Takimi i dy mendjeve gjeniale: Lou Andreas-Salomé dhe Fridrih Niçe

0
Elife Luzha

Autore:
Elife LUZHA
15.12.2025

Përshëndetje miq,

Këto ditë lexova një shkrim që i atribuon Fridrih Niçe-s (Friedrich Nietzsche), një thënie përçmuese ndaj grave – një shprehje që tingëllon më shumë si keqinterpretim i filozofisë së tij sesa si shprehje autentike e mendimit të tij.

Pretendimi se Niçe u paska thënë miqve të tij: “Ç’është ajo që ju dashuroni? Ca rropulli të neveritshme që fshihen pas një lëkure të lëmuar” nuk qëndron. Leximi fragmentar i teksteve të tij bie ndesh me konceptin e Niçes për njeriun, trupin dhe dashurinë.

Më poshtë po sjell një episod nga jeta e tij sentimentale, që tregon një Niçe krejt ndryshe nga ai që shpesh instrumentalizohet për të justifikuar qëndrime mizogjene.

Filozofia nuk mund – dhe nuk duhet – të shndërrohet në strehë të paragjykimeve tona personale.


Takimi i dy mendjeve gjeniale: Lou Andreas-Salomé dhe Fridrih Niçe

Në historinë e mendimit modern, vështirë se gjejmë një marrëdhënie aq intriguese sa ajo mes dy mendjeve gjeniale: Fridrih Niçe-s dhe Lou Andreas-Salomé. Edhe pse e shkurtër në kohë, kjo lidhje u përshkua nga tensione, admirim dhe zhgënjim – një kapitull që la gjurmë të thella në jetën dhe veprën e filozofit gjerman.

Refuzimi i Lou-së ndaj propozimit të Niçes për martesë e goditi thellë shpirtin e tij, duke i hapur një plagë të dhimbshme – po aq tragjike sa edhe frymëzuese për zhvillimin e mendimit të tij. I tronditur nga kjo përvojë, Niçe shkroi disa fragmente me tone të ashpra për gratë, të cilat disa studiues, si Walter Kaufman dhe Rüdige Safranski, i interpretojnë si reagime emocionale të lidhura me përvoja personale, e jo si qëndrime filozofike të tij. Sipas tyre, Niçe në asnjë mënyrë nuk propagandon ideologji përçmuese ndaj grave.

Megjithatë, këto fragmente janë keqpërdorur nga disa autorë për të ushqyer narrativa mizogjine, madje edhe në kontekste politike.

Lou Andreas-Salomé, ishte një mendje e lirë, e pavarur dhe e guximshme – një shpirt që ecte përpara kohës së vet, duke sfiduar hapur normat e shekullit të 19-të. Si filozofe, shkrimtare dhe psikanaliste, ajo ndikoi fuqishëm në disa prej figurave më të rëndësishme të modernizmit europian, përfshirë, Rainer Maria Rilken dhe Sigmund Freud.

Rilke e shihte atë si udhërrëfyesen e tij shpirtërore, ndërsa Freud thoshte se ajo ishte “e lindur për psikoanalizë”. Sipas tij, prania e saj ishte si një dritë që të detyron të shohësh më thellë brenda vetes dhe botës përreth.

Njohja e tyre ndodhi në Romë, përmes mikut të përbashkët, filozofit Paul Rée. I impresionuar  nga inteligjenca dhe personaliteti i saj, Niçe e përshkroi Lou-n si “gruan më inteligjente që kishte takuar ndonjëherë”. Tek ajo ai gjeti pikërisht atë që kishte ëndërruar: një mendje të lirë, një grua që mendonte në të njëjtën thellësi ku ai jetonte çdo ditë.

Megjithatë, dashuria e tij mbeti e papërgjigjur nga Lou. Kur ai i propozoi martesë, ajo iu përgjigj: “Unë nuk mund të të përkas ty. As ti mua.”

Emocionalisht i brishtë në atë periudhë, Niçe e përjetoi këtë refuzim si një tërmet që ia tronditi botën shpirtërore. Sipas disa studiuesve, kjo goditje u reflektua më vonë në disa prej veprave të tij, veçanërisht në veprën “Kështu foli Zarathustra”, ku njeriu paraqitet si qenie që duhet të kapërcej veten për të krijuar vlera të reja.

Nga ana e saj, Lou nuk e konsideroi këtë marrëdhënie tragjike. Për të, ajo ishte një përvojë e bukur dhe formuese, e mbushur me shkëmbim idesh dhe ndikim të ndërsjellë. Në veprën “Friedrich Nietzsche nëpërmjet veprave dhe jetës së tij” (1894), ajo e përshkruan filozofin me butësi, dhe respekt, duke dëshmuar se marrëdhënia me të mbeti një kapitull me vlerë të veçantë në jetën e saj.

Refuzimi i Lou-së nuk ishte thjesht një dështim sentimental, por një përplasje mes dy vullneteve për fuqi: njëri që kërkonte bashkim dhe tjetri autonomi. Dhe pikërisht në këtë pamundësi qëndron bukuria e historisë së tyre. Ata u takuan për pak qaste si dy kometa dhe ndezën qiellin e mendimit evropian. Ishte një takim i shkurtër, por me ndikim të gjatë.

Siç do të thoshte Kundera, jo çdo takim ka nevojë për vazhdim që të ketë kuptim.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.