VEZIRËT E MËDHENJ SHQIPTARË TË PERANDORISË OSMANE

0
18

Paulin Z. Zefi

👉 Shtysa kryesore për të ndërmarrë këtë studim është profesoresha ime e nderuar dhe Shefja e Departamentit të Historisë në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, Prof. Bendis Kraja.

(Këtë punim ia kushtoj Vezirit të Madh të Perandorisë Osmane, “Ahmed Pashë Dukagjinit”).

Lexim të këndshëm!…

“HYRJE”

Ky studim, me sa jam në dijeni, është i pari i këtij lloji i shkruar në çfarëdo gjuhe. I gjithë studimi është i mbështetur mbi një material shumë të pasur burimor, ku janë shfrytëzuar veprat e kronistëve osmanë, historianëve më të njohur turq dhe të disa prej osmanologëve më me autoritet në qarqet shkencore të vendeve perëndimore. Në këtë punim është përfshirë e gjithë hapësira kohore e ekzistencës së Perandorisë Osmane si entitet gjeo-politik (1299 – 1922) dhe vezirët arbëro-shqiptarë të këtij shteti janë trajtuar sipas rendit kronologjik, duke u bazuar te kriteri i periudhës kur ata kanë shërbyer në detyrë. Ajo çfarë më ka bërë më tepër përshtypje gjatë punës sime kërkimore konsiston në faktin se në burime të ndryshme thuhet se numri i Kryevezirëve ose Vezirëve të Mëdhenj të Perandorisë Osmane me origjinë shqiptare, varion nga 26-34, por gjatë hulumtimeve të mia më rezultojnë plot 42 të tillë. Pra, me pak fjalë, nga 284 Kryevezirët, të cilët kanë shërbyer nën urdhërat e 36 sulltanëve të Dinastisë së Osmanëve, 15 % prej tyre kanë qenë shqiptarë. Harta e shpërndarjes gjeografike e vendlindjeve të tyre respektive rezulton të jetë e shtrirë në shumë treva ose areale etno-kulturore të Shqipërisë, nga Veriu në Jug.

Po ashtu, disa prej tyre kanë dalë edhe nga gjiri i familjeve shqiptare, të cilat jetonin prej vitesh jashtë atdheut të vendosur nëpër provinca të ndryshme të Perandorisë Osmane në tre Kontinente: Europë, Azi dhe Afrikë. Pjesa më e madhe prej tyre është rekrutuar nëpërmjet sistemit “Devşirme (mbledh ose rekrutoj – P.Z.)”, që ishte forma më e njohur e konvertimit të detyruar dhe praktika me të cilën turqit osmanë merrnin djem të mitur nga familjet e krishtera, të cilët më pas i konvertonin me dhunë në Islam dhe si objektiv kryesor ishte përzgjedhja e fëmijëve më të aftë për shërbimin ushtarak ose civil të Perandorisë Osmane. Duke qenë se turqit osmanë merrnin njerëzit më të aftë të armiqve për t’i përdorur më vonë kundër tyre, ky sistem rekrutimi i njohur edhe si “Taksa e gjakut”, është cilësuar prej disa autorëve europianë si “shpikje e djallit.” Mirëpo, disa prej Kryevezirëve vinin edhe nga familje shqiptare, të cilat kishin përqafuar besimin Islam dhe që ishin integruar plotësisht në klasën sunduese të Perandorisë Osmane. Bie fjala, familja e fuqishme e Qyprillinjëve nga Roshniku i Beratit, që nxori 7 Kryevezirë nga gjiri i saj, 5 prej tyre shqiptarë dhe dy djem të adoptuar (turk & abkazian), vetëm patriarku themelues i kësaj dinastie politike, Mehmet Pashë Qyprilliu, kishte lindur në një familje të krishterë. Kryeveziri shqiptar, që shërbeu më shpesh në detyrë ka qenë Koxha Sinan Pasha apo Sinan Pashë Topojani i njohur edhe si “Sinani i Madh”, i cili e ushtroi 5 herë këtë detyrë. Ndërsa, Zurnazen Mustafa Pasha ka qenë burrështetasi, që shërbeu në këtë detyrë për kohën më të shkurtër në të gjithë historinë e Perandorisë Osmane, vetëm 4 orë.

Po ashtu, duhet nënvizuar fakti se të gjithë osmanologët dhe historianët turq e pohojnë në mënyrë të njëzëshme se: Veziri i Madh më i pushtetshëm në historinë e Perandorisë Osmane ka qenë Ibrahim Pasha, i lindur në një familje shqiptare ortodokse nga Parga e Çamërisë (qytet që asokohe ishte nën kontrollin e Republikës Veneciane). Mirëpo, për fat të keq, me përjashtim të Ahmed Pashë Dukagjinit, të gjithë Kryevezirët e tjerë shqiptarë kanë bërë shumë pak ose aspak për atdheun dhe bashkëkombasit e tyre. Madje, disa prej tyre kanë qenë edhe një burim i madh fatkeqësishë për vendin tonë! Në këtë studim, edhe pse në mënyrë sintetike, bëhen përpjekjet e para për të përpiluar listën e plotë të Vezirëve të Mëdhenj shqiptarë të Perandorisë Osmane dhe për të pasqyruar një biografi të shkurtër të gjithsecilit prej tyre.

ROLI I KRYEVEZIRIT OSE VEZIRIT TË MADH
(Në vend të parathënies)

Veziri i Madh, ishte ministri më i madh i Sulltanit në Perandorinë Osmane, pra kryeministër de facto i monarkut osman, me prokurë absolute dhe, në parim, mund të shkarkohej vetëm nga vetë Sulltani. Kjo praktikë funksionoi gjatë gjithë periudhës klasike, por i mbijetoi edhe reformave të Tanzimatit, deri në Revolucionin Xhonturk të vitit 1908. Veziri i Madh mbante vulën perandorake dhe mund të mblidhte të gjithë vezirët e tjerë për të marrë pjesë në punët e shtetit në Këshillin Perandorak. Vendi ku mbahej takimi ose mbledhja e vezirëve quhej “Kubbealtı”, që në shqip do të thotë “Nën kubè” ose “Nën kupolë” dhe ndodhej në “Topkapı Sarayı”, pra në Pallatin e Portës së Lartë ose Portës Sublime. Po ashtu, edhe zyrat e Vezirit të Madh ndodheshin në këtë Pallat. Gjatë fazave të para të lindjes së shtetit osman, “Vezir” ishte i vetmi titull i përdorur për zyrtarët më të lartë. Në disa burime jepet se Veziri i parë i Madh i Perandorisë Osmane ka qenë Alaeddin Pasha, i cili është pasuar në këtë detyrë nga Mahmudoğlu Nizamüddin Ahmed Pasha, Mehmet Haxhi Pasha dhe Sinanuddin Fakih Jusuf Pasha. Në fakt, gjatë viteve të hershme të bejlikut osman kishte vetëm një vezir në Divan dhe titulli i tij nuk ishte Veziri i Madh, por posti i tij ishte i barabartë me postin e vezirëve të mëdhenj të mëvonshëm.

Ndërsa, i pari nga vezirët osmanë, që mori zyrtarisht titullin “Veziri i Madh” ishte Çandarli Kara Halil Hajredin Pasha, në vitin 1364, gjatë sundimit të sulltan Muratit I. Qëllimi i vendosjes së titullit “Vezir i Madh” ishte të dallonte mbajtësin e vulës së Sulltanit nga vezirët e tjerë. Titulli i përdorur fillimisht, “Vezir-i azam”, u zëvendësua gradualisht nga “Sadrazam” dhe që të dy, në praktikë, kanë kuptimin “Veziri i Madh.” Gjatë gjithë historisë së Perandorisë Osmane, Vezirët e Mëdhenj janë quajtur edhe “Sadr-ı Âlî”, që do të thotë “Vezir i Lartë”, “Sâhib-i Devlet – Mbajtës i Shtetit”, “Vekil-i mutlak – Avokat absolut”, “Serdar-i Ekrem – Gjeneral i Hirshëm”, “Serdar-i Azam – Gjeneral i Madh”, “Zât-i Âsafî – Person veziral.” Aq të pushtetshëm kanë qenë Vezirët e Mëdhenj sa jo rrallë herë i kanë dhënë vetes aq shumë autoritet sa të rrëzojnë edhe sulltanët nga froni, me qëllim për t’i zëvendësuar ata me të tjerë, kuptohet, brenda familjes së Osmanëve.

Po ashtu, disa prej tyre, duke patur një vetëbesim të tepruar, kanë marrë vendime të fshehta ose publike, që binin ndesh me interesat e monarkut dhe të shtetit osman. Prandaj, kanë qenë plot 44 Vezirë të Mëdhenj, 11 prej tyre shqiptarë, që janë ekzekutuar me vdekje me urdhër të drejtpëdrejtë të sulltanëve, për arsye se ata kanë tejkaluar në mënyrë flagrante kompetencat e tyre. I tillë ka qenë edhe fundi i palavdishëm i Ibrahim Pashë Pargaliut, i cilësuar, siç e kam përmendur më lart, si Veziri i Madh më i pushtetshëm në historinë e Perandorisë Osmane. Më 5 mars të vitit 1536 ai u ftua nga Sulejmani I, Ligjvënësi ose i Madhërishmi, në iftarin e fundit të muajit Ramazan dhe pasi shkoi në dhomën e gjumit, Ibrahim Pasha, u ekzekutuar me urdhër të sulltanit.

1. BAJAZID PASHA

Bajazid Pasha, i njohur edhe si Amasialı Bajazid Pasha (? – 1421), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga viti 1413 deri më 1421. Ai ishte djali i Amasialı Jahshi Beut dhe lindi në qytetin Amasia të Azisë së Vogël dhe për këtë arsye, njësoj si i ati, ai njihej me epitetin, Amasialı. Bajazid Pasha ishte arbëri (shqiptari) i parë dhe po ashtu, myslimani i parë nga Ballkani që u bë Vezir i Madh i Perandorisë Osmane. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të dy sulltanëve, Mehmetit I dhe Muratit II.

Pikërisht gjatë kësaj periudhe në Arbëri u zhvilluan disa ngjarje shumë dramatike, ku më kryesoret ishin pushtimi i Krujës nga turqit osmanë në vitin 1415 dhe më pas dorëzimi i Gjergj Kastriotit me dy vëllezërit, Reposhin e Kostandinin, si pengje besnikërie te sulltani nga i ati, Gjon Kastrioti. Pas dështimit në betejën e zhvilluar pranë Keşan dhe dorëzimit në duart e armikut, që ishte xhaxhai dhe rivali i Muratit II, Musftafa Çelebiu, Bajazid Pasha u ekzekutua prej tij me prerje koke.

2. ZAGANOZ PASHA

Zagan Pasha ose Zağanos Paşa (1426-1469) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga viti 1453 deri më 1456. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të Mehmetit II Fatih. Disa historianë e japin me origjinë greke ose serbe, por nëse i referohemi historianit më të besueshëm turk, Halil Inalçık (1916-2016), Zaganoz Pasha ishte djali i bashkëpunëtorit të ngushtë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe komandantit të shquar arbër, Vrana Kontit. Pra, ka qenë pjesëtar i një familjeje katolike arbëre dhe në fëmijërinë e heshme ishte rekrutuar nga turqit nëpërmjet sistemit të Devshirmesë.

Zagan Pasha ose Zağanos Paşa ka qenë miku më i besuar dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i sulltan Mehmetit II Fatih. Përpara se të bëhej Veziri i Madh i Perandorisë Osmane, ai ka ushtruar detyra të ndryshme, duke spikatur me aftësitë e tij si udhëheqës ushtarak dhe si burrështetas. Gjatë rrethimit të Kostandinopojës (1453) ka mbajtur detyrën e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë osmane dhe më vonë ka marrë gradën, Kapudan Pasha (Admiral i madh).

3. ISAK PASHA

Isak Pasha (1444-1487) ka shërbyer dy herë si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane: 1469 – 1472 dhe në periudhën 1481-1482. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të dy sulltanëve, Mehmetit II dhe Bajazidit II. Përpara se të bëhej Veziri i Madh i Perandorisë Osmane, ai ka ushtruar detyrën e bejlerbeut të Anadollit, ku është emëruar në vitin 1451. Për karrierën e tij politike dhe ushtarake ka shumë pak të dhëna. Ai ka vdekur në qytetin e Selanikut më 30 janar 1487.

4. GJEDIK AHMED PASHA

Gjedik Ahmed Pasha (? – 1482), i lindur në fshatin malor të Punoshevcit pranë Vranjës, ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga viti 1474 dhe deri më 1477. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mehmetit II Fatih. Përpara se të bëhej Veziri i Madh, ai ka ushtruar detyrat e Bejlerbeut të Rumelisë (1451–1462) dhe atë të Bejlerbeut të Anadollit (1462–1470). Një vit pasi u largua nga detyra e Vezirit të Madh, u emërua në postin e Admiralit të Madh të flotës osmane dhe njëkohësisht të Sanxhakbeut të Vlorës (1478 – 1481). Gjatë kësaj periudhe mori pjesë në Rrethimin e Shkodrës (1478-1479).

Një vit më vonë, me një ushtri osmane, që kishte në përbërje të saj plot 132 anije me 18.000 trupa, Gjedik Ahmet Pasha u nis nga Gjiri i Vlorës (Pashaliman – P.Z.) më 26 korrik dhe zbarkoi në brigjet e Italisë së Jugut, më 28 korrik 1480. Osmanët sulmuan qytetin strategjik të Otrantos, duke i bërë një rrethim hermetik nga toka dhe nga deti. Pavarësisht përpjekjeve titanike të banorëve dhe dërgimit të forcave ndihmëse nga Ferdinandi i Aragonës, Otranto u dorëzua. Forcat osmane e pushtuan këtë qytet më 11 gusht 1480. Në gjysmën e parë të vitit 1481, trupat e krishtera, ndër ta edhe shumë luftëtarë arbëreshë së bashku me Princin e tyre, Gjonin II Kastriotin, të komanduar nga Duka i Kalabrisë, Alfonsi, u hodhën në kundërsulm.

Ata rrethuan qytetin e Otrantos më 1 maj 1481, i detyruan osmanët të dorëzohen më 15 gusht dhe në fillim të muajit shtator 1481, arritën t’i dëbojnë ata përfundimisht nga kështjella e qytetit, duke i dhënë fund një pushtimi që zgjati plot 13 muaj. Forcat osmane u detyruan t’a lëshojnë qytetin dhe kështjellën e Otrantos më 10 shtator 1481. Pasi vdekjes së Mehmetit II Fatih (3 maj 1481), shpërtheu lufta për pushtet midis të bijve, Bajazidit dhe Xhemit. Gjedik Ahmed Pasha mbajti anën e Bajazidit II, por megjithatë ky i fundit nuk kishte kurrfarë besimi ndaj tij. Pasi e burgosi, më vonë Bajazidit II vendosi ta dënojë Gjedik Ahmed Pashën me vdekje dhe ai u ekzekutua më 18 nëntor të vitit 1482.

5. DAUT PASHA

Daut Pasha ose Koça Davud Pasha (1446-1498) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga viti 1482 deri më 1497. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Bajazidit II. M.Barleti e përmend atë me emrin “Daut Ganjolla”, shkruan se ishte pasha i përgjithshëm i Rumelisë, ishte personalitet me rëndësi të madhe, ishte një burrë i pajisur me cilësi të rralla shpirtërore e trupore dhe sipas tij, kishte lindur në Epir prej prindërish të krishterë të shtresës së ulët. Mirëpo, nga P.Petta mësojmë se Dauti ka qenë pinjoll i Dukagjinëve. Duke u mbështetur te emri i dytë, “Ganjolla”, me të cilin e përmend M.Barleti, mund të supuzohet se ai ka lindur në fshatin Ganjollë të Shkodrës, midis Jubanit e Spatharit dhe vetëm 2 km në perëndim të qytetit të vjetër të Danjës! Përpara se të bëhej Veziri i Madh, ai ka ushtruar detyrën e Bejlerbeut të Anadollit (1473) dhe të Sanxhakbeut të Bosnjës (1479). Gjatë fushatës së madhe sulltanore të zhvilluar kundër Arbërisë Veriore në vitin 1478 ai shoqëroi personalisht Mehmetin II Fatih, duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm gjatë rrethimit të Shkodrës (1478-1479). Daut Pasha mbahet mend për shkatërrimin e qytetit të Lezhës, të cilit i vuri zjarrin më 5 shtator të vitit 1478. E vetmja trashëgimi që ky Vezir i Madh ka lënë në atdhe është Hamami i Daut Pashës në qytetin e Shkupit, i cili ndodhet në Çarshinë e Vjetër.

6. HADIM ALI PASHA

Hadim Ali Pasha (? – 1511) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane dy herë: në periudhën 1501 – 1503 dhe më pas në vitet 1509 – 1511. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Bajazidit II. Nga vetë epiteti i tij, “Hadim”, kuptohet qartë se ai ka qenë eunuk. Në fillim shërbeu si Bejlerbe i Rumelisë dhe udhëhoqi ushtrinë osmane në luftën osmano-mamluke të viteve 1485-1491, por ai u mund gjatë luftimeve të zhvilluara në Adana në vitin 1488. Gjatë mandatit të tij të dytë si Vezir i Madh (1509 – 1511) ai udhëhoqi shtypjen e Kryengritjes Shahkulu të udhëhequr nga klerikët Alevitë, por mbeti i vrarë në betejë pranë qytetit Sivas, në Azinë e Vogël, së bashku me vetë udhëheqësin e forcave rebele, Shahkulu.

7. AHMED PASHË DUKAGJINI

Ahmed Pashë Dukagjini (? – 1515) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 18 dhjetor 1514 dhe deri më 8 shtator 1515. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Selimit I. Përpara se të merrej peng nga turqit osmanë, ai e kishte emrin Progon, ishte i biri i Nikollë Dukagjinit dhe i Kiranës, vajzës së Gjergj Arianitit, pra ishte pinjoll i familjes më të vjetër princërore në Arbëri dhe nip i njërës ndër më të fuqishmet gjatë Mesjetës së Vonë. Po ashtu, kjo do të thotë se ai e kishte Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, burrë teze.

Në vitin 1503, Ahmedi (Progoni) mori detyrën e sanxhakbeut të Ankarasë dhe u martua me mbesën e sulltan Bajazidit II, Gevherşah Hanimsultan, duke u bërë një ndër njerëzit më të besueshëm të Dinastisë së Osmanëve. Në çdo detyrë që mori më vonë dhe në çdo sipërmarrje ushtarake, ku iu besua komanda e përgjithshme, ai korri fitore mbas fitoreje. Po ashtu, ishte edhe një diplomat shumë i aftë. Në ndryshim nga të gjithë Vezirët e tjerë të Mëdhenj para dhe pas tij, ai është i vetmi shqiptar, që nuk e harroi kurrë atdheun e tij. Kjo dëshmohet më së miri nga kërkesa e veçantë, që i drejtoi sulltan Selimit I, duke iu lutur që treva ku kishte lindur, Zadrima, të trajtohej si zonë e veçantë dhe të shpallej vakëf i sulltanit.

Mbi këtë çështje, krahas burimeve osmane dhe disa autorëve perëndimorë, flet sidomos Imzot Frang Bardhi. Kryetar i këtij shteti të vogël autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane ishte vetë ipeshkvi katolik i Dioqezës së Sapës, i cili kërkohej të ishte vetëm zadrimor. Kryepleqësia përbëhej nga përfaqësuesit e familjeve kryesore të 32 fshatrave të Zadrimës dhe qendra administrative ishte pikërisht Nënshati, zemra e Dioqezës së Sapës dhe qyteti më i vjetër i Dukagjinëve. Ndërsa, në fshatin Mjedë, qëndronte mëkëmbësi i sulltanit, i cili mbante kontakte të vazhdueshme me ipeshkvin dhe me parinë e Zadrimës. Kushti i vetëm për të ruajtur autonominë ishte, që zadrimorët të mirëmbanin 30 urat prej guri, që gjendeshin në këtë trevë.

Nëse ndonjë urë lihej pa mirëmbajtje, ata rrezikonin jo vetëm humbjen e privilegjeve, por edhe humbjen e jetës! Ky status i zgjeruar autonomie parashikonte që treva e Zadrimës të mos përfshihej në sistemin e timarit dhe banorët e saj të mos i paguanin taksa as spahijve, as sanxhakbejve, as zabijve, as kadijve, as vojvodëve etj., por vetëm sulltanit, të cilit i dërgonin pagesat çdo vit në shumën që pothuajse kryesisht e caktonin vetë zadrimorët sipas dëshirës së tyre. Konsulli francez në Shkodër, Hyacinthe Hecquard, duke folur mbi këtë çështje shkruan se: “Pas pushtimit të Shqipërisë nga turqit, fusha e Zadrimës u bë pjesë e pasurisë së haremit të sulltanit dhe të ardhurat e nxjerra përdoreshin për blerjen e “pashmagjeve (pasmaks / këpucë)” për të preferuarit e Senjorit të Madh (sulltanit).

Falë këtyre privilegjeve”, vijon H.Hecquard,- “banorët ishin të lumtur, sepse guvernatorët nuk guxonin t’i ngacmonin, nga frika se ankesat e tyre do të mbërrinin në Stamboll, ku gjithmonë gjenin mbështetje.” Me pak fjalë, falë Ahmed Pashë Dukagjinit, Zadrima fitoi statusin e vetëqeverisjes nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të sulltanit dhe privilegjet e dhëna prej tij kanë zgjatur deri në vitin 1831. Mirëpo, vetë Ahmed Pashë Dukagjini e mbylli jetën në mënyrë tragjike, sepse u ekzekutua me urdhër të sulltan Selimit I, i cili dyshonte mbi përfshirjen e tij në revoltën e korpusit të jeniçerëve (Mbi jetën e veprën e tij po përgatis një studim të zgjeruar – P.Z.).

8. IBRAHIM PASHË PARGALIU

Ibrahim Pashë Pargaliu (1495-1536) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 27 qershor 1524 dhe deri më 5 mars 1536. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Sulejmanit I. Nga vetë epiteti, kuptohet qartë se ishte nga qyteti i Pargës, në Çamëri, por ai njihej gjithashtu edhe si Frenk Ibrahim Pasha, që do të thotë “Perëndimori” dhe si Makbul Ibrahim Pasha, që do të thotë “I parapëlqyeri” ose “I preferuari.” Siç e kam përmendur edhe dy herë më lart dhe po e perifrazoj, Ibrahim Pashë Pargaliu cilësohet si Veziri i Madh më i pushtetshëm në historinë e Perandorisë Osmane. Ai ishte një burrështetas shumë i aftë, por sidomos një diplomat tejet i zhdërvjellët. Mirëpo, fakti se ishte njeriu më i besuar i Sulejmanit I dhe shumë i pushtetshmëm, e bëri atë aq arrogant saqë filloi të marrë një numër të madh vendimesh, duke shpërfillur edhe vetë autoritetin e sulltanit. Kjo etje e verbër për pushtet e çoi atë drejt vdekjes, e cila i erdhi me urdhër të posaçëm të sulltan Sulejmanit I, më 5 mars 1536.

9. AJAZ MEHMET PASHA

Ajaz Mehmed Pasha (1483–1539) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 14 mars 1536 dhe deri më 13 korrik 1539. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Sulejmanit I dhe ka qenë emëruar në këtë post menjëherë pas ekzekutimit të bashkëkombasit të vet, Ibrahim Pashë Pargaliut. Babai i Ajaz Mehmed Pashës ka qenë nga Shkodra dhe e ëma nga Vlora, por ai ka lindur në Delvinë. Nën administrimin e tij, osmanët ndërmorën fushatën e Korfuzit (gusht-shtator 1537) kundër Republikës Veneciane. Pasi dështuan në marrjen e qytetit, ata plaçkitën dhe shkatërruan të gjithë pjesën tjetër, ku grabitën 20.000 banorë në ishull, duke i kthyer në skllevër. Ndërsa në vitet 1537–1540 osmanët zhvilluan një luftë të ethshme kundër Dinastisë së fuqishme të Habsburgëve në Vjenë dhe rrethina. Ndërkohë, i gjithë rajoni i vendlindjes së Ajaz Mehmed Pashës u vu nën kontrollin e plotë të forcave osmane dhe më pas u krijua Sanxhaku i Delvinës. Ai vdiq nga murtaja në Stamboll dhe u varros në Xhaminë Ejup Sulltan, pranë Gjirit të Bririt të Artë.

10. LUTFI PASHA

Lutfi Pasha i njohur edhe si Damat Çelebi Lutfi Pasha (1488-1564) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 3 korrik 1539 dhe derin në muajin prill 1541. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Sulejmanit I dhe ka qenë emëruar në këtë post pas vdekjes së bashkëkombasit të vet, Ajaz Mehmed Pashës. Mendohet se ka qenë nga rrethinat e qytetit të Vlorës dhe është rekrutuar nëpërmjet sistemit të Devshirmesë. Epitetin “Damat” e ka marrë, sepse ishte dhëndërr i Dinastisë së Osmanëve, i martuar me një motër të sulltan Sulejmanit I, e cila quhej Sah-ı Huban Sultan. Përveç se ishte një burrështetas dhe gjeneral i suksesshëm, Lutfi Pasha ishte po ashtu, shkrimtar dhe teolog islam. Ai shkroi plot 21 vepra, kryesisht me tema fetare, por edhe më përmbajtje historike, 13 prej tyre në gjuhën arabe dhe 8 në gjuhën turke. Ndërkohë që ishte në kulmin e karrierës së tij, në vitin 1541, ai rrahu keqas bashkëshorten dhe motrën e lartpërmendur të sulltan Sulejmanit I, Sah-ı Huban Sultan, për një shkelje bashkëshortore. Mirëpo, ky veprim çoi në divorcin e pashmangshëm midis tyre, që u pasua edhe me shkarkimin e Lutfi Pashës nga detyra.

11. KARA AHMED PASHA

Kara Ahmed Pasha (? – 1555) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 6 tetor 1553 dhe deri më 29 shtator 1555. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Sulejmanit I. Edhe ai është rekrutuar nëpërmjet sistemit të Devshirmesë, por nuk ka asnjë të dhënë mbi vendlindjen e tij. Në vitin 1522, Kara Ahmed Pasha u martua me motrën e Sulejmanit I, Fatma Sultan. Më vonë, ai udhëhoqi trupat osmane që pushtuan kështjellën hungareze të Temesvár, më 26 korrik 1552, dhe po në të njëjtin vit ushtria e udhëhequr prej tij mori edhe tre kështjella të tjera, por në fund dështoi gjatë rrethimit të qytetit Eger. Kara Ahmedi u mbyt me urdhër të sulltan Sulejmanit I më 29 shtator 1555 dhe thuhet se arsyeja e ekzekutimit ishte për shkak të manovrave politike të gruas së Sulejmanit I, Hürrem Sulltan. Ndërsa, vejusha Fatma Sultan u martua me dhunë nga i vëllai në vitin 1562 me Hadim Ibrahim Pashën, me sa duket si ndëshkim për intrigat e saj, por megjithatë, doli të ishte më e lumtura nga të gjitha martesat e saj.

12. SEMIZ ALI PASHA

Semiz Ali Pasha (? – 1565) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 10 korrik e vitit 1561 dhe deri më 28 qershor 1565. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Sulejmanit I. Ai ka lindur në Praça të Bosnjës dhe përpara se të bëhej Vezir i Madh, ka mbajtur detyrën e bejlerbeut të Egjiptit në vitet 1549 – 1553. Epiteti i tij “Semiz” në turqisht do të thotë “i shëndoshë”. Përveç se ishte ushtarak i aftë, Semiz Ali Pasha ka spikatur edhe në fushën e diplomacisë.

13. SEMIZ AHMED PASHA

Semiz Ahmed Pasha (1492-1580) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 13 tetor e vitit 1579 dhe deri më 27 prill 1580. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Muratit III. Gjatë karrierës së tij të gjatë si ushtarak i lartë dhe në fund si Vezir i Madh, ai ka udhëhequr ushtritë osmane në 6 fushata ushtarake të suksesshme kundër venecianëve, hungarezëve, rusëve, kroatëve dhe Perandorisë Safavide në Iranin e sotëm.

14. KOXHA SINAN PASHA

Koxha Sinan Pasha apo Sinan Pashë Topojani i njohur edhe si “Sinani i Madh (1506-1596), ka shërbyer 5 herë si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane:
1) 7 gusht 1580 – 6 dhjetor 1582,
2) 14 prill 1589 – 1 gusht 1591,
3) 28 janar 1593 – 16 shkurt 1595,
4) 7 korrik 1595 – 19 nëntor 1595,
5) 1 dhjetor 1595 – 3 prill 1596.
E ka ushtruar detyrën në kohën e sundimit të dy sulltanëve, Muratit III dhe Mehmetit III. Ai ka lindur në fshatin Topojan të Kukësit në një familje katolike, që u konvertua në Islam dhe është martuar me vajzën e madhe të sulltan Selimit I, e cila quhej Esmehan Hanımsultan. Koxha Sinan Pasha njihet si një ndër burrështetasit më të shquar në historinë e Perandorisë Osmane dhe po ashtu, për krijmin e një grupi të madh mbështetësish pranë vetes, të cilët ishin shqiptarë. Mirëpo, nga ana tjetër, edhe rivali i tij më i madh ishte pikërisht shqiptar, Serdar Ferhad Pasha.

15. SERDAR FERHAD PASHA

Serdar Ferhad Pasha (1530-1595) ka shërbyer dy herë si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane:
1) 1 gusht 1591 – 4 prill 1592,
2) 6 shkurt 1595 – 7 korrik 1595.
E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të dy sulltanëve, Muratit III dhe Mehmetit III. Ai ka qenë i martuar me vajzën e sulltan Muratit III, e cila quhej Hümaşah Sultan. Pavarësisht se ka qenë një burrështetas i aftë, ai e ka humbur të dyja herët postin e Vezirit të Madh si rezultat i intrigave të bashkëkombasit të vet, Koxha Sinan Pashës, me të cilin kanë patur gjithmonë një marrëdhënie shumë konfliktuale.

16. HADIM HASAN PASHA

Hasan Pasha, i njohur edhe si Hadim Hasan Pasha (? – 1598) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 3 nëntor 1597 dhe deri më 9 prill 1598. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mehmetit III. Ai është rekrutuar që në moshë të mitur nëpërmjet sistemit të Devshirmesë dhe përpara se të ushtronte detyrën e Vezirit të Madh, posti më i lartë ku ka shërbyer ka qenë ai i bejlerbeut të Egjiptit në vitet 1580-1583.

17. JEMISHXHI HASAN PASHA

Hasan Pasha, i njohur edhe si Jemishxhi Hasan Pasha (1535-1603) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 22 korrik e vitit 1601 dhe deri më 4 tetor 1603. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mehmetit III. Ai ka lindur në Rugovë dhe është martuar me vajzën e sulltan Muratit III, e cila quhej Aishe Sultan. Pas një karriere të shkëlqyer ai u shkarkuar nga detyra dhe 14 ditë më vonë, më 18 tetor 1603 është ekzekutuar me urdhër të sulltan Mehmetit III.

18. NASUH PASHA

Nasuh Pasha, i njohur edhe si Gjymylxhineli Damat Nasuh Pasha (? – 1614) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 5 gusht e vitit 1611 dhe deri më 17 tetor 1614. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Ahmedit I. Epitetin “Gjymylxhineli” e ka marrë, sepse ai ka lindur në qytetin e sotëm Komotini, në Greqisë verilindore, që në turqisht quhej Gümülcine (Gjymylxhine). Ndërsa epiteti “Damat” nënkupton se ishte dhëndërr i famijes osmane. Ai ishte i martuar me Aishe Sultan, vajzën e sulltan Ahmedit I, gjysmë motrën e sulltan Osmanit II dhe motrën e sulltan Muradit IV dhe të sulltan Ibrahimit. Ai u dënua për korrupsion dhe më pas u ekzekutua pikërisht nga vjerri i vet, sulltan Ahmedi I.

19. OHRILI HYSEIN PASHA

Hysein Pasha, i njohur kryesisht si Ohrili Hysein Pasha (? – 1622) ka shërbyer dy herë si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane:
1) 9 mars 1621 – 17 shtator 1621,
2) 19 maj 1622 – 20 maj 1622.
E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Osmanit II. Në mandatin e dytë ka qëndruar vetëm një ditë, sepse ka vdekur të nesërmen. Vetë epiteti “Ohrili” e pasqyron qartë se ka qenë nga qyteti i Ohrit.

20. MERRE HYSEIN PASHA

Hysein Pasha, i njohur kryesisht si Merre Hysein Pasha (? – 1624) ka shërbyer dy herë si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane:
1) 13 qershor 1622 – 8 korrik 1622,
2) 5 shkurt 1623 – 30 gusht 1623.
E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mustafait I. Ai ka lindur në qytetin e Pejës dhe mendohet se mund të ketë qenë paraardhës i familjes së fuqishme, Begolli. Pretendohet se epiteti i tij, “Merre”, lidhet pikërisht me fjalën shqipe, “Merre”, për shkak se ai, shpesh herë, i urdhëronte njerëzit e tij të “merrnin kokat e armiqve”, sepse ishte i vetmi Vezir i Madh që kurrë nuk mësoi të fliste gjuhën turke. Se sa e vërtetë është kjo, mbetet për t’u faktuar, sepse ky është një rast unik në historinë e Perandorisë Osmane, ku numri 2 i shtetit nuk dinte turqisht! Vështirë për ta besuar!

21. TABAN MEHMED PASHA

Mehmed Pasha, i njohur kryesisht si Taban Mehmed Pasha (1589-1637) ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 18 maj e vitit 1632 dhe deri më 2 shkurt 1637. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Muradit IV. Ai ka lindur në qytetin Drama, në verilindje të Greqisë së sotme dhe epiteti i tij “Taban”, që rrjedh nga fjala “Tabanıyassı”, do të thotë “Këmbë-sheshti”. Përpara se të bëhej Veziri i Madh i Perandorisë Osmane, detyra më e lartë ku ai ka shërbyer ka qenë ajo e bejlerbeut të Egjiptit në vitet 1628–1630. Pas disfatës që pësoi përballë Safavidëve të Iranit në mbrojtjen e kështjellës së rëndësishme të Revanit (Jerevan, Armeni), Mehmed Pasha u shkarkua nga detyra. Në vitet e fundit të jetës u emërua si guvernator i Silistrës në Bullgari dhe pas akuzave të ngritura për rebelim, ai u burgos dhe u ekzekutua me urdhër të sulltan Murati IV më 2 shkurt 1637.

22. KARA MUSTAFË PASHË KAMEKESHI

Mustafa Pasha, i njohur kryesisht si Kara Mustafa Pashë Kamekeshi (1592-1644), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 23 dhjetor e vitit 1638 dhe deri më 31 janar 1644. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Muradit IV. Ai ka lindur në qytetin e Vlorës dhe epiteti i tij “Kamekeshi” lidhet me fjalën turke, “Kemankeş”, që do të thotë “Harkëtar.” Mustafa Pasha ishte një burrështetas me një karrierë të shkëlqyer, por ai bëri shumë armiq në oborrin sulltanor, madje edhe në gjirin e familjes së sulltan Muradit IV, i cili, pasi e shkarkoi nga detyra më 31 janar 1644, disa orë më vonë dha urdhër për ta ekzekutuar.

23. SULTANZADE MEHMET PASHA

Mehmed Pasha, i njohur kryesisht si Sultanzade Mehmed Pasha (1596-1646), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 31 janar e vitit 1644 dhe deri më 17 dhjetor 1645. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Ibrahimit. Epiteti “Sulltanzade” do të thotë se ishte i biri i një gruaje anëtare të Dinastisë së Osmanëve. Pasi sulltan Ibrahimi e shkarkoi nga detyra e Vezirit të Madh, ai e caktoi me mision në ishullin e Kretës në detyrën e komandantit të ushtrisë, por Mehmed Pasha vdiq shpejt nga shkaqe natyrore në muajin korrik të vitit 1646.

24. KARA DEV MURAT PASHA

Murat Pasha, i njohur kryesisht si Kara Dev Murat Pasha (1595 – 1655), ka shërbyer dy herë si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane:
1) 21 maj 1649 – 5 gusht 1650,
2) 11 maj 1655 – 19 gusht 1655.
E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mehmedit IV. Epiteti i tij “Kara” do të thotë “I zi” dhe i referohet guximit të tij dhe “Dev”, që do të thotë “Gjigand”, shkonte në përshtatje të plotë me përmasat e tij fizike. Pasi ishte i detyruar të japë dorëheqjen nga posti i Vezirit të Madh, më 19 gusht 1655, si rezultat i krizës ekonomike në Perandorinë Osmane dhe kundërshtimeve të forta të korpusit të jeniçerëve, ai u sëmur rëndë dhe vdiq në qytetin Hama të Sirisë, gjatë rrugës për në Damask, ku po shkonte për të marrë detyrën e re të bejlerbeut.

25. TARHONXHI AHMED PASHA

Ahmed Pasha, i njohur kryesisht si Tarhonxhi Ahmed Pasha (? – 1653), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 20 qershor e vitit 1652 dhe deri më 21 mars 1653. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mehmetit IV. Epiteti i tij “Tarhonxhi” rrjedh nga fjala turke, “Tarhoncu”, që lidhet me profesionin e tij të mëparshëm si “Shitës i Tarragonit”, një bimë që përdoret si erëz. Ahmed Pasha ka lindur në trevën e Matit dhe përpara se të bëhej Vezir i Madh, ai shërbeu në postin e bejlerbeut të Egjiptit. Përpjekjet e tij për të parandaluar rënien e mëtejshme ekonomike të Perandorisë Osmane dhe reformat e ndërmarra për të luftuar burokracinë shtetërore, e bënë atë armikun kryesor të forcave konservatore në elitën osmane, të cilat siguruan ekzekutimin e tij më 21 mars 1653, duke përhapur thashethemet e rreme se ai synonte të rrëzonte nga pushteti sulltan Mehmetin IV.

26. ZURNAZEN MUSTAFA PASHA

Mustafa Pasha, i njohur kryesisht si Zurnazen Mustafa Pasha (? – 1666), ka qenë burrështetasi, që shërbeu në detyrën e Vezirit të Madh për kohën më të shkurtër në të gjithë historinë e Perandorisë Osmane, vetëm 4 orë, më 5 mars të vitit 1656. Për këtë arsye, nganjëherë ai përjashtohet fare nga listat e Vezirëve të Mëdhenj. Epiteti i tij “Zurnazen” do të thotë “Klarinetist”, çka nënkupton se në të shkuarën ai ka qenë instrumentist muzikor. Mustafa Pasha u gradua nga titulli i avokatit në postin e Vezirit të Madh për shkak të ndikimit të fortë, që ushtroi te sulltan Mehmeti IV për shkarkimin e Gazi Husein Pashës nga detyra. Mirëpo, emërimi i tij shkaktoi një kryengritje në Stamboll dhe pasi u shkarkua nga detyra, ai u internua me qëllim për të kthyer rendin dhe qetësinë në kryeqytet.

27. MEHMED PASHË QYPRILLIU

Mehmed Pashë Qyprilliu ose Mehmed Pashë Kypriljoti, i njohur edhe si Mehmed Pasha Rojniku (1575–1661), ka qenë Veziri i Madh i Perandorisë Osmane dhe patriarku themelues i dinastisë politike “Köprülü (Qyprilliu)”, një familje vezirësh, luftëtarësh dhe burrash shteti, të cilët dominuan kupolën drejtuese të Perandorisë Osmane gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII, një epokë e njohur në historinë osmane si “Köprülüler Devri”, pra “Epoka e Qyprillinjëve.” Ai lindi në fshatin Roshnik të Beratit, u rekrutua nëpërmjet sistemit të Devshirmesë dhe ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 15 shtator e vitit 1656 e deri më 31 tetor 1661. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mehmetit IV. Mehmed Pashë Qyprilliu ndihmoi në ringritjen e fuqisë së Perandorisë Osmane, duke çrrënjosur korrupsionin dhe duke riorganizuar ushtrinë. Po ashtu, zgjeroi edhe kufijtë e perandorisë, duke mundur kozakët, hungarezët dhe venecianët. Ai vdiq më 31 tetor 1661, duke lënë pas vetes një makinë administrative të akorduar mirë, pasi i kishte rikthyer Perandorisë Osmane reputacionin e saj ushtarak, prestigjin dhe fuqinë e saj të mëparshme brenda dhe jashtë vendit.

28. FAZIL AHMED PASHË QYPRILLIU

Ahmed Pashë Qyprilliu, i njohur kryesisht si Fazil ose Fazlli Ahmed Pashë Qyprilliu (1635-1676), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 31 tetor e vitit 1661 dhe deri më 3 nëntor 1676. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mehmetit IV. Ai ishte i biri i Mehmed Pashë Qyprilliut, nga i cili trashëgoi edhe detyrën e Vezirit të Madh. Ai u quajt “Fazil”, që në gjuhën arabe do të thotë “I mençur” dhe ky epitet lidhet me vendimet e tij për uljen e taksave dhe nxitjen e arsimit. Ndërsa, nga ana tjetër, ai ishte brutal në luftë dhe këtë e dëshmoi kundër austriakëve, kroatëve, polakëve, lituanezëve dhe venecianëve. Autorët bashkëkohës europianë i kanë komentuar shumë shpesh tendencat e hapura ateiste të rrethit më të ngushtë të oborrtarëve të Ahmed Pashë Qyprilliut dhe veçanërisht ato të vetë Ahmedit. Prandaj, pikëpamjet e tij të vërteta fetare mbeten krejtësisht të panjohura. Ai vdiq më 3 nëntor 1676 si rezultat i ndërlikimeve shëndetësore të shkaktuara nga stili i tij i jetës, sepse pinte jashtë mase.

29. FAZIL MUSTAFA PASHË QYPRILLIU

Mustafa Pashë Qyprilliu, i njohur kryesisht si Fazil Mustafa Pashë Qyprilliu (1637–1691), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 10 nëntor 1689 dhe deri më 19 gusht 1691. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të dy sulltanëve, Sulejmanit II dhe Ahmedit II. Ai ishte i biri i Mehmed Pashë Qyprilliut dhe vëllai i Fazil Ahmed Pashë Qyprilliut. Njësoj si i ati dhe i vëllai përpara tij, edhe Fazil Mustafa Pashë Qyprilliu njihet si reformator i madh i Perandorisë Osmane. Në fillim kufizoi numrin e vezirëve në këshillin perandorak dhe me qëllim për të luftuar abuzimin me pushtetin nga ana e autoriteteve lokale dhe ata rajonale, ai krijoi këshilla të posaçëm nëpër provinca, duke i modeluar këto sipas strukturës së qeverisë qendrore. Më 19 gusht 1691, Fazil Mustafa Pashë Qyprilliu u godit në ballë nga një plumb në Betejën e Slankamenit (në veri të Beogradit) gjatë luftimeve me forcat Hapsburgo-Austriake.

30. ALI PASHË ARABXHIU

Ali Pashë Arabaxhiu, i njohur edhe si Bahadirzade Ali Pasha (1620–1693), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 24 gusht 1691 dhe deri më 21 mars 1692. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Ahmedit II. Ai ka lindur në qytetin e Ohrit dhe epiteti i tij, “Arabacı”, do të thotë “karrocier”, një aludim për praktikën e tij të veçantë për t’iu dërguar armiqtë e tij politikë një karrocë, me qëllim për t’i nisur ata në mërgim ose drejt ekzekutimit. Pakujdesia e tij ndaj çështjeve ushtarake dhe metodat e ashpra që përdori ndaj kundërshtarëve të tij të brendshëm, bënë që ai të humbiste plotësisht mbështetjen e sulltanit. Më 21 mars 1692, ai u shkarkua nga detyra dhe fillimisht u internua në Gadishullin e Galipolit (Turqi) dhe më pas në ishullin Rodos (Greqi). Mirëpo, kur sulltan Ahmedi II u informua se Ali Pashë Arabaxhiu po thurte plane për t’u rikthyer në detyrë dhe për revoltë kundër tij, ai u ekzekutua në Rodos, në vitin 1693.

31. AMKAZADE HYSEIN PASHË QYPRILLIU

Hysein Pashë Qyprilliu, i njohur kryesisht si Amkazade Hysein Pashë Qyprilliu (1644–1702), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 17 shtator e vitit 1697 dhe deri më 4 shtator 1702. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mustafait II. Ai ishte i biri i of Hasan Agë Qyprilliut, që ishte vëllai i Mehmed Pashë Qyprilliut. Për këtë arsye njihej me epitetin “Amkazade”, që do të thotë “Nip” i patriarkut themelues të dinastisë politike “Köprülü (Qyprilliu).” Menjëherë sapo mori detyrën e Vezirit të Madh, sulltan Mustafai II i bëri një premtim solemn se ai do të kishte dorë të lirë në qeverisjen e tij të Perandorisë pa asnjë ndërhyrje nga vetë sulltani. Më pas, ky i fundit u tërhoq në jetën e tij të oborrit në pallatin e vjetër në Edrene, duke ia besuar Stambollin, Hysein Pashë Qyprilliut. Pasi vendosi paqen me fuqitë perëndimore, ai ndërmori një sërë reformash në fusha të ndryshme dhe më 4 shtator 1702 dha dorëheqjen nga posti i Vezirit të Madh për shkak të sëmundjes së tij. I tërhequr nga detyra, në të cilën i kishte realizuar objektivat kryesorë, Hysein Pashë Qyprilliu vendosi të jetonte në pronën e tij në Silivri, afër Stambollit, ku edhe vdiq.

32. NUMAN PASHË QYPRILLIU

Numan Pashë Qyprilliu (1670–1719), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 16 qershor 1710 dhe deri më 17 gusht 1710, pra vetëm për 62 ditë. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Ahmedit III. Kur filloi mandatin e tij si Vezir i Madh, Numan Pashë Qyprilliu kishte një reputacion si një burrështetas i ndershëm, i pakorruptueshëm, adiminstrator i aftë dhe udhëheqës ushtarak me përvojë. Mirëpo, duke qenë një besimtar mysliman fanatik, ai ndërmori veprime fetare të vijës së ashpër kundër të krishterëve katolikë dhe ortodoksë, që jetonin në Stamboll. Kjo lloj politike shkaktoi kritika të shumta nga jashtë. Duke qenë i paaftë në ruajtjen e paqes me Perandorinë Ruse dhe në stabilizimin e situatës politike që po ziente në Stamboll, Numan Pashë Qyprilliu u largua nga detyra e tij pas vetëm dy muajsh e dy ditësh. Nga autorët bashkëkohës europianë mësojmë se gjatë viteve të fundit të jetës, Numan Pashë Qyprilliu ka vuajtur nga çrregullime mendore.

33. HAXHI HALIL PASHË ARNAVUTI

Halil Pasha, i njohur kryesisht si Haxhi Halil Pashë Arnavuti (? – 1733), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 21 gusht e vitit 1716 dhe deri më 26 gusht 1717. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Ahmedit III. Fushata e tij ushtarake më e rëndësishme ishte ajo e Beogradit, por gjatë rrethimit të këtij qyteti nga ushtria austriake (18 qershor 1717 – 21 gusht 1717). Haxhi Halil Pashë Arnavuti, edhe pse udhëhiqte 210.000 trupa, u shpartallua nga Eugjeni i Savojës, i cili mori Beogradin. Pas kësaj disfate katastrofike ai u shkarkua nga posti i Vezirit të Madh më 26 gusht 1717. Edhe pse u dënua me vdekje me urdhër të sulltan Ahmedit III, ai u fsheh në Stamboll dhe më 7 qershor 1720 u zbulua, por me ndihmën e miqve të tij u fal. Në vitin 1727, u emërua sanxhakbe i Egribozit në Greqinë qendrore dhe në vitin e ardhshëm u emërua guvernator i Kretës, ku ai vdiq në vitin 1733.

34. IVAZ MEHMED PASHA

Ivaz Mehmed Pasha, i njohur edhe si Haxhi Ivaz Mehmed Pasha (? – 1743), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 22 mars e vitir 1739 dhe deri më 23 qershor 1740. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mahmudit I. Më 21 korrik 1739, ai komandoi ushtrinë osmane në Betejën e Grockës (21–22 korrik 1739), pranë Beogradit, ku mundi forcat austriake të komanduara nga Konti i Wallis, George Oliver. Pas betejës, ai rrethoi dhe pushtoi Beogradin, por kur u kthye në Stamboll si komandant fitimtar, ai dështoi në administratën civile. Po ashtu, ishte i paefektshëm gjatë shuarjes së zjarreve të mëdha që shpërthyen në Stamboll dhe në shtypjen e një rebelimi. Si rezultat i këtyre dështimeve, sulltani e shkarkoi atë nga posti më 23 qershor 1740. Gjatë viteve të fundit të jetës u caktua si guvernator provincial nëpër rajone të ndryshme të Perandorisë Osmane, deri sa vdiq në Lepanto të Greqisë, në vitin 1743.

35. IVAZADE HALIL PASHA

Ivazzade Halil Pasha (1724–1777), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 13 dhjetor e vitit 1769 dhe deri më 25 dhjetor 1770. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mustafait III. Ai ishte i biri i Vezirit të Madh, Ivaz Mehmed Pasha. Mori pjesë në Luftërat Ruso-turke me titullin komandant i përgjithshëm i ushtrisë dhe më pas u përjashtua nga shërbimi ushtarak. Në vitet e fundit të jetës, njësoi si i ati, ai u caktua si guvernator provincial nëpër rajone të ndryshme të Perandorisë Osmane si në Egriboz të Greqisë, në Bosnjë, në Selanik dhe Sivas të Azisë së Vogël.

36. ALEMDAR / BAJRAKTAR MUSTAFA PASHA

Mustafa Pasha, i njohur kryesisht si Alemdar ose Bajraktar Mustafa Pasha (1750–1808), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 29 korrik e vitit 1808 dhe deri më 15 nëntor 1808. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mahmudit II. Ai lindi në familjen e një jeniçeri të pasur shqiptar me emrin Haxhi Hasan Aga nga fshati Goskovë i Korçës, por që asokohe mendohet se jetonte në Ruse të Bullgarisë së sotme. Epitetet “Bajraktar” dhe “Alemdar”, që të dy do të thonë “Flamurar” dhe kjo lidhet me gradën e tij ushtarake, që mbante në korpusin e jeniçerëve gjatë Luftës Ruso-Turke të viteve 1768–1774. Në kohën kur ushtroi detyrën e Vezirit të Madh, ai u përpoq të reformojë ushtrinë, por gjatë këtij procesi krijoi armiqësi me korpusin e jeniçerëve. Më 15 nëntor 1808, rreth 1.000 jeniçerë bastisën shtëpinë e Mustafa Pashës dhe duke qenë i betëdijshëm se nuk mund t’i mbijetonte sulmit, ai ndezi fuçitë e barutit në bodrumin e shtëpisë së tij, duke vrarë veten dhe rreth 400 jeniçerë. Trupi i tij u varros në oborrin e Xhamisë Zejnep Sulltan në Stamboll dhe një rrugë e këtij qyteti pranë Portës së Lartë mban emrin e Alemdar Mustafa Pashës, ku në një pllakë përkujtimore që ndodhet aty, thuhet se babai i tij ishte jeniçer nga Rusçuku (Ruse i Bullgarisë).

37. ÇAUSHBASHI MEMISH PASHA

Memish Pasha, i njohur kryesisht si Çaushbashi Memish Pasha (? – 1809), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane për një periudhë shumë të shkurtër, nga data 16 nëntor e vitit 1808 dhe deri në muajin dhjetor të 1808. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mahmudit II. Epiteti i tij, “Çaushbashi” lidhet me gradën ushtarake osmane, “Çavuşbaşı”, që do të thotë “Kryerreshter.” Për jetën e tij nuk dihet asgjë më tepër se sa kaq, sepse edhe vetë burimet osmane pothuajse heshtin plotësisht.

38. MUSTAFA NAIL PASHA

Mustafa Nail Pasha, i njohur edhe si Gjiritli Mustafa Naili Pasha (1798-1871), ka shërbyer dy herë si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane:
1) 14 maj 1853 – 29 maj 1854,
2) 6 gusht 1857 – 22 tetor 1857
E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Abdylmexhitit I. Ai lindi në fshatin Pojan të Korçës dhe epiteti “Gjiritli” lidhet me ishullin e Kretës, në turqisht “Girit”, ku në vitet 1830–1851 ai ka mbajtur detyrën e valiut. Periudha e mandatit të tij të parë si Vezir i Madh përkon me pragun e menjëhershëm të fillimit të Luftës së Krimesë (tetor 1853 – shkurt 1856) dhe e dyta, me pasojat e asaj lufte. Shquhet si një burrështetas shumë i matur dhe i kujdesshëm, por edhe diplomat largpamës.

39. MEHMET FERID PASHË VLORA

Mehmet Ferid Pashë Vlora (1851–1914), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 15 janar e vitit 1903 dhe deri më 22 korrik 1908. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Abdyl Hamidit II. Ai lindi në qytetin e Janinës, ishte i biri i Mustafa Pashë Vlorës dhe i Naile Hanëm Janinës. Po ashtu, ishte vëllai i Syrja Bej Vlorës, i cili ka qenë këshilltar i sulltan Abdyl Hamidit II për ekonominë dhe një ndër firmëtarët e Aktit të Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Përveç gjuhës amtare, asaj shqipe, Mehmet Ferid Pashë Vlora fliste rrjedhshëm turqisht, arabisht, frëngjisht, italisht dhe greqisht. Ai u emërua Vezir i Madh nga Abdyl Hamidi II në fillim të vitit 1903, pasi sulltani kishte mundur forcat shqiptare të organizuara nga Lidhja e Pejës dhe pasi mbylli të gjitha shkollat shqipe në Shqipëri. Arsyet e sulltanit për të zgjedhur Mehmed Ferid Pashën për të shërbyer në këtë detyrë mund të kuptohen mjaft lehtë. Ai ishte shqiptar, ishte njeri me reputacion dhe po ashtu, për të respektuar atë pjesë të elitës shqiptare të kohës, për shërbimin dhe besnikërinë e tyre ndaj Perandorisë Osmane, në mes të një situate gjeopolitike gjithnjë e më të përkeqësuar në Ballkan. Mehmet Ferid Pashë Vlora është një figurë historike kontroverse dhe me shumë dritëhije!… Nga njëra anë, ishte besnik i Abdyl Hamidi II dhe nga ana tjetër, një ndihmëtar i çështjes kombëtare dhe kryetar i Kolonisë Shqiptare të Stambollit. Sulltan Abdyl Hamidi II e shkarkoi nga detyra e Vezirit të Madh më 23 korrik 1908 dhe e zëvendësoi atë me Mehmed Said Pashën pasi ai nuk arriti të parandalonte Revolucionin Xhonturk dhe t’i mbante shqiptarët besnikë ndaj shtetit, sepse shumë prej tyre ishin të përfshirë në ato ngjarje. Në vitin 1909, Mehmet Ferid Pashë Vlora u emërua Ministër i Brendshëm dhe ajo çka bie në sy është se në Parlamentin Osman mbrojti aktet barbare të qeverisë osmane në Kosovë, duke mbajtur një qëndrim të turpshëm kundër kritikave të deputetëve shqiptarë për përdorimin pa kriter të forcës nga ushtria osmane kundër rebelëve dhe civilëve të kapur gjatë shkëmbimeve të zjarrit. Mbi jetën e Mehmet Ferid Pashë Vlorës ka shumë të dhëna burimore mbi të cilat mund të skicohet një biografi e plotë, por kjo figurë historike nuk është tema kryesore e këtij studimi.

40. MEHMET SAID HALIM PASHA

Mehmed Said Halim Pasha (1865-1921), ka shërbyer si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane nga data 12 qershor e vitit 1913 dhe deri më 4 shkurt 1917. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mehmed Reshatit V. Ai lindi në pallatin Shubra në Kajro të Egjiptit dhe ishte i biri i Muhamed Abd al-Halim Pasha, njëri nga djemtë e Mehmet Ali Pashës ose Mehmet Aliut të Madh, themeluesit të Egjiptit modern. Në vitin 1870, kur Mehmed Said Halim Pasha ishte 5 vjeç, ai dhe familja e tij u larguan nga Kajro dhe u vendosën në qytetin e Stambollit. Pasi u edukua nga mësues privatë në Stamboll, më vonë ai studioi për shkenca politike në Zvicër. Në muajin shtator të vitit 1913, ai u nderua me Urdhrin e Dallimit nga sulltan Mehmed Reshati V për shërbimin e tij në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes me Bullgarinë dhe caktimin e kufirit në lumin Marica, përtej qytetit të Edrenesë. Mehmed Said Halim Pasha ishte një nga nënshkruesit e Aleancës Osmane-Gjermane, e cila u nënshkrua në rezidencën e tij në Yeniköy me ambasadorin gjerman, Baron Wangenheim, më 2 gusht 1914. Kjo do të rezultojë në futjen e Perandorinë Osmane në Luftën e Parë Botërore (1914-1918) dhe për këtë arsye, Mehmed Said Halim Pasha kërkoi të japë dorëheqjen. Mirëpo, sulltan Mehmed Reshati V, i cili donte një person të cilit i besonte si Vezir i Madh i kërkoi Mehmed Said Halim Pashës të qëndronte në postin e tij sa më gjatë që të ishte e mundur. Gjatë Gjenocidit Armen (1915–1917), ai nënshkroi urdhrat e dëbimit për popullsinë autoktone armene, duke çuar në spastrim etnik, ku nuk u kursye as vetë Patriarku Armen, Zaven I Der Jegijan, i cili u deportua. Siç dihet, gjatë kësaj periudhe u masakruan deri në 1.500.000 civilë armenë. Në vitin 1919, Mehmed Said Halim Pasha u akuzua për tradhti gjatë gjyqeve ushtarake të zhvilluara pas Luftës së Parë Botërore (1914-1918) në Perandorinë Osmane, për rolin e tij në dëbimin e civilëve armenë dhe nënshkrimin e një aleance të fshehtë me Gjermaninë. Ai u internua më 29 maj 1919 në një burg në Maltë dhe pasi iu refuzua kërkesa për t’u kthyer në Stamboll, ai u vendos në Romë. Pikërisht këtu u vra më 6 dhjetor 1921 nga Arshavir Shirakian, një agjent i Federatës Revolucionare Armene, për rolin e tij në gjenocidin armen.

41. AHMED IZET PASHA

Ahmed Izet Pasha, i njohur edhe si Ahmet Izet Furgaç (1864-1937), ishte një nga Vezirët e fundit të Mëdhenj të Perandorisë Osmane dhe shërbeu në këtë detyrë nga data 14 tetor e vitit 1918 dhe deri më 8 nëntor 1918. Ai ishte po ashtu, edhe ministri i fundit i Punëve të Jashtme i Perandorisë Osmane. E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mehmedit VI. Ahmed Izet Pasha ka lindur në një familje shqiptare në qytetin Neapoli, që ndodhet në rajonin e Maqedonisë Perëndimore në Greqinë Veriore, asokohe pjesë e Vilajetit të Manastirit. Gjatë kohës kur shërbeu si Vezir i Madh, ai mbante edhe detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme, dhe lëshoi një proklamatë që u lejonte të dëbuarve (armenë dhe grekë) të drejtën për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Madje, para se të jepte dorëheqjen, ai miratoi planet për të formuar dhjetëra komisione, që do të kthenin ose kompensonin humbjet e shtëpive dhe bizneseve për të dëbuarit grekë dhe armenë. Falë këtyre masave të marra fillimisht prej tij, mendohet se deri në vitin 1920, u kthyen në shtëpitë dhe në pronat e tyre, rreth 335.000 armenë dhe grekë. Mirëpo, duhet thënë se Ahmed Izet Pasha e kaloi pjesën më të madhe të 25 ditëve të postit të Vezirit të Madh, duke qëndruar kryesisht i shtrirë në shtrat pasi u infektua me “Gripin Spanjoll (1918-1920)”, që ishte një nga pandemitë më vdekjeprurëse në historinë e njerëzimit me 500.000.000 të infektuar dhe 50.000.000 të vdekur. Pasi dha dorëheqjen nga posti, Ahmed Izet Pasha u kritikua rëndë për arsye se i lejoi të ashtuquajturit “Tre Pashallarët (Mehmed Talaat Pasha, Ismail Enver Pasha dhe Ahmed Xhemal Pasha)”, të arratiseshin jashtë vendit natën e 2 dhe 3 nëntorit përpara se ata të gjykoheshin në Gjykatat Ushtarake Turke të viteve 1919-20 për krime lufte, në veçanti për mizoritë e kryera kundër popullsisë armene.

42. DAMAT FERID PASHA

Damat Ferid Pasha, i njohur edhe si Damat Mehmed Adil Ferid Pasha (1853-1923), ka shërbyer dy herë si Vezir i Madh i Perandorisë Osmane:
1) 4 mars 1919 – 2 tetor 1919,
2) 5 prill 1920 – 21 tetor 1920.

E ushtroi detyrën në kohën e sundimit të sulltan Mehmedit VI. Damat Ferid Pasha ka lindur në qytetin e Stambollit dhe ishte djali i Izet Efendiut nga fshati Potoc afër Pljevlja, në Malin e Zi, pjesë e rajonit të madh të Sanxhakut. Njihet si një burrështetas liberal dhe shquhej si një anglofil aq i zjarrtë sa deklaronte publikisht se: “Pas Zotit, unë dhe sulltani jemi me Anglinë.” Ai ishte Veziri i Parafundit në historinë e Perandorisë Osmane. Mandati i tij i dytë si Vezir i Madh përkoi me mbylljen e Parlamentit Osman nën presionin e vazhdueshëm të forcave pushtuese britanike dhe franceze. Së bashku me katër personalitete të tjerë të shquar, ai pranoi të nënshkruante Traktatin e Sèvres (10 gusht 1920)”, në Francë, që përfshinte kushte katastrofike për Turqinë, gjë e cila shkaktoi reagime të shumta ndaj tij, deri në organizime atentatesh për ta eliminuar fizikisht. Për shkak të përfshirjes së tij në Traktatin e Sèvres, bashkëpunimit me fuqitë pushtuese aleate dhe gatishmërisë së tij për të pranuar pa asnjë lloj hezitimi mizoritë e kryera kundër armenëve, ai u shpall tradhtar dhe më pas “Persona non grata” në Turqi. Ai u arratis në Europën Perëndimore dhe vdiq në Nicë të Francës, më 6 tetor 1923, pikërisht të njëjtën ditë kur trupat turke rimorën nën kontroll qytetin e Stambollit.

BIBLIOGRAFIA:
AFYONCU Erhan,- Hija e shtetit osman, (Përkth. Florida Kulla; Red. Rexhep Hida), Tiranë: Fan Noli, 2016.
AFYONCU Erhan,- Mehmedi II: një sulltan i përbotshëm, (Përkth. Eduart Caka; Red. Rexhep Hida), Tiranë: Fan Noli, 2024.
ÁGOSTON Gábor & MASTERS Bruce,- Encyclopedia of the Ottoman Empire, New York: Infobase Publishing, 2009.
ALPAN Nexhip P. & KAÇI Nesip,- Shqiptarët në Perandorinë Osmane, Tiranë: Albin, 1997.
BABINGER Franz,- Mehmet pushtuesi: Botësulmuesi në kapërcyell kohe (Përkth. Afrim Koçi), Vol. I, Tiranë: 55, 2005.
BABINGER Franc,- Mehmet pushtuesi: Botësulmuesi në kapërcyell kohe (Përkth. Afrim Koçi), Vol. II, Tiranë: 55, 2005.
BARTL Peter,- Ballkani Perëndimor midis monarkisë spanjolle dhe Perandorisë Osmane, Tiranë: Dituria, 2011.
BOZBORA Nuray,- Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane, (Përktheu nga origjinali turqisht: Dritan Egro), (Red. Ferit Duka), Tiranë: Dituria, 2002.
CASTELLAN Georges,- Histori e Ballkanit : shek. XIV-XX (red. Arben Puto & Mirela Kumbaro), (përkth. nga origjinali frëngjisht: Arben Puto & Luan Omari), Tiranë : Çabej MÇM, 1996.
CREASY Edward Shepherd,- History of the Ottoman Turks: From the Beginning of Their Empire to the Present time, New York: Henry Holt and Company, 1878.
DUKA Ferit,- Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare (Studime dhe dokumente), Tiranë: 4/Studime, UET Press, 2009.
ERRANTE Vincenzo,- Storia dell’ Impero Osmano, da Osman alIa pace di’ Carlowitz, Vol. I, Roma: Forzani e C., 1882.
FAVEIRIAL Zhan Klod,- Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, (përkth. Gent Ulqini), Tiranë: Plejad, 2004.
FINKEL Caroline,- Osman’s Dream: The History of the Ottoman Empire 1300-1923, New York, Basic Books, 2005.
RAZEE Charles A.,- Catholics and Sultans: The Church and the Ottoman Empire 1453-1923, Cambridge University Press, 1983.
GIBBON Edward,- The history of the decline and fall of the Roman Empire, (Printed from The Edition in Twelve Volumes. With an introductory memoir of the author, By William Youngman), London: Joseph Ogle Robinson, 42, Poultry. & Liverpool: A. C. Baynes, Waterloo-Place. Stereotyped and Printed by J. R. and C. Childs, MDCCCXXX (1830).
HAMMER Giuseppe Cav. De,- Storia dell’Impero Osmano, (Illustrata ed arricchita di molte aggiunte dallo stesso autore e recata in italiano per la prima volta da Samuele Romanini), Epoca prima: Dal 1300 al 1453, Tomo IV, Venezia: Dai Tipi di Giuseppe Antonelli, Editore Libraio-Calcografo, 1829.
HAMMER Giuseppe Cav. De,- Storia dell’Impero Osmano, (Illustrata ed arricchita di molte aggiunte dallo stesso autore e recata in italiano per la prima volta da Samuele Romanini), Epoca seconda: Dal 1453 al 1520, Tomo V, Venezia: Dai Tipi di Giuseppe Antonelli, Editore Libraio-Calcografo, 1829.
HAMMER Giuseppe Cav. De,- Storia dell’Impero Osmano, (Illustrata ed arricchita di molte aggiunte dallo stesso autore e recata in italiano per la prima volta da Samuele Romanini), Epoca seconda: Dal 1453 al 1520, Tomo VI, Venezia: Dai Tipi di Giuseppe Antonelli, Editore Libraio-Calcografo, 1829.
HECQUARD Hyacinthe,- Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, (Përktheu nga frëngjishtja dhe pajisi me shënime: Oriana Tamburi), Botimi I, Tiranë: Plejad, 2008.
IANT Jacques de,- L’histoire du prince Osman, fils du sultan Ibrahim, Empereur des Turcs, et frère de Mahomet IV, à present regnant, depuis nommé le P. Dominique-Othoman, de l’ordre des Freres Prescheurs. Où est décrit le combat naval des Chevaliers de Malthe, les intrigues du Serail & de la Porte, au sujet de la sultane & de son fils. Et l’histoire du Sultan Iacaya. Avec vn abrege’ de l’histoire des Turcs jusqu’a present, A Paris: Chez Estienne Loyson, au Palais, à Lentree de la Galerie des Prisonniers, au Nom de Iesus, MDCLXX (1670).
İNALCIK Halil,- The Ottoman Turks and the Crusades, 1329-1451, në: A History of the Crusades: The Impact of the Crusades on Europe, Vol. VI, (Edited by: Harry W. Hazard and Norman P. Zacour ; General Editor: Kenneth Meyer Setton), Madison-London: University of Wisconsin Press, 1989.
İNALCIK Halil,- The Ottoman Turks and the Crusades, 1451-1522, në: A History of the Crusades: The Impact of the Crusades on Europe, Vol. VI, (Edited by: Harry W. Hazard and Norman P. Zacour ; General Editor: Kenneth Meyer Setton), Madison-London: University of Wisconsin Press, 1989.
İNALCIK Halil,- Perandoria Osmane, Periudha klasike 1300-1600, Tiranë: Dituria, 2013.
JACQUES Edwin,- Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e sotme, Tiranë: Kartë e Pendë, Fondacioni Abraham Linkoln, 1995.
JACQUES E. Edwin,- Islamizimi i Shqipërisë nën turqit, (Përkth. Urim Poshka / red. Petrit Bezhani / Përg. për botim. Mehdi Gurra), Tiranë: Alsar, 2019.
JENKINS Hester Donaldson,- Ibrahim Pasha, (Shqipëroi: Fatjon Myftari dhe Esat Myftari), Prishtinë: Faik Konica, 2022.
JYXHEL Jashar (Ankara),- Vështrim i përgjithshëm rreth decentralizimit në Perandorinë Osmane, në: Studime Historike, 1, Tiranë: 1987.
KINROSS Lord,- The Ottoman Centuries: The Rise and Fall of the Turkish Empire, New York, William Morrow & Co., Inc., 1977.
KYLÇE Sulejman,- Shqipëria në historinë osmane, (përkth. nga turq. Zyber Hasan Bakiu), Tiranë, 2004.
LAVALLÉE Théophile,- Histoire de l’empire ottoman depuis les temps anciens jusqu’à nos jours, Paris: Garnier Frères, 1855.
LEMAIRE Henri,- Histoire de l’Empire de Turquie, depuis son origine, jusqu’au 19 octobre 1821. Ouvrage contenant des details intéressants sur le formation de cet Empire, sur son gouvernement sur ses guerres étrangères, ses guerres intestines, et ses révolutions; terminé par le récit des principaux événemens de la guerre actuelle des Grecs contre les Turcs, A Paris: Chez Ledentu, Libraire, Quai des Augustins, nr. 31., 1821.
MAKSUDOĞLU Mehmet,- Historia osmane dhe institucionet, (Shqipëroi nga anglishtja: Eneida Meidani, redaktoi: Petrit Bezhani), Ankara: Alsar, 2019.
MAKSUDOĞLU Mehmet,- Vështrime mbi historinë osmane, (Përg. Për botim: Mehdi Gurra), Tiranë: Alsar, 2020.
MALCOLM Noel,- Kosova: Një histori e shkurtër, (Përktheu nga origjinali anglisht Abdullah Karjagdiu), Prishtinë: Koha, 2019.
MALCOLM Noel,- Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit (Studime mbi historinë e shqiptarëve), (Përkthyen: Ana Haxhi – kapitujt 1-10 & Enes Lekiqi – kapitujt 11-12), Prishtinë: Botime Artini, 2020.
MALCOLM Noel,- Armiq të dobishëm: Islami dhe Perandoria Osmane në mendimin politik perëndimor (1450-1750), (Përktheu nga anglishtja Col Mehmeti), Prishtinë: Artini, 2023.
MANTRAN Robert,- Historia e Perandorisë Osmane, (Përkth. Asti Papa; Red. Dritan Egro), Tiranë: Dituria, 2004.
MIGNOT Vincent,- Histoire de l’Empire Ottoman, Depuis son origine jusqu’à la paix de Belgrade en 1740. Par M. Mignot, Abbé de Scellières, Conseiller honoraire au Grand Conseil, Quidquid delirant Reges, plectuntur Achivi. Horat. I. Epist. 2. Tome Premier, A Paris: Chez le Clere, Libraire, Quai des Augustins, M.DCC.LXXI (1771).
MURZAKU Thoma, MULLAI Abaz, SALA Gëzim& SHABANAJ Hysen,- Historia e Mesjetës: shek. XIV – XV, Tiranë, 2003.
PITCHER Donald Edgar,- An Historical Geography of the Ottoman Empire: From Earliest Times to the End of the Sixteenth Century, (with detailed maps to illustrate the expansion of the Sultanate), Leiden: E.J.Brill, 1972.
PULAHA Selami,- Lufta shqiptaro-turke 1370-1530, -Burime osmane-, (përkthyer e përgatitur për shtyp nga S.Pulaha në vitin 1968; red. Myqerem Janina etj.), Tiranë, 2016.
RUSSELL Jesse & COHN Ronald,- List of Ottoman Grand Viziers, Book on Demand, 2012.
SALABERRY Charles-Marie d’Irumberry de,- Histoire de l’Empire Ottoman, depuis sa fondation jusqu’a la paix d’Yassi, en 1792, Avec des pièces justificatius, et une carte de l’Empire Ottoman, Tome Premiere, Paris: Le Normant, Impremeur-Libraire, Rue de Seine, 1813.
SALABERRY Charles-Marie d’Irumberry de,- Histoire de l’Empire Ottoman, depuis sa fondation jusqu’a la paix d’Yassi, en 1792, Avec des pièces justificatius, et une carte de l’Empire Ottoman, Tome Second, Paris: Le Normant, Impremeur-Libraire, Rue de Seine, 1813.
SALABERRY Charles-Marie d’Irumberry de,- Histoire de l’Empire Ottoman, depuis sa fondation jusqu’a la paix d’Yassi, en 1792, Avec des pièces justificatius, et une carte de l’Empire Ottoman, Tome Troisième, Paris: Le Normant, Impremeur-Libraire, Rue de Seine, 1813.
SCHEVILL Ferdinand,- Ballkani: Historia dhe Qytetërimi, (përkth. Mitro Çela & Enian Çela), Tiranë, 2006.
SKENDI Stavro,- Studime kulturore ballkanike, (Përktheu: Artan Puto), Bota Shqiptare 18, Tiranë: IDK, 2010.
SUGAR Peter F.,- Europa Juglindore nën sundimin osman: 1354-1804, (përkth. nga: Natasha Bombaj & Kujtim Ymeri), Tiranë, 2007.
SHAW Stanford J.,- History of the Ottoman Empire and Modern Turkey, Volume I: The Empire of the Gazis. The Rise and Decline of the Ottoman Empire, 1280-1808. Cambridge; New York: Cambridge University Press, 1976.
TOPBASH Osman Nuri,- Osmanët: Me personalitetet dhe institucionet e tyre monumentale, (E përktheu nga origjinali: Zyra e përkthimeve – Progresi Botime), Shkodër: Progresi, 2009.
TURNBULL Stephen R.,- The Ottoman Empire 1326-1699, Osprey Publishing, 2003.
THËNGJILLI Petrika,- Historia e Perandorisë Osmane, Tiranë: Sh.B.L.U., 1997.
THËNGJILLI Petrika,- Historia e popullit shqiptar (395-1831), Ribotim, Tiranë: Sh.B.L.U., 2009.
UPHAM Edward,- History of the Ottoman Empire: From Its Establishment, Till the Year 1828, In two volumes: Vol. I, Edinburgh: Constable and Company, 1829.
VLORA Eqrem Bej,- Kujtime 1885-1925, (Përkth. Afrim Koçi), Tiranë: IDK, 2003.
WITTEK Paul,- The Rise of the Ottoman Empire: Studies in the History of Turkey, Thirteenth–Fifteenth Centuries, ed. with and afterword by Colin Heywood, London and New York, Routledge, 2012.
ZINKEISEN Johann Wilhelm,- Geschichte des Osmanischen Reiches in Europa, Vol. I: Urgeschichte und Wachsthum des Reiches bis zum Jahre 1453, Hamburg: Bei Friedrich Perthes, 1840.
ZINKEISEN Johann Wilhelm,- Geschichte des Osmanischen Reiches in Europa, Vol. II: Das Reich auf der höhe seiner Entwickelung 1453-1574, Gotha: Bei Friedrich Perthes, 1854.

Nga: Pauli Zefi.
Lezhë: 27.09.2024.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.