TRE ROMANE TË IBRAHIM KADRIUT NË GJUHË TË HUAJA

0
Ibrahim Kadriu - Devil's offspring

Afirmimi i shkrimtarëve tanë në botë

Në vitet e fundit janë botuar në gjuhë të huaja, sidomos në frëngjisht, disa romane të shkrimtarit tonë të njohur, Ibrahim Kadriut.

Për të mësuar më përafërt, po sjellim disa të dhëna

Shtëpia botuese ST HONORÉ (Paris), më 2021, e botoi në gjuhën frënge romanin “Vdekja e Anilës” – (La mort d’Anila), të përkthyera nga Mustafë Jashari (e njëjta shtëpi, e botoi romanin “Misioni rus” nga i njëjti përkthyes).

Romani “Vdekja e Anilës” paraqet kontradiktat sociale në mjedisin e një qyteti në epokën moniste, ku secila lëvizja përqendrohej, studiohej dhe ndiqej nga organet e shtetit (policor); atmosfera e hidhur politike krijonte marrëdhënie të tilla, ku përgjonte dhe e akuzonte vëllai vëllanë… Anila, një gjimnaziste, e bukur, e qete, është viktimë e një atmosfere policore me akuzën se lexonte libra të ndaluar nga sistemi. Ajo, e gjetur e vdekur afër një lumi, më saktë e mbërthyer në degët e shelgut të zbritur gjer në sipërfaqen e ujit…

Në vendin ku ndodh ngjarja shfaqet Gani Shyti, një gjimnazist, i cili kishte detyrë të veçantë (nga ana e sigurimit) për të ofruar libra të ndaluar për studentët dhe pastaj t’i padite ata.

Dyshohet se vdekjen e ka bërë Gani Shytin, por pas gjetjes së kufomës së një emigranti afgan, Ganiu shpallet i vdekur, duke e identifikuar me kufomën e gjetur. Varrimi i “tij” u zhvillua, për ta fshehur pastaj në Beograd ku do të trajnohej si oficer policor profesionist e vrasës.

Romani “Vdekja e Anilës” u botua edhe arabisht në Siri.

Romani Misioni rus – Mission Russe (i botuar edhe në gjuhën turqishte), është frymëzuar nga ngjarjet reale të luftërave ballkanike dhe pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe, në krye me gjeneralin Bozhidar Jankoviq (më 1912) dhe për depërtimin e ushtrisë serbe në Shqipëri drejt bregdetit Adriatik, ku dëshmohet përfshirja e misionarëve rusë në ushtrinë serbe.

Në qendrat e saja të veçanta, Rusia formonte kuadro të profesioneve të ndryshme dhe më pas i dërgonte në shtetet që ajo ëndërronte të dominonte. Të përgatitur mirë, ushtarët rusë flisnin gjuhë të rajoneve ku ishin dërguar, kishin njohuri të mira të traditave dhe vishnin gjithashtu kostume tradicionale, në varësi të rolit që u ishte caktuar.

Kjo ndodhte edhe në qendrat fetare myslimane, xhamitë, për çka janë përgatitë rusët, siç është rasti i hoxhës në xhaminë më të madhe të Prizrenit i cili për njëzet vjet kishte kryer misionin fetar pa e ditë besimtarët se ishte rus.

Në këtë libër, pos vuajtjeve e tragjedive që tejkalojnë imagjinatën e njeriut, e gjen vendin e saj edhe një humaniste e madhe angleze, Miss Durham, si edhe shumë të tjerë.

Në romanin “Pjella e dreqit”, botuar anglisht (më parë përkthyer e botuar frëngjisht) përvijohen disa tema që janë aktuale e të ndjeshme. Në këtë kontekst zë vend tema familjare, ajo e pozitës inferiore të femrës; një mozaik dukurish paradoksale nga përditshmëria e njerëzve të kompleksuar nga problemet sociale; një kritikë objektive për përditshmërinë nga njerëz të rëndomtë…

Në roman ballafaqohen dy breza diametralisht të kundërta: brezi i të vjetërve, bashkëpunëtorë të pushtuesve, Turqisë dhe Serbisë, verbërisht të lidhur dhe të bindur me politikën e tyre antishqiptare dhe brezi i të rinjve që me demonstrata dhe luftë e ndryshuan rrjedhën e historisë kombëtare.

Përkthimin e romanit në anglisht e bëri Avni Saphiu.

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.