Besnik Fishta
Filatelia, që nga lindja e saj në mesin e shekullit XIX, ka qenë një dëshmi e veçantë e proceseve politike, ekonomike dhe kulturore të shoqërive. Përmes pullës postare, shtetet kanë përcjellë ide, kanë shënuar ngjarje, kanë promovuar identitetin kombëtar dhe kanë pasqyruar rrjedhën e kohës. Në këtë kuptim, filatelia është më shumë se një element funksional i komunikimit ajo është një pasqyrë e zhvillimeve historike. Në rastin e Shqipërisë, ky rol pasqyrues i filatelisë bëhet i qartë dhe i natyrshem pas viteve ’90. Për herë të fundit, inicialet “RPS e Shqipërisë” (Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë) u përdorën në pullat postare në vitin 1991, duke shënuar fundin e një epoke ideologjike.
Më pas, pullat nisën të mbajnë mbishkrimin “Republika e Shqipërisë”, duke reflektuar ndryshimin politik dhe institucional të vendit. Ky ndryshim nuk ishte thjesht formal: ai shoqërohej me një periudhë të thellë transformimesh në vend, si kalimi nga ekonomia e centralizuar në tregun e lirë, rikthimi i pronës private, hapja ndaj botës së jashtme, emigracioni masiv, zhvillimi i tregtisë dhe i komunikimit.
Këto zhvillime u pasqyruan edhe në tematikën e pullave postare, e cila u largua nga fryma ideologjike dhe filloi të trajtojë një spektër shumë më të gjerë temash: figura historike, trashëgimi kulturore, biodiversitet, turizëm, ngjarje ndërkombëtare dhe përpjekjet për integrimin evropian. Pas vitit 1990, si rrjedhojë e një “urie” për tematika të reja, sidomos për ato që më parë kishin qenë të ndaluara, të injoruara ose të kufizuara nga propaganda e sistemit komunist, filatelia shqiptare njohu një ndryshim të thellë. Ky boshllëk tematik u mbush gradualisht me një shumëllojshmëri motivesh të reja, që pasqyronin hapjen e vendit, pluralizmin kulturor dhe ndikimin e trendeve globale. Kujtojme trajtesen e florës dhe faunës,tematike tradicionalisht e njohur qe nga mesi shekullit kaluar ne filateline tone.
Këto tema përdoroheshin zakonisht për të paraqitur bukurinë dhe veçoritë natyrore të disa specieve shqiptare, pa hyrë në kontekste më të gjera shkencore apo ekologjike. Sot, nën ndikimin e qasjeve moderne dhe orientimeve që vijnë nga forume ndërkombëtare si UPU (Union Postale Universelle), EUROMED dhe programet tematike të pullave “EUROPA”, këto tema trajtohen ndryshe. Speciet bimore dhe shtazore nuk paraqiten më vetëm si elemente dekorative apo identitare, por si pjesë e një debati më të gjerë mbi ruajtjen e biodiversitetit, mbrojtjen e specieve të rrezikuara, ndikimin e industrializimit në ekosisteme apo ruajtjen e habitateve natyrore. Kjo përputhet edhe me rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor në shkallë globale dhe përfshirjen e Shqipërisë në nisma ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës.
Nga karakteristikat kryesore të periudhës pas viteve ’90 janë:
1. Diversifikimi tematik.
Pas viteve ’90, Shqipëria hoqi dorë nga tematika e ngushtë dhe ideologjikisht e kontrolluar e periudhës komuniste. Në vend të saj, u shfaq një shumëllojshmëri temash që pasqyronin realitetin e ri, hapjen ndaj botës dhe interesat e një publiku më të gjerë:
• Trashëgimia kulturore dhe historike (monumente, heraldikë, arkeologji, etnografi).
• Figura historike kombëtare (Nënë Tereza, Lef Nosi, Gjergj Fishta etj.).
• Biodiversiteti dhe natyra (specie të rralla, faunë dhe florë, parqe kombëtare, liqene etj).
• Ngjarje dhe organizata ndërkombëtare (Olimpiadat, Kampionatet Botërore, OSBE, UNESCO, NATO etj).
• Personalitete të shquar të kulturës, artit dhe letërsisë shqiptare (aktorë, shkencetare, piktorë, shkrimtarë).
Rruga Durrës – Kukës, 2011
Flora shqiptare, 2007
Nudo në artin figurativ, 2011
Paqeruajtësit shqiptare, 2011
2. Fokusi në identitetin kombëtar.
Në periudhën e re, filatelia ka luajtur një rol të rëndësishëm në rimodelimin dhe promovimin e identitetit kombëtar, përtej kufizimeve ideologjike të së kaluarës. Kjo është realizuar përmes:
• Përdorimit të simboleve kombëtare në mënyrë më moderne dhe përfaqësuese (flamuri, shqiponja, kostumet popullore, elemente etnografike, herldika etj).
• Theksimit të figurave të Pavarësisë dhe Rilindjes Kombëtare, shumë prej të cilëve kishin qenë të papërmendur për arsye politike.
Emisioni për fëmijë, 2023
Arkeologjia shqiptare, 2015
90 vjetori vdekjes Elez Isufi, 2014
Figurë e shquar e letërsisë shqiptare – I. Kadare, 2011
3. Rivlerësimi i trashëgimisë shpirtërore dhe fetare.
Një tematikë e re e rëndësishme është trashëgimia fetare, e cila ishte totalisht e ndaluar gjatë komunizmit. Pas vitit 1990, ajo filloi të zinte vend të rëndësishëm në filateli:
• Theksimi i tolerancës dhe harmonisë fetare si vlera kombëtare
• Prezantimi i figurave të rëndësishme fetare shqiptare(Nene Tereza, kardinali i parë shqiptar Mikel Koliqi, apo Babagjyshët Bektashianë).
• Pasqyrimi i vizitave historike të personaliteteve fetare, si Papa Gjon Pali II (1993) dhe Papa Françesku (2014)
Papa Francesku në Shqiperi, 21 shtator 2014
Figura të shquara kombëtare (Babagjyshët Botërorë), 2001
100 vjetori lindjes së Nënë Terezës, 2010
Kardinali i parë shqiptar Mikel Koliqi, 1998
100 vjetori lindjes së Gjergj Fishtës, 1996
4. Ndikimi i globalizimit dhe trendeve ndërkombëtare
Me hapjen e Shqipërisë dhe përfshirjen në rrjete ndërkombëtare bashkëpunimi, tematika filatelike u ndikua dukshëm nga trendët globale:
• Emisione të përbashkëta(joint issues) me vendet e tjera (Kosove, Slloveni etj.)
• Prezantimi i figurave ndërkombëtare më parë të papranueshme për arsye politike/fetare (presidentë amerikanë, princesha Diana etj)
Albanologë të shquar të huaj, 2012
Pa viza ne Evropë, 2010
5. Roli turistik dhe promovues i filatelisë.
Në dekadat e fundit, pulla postare është përdorur edhe si mjet promovimi kombëtar, për të përçuar një imazh pozitiv të Shqipërisë dhe për të nxitur turizmin:
• Paraqitja e destinacioneve turistike si bregdeti, Alpet, qytetet historike (Berat, Gjirokastër, Apoloni etj).
• Emisione me gatime tradicionale, zakone popullore dhe trashëgimi kulturore.
• Pasqyrimi i festivaleve folklorike, aktiviteteve për fëmijë, ngjarjeve artistike dhe kulturore.
Vallja popullore, 2012
Turizmi malorn – Valbona, 2011
Detaria shqiptare – Porti i Durrësit, 2023
Gastronomia tradicionale në Mesdhe, 2021
Turizmi shqiptar – Pazaret, 2021