VETËZBULIMI I VOTËS SË FSHEHTË, PËRBËN KRIM ELEKTORAL

0
Lumir Abdixhiku - Florim Zeqa

IDRIZ ZEQIRAJ

“Sa të rroç, do të mësosh”, – thonë vëllezërit tanë jugor. Me keqardhje e dhimbje të madhe, për partinë e Presidentit Rugova, mësuam atë që nuk e prisnim kurrë! “Në Kryesinë e LDK-së morëm vendimin që deputeti ynë të votojë fshehurazi, por pa e hedhur fletën votuese në kutinë zgjedhore, ta trgojë adresimin e votës së “fshehtë!” Shpalosjen e këtij “xhevahiri” unik, kryetari LDK-së, Lumir Abdixhiku, e bëri publik në debatin televiziv.

Këtë e “arsyetoi” se e kërkuan dy deputetet e përfolura, Marigonë Geci dhe Serbeze Kabashi-Muqaj, pasi i kontaktoi hapur LVV, në kërkim të votës së tyre. Dhe, kjo është krejt normale për në subjekt politik, me fitore plebishitare, duke vjelur vota sa e gjithë opozita e marrë së bashku, por të pamjaftueshme për votimin e kryetarit të Kuvendit.

LVV i kontaktoi pikërisht dy deputetet në fjalë, duke parë reagimet e tyre dinjitoze dhe me integritet të plotë, për zgjidhjen e ngërçit kuvendor. Deklarimet e tyre të hapura dhe të sinqerta, ndoshta, nuk i pëlqyen shefit të LDK-së dhe ngjallën dyshimin se ato mund të mos jenë pjesë e votimit të tufëzuar, blegtoral. Dhe, kjo e nxiti kryetar Lumirin, të bëjë atë deklarimin fatal të vetëzbulimit publik të votës së fshehtë të deputetëve të LDK-së!

Marigonë Geci, mbesa e bajraktarit të Llaushës, të ekzekutuar nga soldateska serbo-sllave, deklaroi hapur se nuk voton rikthimin në pushtet të PDK-së të kriminalizuar. Kjo parti ka përgjakur LDK-në dhe Kosovën, përfshi edhe familjen Geci, të cilën me Komunikatën numër 59, kërkonte eliminimin politik dhe fizik të saj. Për pasojë, u vranë gazetari Bekim Kastrati, truproja e Presidentit Rugova, Besim Dajaku dhe u plagos babai i Marigonës, Gani Geci. Edhe pse dihen urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, drejtësia e kapur nga PAN-i, çuditërisht dhe kriminalisht, i ka fshehur dhe heshtur krimet.

Serbeze Kabashi-Muqaj, e specializuar në mjekësi, në Mannheim të Gjermanisë, tani doktoreshë dhe profesoreshë në Universitetin e Prishtinës. Është e bija e Ragip Kabashit, mërgimtari dhe veprimtari i hershëm të Shoqatës “Nëna Tereze”; të Shoqatës së njohur “Dardania”, aktivist i Fondit të 3 %-it; i LDK-së dhe pjesëmarrës në të gjitha aksionet për Kosovën në paqe dhe në luftë. Një humanist i përkushtuar, burrë i dashur, komunikues i shkëlqyer, i matur, i mençur dhe fisnik. Dhe, doktoreshë Serbezja ka trashëguar mjaft nga cilësitë e të atit, deri në përmasën “më bëjë baba të të ngjaj”. Si deputete rishtare, e përgjegjshme, e përkushtuar, për ta përmbushur premtimin publik, të dhënë zgjedhësve të saj dhe të Kosovës mbarë, e përjetoi rëndë ngërçin kuvendor. Andaj, bëri thirrje publike, për një zgjidhje të shpejt e fatlume, pa e fajësuar ndonjë subjekt politik me emër.

Vendimi i paprecedent i Kryesisë të LDK-së, ka shokuar jo vetëm anëtarësinë, elektoratin dhe shqiptarët, sepse nuk e prisnin këtë poshtërim, për deputetët e saj të zgjedhur me votën e lirë dhe demokratike. Është një vendim unik, një lajthitje, që nuk i bënë nder një partie veterane të demokracisë, bërëse e paqes dhe e luftës, themeltare e shtetit të Kosovës. Dhe, pikërisht, kjo e rëndon, madje skajshëm, lidershipin aktual të LDK-së, për censurimin e demokracisë!

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, duhej të mblidhej të nesërmen e publikimit të deklarimit të kryetarit Abdixhiku, për vendimin monstrum, ta demantonte, duke e zhbërë atë, me qortimin e madh se metoda të tilla kontrolli të votës së fshehtë, nuk mund të jenë praktikë e LDK-së zë madhe të Presidentit Rugova. Heshtja për këtë krim partiak elektoral, duhet thyer nga vetë partia.

Edhe KQZ duhet të reagojë dhe ta ndalojë me rregullore e ligj, ashtu siç ndëshkon fotografuesit e votës së blerë. Heshtja, fshehja e krimit, inkriminon edhe aprovuesin, duke e bërë pjesë të krimit. Ndërkohë KQZ, pas këtij skandali të legalizuar, duhet të mbikëqyrë, pa cenuar fshehtësinë e votimit, të gjithë procesin votues, që mund të bëhet përmes telefonit.

Votimi i fshehtë është parësor, votimi i hapët është pjellë e diktatorëve

Qysh kur bota ka krijuar institucione shtetërore, ka lindur edhe votimi i fshehtë. Votimi i fshehtë ka degjeneruar në votimin aklamativ, të hapur|, përkatësisht, fiktiv, të rrejshëm, kur diktatorët kanë dashur të mbijetojnë pushtetin e përjetshëm, respektivisht, deri në ngordhje. Po të mos ndodhte ky degjenerim, kriminelët, si Hitleri, Stalini, Enver Hoxha, Pol Pol Poti dhe soji i tyre, nuk mund të qëndronin në pushtet të pa limit. Por, as bastardë si Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, nuk mund të ricikloheshin ndër vite. Është vota e hapur e Këshillit të Përgjithshëm që e solli LDK-në në 10 %!

Më në fund, “u mbars mali dhe polli një mi”, – thotë një urtësi. Kështu ndodhi me Gjykatën Kushtetuese, fundoi ashtu siç pritej. Sistemi i drejtësisë, përfshi edhe Gjykatën Kushtetuese të hymnizuar, qëllimshëm, nga PAN-i kriminal. Në 47 faqet arsyetuese të saj shpërndanë mjegullnajë, për ta kamufluar të vërtetën absolute: “Votimi për krykuvendarin bëhet i fshehtë, i hapur dhe në forma tjera”, thuhet në tekstin bazë të Kushtetueses. Duhej të kalonin 5 (pesë) muaj të shqyrtimit, për ta gatuar këtë “çorbë të thartuar”, diçka si në stilin e veprave penale të parashkruara, nga gjykata tona mafioze!

Potere e zallamahi, si një kor i çakorduar, analistë e juristë të opozitës, shkretonin, si me komandë: “Ne kishim të drejtë, ligji duhet të ndëshkojë LVV, për prolongimin, zgjatjen e konstituimit të Kuvendit!” Ndërkohë, Gjykata në vend që ta trajtojë çështjen juridikisht, ajo veproi politikisht! Megjithatë, nuk i mjaftuan të 47 faqet, për ta dhënë verdiktin që shënon Kushtetuesja me një fjali ose, së shumti, edhe periudhë të vetme.

Tashmë, nuk ka asnjë dyshim se opozita, mediat, e ashtuquajtura “Shoqëria civile” korruptive, disa nga sindikatat e manipuluara, Edvin Rama me social-komunistët e tij, OVL e UÇK-së bashkëpunuese e hapur me Beogradin,i cili ia besoi dosjet e Gjykatës së Hagës, me qëllim të nxitjes të vëlla-vrasjes nder shqiptare, përfshi edhe Listën Serbe, janë palë me politikën e Serbisë, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti, sepse me gjithë kundërshtinë e kësaj lukunie monstrume, arriti ta shtrijë sovranitetin në veriun e Kosovës. “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”, thoshte Rama i Tiranës; “veriun nuk e administrojmë, e kemi humbë”, thoshte Hashimi; “unë nuk kam tokë për të falë”, thotë Albini.

Prandaj Kurti po i fiton votat e shqiptarëve të Kosovës dhe zemrat e shqiptarëve të botës! Thënë troç, populli jo vetëm që nuk e donë PAN-in në pushtet, por edhe e urren, për krimet vrastare numerike dhe makro-hajninë zyrtare. Lidershipi i ri i LDK-së qe zotuar se nuk do të jetë më -bisht e patericë- e PDK-së, e cila po e nxitë LDK-në marrëzira kundër LVV, ndërsa vetë po zgërdhihet në anësore, për veprimet e tellallit të saj, LDK-së!

Anëtarësia, elektorati, por edhe populli e shqiptarët e kudondodhur po i gëzoheshin LDK-së të ringjallur. Por, me qëndrimet e fundit, flirtet e hapura me partinë-bandë PDK-në; refuzimi i ftesës për bashkëqeverisje me LVV, ka ngjallur dyshimin e bazuar, se ajo, sërishmi, po kthehet në prehrin e persekutores të saj, PDK-së. Sjelljet, veprimet aktuale, flasin për vartësinë e serishme nga PDK-ja, përgjakëse e LDK-së dhe e Kosovës.

LDK- ja e ka shansin ideal, për ta bërë aktin atdhetar, duke e lënë PAN-in në opozitë, duke u dhënë kohë dhe ndihmuar që subjektet e tij në koalicion, PDK-AAK-NISMA të reformohen, më saktë, të riformohen, duke u spastruar nga kriminelët, tashmë, të konfirfmuar me procese gjyqësore vendore e ndërkombëtare. Lexoni listën emërore të deputetëve të PAN-it, për t`u bindur se duhet një “fshesë e hekurt”, për këtë pastrim të domosdoshëm.

Në të kundërtën, organet kompetente të Kosovës duhet të fillojnë procedurën e shpalljes së jashtëligjshme të këtyre subjekteve rrastë të kriminalizuara. Sepse Kosova nuk mund të ecën para, me krime nëpër këmbë.

Reflektimi i LDK-së, është urdhëresë e kohës. Sa më parë, aq më mirë. Përndryshe, druaj së kohë të vështira do të na presin!?

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.