën e Kaçanikut për ta vazhduar luftën edhe në Mal të Zi. Ndoshta, bëhet fjalë për të njëjtin person historik, që e përmend konsulli anglez, Ҫarls Balantit?! Shkaku, se: unë kam studjuar, punuar dhe jetuar dhjetë vite në Prishtinë (Kosovë), nuk e kam hasur dhe dëgjuar të përsëritet emri Emin, e as mbiemrin Xhambazi (K. Ҫ).

Historiani Moisi Murra vazhdon: “Më rezulton që Emin Ramë Osmani – Bajraktari, i cili për t’iu shmangur ndjekjeve të autoriteteve policore e ushtarake, mori mbiemrin Xhambazi. Është koha kur udhëheqësit potencialë të Shqipërisë Lindore, ishin vënë përpara rrazikut eminent të eleminimit fizik. Me mbiemër Xhambazi luftoi kundër Omer Pashë Llatasit, një kroat i islamizuar dhe Hajredin Pashës në Jamë dhe Sop, në maj të vitit 1844, me këtë mbiemër u shqua si nënkomandant përkrah Dervish Carës. Me këtë mbiemër luftoi e bëri zë në malet e Dibrës kundër ushtrive osmane, përkrah bashkëluftëtarit, shokut e mikut të tij nga Reka, Halil Reka.

Pas shuarjes së luftës kundër Hajredin Pashës, duket, por edhe besohet se Emin Xhambazi, e zhvendosi luftën në malet e Dibrës, bashkë me kaçakun Halil Reka, që sipas të gjitha gjasave është Halil Hoxha nga Trebishti i Rekës. Në moshë kishin diferencë. Emini ishte shumë më i moshuar se Halili. Gjyshi i Halilit, ndoshta dhe xhaxhai, Haxhi Iliaz Hoxha kishte përfaqsuar Rekën në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por dhe Emin Xhambazi përfaqësoi Kërçovën në këtë Kuvend. Kjo besohet se mund të ketë qenë nyja lidhëse e Emin Xhambazit me Halil Rekën (Hoxhën).

Në malet e Dibrës ai qëndroi gjatë. Jeta në male e shpella si dhe mosha e thyer e kishin bërë punën e tyre. Por shpirti revoltues i Plakut të Kërçovës mbeti, si në rininë e tij. Ai u kthye në Cërvicë mjaftë i moshuar. Dikur u dorëzua dervish. Teqja e tij, e sektit bekteshian, u bë një vatër e nacionalizmit shqiptar në këto anë. Edhe, veshja e petkut dervish tregoi se ai vazhdonte të ishte kundër pushtuesve osmanë, kur dihet historikisht se bektashizmi ka qenë në opozitë periodike me sulltanatin e Perandorisë Osmane.

Për këtë hero që u ul dhe luftoi, për me se një gjysëm shekulli në lëmin kombëtar, mund të thuhet se qe një flamur kushtrimi për bashkëkohësit dhe një shembull për gjenerata që kërkojnë njësimin e kombit shqiptar. I dalë nga gjiri i popullit dhe i shkolluar në akademitë e maleve shqiptare, ai u përball dhe i vuri në pozita inferiore gjeneralët më të zot të Perandorisë Osmane. U nda nga jeta i bindur se i kishte shërbyer Ҫështjes Kombëtare Shqiptare me dinjitet e përkushtim atdhetar dhe si dikur, thellë nga varri:

 Zëri tij thërret në beteja:
Para burra, para djema,
Nuk ka humbë e nuk humb Shqipnija…”

Kohë, që, përkohësisht e ndalin Luftën për Liri. Ndahen në dy grupe: Një grupë për në Betejën e Grykës të Kaçanikut (Kosovë). Dhe, tjetri në grykën e Radikës, në Dibër. Që, sipas këngëtarit popullor, këtë betejë të përgjakshme e përjetson me këngën popullore:

 Kaçanikut, i raftë pika
nuk e di se, çka asht frika:
Nantë sahat, u ther me thika.

Dhe betejës tjetër të Radikës: ku, Hajredin Pashës: dymbëdhjetë mijë ushtarë ia kanë gri kryengritësit shqiptar. Dhe, ende në vorre janë pa u shti:

Hajredin Pasha, ku e ke ordinë,
Në Dibër të madhe – o, ma kanë gri,
Jo ma pak veçse, dymbëdhjetë mijë,
Kanë met në llogore, në dhe pa shti.
Hajredin Pasha, ku i ke taborret,
Në Dibër të madhe, nëpër llogoret.
Hajredin Pasha, ku të ka metë ty ati
Në Radikë, më ka mbet – o, i ngarati.

Viti 1913, nuk do të harrohet kurrë nga cërvicasit. Erdhën ditë të zeza, rrëfente im Atë Emin Ҫeliku. Forca të mëdha  ushtarake serbe dhe bullgare vepronin këtu në Serbinë e Jugut (Juzhna Serbija), dhe në vise të tjera ku jetonin shqiptarët. Këto egërsira sllave, bënin lloj-lloj masakrash mbi popullatën e pafajshme shqiptare, duke vrarë e prerë burra, gra e pleq të pafajshëm. Në Zajaz, egërsirat barbare sllave, therën e vranë mbi 300 vetë, në fshatin Qafë, thuhet se vranë 90 qafali, në Cërvicë 45 vetë, në fshatin Jagoll 17, si dhe nëpër fshatrat tjerë të Kërçovës duke i mbushur bunaret dhe gërranat me kufoma.

Masakrën e fshatarëve të Cërvicës, Im Atë e rrëfente kështu: Cërvica qe rrethuar natën nga forcat sllavo – serbe nën komandën e Mihajllo Josifoskit, ose Mikajlit të Brodit siç njiheshte në popullatën shqiptare të Kërçovës. Në mëngjes, kur hoxha i fshatit kishte shkuar të falë sabahun, Mikajl Brodi hynë në xhami dhe i jep hoxhës të fshatit, i cili ishte nga mëhalla Xhambaze, një kuti duhani të zbrazur që ta mbushte me flori, sepse përndryshe do t’i therte burrat e fshatit.

Hoxha merr kutinë e duhanit dhe mundohet nga fshatarët të mbledhë flori, që t’ia japë Mikajlit Brodit, kur ata s’kishin as bukë, por pa sukses. Fshatarët, nuk i besojnë Hoxhës, duke menduar se hoxha do t’i mbledhë për vete. Kutinë e duhanit ia mbushin me duhan të verdhë, gjoja se nuk e kanë kuptuar porosinë e Mikajlit. Kur e merr në dorë Mikajli kutinë e duhanit dhe pasi e hapë, sheh se në të ka duhan të verdhë, e jo flori, urdhëron hoxhën që t’i mbledhë burrat e fshatit te xhamia, dhe pastaj grupe – grupe i çon pas “Kodrës të Ballazhe” në vendin e quajtur “Bllatë”, ku më parë fshatarët me konfesion ortodoks nga fshati Osllome kishin hapur tri gropa, vend ku do të kryhej masakrimi dhe pastaj do të mbuloheshin me dhe kufomat.

Sot, këto njihen si varreza masive shqiptare “Te të vramit”, ku u masakruan fshatarët e pafajshëm nga Cërvica, vetëm e vetëm pse ishin shqiptar. Nuk i dhanë Mikajlit Brodit një kuti flori, por një kuti duhani të verdhë. Sipas rrëfimit të Im Atë, kësaj masakre i ka shpëtuar pehlivani i njohur nga ky fshat Xhaferr Iljaz Spahiu me disa të afërm të tij, si shenjë respekti që ka pasur ndaj tij Mikajl Brodi. Sepse, kur ai ka qenë i ri ka qenë simpatizues i denjë i tij nëpër dasmat familjare me pehlivanë, që mbaheshin asaj kohe nëpër fshatrat e Kërçovës, Brodit e Prilepit. Kësaj masakre i shpëton edhe trimi i maleve Dervish Emin Kaçaku me dy djemtë e tij Ademin dhe Bajramin.

Im atë rrëfente, se: pasi Mikajli i Brodit ua lidhë duart te xhamia e fshatit, ku ishin edhe fshatarët tjerë, i nisin në drejtim të vendit ku bëhej masakrimi i fshatarëve të pafajshëm. Pasi kalojnë “Kodrën e Ballazhe”, Mikajl Brodi i thotë Emin Kaçakut: shpëtove nga turqit, shumë luftëra bëre dhe mbete gjallë, e sot të erdhi dita që së bashku me dy djemtë e tu të të pritet koka nga dora ime. Shpëtimi i vetëm është, nëse ke ruajtur ndonjë flori nga jeta që ke bërë si kaçak. Tashti, je plakur dhe nuk je në gjendje as të luftosh, e as të ikësh nga duart e mia.

Emin Kaçaku i përgjigjet me një gjakftohtësi: Nëse, puna qëndron te florinjtë, ajo punë bëhet lehtë, e nëse punët qëndrojnë ndryshe s’kam çka të bëj, më ka arritur dita e vdekjes. Pasi bindet se, puna qëndron te florinjtë, i thotë Mikajl Brodit që ta fusë dorën në xhepat e tirqve që i mbante veshur, dhe pasi të merrte atë që kërkon ta lëshonte së bashku me dy djemtë e tij që i kishte përkrahu. Mikajli Brodit, pasi i merr florinjtë nga xhepi i tirqve të Emin Kaçakut, ua zgjidhë duart dhe i lëshon në liri. Kështu trimi i maleve shpëton nga vdekja e sigurtë, dhe gjallë e shëndoshë me djemtë e tij zbretë për në Katund.

Rrugës, djemëve u thotë: Ju, me kujdes ecni para për në shtëpi, ndërsa unë do të vij pak më vonë pasi të pi pak ujë te burimi i “Përronit Thanës”. Vjedhurazi ngjitet mbi “Përronin e Xhetit”, aty te “Lugu i Ymerit” pas një dëllinje, dhe për së afërmi me sy ndjek torturat e ushtarëve serbë, të udhëhequra nga Mikjali i Brodit ndaj shqiptarëve. Dhe, në pamundësi që të bëjë diçka, kthehet i brengosur dhe i dëshpruar nga gjithë ajo, që pa me sytë e tij. Ngjarje tragjike, të cilën kur kthehet në shtëpi ua tregon edhe të afërme të tij, që e pa vetë me sy në vendin e masakrimit.

Emin Kaçaku, sipas rrëfime të Im Ati, pas kësaj ngjerje traxhike jeton edhe katër vjet, dhe aty kah viti 1917 ndërron jetë në moshën 96 vjeçare prej ditës së vet, siç thuhet në popull, e jo nga dora e tjetërkujt, armikut të përjetshëm turk, serb dhe bullgar.

Stërnipërit e tij, në vitin 2016 mes varreve të Katundit, pranë Tyrbes të Babashehut, Kaçakut maleve të kësaj ane, që luftoi krah për krahu me Dervish Carën për çlirimin e Shkupit (1844) i ngritën edhe përmendore, rrëzë Çukës Ilire. E zbuluan me një Akademi përkujtimore në të cilën morën pjesë historianë, poetë e gazetarë nga të gjitha Trojet Etnike Shqiptare…

Stërnipi i kaçakut  të maleve Emin Ҫeliku (Xhambazi) para gërmadhës të shtëpisë djegur të Filip Vojvodës, në fshatin Rimnicë e Rekës së Epërme…

Bajram dhe Kalosh Ҫeliku para xhamisë të fshatit Rimnicë e Rekës së Epërme, ku u mbajtë Kuvendi i kaçakëve të maleve…

Kalosh Ҫeliku para pllakës përkujtimore të xhamisë fshatit Rimnicë e Rekës së Epërme, ku u mbajtë Kuvendi i kaçakëve të maleve…

Kalosh Ҫeliku nën Rrapin historik të Kuvendit kaçakëve maleve, në fshatin Rimnicë e Rekës së Epërme (2022).

Kalosh Ҫeliku para pllakës përkujtimore të  xhamisë në fshatin Rimnicë e Rekës së Epërme, e ndërtuar në vitin 2015. Sot, pa banorë (xhematë) dhe hoxhë…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.