TRAJTIMI I DEMONSTRATAVE STUDENTORE NË SHTYPIN E ILEGALES (1)

0
Mediat për demonstratat në Kosovë

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Veç shtypit legal që dilte në ato vite në ish-Jugosllavi, vëmendje të posaçme demonstratave iu kushtoi edhe shtypi ilegal që botohej në vend por edhe jashtë (në Perëndim). Në Kosovë botohej gazeta ilegale “Liria” që përgatitej e shtypej në Perëndim, por përmes kanaleve të fshehta sillej dhe shpërndahej në Kosovë.

Duhet theksuar se në numrin 3 të saj, që u botua më 1981, vëmendje e posaçme iu kushtua demonstratave studentore ’81. Punimi “Lufta jonë është e drejt dhe do të triumfojë” është i ndarë në nëntituj që në mënyrë të shkurtuar do të mundohem ta  prezantoj në këtë punim. Organet e hetuesisë, shkrimin në fjalë e kishin deshifruar edhe pse nuk kishte emër. Autor i saj, sipas inicialeve ishte Hydajet Hyseni. Ai nëpërmjet këtij shkrimi e njoftonte opinionin e gjerë, si atë të brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar se “kohët e fundit, e tërë Kosova jonë kreshnike ishte arenë e përleshjeve  të përgjakshme midis popullit tonë trim dhe regjimit të urryer jugosllav.

Të bashkuar si një grusht i vetëm e i pathyeshëm, dhjetëra mijëra punëtorë, fshatarë, studentë, nxënës e intelektualë, burra, gra, pleq e fëmijë, lanë kantieret e tyre të punës, lanë arat dhe bankat, lanë shtëpitë e tyre dhe, me  grushte të ngritur, vërshuan si lumë i furishëm dhe i pa përmbajtur nëpër  rrugët e pothuajse të gjitha qyteteve të Kosovës. E gjithë Kosova jonë trime u ngrit në këmbë dhe i tregoi edhe njëherë botës se, si në të kaluarën e saj të lavdishme, edhe sot di t’u përgjigjet armiqve të saj ashtu si i ka hije: me grusht”[1]. Në bazë të shkrimit dhe gjuhës që përdor autori vërehet mllefi dhe urrejtja e papërmbajtur e tij ndaj sistemit okupues dhe hyzmeqarëve të tij.

“Armiku, thotë autori, ishte i tmerruar nga grushti i popullit, robëruesit revizionist të Beogradit dhe zagarët e tyre në Kosovë, grisën maskat, pas të cilave fshiheshin, dhe, duke përdorur mjetet dhe armët e tyre të fundit, tanket dhe çizmen ushtarake, treguan fytyrën e tyre të vërtetë fashiste. Pas maskave të çjerra, populli ynë dhe popujt e botës panë lakuriq fantazmat e zeza të Drazha Mihajlloviçëve, Çubrilloviçëve e Rankoviçëve”[2].

Siç dihet, pas demonstratave studentore, ndaj popullit shqiptar në Jugosllavi filloi një fushatë e paparë sulmesh e shpifjesh. Pushtetarët dhe shërbëtorët e tyre, vazhdon  autori, filluan të punojnë sipas  devizës ”rrej shumë, se diçka mbetet”.

“Okupuesit dhe tradhtarët, duke mohuar edhe ato gjëra që vetë i kishin thënë vetëm pak kohë më parë, mundoheshin të bindnin shqiptarët dhe të tjerët se Kosova e okupuar dhe e varfër na qenka një parajsë e vërtet, një vend ku kombe e kombësi të ndryshme jetokan të lira, të barabarta e të lumtur, në një mirëqenie e bollëk të paparë, se pikërisht kjo gjendje ‘kaq e mrekullueshme” po i pengoka disa forca e grupe “nacionaliste” e “irredentiste”, “dogmatike e staliniste”, “reaksionare” e “kundërrevolucionare”, të cilat, me “parulla demagogjike sociale e nacionale” si dhe me kërcënime, shantazhe e vandalizëm”, paskan arritur t’i mashtronin e t’i hedhin në greva  e demonstrata disa qindra veta dhe kështu paskan prishur vëllazërimin  e bashkimin, paskan cenuar integritetin e Jugosllavisë, paskan  sulmuar frytet e revolucionit dhe, sidomos, të arriturat e popullit shqiptar, bile edhe paskan dashur të bëjnë “kontrarevolucion”!!![3]

Në nëntitullin e shkrimit “Cila është e vërteta”,  autori na prezanton të vërtetën e hidhur për gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar në Jugosllavi. Edhe pse okupatori mundohej me çdo kusht dhe me çdo mjet për ta fshehur të vërtetën, megjithatë ajo  del në sipërfaqe. Populli shqiptar, thotë autori, u ndodh në një gjendje të rëndë dhe të padurueshme, mbi të cilët ushtrohej një shtypje e shfrytëzim i egër e i shumëfishtë kolonial. Kjo nuk mund të fshihej as para të huajve e as para shqiptarëve[4], të cilët mbanin mbi supet e veta tërë peshën e robërisë.

Qytetarët e Kosovës i dinin pasuritë e shumta  e të paskajshme të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare, por edhe të tjerët e dinin dhe e njihnin prapambetjen e theksuar të tyre. Gjithkush e di (këtë të dhënë e dinin edhe vetë pushtetarët) se Kosova, ashtu si edhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, jo vetëm që nuk zhvillohej më shpejt se republikat e Jugosllavisë, po përkundrazi diferenca, si në shkallën e zhvillimit ashtu edhe në dinamikën e tij, po shtohej nga viti në vit. Prandaj,  gjithkush, me të drejtë, bënte pyetjen: Pse ndodh kështu?

E kjo e dhënë ishte fare e lehtë për ta ditur ngase Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi nuk ishin të lira, se ato ishin koloni të thjeshta të republikave  jugosllave, se ato ishin plaçka tregu dhe burim i thjesht i lëndëve të para dhe i krahut të lirë të punës. Kosova kishte pasuri të shumta, të cilat nuk u shfrytëzonin për të mirën e saj. Në Kosovë gjatë gjithë okupimit jugosllav u derdhte lumë djersa e bijve të saj, për të tjerët, dhe ishte shumë dëshpëruese kur të tjerët i shfrytëzonin ato, dhe  tjetërkush u pasuronte me të mirat e saja. Në vazhdim, në shkrim bëhen analiza të thukëta për gjendjen në Kosovë dhe në terë Jugosllavinë.

Prodhimet shoqërore dhe të ardhurat kombëtare ishin 3-4 herë më të ulëta se mesatarja e përgjithshme  jugosllave, rreth gjysma e popullsisë ishte analfabete, më shumë se çdo i dhjeti banor kishte marrë rrugën në kurbet dhe akoma më shumë kishte të papunë[5], qindra fshatarë të Kosovës ishin pa rrymë elektrike, pa rrugë, pa asnjë shitore dhe pa asnjë mbrojtje shëndetësore… Këto ishin vetëm disa tregues që flasin për gjendjen  e vërtetë të popullit shqiptar të Kosovës, pa përfshirë këtu viset e tjera shqiptare, ku gjendja ishte edhe më e rëndë, dhe vazhdimisht ushtrohej një politikë e tillë shoviniste dhe asimiluese, që e kishin lakmi edhe vendet më raciste të botës.

Në Kosovë dhe në viset shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi shumica e popullsisë, sidomos ajo shqiptare, jetonte në skamje, varfëri e mjerim të vërtetë. Një pjesë e mirë e popullsisë nuk kishte kurrfarë të ardhurash, edhe ata që merrnin diçka, ose nuk gjejnë në treg  mallrat më të nevojshme të jetës, ose edhe po t’i gjenin, ato kushtonin aq shtrenjtë (dhe shtrenjtoheshin çdo ditë) dhe nuk mundeshin t’i blinin[6].

Në gjendje aspak më të mirë ishte edhe fshatari, i cili, në prapambetjen e madhe ku ndodhej  bujqësia, nuk kishte leverdi të punojë as atë pak tokë, që akoma nuk ia kishin gllabëruar shteti dhe uzurpatorët, sepse siç thoshte vetë ai “dara u delte më shtrenjtë se barra”. Ishte pikërisht kjo gjendje e padurueshme që po i detyronte fshatarët që të mësyjnë në mënyrë masive kurbetit të qytetit, ku i priste i njëjti fat.

Edhe më e mjerueshme ishte gjendja e rinisë shkollore dhe e asaj studentore. Aq të vështira ishin kushtet  e tyre të jetës dhe të mësimit  sa që nuk mund të krahasoheshin  jo vetëm me ato të shokëve të tyre  në Jugosllavi, por as me një vend tjetër më të varfër. Ishin të shumta shkollat dhe fakultetet  që zhvillonin mësime  në kushte që ishin jashtë çdo norme shëndetësore dhe pedagogjike. Shumë studentë  dhe nxënës po kalbnin trupin  e tyre të njomë nëpër podrume të lagështa dhe stalla të tilla ku nuk jetonin dot as kafshët.

Dhe për të qenë ironia edhe më e madhe, çmimi i këtyre kushteve  ishte aq i lartë sa studenti nuk mundte ta paguante  as me gjithë bursën  apo kredinë që merrte. Nuk ishin të paktë studentët e nxënësit  që hanin bukën thatë ose me ndonjë “zdenkë” (copë e vogël djathi), ata që e hanin bukën e mykur, të sjellë nga shtëpia, prandaj edhe suksesi në studime ishte aq i pakënaqshëm[7],  konstaton autori.

Rinia kosovare mund të mbaronte fakultete, mund të përfundonte shkolla të mesme, por askush atyre nuk iu siguronte punë. Pra, e ardhmja e rinisë sonë nuk ishte fare e sigurt.

Duke analizuar në tërësi situatën në Kosovë, dilte se të pakënaqur ishin edhe punëtorët e fshatarët. Të pakënaqur ishin nxënësit dhe studentët, me një fjalë tërë populli ishte i pakënaqur. Në një gjendje të tillë të padurueshme, ishte e natyrshme që tërë popullit thika po i prekte ashtin dhe mjaftonte një shkëndijë e vogël që të merrte  flakë e tërë Kosova. Këtë shkëndijë kaherë të pritur nga masat e gjëra, e ndezën me 11 mars studentët trima të Universitetit të Kosovës. Ata kishin kërkuar shumë herë më parë në rrugë e në forma  të ndryshme,  që të përmirësohet gjendja e tyre e mjeruar, por për ankesat e tyre  nuk çau kokën askush. Të ngopur me gënjeshtra  e premtime boshe, studentët  nuk duruan më, por u bashkuan si një grusht dhe dolën e demonstruan nëpër rrugët e Prishtinës.

Edhe pse kërkesat e parullat e demonstratës së parë ishin kryesisht me karakter social dhe ekonomik, ajo u cilësua si armiqësore dhe jo vetëm që nuk u përfillën  fare kërkesat e studentëve, jo që nuk u mor asnjë masë për përmirësimin  e gjendjes së tyre, por ndaj tyre u përdor dhuna policore. Kjo dhe arrestimet që u bënë ndaj tyre, e shtuan edhe më shumë pakënaqësinë dhe revoltën e studentëve, e cila shpërtheu më me forcë dhe më me vendosmëri në demonstratat e 26 marsit[8].

Studentëve në këtë demonstratë iu bashkua edhe një numër i madh i punëtorëve, nxënësve dhe qytetarëve të tjerë. Përveç parullave të mëparshme, në përgjithësi ekonomike e sociale, kësaj here u ngritën  edhe kërkesa e parulla politike. Demonstrata e 26 marsit ishte më popullore dhe më shumë kishte karakter politik. Mirëpo, po më 26 mars ndodhi edhe masakra më e madhe ndaj demonstruesve. Me tradhti studentët u futen nëpër konvikte. Në ndihmë të kolegëve policë të Kosovës erdhën edhe njësitë speciale të Beogradit.

Ata erdhën vetëm për të shfryrë mllefin e tyre  shovinist mbi rininë, mbi vëllezërit, dhe motrat tona. Xhelatët “udbashë” të Rankoviçit e treguan veten dhe kënaqën jo vetëm vojvodët  e tyre në Nish e Beograd, por edhe krerët kuislingë në Kosovë. Xhandarët e Beogradit thyen dyer e dritare  të konvikteve, rrahën egërsisht cilin gjenin  përpara, fyenin e shanin në mënyrën më të poshtër  jo vetëm vëllezërit e motrat, por fyenin gjithë popullin shqiptar, sidomos shfrynin vrerin me të shara në nënat shqiptare…

Rrugaçët e Beogradit  shkuan deri atje sa thyen dollapët e studentëve dhe plaçkitën edhe ato pak para  e plaçka që  kishin lënë studentët në dhomat e tyre. Qindra studentëve të gjymtuar  e të lënduar rëndë, jo vetëm që nuk iu dha ndihma e nevojshme mjekësore, por ata u dërguan  ashtu siç ishin  drejt e në qeli, ku i rrahën  e i torturuan  përsëri në mënyrën më shtazarake[9].

Paria politike e Kosovës jo vetëm që nuk bëri asgjë për ta penguar  këtë masakër, jo vetëm që nuk ngriti zërin  kundër veprimeve kriminale  të çetnikëve  të Rankoviçit, por e kërcënoi  rininë dhe popullin shqiptar me masa edhe më të ashpra, në qoftë se guxonin dhe ngriheshin përsëri.

Se sa u gabuan në vlerësimet e tyre, shovinistët jugosllavë u bindën shumë shpejt. Dhuna dhe terrori fashist jo vetëm nuk frikësoi rininë trime, por përkundrazi, e shtuan edhe më shumë zemërimin  dhe urrejtjen e tyre ndaj armiqve dhe tradhtarëve. Kupa e pakënaqësisë dhe revoltës ishte mbushur shumë më herët, por tani, pas dhunës që u përdor ndaj saj, ajo nuk mbante më. Në këmbë u ngrit i gjithë populli. Demonstrata e greva  të shumta  shpërthyen  anë e kënd Kosovës.

Në demonstrata hodhën parullat: “Punëtorë, studentë, fshatarë, jemi një e të pandarë”[10] dhe ashtu u bë. Dhjetëra mijëra punëtorë, fshatarë, studentë, nxënës, zejtarë e intelektualë u bashkuan si një trup i vetëm në një bllok të fuqishëm  e të paparë. Dhe përvoja vërtetonte se kur energjitë e pashterueshme të rinisë bashkohen me luftën revolucionare  të klasës punëtore dhe masave të tëra popullore, nuk ka forcë në botë që mund ta mposhtin  luftën e tyre”[11] komenton pjesëmarrësi i  demonstratave.

Megjithëse pushtetarët morën  masa të jashtëzakonshme dhe me gjithë mungesën  e organizimit  e përgatitjeve  të nevojshme të demonstruesve, forcat policore nuk mundën ta ndalin  armatën  e madhe të popullit që mbushi rrugët  e të gjitha qyteteve  të Kosovës.

Ditën e një prillit, nga të gjitha anët e Prishtinës, lumenj të mëdhenj  demonstruesish çanë përmes reve të gazit lotsjellës, plumbave dhe bajonetave dhe  u derdhën në qendrën e qytetit, u bashkuan dhe formuan  aty një det të madh e të paparë. Pamja që mori qendra e Prishtinës ishte vërtetë madhështore. Nuk mund të shihej aty asgjë tjetër përveç kazmave, lopatave e çekanëve që ngjiteshin kërcënueshëm para selisë së komunistëve të Kosovës, përveç grushteve të fuqishëm  të mëse 20 mijë demonstruesve të të gjitha moshave  e profesioneve, që ishin bashkuar në një grusht të vetëm e kolosal.

Nuk mund të dëgjohej aty asgjë tjetër përveç korit madhështor të popullit që kumbonte në të gjithë qytetin, përveç brohoritjeve të fuqishme: “Kushtet për studentët!”, “Kushte për punëtorët!”, “Çmimeve stop!”, “Duam punë!”, “Ktheni kurbetëçinjët!”, “Mjaft me shtypje e shfrytëzim!”, “Poshtë robëria- Rroftë liria!”, “Lironani shokët!”, “Kërkojmë llogari!”, “Të burgosurit kosovar kthenani në Kosovë!”, “Trepça është jona!”, “Kosova është jona!”, “Kosova- kosovarëve!”, “Kosova-Republikë!”, “Duam vetëvendosje!”, “Të gjithë shqiptarët jemi një!”, “Jemi shqiptar, s”jemi jugosllavë!”[12] etj…etj.,  rrëfen vet pjesëmarrësi i demonstratave.

Qëndresa e fuqishme e popullit dhe kërkesat e tij të drejta u kallën tmerrin armiqve dhe bashkëpunëtorëve të cilët pa asnjë paralajmërim, nuk bën asnjë përpjekje për t’u marrë vesh me popullin që kërkonte të drejtat e veta, por në të njëjtën kohë kërkonte llogari e përgjegjësi për ato që kishin ndodhur më parë. Në këtë rast okupuesi tregoi fytyrën e tij të vërtetë, popullit iu përgjigj me një sulm tjetër akoma më brutal dhe më çnjerëzor se ato të mëparshmet. Kundër popullit duarthatë e të pambrojtur, në mesin e të cilit kishte edhe gra, pleq e fëmijë, udhëheqja e Jugosllavisë “socialiste”, “humane” e “demokratike” urdhëroi sulmin jo vetëm me kërbaçë e gazra lotsjellëse, trullosëse e helmuese, por intervenoi edhe me armë zjarri.

Gjatë tërë natës së 1-2 prillit, banorët e Prishtinës dhe të një sërë qytetesh të tjera, dëgjuan të shtëna të pandërprera  armësh që zbrazeshin  mbi trupat e njomë dhe të uritur të bijve dhe bijave shqiptare. Rrugët e shumë qyteteve kosovare  u skuqën me gjak, por populli nuk u frikësua. Ai i hapi dyert dhe i strehoi bijtë dhe bijat e tij luftëtarë, u dha bukë, krip e zemër  ua lidhi plagët. Populli e kuptoi atë natë edhe më mirë se kush ishin armiqtë e tij të vërtetë dhe kush ishin bijtë e tij të vërtetë[13].

Pas kësaj ndërhyrjeje trishtuese të policisë jugosllave, në një mënyrë apo tjetër, pushtetarët e dinin se populli nuk do të qëndrojë i qetë dhe duar kryq. Andaj për “mbrojtjen” e Kosovës angazhuan edhe ushtrinë “APJ”-në, tanket dhe aviacionin, shpallën gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendosën orën policore. Jo vetëm burgjet, por edhe stadiumet u mbushën me të burgosur, kurse konviktet e nxënësve  dhe të studentëve u mbushën plot e përplot me policë të ardhur nga Serbia  dhe viset e tjera të Jugosllavisë. Më shumë se kaq nuk mund të bënte Jugosllavia  e Titos, pasi kështu nuk kishte bërë as Jugosllavia e kralëve, nuk kishte bërë as Gjermania e Hitlerit. Por as këto masa  fashiste nuk e trembën popullin e pamposhtur të Kosovës. Ata që kishin menduar se me tanke e aeroplanë mund ta frikësonin popullin shqiptar, ishin mashtruar keqas[14].

Ajo që ndodhi më 2 prill, duhet të jetë mësim i mirë për çdo armik dhe tradhtar. Në Prishtinë dhe në shumë qytete të Kosovës, atë ditë punëtorët  nuk dolën në punë, nxënësit nuk shkuan në shkolla. “Ata atë ditë kishin vetëm një drejtim dhe një kahe e cila i shpinte në demonstrata të reja. Me vetorganizim iu ngritën barrikada të reja forcave të ushtrisë dhe policisë dhe u përleshën me to me heroizëm të paparë. Në këmbë ishte ngritur i madh e i vogël. Përballë  tankeve e mitralozave, populli tundte grushtin  e tij të fuqishëm. Pothuajse të gjitha dyert e shtëpive  ishin të hapura për bijtë e nënave.

Dora e madhe e popullit u sillte vazhdimisht bukë e ujë luftëtarëve të tij. Infermierë dhe mjekë mantel e zemërbardhë të spitalit të Prishtinës u sillnin pa ndërprerë ushqime, fasha e barëra demonstruesve, u mjekonin dhe u lidhnin plagët. Kishin arsye ata oficerë e ushtarë të huaj që kapnin kokën dhe fërkonin sytë nga guximi i tyre. Bijat dhe bijtë e Kosovës kreshnike, duarthatë po zemër zjarr, ua hapnin gjoksin plumbave të armikut, bile  kishte edhe aso që hidheshin edhe mbi tanke”[15] siç ishte rasti i vashës trime nga Hogoshti i Dardanës ( ish- Kamenicë).

Demonstratat që shpërthyen anë e kënd Kosovës u shuan me gjak. Qindra bijë e bija të popullit u vranë, u plagosën dhe u lënduan rëndë, por lufta e drejtë e popullit  për të drejta e liri nuk u shua kurrë. Në përkrahje të kërkesave të drejta të popullit, në shumë qytete të Kosovës shpërthyen greva e demonstrata të tjera, kurse vëllezërit tanë që ndodheshin në kurbet organizonin dhe vazhdonin të organizonin demonstrata të fuqishme dhe mitingje të shumta proteste nëpër vende të ndryshme  të botës. Populli ynë edhe më tej vazhdonte luftën  e tij në forma të ndryshme, dhe përsëri do  ta vazhdojë atë deri në realizimin e plotë të kërkesave dhe aspiratave të tij, deri në fitoren e tij të plotë. [16]

Nga vetë shkrimi i gazetës, vijmë në përfundim, se autori i shkrimit sikurse të gjithë ne, ishte i zemëruar ndaj parisë politike të Kosovës. Ky ishte shkaku që autori nëntitullin e shkrimit e pagëzon: “Jo rinisë, por tradhtarët janë plehu i Kosovës”[17].

(vijon)


[1] “Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe do të triumfojë”, Liria, nr. 3, 1981,  1.
[2] Po aty,  2.
[3] Po aty.
[4] “Cila është e vërteta”, Liria, nr. 3, 1981,  2.
[5] Po aty,  2.
[6] Po aty.
[7] “Cila është e vërteta”,  Liria, nr. 3, 1981,  3.
[8] Sabile Keçmezi-Basha, Demonstratat studentore të vitit 1981, kthesë e rëndësishme në historinë e Kosovës, Epoka e Re,  26 prill 2006.
[9] Po aty.
[10] S. Keçmezi-Basha, Organizatat dhe grupet…, 62.
[11] Po aty,  3.
[12] “Demonstratat e Kosovës janë vepër e popullit të saj“,  Liria, nr. 3, 1981,  4.
[13] Po aty,  5.
[14] Po aty.
[15] “Kush po e nxit nacionalizmin”, Liria, nr. 3, 1981,  4.
[16] Po aty.
[17] “Jo rinisë, por tradhtarët janë plehu i Kosovës”, Liria, nr. 3, 1981,  5.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.