Vrasësit e pesë djemve në Meje dhe sytë e lirisë të Zoje Prendit !

0
376
Zojë Prendi

Halil Matoshi

Nji reflektim për ontologjinë e nji nâne ose Nâna e dritës

(Për Zojë Prendin)

Parantezë: “Zoti nuk mujti me qenë kudo, prandej i krijoi nânat!” (Proverb hebraik)

1.
Buzëqeshja e Nânës Zojë se si m’doket e njofshme, jo vetëm që âsht e ni nâne vigane kosovare, por ajo sikur i buzëqesh lirisë sonë, fitue me aq shumë përpjekje e martirizime, me aq shumë vuejtje por edhe dëshirim epik!

2.
Mizoritë e fashizmit serb që kanë ra mbi shqiptarët e Kosovës janë aq të dokshme dhe aq zor të përballueshme, por qe nji Nânë e madhe si Zojë Prendi na dëshmon lidhjën tonē me Perēnditë!Nji Nânë që na buzëqesh neve të gjallëve: Ta gzoni lirinë!, – sikur na thotë. Kujdesuni për lirinë, ajo duhet me u kultivu me drejtësi e urtësi!
Se liria lëndohet.

3.
E njoh këtë buzëqeshje përtej çdo diskutimi racional për luftën dhe lirinë, ajo âsht eternale.
E kam pa tek nâna jeme kur serbët me morën para syve të saj për me më përplasë në Kamp Përqëndrimi, në Lipjan dhe “Zabela” të Požarevacit (Serbi);

E kam pa këtë buzëqeshje ikonike në fytyrën që rrezatonte dritë të Fehmi Lladrovcit, para kamerave të BBC-së, kur fliste se ka me kanë i lumtun me bâ dekën për lirinë e Kosovës!

E kam pa tek vllau ma i vogël i katër Dvoranve të Drenisë, vramë p’ej fashistave serbianë, dhe në fytyrën e Ferdonije Qerkezit, që serbët ia rrëmbyen krejt jetën e saj dhe e kam pa në sytë e Qerim Pajazitit e Ilmi Haradinajt, sa herë âsht folë për lirinë e Kosovës.
E kam pa në sytë e refugjatëve kur ktheheshin në votrat e tyne t’rrënueme dhe tash e kuptoj ma mirë çmimin e lirisë!

4.
Nâna Zojë, na fal neve që dham shumë ma pak për lirinë e Atdheut, po në këtë enigmë Zotash të Luftës, nuk ka garë, por âsht e shkrume nga Hyu, nga ni Zot i dashtunisë që i merr afër benjaminët e vet, që i buzëqeshin lirisë!

Si bijt Tuej, Gjergji, Marku, Roberti, Viktori e Sokoli, që jam i bindun se do të kenë buzëqesh pak para lirisë, tue u bâmun lajmësit e saj!

Ata kanë dasht me na thânë: “Shqiptarë bahuni gati, për lirinë, mos kini frikē nga ajo por mos e lēndoni, se në secilën fjalë që e shpreh, jemi na, dëshmorët!”

5.
Nâna Zojë, na nuk arritëm hala me e vendos drejtësinë në këtë tokë bojgjaku, e ti u bâne ma e shpejtë dhe u bashkove me t’dashtunit tuej, në nji kozmogoni tjetër, qe na s’e njohim!

Por thmia jonë dhe shumë breza mas tyne, nashta deri në fundin e kohës, kanë me qenë krenar se çfarë Nânash t’bâmuna krejt zemër ka Kosova, e kur kanë me pa trimni nëpër kohë, e kur kanë me u ndesh me rrfetë, kanë me thanë: Si Nâna Zojë!
Dhe ndër gzime kur dikush ka me buzëqesh si Zojë, kanë me thânë si Nâna!

Hyjnia e mbramë në tokë!
Krejt dritë për kit Atdhe, pesë jetët qe i ke kriju ti.

6.
Dritë si buzëqeshja jote, kjo çelnajë shpirti, ma e amla në tokën e Kosovës!
Unë nuk t’kam njoftë, por m’u bâne si Nâna jeme sot dhe më fal qe po t’drejtohna në vetën e parë: Nânë, ma e hyjnishmja fjalë e shqipës, që unë e zbërthej si “Na” që jemi “Në”…jetë!

Në kit Tokë!
Kurse me Qeshë dmth me kanë, e me u lumtunu me tjetrin/tjerët, me jetën, pra qesh dhe je e/i kanme/kanun; sëkëndejmi ekzistencë, prani e mungesës së nji Zoti.

7.
Me amësinë çdo gja humane reduktohet në thelbësoren – thotë Meryl Strip, si dëshmi për thelbin e qenies Nânë.
Ontologjinë e saj.

8.
Ajo âsht ndër dëshmitë kuptimplote pse jemi të lirë!
Hem Nânë hem Zojë!
Dalzotse!

Epilog: Paqja dhe hiri i Hyut të mbuloftë oj Nânë e pesëfisht drite!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.