Ne dhe dukuritë tona të shëmtuara
Disa nga veprat letrare për fëmijë të Rifat Kukajt janë nga më cilësoret të shkruara në gjuhën tonë si romanet “Zogu i bardhë” dhe “Dita e xhufkave”, përmbledhja me poezi “Pëshurrani i gjyshit” dhe përmbledhja me tregime “Ujku me kamerë”. Këto dëshmojnë majat e vlerave të letërsisë sonë për fëmijë dhe shmangia e tyre nga programet shkollore dëshmon vetëdijen tonë të fjetur dhe vetë rrënimin tonë, asgjë më pak.
Rifat Kukaj është njëri ndër krijuesit më të shquar të letërsisë për fëmijë në mbarë botën tonë shqiptare. Sa ishte gjallë, ishte ndër emrat më të përmendur dhe më të pranishëm ne jetën tonë letrare poetike, sidomos në Kosovë. Edhe për disa vite mbas ndërrimit të jetës vijoi kjo prani dhe vepra e tij ishte pjesë gjallërike e jetës letrare dhe artistike tek ne.
Mjerisht, pa asnjë arsye, dikush ose disa (dorë e fshehur ose duar të fshehura) pa asnjë arsye e hoqën nga programet shkollore.
Nuk e shoh të nevojshme të thellohem në pandehmat që kushtëzuan heqjen e veprave të Rifat Kuakjt, qoftë në poezi, qoftë në prozë, nga programet shkollore, po me atë akt ata i varfëruan sidomos fëmijët tanë në rrafshin shpirtëror poetik dhe në qenësi dëshmuan se janë vrasës të letërsisë sonë për fëmijë, po dhe të artit tonë të fjalës në përgjithësi. Individi ose komisioni që e mori këtë vendim, ka menduar gjithçka të mundshëm, po jo të mirën e fëmijëve tanë dhe të letërsisë sonë.
Secila vepër letrare që duhet të përfshihet në programet shkollore, po edhe në të gjitha rrafshet e tjera përfaqësuese, ente e enciklopedi, duhet t’i përligjë vlerat poetike dhe mundësinë e ndikimit estetik në marrësin. Gjithçka tjetër mbetet e dorës së dytë. Poeti i madh rus, Pushkini, thoshte: “Synimi drejt së bukurës është fort i natyrshëm për shpirtin njerëzor dhe këtë nuk mund ta zëvendësojë asgjë”.
Shumë vite më parë, duke folur për poezinë e Azem Shkrelit dhe për rrafshin e saj artistikisht të lartë të saj[1] kam thënë se krijuesi letrar që shpreh nivelin më të lartë të gjuhës poetike, shpreh nivelin më të lartë të vetëdijes artistike kombëtare. Së këndejmi, shmangia e veprës letrare të Rifat Kukajt nga programet shkollore dhe nga lektura përkatëse, që cilësohet me një rrafsh të lartë poetik, dëshmon, siç u tha në krye të punimit, vetëdijen tonë të fjetur dhe vetë rrënimin tonë.
Për të përligjur rëndësinë e shumëfishtë të letërsisë për fëmijë për secilën shoqëri dhe për secilën periudhë kohore, po sjell vetëm dy mendime.
Njohësi dhe studiuesi i kësaj letërsie, Paul Hazard, thoshte: “Letërsia për fëmijë mund të mos përfillet me kusht që të mos përfillet as bota, në të cilën një shpirt nacional formohet dhe ruhet[2]”, ndërsa poeti ynë për fëmijë, Mark Krasniqi, theksonte se “Letërsia ka luajtur kurdoherë gjatë historisë rol vendimtar në […] fisnikërimin e njeriut, në krijimin e brezit të ri me koshiencë të lartë sociale, kombëtare dhe morale[3]”.
Fëmijët (shkollarët) tanë të sotit do të udhëheqin nesër në të gjitha fushat e jetës shoqërore, edhe në rrafshin artistik e shpirtëror, pra do të jenë bartës edhe të zhvillimit dhe të pasurimit të artit tonë të fjalës, letërsisë. Nëse këto subjekte i përgatisim me vlera të rrafshit të ulët artistik, pa asnjë dyshim pasojat do të jenë shumë të mëdha. Përgjegjësinë për këtë tërësisht e bartim ne, askush tjetër.
Për t’i dëshmuar disa nga vlerat poetike të veprimtarisë letrare të Rifat Kukajt, po sjell vetëm dy mendime që i kam thënë për dy kryeveprat e tij. Në librin tim “Poetika e letërsisë për fëmijë” (Botim i Universitetit të Gjakovës) kam theksuar për romanin “Zogu i bardhë”: Romani për fëmijë “Zogu i bardhë” është dëshmia më e mirëfilltë e aftësisë së jashtëzakonshme krijuese të Rifat Kukajt, krijesa më e qenësishme dhe më artistike që ka dalë nga pena dhe mendja e tij.
Këtë e përligj teksti i këtij romani, mënyra e shtjellimit dhe e të shprehurit poetik të dukurive dhe të mendimeve, ndërlidhja dhe shkrirja e botës reale me atë imagjinative, pra me të gjithë përbërësit kryesorë që e cilësojnë dhe e bëjnë një kryevepër të artit letrar[4].
Duke e përfunduar punimin tim për përmbledhjen e tij artistikisht të rrafshit të lartë, “Pëshurrani i gjyshit”, kam shkruar: Në bazë të asaj që u tha më lart mund të sjellim përfundimin se përmbledhja “Pëshurrani i gjyshit” i Rifat Kukajt përligj të dhënën se poezia jonë për fëmijë ka mbërritur kulmet e qenësisë dhe të shprehimësisë së saj poetike[5].
* * *
Mund të ndodhë që ky shkrim i imi të bjerë në veshë të shurdhër, po ministri i arsimit dhe organet e tjera përkatëse, përgjegjëse për këtë, duhet të dalin dhe të thonë publikisht se kanë punë më të rëndësishme e më me vlerë (për veten e tyre) sesa te merren me programet shkollore!
Prishtinë, fund gusht 2023
ANTON NIKË BERISHA
[1] Shih më gjerësisht për këtë në studimin tim Poetika e fjalëve të gurta. Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit. “Argeta – LMG”, Tiranë 2011.
[2] Pual Hazard, Uomini, ragazzi e libri. Letteratura infantile. Seconda edizione. Armando Editore, Roma 1969, f. 95.
[3] M. Krasniqi, Mbështetje shkencore dhe përpjekje letrare. Qëndrime e reagime IV. Prishtinë 1995, f. 230.
[4] Poetika e letërsisë për fëmijë. Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, Prishtinë 2020, f. 146. Shih dhe librin tim studimor Veçanti të veprës letrare për fëmijë të Rifat Kukajt. Argeta LMG, Tiranë 2020.
[5] Poetika e letërsisë për fëmijë, vep. e përm., f. 114.