17.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Qershor 2025
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

TRAKTET E LËVIZJES ILEGALE DHE REZISTENCËS SHQIPTARE ( 49 )

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

NJË TRAKT DHE NJË SHKRIM QË NUK TË LË INDIFERENT
(Fitor Seferi, “Traktet që u jepnin zemër rezistencës shqiptare! Veprimtaria e Arif Seferit për lirinë e Kosovës (foto)”, Koha.mk, 23 prill 2023)

TRAKI I LËVIZJES POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

Gjatë procesit kërkimor për të zbuluar dhe analizuar traktet e lëvizjes ilegale shqiptare në periudhën 1945–1990, hasa më në fund në një burim tejet domethënës, një punim i hartuar nga një autor, që kishte realizuar një kontribut të vyer në këtë fushë të pazbuluar sa duhet të historisë sonë të rezistencës. Ai kishte arritur të dokumentonte një trakt të hartuar nga Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), një ndër organizatat më të rëndësishme të rezistencës ilegale në Kosovë. Jo vetëm që ishte përkujdesur ta fotografonte këtë material të rrallë, por edhe kishte ndërtuar një përshkrim të detajuar mbi përmbajtjen dhe rrethanat e shpërndarjes së tij.

Ky trakt ishte përhapur në mënyrë të fshehtë në qytetin e Prizrenit, duke shërbyer si një mjet propagandues për idetë e lëvizjes dhe një thirrje për vetëdijesim dhe mobilizim kundër sistemit represiv të kohës. Ky zbulim përbën një burim të rëndësishëm për të kuptuar më thellë natyrën e organizimit të rezistencës ilegale shqiptare dhe për të hedhur dritë mbi format e komunikimit dhe përhapjes së ideve në një kontekst ku liria e shprehjes ishte asgjësuar nga shteti.

Një ndër burimet më të vyera dhe autentike që hedh dritë mbi veprimtarinë e lëvizjes ilegale shqiptare në Kosovë gjatë periudhës së pushtimit jugosllav është punimi me titull “Traktet që u jepnin zemër rezistencës shqiptare! Veprimtaria e Arif Seferit për lirinë e Kosovës (foto)”, i hartuar nga Fitor Seferi, djali i veprimtarit të njohur Arif Seferi. Ky punim, i botuar më 23 prill 2023 në gazetën shqipe Koha, e cila botohet në Maqedoni, përfaqëson një kontribut të çmuar në dokumentimin e luftës së heshtur, por të fuqishme, që zhvillohej përmes fjalës së shkruar në traktet ilegale.

Përveç vlerës historike të materialit që sjell, Fitor Seferi arrin të na ofrojë një rrëfim të detajuar, të gjallë dhe të saktë për të gjithë procesin e realizimit të një trakt: nga momenti kur ideja fillon të marrë formë, te akti i shkrimit të përmbajtjes, pastaj tek shumëzimi me mjetet modeste të kohës, e deri te momenti i shpërndarjes së tij në pika të zgjedhura me kujdes, shpeshherë duke rrezikuar jetën për të transmetuar një mesazh lirie. Ky punim nuk është vetëm një dëshmi për veprimtarinë e një individi, por edhe një pasqyrë e shpirtit të një epoke – një dëshmi për kurajën kolektive që mbante gjallë shpresën e çlirimit përmes akteve të vogla, por tejet domethënëse, të rezistencës qytetare.

Teksti i Traktit

“Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës lëshon këtë

T R A K T

Popull shqiptar në vazhdën e aksioneve antipopullor, armiku serbomadh po përgatit këto ditë gjykimin e një numri të madh politikanësh, ekonomistesh e kuadrosh tjerë shqiptar. Gjykime kundër popullit, pushtuesi ka organizuar çdo ditë, ai çdo ditë dënon bijtë dhe bijat tona më të mira. Dhe po e pamë nga kjo anë, gjykimi i kuadrove shqiptar do t ‘ishte një kriminalitet i zakonshëm i organeve të pushtuesit. Mirëpo nuk është kështu. Përmes dënimit të kuadrove shqiptar, të cilët zinin vendet udhëheqëse në politikë, ekonomi etj. pushtuesi po përpiqet të arrijë edhe diçka tjetër shumë më të errët dhe shumë më antishqiptare sesa që është vet dënimi i tyre. Këtë e vërteton edhe fakti se në mesin e të akuzuarve një pakicë individësh të cilët kur ishin në funksione i bënin njëmijë e një shërbim pushtuesit. Duke i dënuar politikanet, ekonomistet e kuadrot tjerë shqiptar, pushtuesi donë të arrij këto objektiva.

 -të dënojë edhe me gjyqe ngjarjet e nëntorit, grevat e shkurtit, demonstratat e marsit e të majit, të cilat janë faqe e lavdishme që populli ynë i shkroi në luftën e tij për liri e të drejta kombëtare.

-të dënoi autonomin dhe ti japi vulën gjyqësore shkeljes së të gjitha të drejtave (sado të cunguara që ishin) që Kosova gëzonte para ndryshimeve të përgjakshme të Kushtetutës së vitit 1974.

-të dënoi edhe atë pavarësi minimale që ekonomia kosovare e udhëhequr nga ekonomistet që tani do te dënohen, pat filluar të krijonte kundrejt ekonomisë monopoliste të Serbisë.

Të ballafaquar me një rezistencë të vendosur të popullit dhe pararojës së tij, pushtuesi dhe tradhtarët janë tërbuar fare. Ata tmerrohen nga demonstratat, sabotimet, diversionet, grevat e manifestimet tjera antikolonialiste të popullit tonë. Prandaj me te gjitha mjetet e edhe përmes gjykimeve të kuadrove përpiqen ti ndalojnë ato “njëherë mirë”. Por kurrë nuk do t’ia arrin kësaj.

Duke i hetua këto dhe synime tjera të errëta të pushtuesit dhe duke marrë parasysh se gjykimin do ta përcjellin një numër i madh i gazetarëve e delegacioneve të ndryshme nga Evropa dhe bota, të cilët duhet ta dëgjojnë fjalën tonë-fjalën e popullit- Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës i bënë

T H I R R J E

Klasës punëtore, fshatarësisë, rinisë ( studentëve e nxënësve), inteligjencës, grave trimëresha- gjithë popullit të Kosovës me vise, që me anë grevash, demonstratash e bojkotimesh, ta demaskojnë botërisht karakterin thellësisht antishqiptar të këtij procesi të montuar gjyqësor, si dhe të protestoi me forcë kundër regjimit policor që po zbatojnë serbomëdhenjtë në Kosovë. Parullat “poshtë gjyqet antipopullore”, ” Poshtë kushtetuta e tankeve”, ” Lironi shokët”, ” Lirona Ademin”, “Populli shqiptar një flamur kombëtar” etj të ngjashme janë grusht i rëndë për pushtuesin dhe tradhtarët.

Ato janë shprehja më e mirë e vullnetit-janë fjala e popullit tonë.
Rroftë populli trim shqiptar
Lufta jonë është e drejtë dhe do të triumfojë.
Rroftë LPRK
KOSOVA REPUBLIKË”

Traktet e rezistencës si zë i ndërgjegjes kolektive

Në një nga momentet më të errëta të historisë së pasluftës së Dytë Botërore në Kosovë, ku çdo shprehje e lirë shqiptare përballej me represion të organizuar dhe brutal, traktet ilegale u shndërruan në një ndër format më të fuqishme të rezistencës simbolike dhe ideologjike. Një prej tyre, i shpërndarë në rrethana të rrezikshme nga strukturat e organizuara të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, ngre zërin kundër një vale të re gjykimesh politike që pushteti jugosllav po i përgatiste ndaj një numri të konsiderueshëm të kuadrove shqiptare – politikanë, ekonomistë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, që kishin luajtur role kyçe në strukturat e jetës publike.

Ky trakt nuk i sheh këto ndëshkime si thjesht vazhdimësi e praktikave të zakonshme të pushtetit shtypës, por si pjesë të një strategjie më të thellë dhe të qëllimshme për të shkatërruar themelin intelektual, politik dhe institucional të shoqërisë shqiptare në Kosovë. Përmes eliminimit të elitës udhëheqëse – njerëzve që kishin fituar besimin e komunitetit përmes punës dhe angazhimit – regjimi synonte të minonte çdo mundësi për vetëqeverisje, përfaqësim politik dhe zhvillim të pavarur ekonomik të shqiptarëve.

Trakti veçon se, ndonëse në mesin e të akuzuarve mund të gjendeshin edhe individë që më parë kishin bashkëpunuar me pushtetin dhe i kishin shërbyer interesave të tij, qëllimi real i regjimit nuk ishte ndëshkimi i bashkëpunëtorëve, por diskreditimi i të gjithë spektrit shqiptar udhëheqës dhe krijimi i një narrative ku çdo përpjekje për vetëvendosje identifikohej me krim dhe devijim politik. Kjo ishte një përpjekje e rafinuar për ta portretizuar elitën shqiptare si të paaftë, të pabesueshme dhe si kërcënim për “rregullin” ekzistues.

Në thelb, traktet si ky jo vetëm që dokumentojnë krimet politike të një regjimi, por edhe ngjallin ndërgjegjen e një populli nën trysni, duke i kujtuar se lufta për dinjitet dhe vetëvendosje fillon me mbrojtjen e atyre që guxuan të flasin e të veprojnë në emër të së vërtetës. Ato janë kujtesë se kriminalizimi i mendimit të lirë është shenjë e dobësisë së një pushteti që dridhet përballë zërit të popullit që kërkon të jetë i lirë.

Në përpjekjen e tij për të shuar zërin e qëndresës shqiptare në Kosovë, pushteti jugosllav përdori jo vetëm dhunën fizike dhe represionin policor, por edhe mjetet juridike – duke i transformuar gjykatat në instrumente të një drejtësie të shtrembëruar, të vënë në shërbim të pushtimit. Qëllimi nuk ishte vetëm ndëshkimi formal i individëve që kishin marrë pjesë në ngjarjet e rëndësishme të rezistencës – si protestat e nëntorit, grevat e shkurtit, apo demonstratat e marsit dhe të majit – por kriminalizimi i vetë kujtesës kolektive për këto ngjarje, të cilat përbëjnë kapituj të lavdishëm në historinë e luftës së popullit shqiptar për liri dhe të drejta kombëtare.

Këto procese gjyqësore shërbenin si një përpjekje për të delegjitimuar çdo përpjekje institucionale për vetëqeverisje, përfshirë edhe autonominë kushtetuese të Kosovës të vitit 1974, që – ndonëse e cunguar dhe e kontrolluar – përfaqësonte një hap përpara në drejtim të afirmimit të subjektivitetit politik të Kosovës. Pushteti, përmes gjyqeve politike, synonte t’i jepte një “vulë gjyqësore” këtij kthimi prapa historik, duke shfuqizuar simbolikisht dhe praktikisht çdo të drejtë që Kosova kishte fituar në dekadat e mëparshme.

Gjykimi i ekonomistëve dhe kuadrove shqiptare nuk ishte i rastësishëm. Ai kishte për qëllim t’i jepte fund edhe atyre shenjave të para të zhvillimit ekonomik të pavarur që kishin filluar të shfaqeshin në Kosovë si kundërpeshë ndaj modelit monopolist serb. Në vend që të njihej dhe vlerësohej përpjekja për të krijuar një bazë ekonomike vendore, kjo u interpretua si rrezik për unitetin artificial të federatës, dhe u ndëshkua si krim kundër rendit shtetëror.

Në kontekstin e një populli që po shfaqte vendosmëri në kërkesat e tij legjitime për liri, drejtësi dhe barazi, aparati shtetëror reagoi me ashpërsi të verbër. Demonstratat, grevat, sabotimet, manifestimet – të gjitha shprehje të një vetëdije të ngritur dhe të një rezistence të organizuar – u trajtuan si kërcënime ekzistenciale nga regjimi. Kjo i trembi pushtetarët dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas, të cilët, të përballur me fuqinë morale të popullit, kërkonin t’i shtypnin këto zëra “njëherë e mirë”, përmes ndëshkimeve shembullore.

Por historia e ka treguar se kur drejtësia bëhet mjet i padrejtësisë, ajo humbet fuqinë e saj morale dhe legjitimitetin për të qeverisur. Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, e vetëdijshme për këtë, bën thirrje që zëri i popullit të dëgjohet jo vetëm brenda vendit, por edhe përpara opinionit ndërkombëtar. Duke ditur se gjykimet do të ndiqen nga media dhe delegacione të ndryshme evropiane dhe botërore, ajo insiston që e vërteta e popullit shqiptar të artikulohet qartë – jo si mbrojtje individuale, por si akt i dëshmisë historike për një padrejtësi që përpiqet të maskohet me petkun e ligjit.

Zëri i rezistencës shqiptare në Kosovë

Në një klimë të rënduar politike dhe shoqërore, ku drejtësia ishte shndërruar në një mjet për ndëshkimin e atyre që artikulonin zërin e popullit dhe kërkonin të drejtat e mohuara prej kohësh, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës artikulonte një thirrje të fuqishme për rezistencë dhe solidaritet mbarëpopullor. Kjo thirrje nuk iu drejtohej vetëm një segmenti të shoqërisë, por synonte të përfshinte të gjithë trupin shoqëror – klasën punëtore, fshatarësinë, rininë studentore e shkollore, inteligjencën, gratë e guximshme dhe të gjithë qytetarët shqiptarë të Kosovës dhe viseve të saj.

Në thelb të kësaj thirrjeje qëndronte ideja se drejtësia, kur përdoret për të mbuluar padrejtësinë, duhet të sfidohet. Procesi gjyqësor që po zhvillohej ndaj kuadrove shqiptare shihej jo thjesht si një akt juridik, por si një manifestim i qartë i një strategjie më të gjerë represive, e cila synonte të nëpërkëmbë identitetin dhe vullnetin politik të shqiptarëve. Duke i etiketuar këto gjykime si të montuara, si farsë me ngjyrim politik, thirrja kërkonte një reagim të organizuar dhe të qëndrueshëm nga të gjitha shtresat e shoqërisë.

Forma e kësaj rezistence kërkohej të ishte e gjithanshme – përmes grevave, demonstratave, bojkotimeve dhe veprimeve të tjera publike që do të ekspozonin në sytë e opinionit vendor dhe ndërkombëtar karakterin thellësisht antishqiptar të politikave shtypëse që po implementoheshin nga strukturat serbomëdha në Kosovë. Parullat që përmendeshin në tekst – si “Poshtë gjyqet antipopullore”, “Poshtë kushtetuta e tankeve”, “Lironi shokët”, “Kosova Republikë” – nuk ishin vetëm slogane, por u përkufizuan si shprehje të një ndërgjegjeje kolektive që nuk pranon të nënshtrohet, si fjalë të një populli që kërkon të dëgjohet.

Këto thirrje nuk ishin emocionale apo të rastësishme; ato përfaqësonin një reagim të organizuar ndaj një realiteti të padrejtë dhe një përpjekje për ta mobilizuar popullin rreth një qëllimi të përbashkët: lirinë, barazinë dhe vetëvendosjen kombëtare. Nën moton “Lufta jonë është e drejtë dhe do të triumfojë”, LPRK afirmonte jo vetëm legjitimitetin moral të rezistencës së popullit shqiptar, por edhe besimin e thellë se drejtësia, sado të vonojë, është e pashmangshme.

Në këtë kontekst, thirrja për një “Kosovë Republikë” nuk ishte vetëm një parullë politike, por një kërkesë për dinjitet, për përfaqësim të barabartë dhe për një të ardhme që i takon vetë popullit ta ndërtojë. Kjo thirrje mbetet një dëshmi e gjallë e shpirtit luftarak dhe të pathyeshëm të një populli që, edhe nën trysninë e madhe të dhunës shtetërore, guxoi të ngrejë zërin për të vërtetën e vet historike.

Përmes botimit të traktit dhe përshkrimit të hollësishëm të të gjithë zinxhirit të veprimeve që çuan në krijimin, shumëzimin dhe shpërndarjen e tij, Fitor Seferi ofron një dëshmi të çmuar historike dhe emocionale që ndriçon jo vetëm rolin e babait të tij, veprimtarit Arif Seferi, por edhe gjithë dinamikën e veprimtarisë ilegale shqiptare në Kosovë në kushtet e një regjimi represiv. Ky rrëfim, i strukturuar me kujdes dhe ngarkesë të thellë përkushtimi, shërben si një dritare autentike në botën e nëndheshme të rezistencës – një botë ku çdo fjalë e shkruar ishte akt guximi dhe çdo veprim i organizuar, nga hartimi i përmbajtjes deri te shpërndarja e traktit në mënyrë të koduar dhe të kujdesshme, kërkonte përkushtim, sakrificë dhe besim të patundur në kauzën kombëtare.

Narrativa që sjell Fitor Seferi, përtej dokumentimit të një trakti të veçantë, është një dëshmi që mbart në vete dimensione shumëplanëshe: është një dëshmi familjare që nderon figurën e një prindi të përkushtuar ndaj lirisë; është një dëshmi historike që ruan gjurmët e një epoke të shtypjes dhe qëndresës; dhe është një dëshmi pedagogjike që rikthen në ndërgjegjen kolektive vlerën e përpjekjes ilegale si themel i një lëvizjeje politike që synonte çlirimin kombëtar dhe institucional të Kosovës.

Në këtë kontekst, punimi i tij nuk ka vetëm vlerë arkivore, por shndërrohet në një akt rikthimi të dinjitetit dhe kujtesës për ata që vepruan në heshtje, jashtë institucioneve, në errësirën e shtypjes, por me besim të palëkundur se fjala e lirë do të mund të lindte edhe në kushte të ndalimit dhe ndjekjes. Nëpërmjet këtij rrëfimi, Fitor Seferi ndërton një urë midis brezave – një urë kujtese që na lejon të kuptojmë se historia e rezistencës nuk është vetëm një rrëfim i së kaluarës, por një thirrje për ta ruajtur, vlerësuar dhe përjetësuar këtë trashëgimi në ndërgjegjen tonë kolektive.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit