Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Teksa bisedoja me nipin tim, një fëmijë që ende mbante në sy pafajësinë e botës dhe në buzë të qeshurën e jetës, më doli nga shpirti një pyetje që ndoshta nuk duhej bërë, por që më shpëtoi pa qëllim: “Kënd e donë më shumë, mamin apo babin?” Ai më shikoi me sytë e një bote pa hile, i habitur si të mos kishte dëgjuar kurrë një ndarje të tillë, dhe me një buzëqeshje të pastër si mëngjesi, më tha: “Ama unë nanush, i dua të dy njësoj, ama bash njësoj.”
Fjalët e tij, më të thjeshta se çdo poezi, m’u ngulitën në mendje si një mësim i madh që vjen nga një zemër e vogël. S’u zgjata më tej. Heshta. Dhe në atë heshtje, mendova gjatë. Sa e çuditshme, e njëkohësisht madhështore është dashuria e fëmijës – ajo nuk peshon, nuk mat, nuk ndan. Është një burim i pastër që rrjedh në mënyrë të barabartë drejt të dy brigjeve, drejt nënës që e ledhaton dhe babait që e përqafon. Fëmija nuk e ndjen nevojën të bëjë krahasime, as të ndajë me copa dashurinë e vet, ai e shpërndan të gjithën, njësoj, me një drejtësi që vetëm shpirti i një fëmije mund ta mbajë.
Në një botë ku shpesh rritemi duke ndarë, zgjedhur, vlerësuar e krahasuar, një fëmijë të kujton se dashuria e vërtetë nuk njeh garë. Ajo është si dielli mbi dy dritare – ndriçon të dyja njësoj, pa dallim, pa kursim. Dhe ndoshta është pikërisht në këto çaste kur kupton se fëmijët nuk janë thjesht pasqyrë e së ardhmes – ata janë mësuesit tanë më të pastër për dashurinë, ndershmërinë dhe vërtetësinë.
Në përgjigjen e atij nipi të vogël, unë pashë një botë më të mirë. Dhe e ndjeva se ndonjëherë, për të kuptuar dashurinë, mjafton të dëgjosh një zemër të vogël që flet pa frikë. Ne, me krenari dhe patos emocional, shprehemi se e duam familjen tonë, se e duam vendin ku kemi lindur, se e duam tokën tonë dhe Kosovën. Kjo thënie është bërë pjesë e diskursit tonë të përditshëm, një shprehje që dëshiron të përçojë ndjenja përkatësie, përkushtimi dhe dashurie ndaj atdheut dhe vlerave familjare. Dhe unë vetë besoj thellësisht në këtë pohim – një besim që nuk lë hapësirë për dyshim, e aq më pak për bindje të kundërt.
Megjithatë, çdo akt dashurie dhe çdo shprehje përkushtimi mbart brenda vetes nevojën për reflektim dhe analizë të ndershme. Sepse dashuria, për të qenë e vërtetë, duhet të jetë edhe e vetëdijshme. Në këtë frymë, mund të bëjmë një paralelizëm të ndjeshëm dhe kuptimplotë. Po sikur zemra të ishte një mollë? Po sikur ta kishim fuqinë ta çelnim atë në çdo moment nevoje – për ta parë jo vetëm bukurinë e saj të jashtme, por edhe brendinë e saj të vërtetë?
Në atë akt të zbulesës, do të dallonim qartë se sa pjesë të saj janë ende të shëndosha, plot jetë dhe gjallëri, dhe sa të tjera janë prekur nga kalbëzimi i harresës, i hipokrizisë, i interesit të ngushtë apo i mungesës së reflektimit të thellë moral. Ashtu si një mollë që mban në sipërfaqe ngjyrën e freskët, por fsheh plagët e padukshme brenda, edhe zemra njerëzore, edhe dashuria për familje apo atdhe, mund të mbajnë brenda vetes cenime që duhen parë dhe trajtuar me guxim.
Në një kuptim më të gjerë, ky ilustrim metaforik ngre një pyetje etike dhe filozofike mbi autenticitetin e ndjenjave tona kolektive. A është dashuria jonë për Kosovën vetëm një thirrje retorike, apo është një angazhim i përditshëm, i sinqertë dhe i përgjegjshëm? A kujdesemi vërtet për të, apo thjesht e përmendim kur ndjejmë nevojën për identifikim? Dhe nëse do të shikonim me sy kritik brendinë e kësaj “zemre kolektive”, sa të pastër do ta gjenim?
Ky reflektim nuk ka qëllim të zbehë dashurinë që shprehim, por të na ftojë ta thellojmë dhe ta bëjmë më të ndërgjegjshme. Sepse vetëm përmes kësaj vetëanalize të sinqertë mund të arrijmë në një dashuri që nuk është thjesht fjalë, por vepër. Në këtë mënyrë, zemra jonë – individuale dhe kolektive – do të mbetet jo vetëm simbol i dashurisë, por edhe i përkushtimit të mirëfilltë ndaj asaj që themi se e duam.
Dashuria ndaj atdheut është ndër ndjenjat më të thella dhe më të përhershme që mund të mbajë një individ. Në këtë kuptim, thuajse njëzëri deklarojmë se e duam Kosovën – një pohim që rrallë kontestohet dhe që shpesh përbën bazën e identitetit tonë kombëtar e qytetar. Megjithatë, kjo deklaratë emocionale kërkon një reflektim më të thelluar dhe më kritik.
Në këtë frymë, është e ndritur fjala e ish-presidentit amerikan John F. Kennedy, i cili njëherë kishte thënë: “Mos pyet se çfarë ka bërë vendi yt për ty, por pyet se çfarë ke bërë ti për vendin tënd.” Kjo thënie merr një kuptim të posaçëm kur aplikohet në realitetin tonë, në raportin tonë me Kosovën. Pse, pra, nuk ndalemi më shpesh dhe nuk i drejtojmë vetes këtë pyetje thelbësore: çfarë kemi bërë dhe po bëjmë ne për Kosovën?
Kjo pyetje nuk duhet të jetë retorike, por një ftesë për vetëanalizë, për përgjegjësi, për angazhim konkret dhe të përditshëm. Dashuria ndaj Kosovës nuk mund të matet vetëm me fjalë të bukura, por me kontributin e secilit në ndërtimin dhe përparimin e saj – qoftë në arsim, në kulturë, në ekonomi, në ruajtjen e dinjitetit kombëtar, apo në përkushtimin qytetar.
Ky reflektim nuk është qëllim vetëakuzues, por një thirrje për vetëdije historike dhe për përgjegjësi aktive. E ardhmja e Kosovës nuk mund të ndërtohet vetëm mbi kujtimet e së kaluarës apo mbi deklarata patriotike, por mbi veprim të përditshëm dhe të qëndrueshëm në të mirë të saj. Sepse vetëm përmes këtij angazhimi të ndërgjegjshëm, dashuria për Kosovën bëhet reale, konkrete dhe transformuese.
Historia, në thelbin e saj, nuk është thjesht një rrëfim i ngjarjeve të së kaluarës, ajo është një terren kompleks dhe shpeshherë i rrezikshëm, i mbushur me tensione, interpretime të ndryshme dhe emocione të fuqishme kolektive. Ajo mund të krahasohet me një fushë të minuar, ku çdo hap i gabuar – çdo interpretim i pasaktë apo njëanshmëri e paqëllimshme – mund të na çojë në gracka të padëshiruara, duke prodhuar keqkuptime, përçarje, madje edhe ripërsëritje të gabimeve të së kaluarës.
Në këtë fushë të ndjeshme, studiuesi apo interpretuesi i historisë shpesh gjendet përballë dilemash të mëdha: si të qëndrojë besnik ndaj fakteve pa i mohuar ndjeshmërinë njerëzore; si të ruajë objektivitetin pa u bërë i ftohtë apo i shkëputur nga realitetet shoqërore. Rruga drejt së vërtetës historike, edhe kur ekziston një përpjekje e ndershme për ta ndjekur, është shpesh e vështirë, e mbushur me pengesa dhe shtigje të ngushta që mund të përshkohen vetëm me përkujdesje dhe ndershmëri intelektuale.
Në shumicën e rasteve, brenda kësaj hapësire të ngarkuar, është e mundur të gjenden edhe rrugëkalime – shtigje të mundshme që të çojnë drejt kuptimit më të thellë të së kaluarës. Por këto shtigje nuk janë asnjëherë të lehta, ato kërkojnë guxim për të përballuar të vërtetat e pakëndshme, durim për të analizuar burimet me kujdes, si dhe mençuri për të dalluar mes mitit dhe realitetit.
Prandaj, angazhimi në histori nuk është një detyrë e thjeshtë akademike, por një proces i përhershëm i ballafaqimit me vetveten dhe me të shkuarën kolektive. Ajo kërkon një vetëdije të thellë se çdo fjalë e shkruar për të kaluarën ka pasoja për të tashmen dhe të ardhmen, dhe se vetëm me përgjegjësi të madhe mund të ndërtojmë një narrativë që jo vetëm ndriçon, por edhe pajton.
Ne jemi të vetëdijshëm se ajo që ndodhi në Kosovë nuk ishte një përplasje e zakonshme, një konflikt i rëndomtë mes dy palësh – ishte një luftë e dhimbshme, ekzistenciale, një përpjekje për të mbijetuar si popull, për të ruajtur dinjitetin, lirinë dhe identitetin kombëtar. Kjo ishte një luftë në kuptimin klasik të fjalës, një përballje që gëlltiti jetë të tëra, që zhduku familje nga faqja e dheut dhe që edhe sot, pas shumë vitesh, lë plagë të hapura – sepse shumë nga ata që u vranë, ende nuk kanë një varr ku mund të vendosim një tufë lule, një kujtim, një lutje.
Në atë kohë, të gjithë ishim dikund – në rrugët e botës si mërgimtarë që luftonin me fjalë, me penë, me përkrahje; nëpër male e barrikada si luftëtarë me pushkë në dorë dhe shpirtin ndër dhëmbë; apo në heshtjen e një rezistence të brendshme që e mban gjallë shpresën edhe në rrethana ekstreme. Çdokush që e mbante në zemër Kosovën, në një formë apo tjetër, luftonte për të. Ishte një luftë kolektive e ndërtuar mbi sakrifica individuale – një bashkëjetesë e dhimbjes dhe krenarisë.
Por, përballë kësaj ndjenje të përbashkët që dominonte shumicën, nuk mund të mohojmë faktin se kishte edhe nga ata që, megjithëse ecnin mbi këtë tokë, e kishin harruar Kosovën. E kishin harruar jo sepse nuk dinin për dhimbjen, por sepse kishin zgjedhur indiferencën – një formë tjetër e heshtur e mohimit. Të jetosh mbi një tokë që digjet dhe të mos ndjesh as ngrohtësinë e zjarrit, është një heshtje që flet shumë. Është një mospërfillje që lëndon po aq sa një plumb – sepse ftohtësia e shpirtit dhe mungesa e ndërgjegjes janë plagë që nuk shërohen lehtë.
Ky dualizëm i qëndrimeve ndaj Kosovës në kohë lufte – njëra anë që dhuron gjithçka dhe tjetra që hesht – nuk është thjesht një kapitull i mbyllur i historisë sonë, por një thirrje për vetëdije. Është një ftesë për të kuptuar se liria nuk është dhuratë, por amanet. Dhe për ta nderuar këtë amanet, nuk mjafton të jesh fizikisht në Kosovë – duhet të jesh shpirtërisht me të, të ndjesh përgjegjësi, të mbash barrën e kujtesës dhe të japësh kontribut në ndërtimin e një të ardhmeje që respekton sakrificën dhe nuk harron kurrë rrënjët.
Pa dyshim, ne e kemi dashur dhe e duam Kosovën. Kjo dashuri ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga ndjenjat më të forta që ushqejmë për vendin tonë – një lidhje emocionale, historike dhe shpirtërore që na përcakton si individë dhe si kolektivitet. Por dashuria, për të qenë e vërtetë dhe e qëndrueshme, nuk është vetëm ndjenjë e shprehur me fjalë apo emocione të përkohshme, ajo kërkon përkushtim, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, vazhdimësi.
Dashuria për Kosovën nuk duhet të jetë sezonale që zgjohet vetëm në momente krizash apo përvjetorësh. Ajo duhet të kultivohet në mënyrë të qëndrueshme, me përkushtim të përditshëm dhe me vetëdije të thellë për rëndësinë që ka atdheu në formësimin tonë personal dhe kolektiv. Të duash vendin tënd nuk do të thotë vetëm të emocionohesh për të, por të punosh për të, ta ndërtosh, ta mbrosh dhe ta ruash në çdo rrethanë – si në kohët e begata, ashtu edhe në momentet kur kërkohen sakrifica dhe flijime.
Sepse vetëm atëherë kur dashuria për Kosovën shfaqet edhe në përballje me vështirësitë, kur qëndrojmë krah saj edhe kur sfidat janë të mëdha, ajo dashuri fiton përmasën e saj të plotë. Në kohë të mira, dashuria duhet të jetë ndërtuese, në kohë të vështira, ajo duhet të jetë mbështetëse dhe mbrojtëse. Kosova nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por një kujtesë kolektive, një trashëgimi shpirtërore dhe një projekt i përbashkët historik.
Prandaj, ajo duhet ruajtur me kujdesin më të madh – si sytë e ballit, si diçka që s’mund të zëvendësohet. Të kujdesesh për Kosovën do të thotë të ndjesh përgjegjësi për të ardhmen e saj, për gjeneratat që do të vijnë, për ruajtjen e gjuhës, kulturës, vlerave dhe lirisë që është fituar me aq mund. Dhe më tej, nuk mjafton vetëm ta ruajmë – duhet ta mbrojmë, jo vetëm nga rreziqet e jashtme, por edhe nga shpërfillja, harresa, dhe çdo formë e rrënimit moral apo institucional që mund të cenojë qenien e saj.
Dashuria për Kosovën është një detyrim i përhershëm – një akt i vazhdueshëm i ndërtimit, mbrojtjes dhe afirmimit të saj në çdo rrethanë dhe në çdo epokë.
Kosova nuk ka nevojë të mbulohet me fjalë të bukura e premtime boshe, sepse historia e saj ka dëshmuar se fjalët, kur nuk shoqërohen me vepra, shpesh shndërrohen në mjete manipulimi. Është e rëndësishme të kuptohet se dashuria për Kosovën nuk mund të reduktohet në retorikë patriotike apo në deklarata të përsëritura që nuk mbartin përmbajtje reale. Sepse edhe ish-Jugosllavia e donte Kosovën me fjalë, edhe Serbia e shpallte si pjesë të vetën me fjalë – por pas këtyre fjalëve fshihej një qëllim i errët, mohimi i identitetit të saj, shtypja e lirisë së saj, dhe nënshtrimi i popullit të saj.
Kjo na mëson një të vërtetë të thellë, nuk mjafton të thuash se e do Kosovën. Atdheu nuk kërkon fjalë të zbrazëta, por përkushtim të vazhdueshëm, veprim të drejtë dhe një etikë përgjegjësie kolektive. Ta duash Kosovën do të thotë të ndihmosh në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë, të lirë dhe të dinjitetshme. Do të thotë të jesh vigjilent ndaj çdo forme të padrejtësisë, të mos heshtësh para deformimeve institucionale, dhe të jesh pjesë aktive në zhvillimin e saj demokratik dhe kulturor.
Retorika pa substancë është një rrezik i përhershëm për shoqëritë që dalin nga konfliktet dhe që ndërtojnë identitet kombëtare. Prandaj, Kosova ka nevojë për një dashuri që vërtetohet në veprim – në respektimin e ligjit, në përkrahjen e arsimit, në mbrojtjen e kulturës, në garantimin e drejtësisë dhe në ruajtjen e kujtesës historike. Një atdhe i vërtetë nuk ndërtohet me deklarata, por me vepra që lartësojnë dinjitetin njerëzor dhe afirmojnë lirinë kolektive.
Në këtë kuptim, Kosova duhet të jetë një projekt i përhershëm i përkushtimit tonë të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm – jo vetëm për atë që ajo ka qenë dhe për çfarë përfaqëson, por edhe për atë që duhet të bëhet, një vend ku fjalët e mëdha nuk i zëvendësojnë kurrë veprat e mëdha.
Shtrohet natyrshëm një pyetje thelbësore, me peshë historike dhe etike, si e deshën Kosovën Serbia dhe ish-Jugosllavia? Kjo nuk është një pyetje thjesht retorike, por një reflektim i thellë mbi natyrën e një “dashurie” të shpallur me fjalë, por të tradhtuar në çdo formë me vepra.
Serbia dhe më herët federata jugosllave, në deklarata zyrtare dhe në aktet e tyre politike, e quanin Kosovën pjesë të pandashme të shtetit – një “zemër” të vendit, një hapësirë të përbashkët historike dhe kulturore. Megjithatë, në thelb, kjo ishte një dashuri e shpikur, një përqafim i rremë që mbulonte me gjuhë propagandistike aktet më të rënda të shtypjes, asimilimit dhe mohimit të identitetit shqiptar.
Kjo “dashuri” u shfaq përmes mekanizmave të dhunës sistematike, me ndalimin e gjuhës shqipe në arsim, me censurën ndaj kulturës kombëtare, me përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore, me vrasjet politike, me përndjekjet, me dëbimet masive dhe me ndërtimin e një aparati represiv që synonte jo bashkëjetesën, por nënshtrimin dhe shuarjen e qenies kombëtare shqiptare në Kosovë.
Dashuria e vërtetë nuk shtyp, nuk mohon, nuk përjashton. Ajo nuk imponohet me tanke, polici speciale dhe internime. Serbia dhe ish-Jugosllavia e deshën Kosovën si një territor për t’u kontrolluar, jo si një hapësirë ku respektohet barazia, liria dhe dinjiteti i banorëve të saj. Kjo ishte një dashuri koloniale, që përpiqej të maskohej me gjuhë politike dhe fjalor bashkëjetese, por që në realitet prodhoi padrejtësi strukturore dhe dhimbje historike.
Në këtë kontekst, është thelbësore të bëjmë dallimin mes dashurisë së pretenduar dhe asaj të vërtetë. Sepse Kosova nuk ka nevojë për deklarata boshe që e trajtojnë si pronë apo si simbol, por për respekt, barazi dhe njohje të identitetit të saj të plotë. Prandaj, analiza e mënyrës se si Serbia dhe Jugosllavia “e deshën” Kosovën është në të vërtetë një leksion për të ardhmen – se çdo formë pushtimi që vishet me kostum dashurie, është në thelb një akt dhune që duhet demaskuar dhe mos u harruar kurrë.
Ata, në të vërtetë, nuk e deshën Kosovën si një hapësirë të barabartë, të lirë dhe të zhvilluar, por si një territor të nënshtruar, të kontrolluar dhe të varur nga qendrat e pushtetit. Dashuria e tyre, e shpallur me fjalë të mëdha dhe të zbukuruara me referenca historike e gjeostrategjike, ishte në thelb një dashuri me prapavijë dominimi – një formë e kamufluar e okupimit, e cila synonte jo mirëqenien e Kosovës, por shfrytëzimin e saj të gjithanshëm.
Ata e donin Kosovën të varfër dhe të pazhvilluar, që të mbetej një periferi e dobët dhe e varur ekonomikisht. Ata e dëshironin pa shqiptarë – ose, në rastin më të “moderuar”, me shqiptarë të heshtur, të frikësuar, të përjashtuar nga jeta publike, nga arsimimi dhe nga vendimmarrja politike. Në këtë mënyrë, prania shqiptare në Kosovë do të zbehej jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht – duke i kthyer shqiptarët në qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre.
Për më tepër, politika e tyre kishte për qëllim thellimin e përçarjeve brenda komunitetit shqiptar, duke mbjellë mosbesim, frikë, ndasi dhe rivalitet të qëllimshëm. Një popull i ndarë, i përçarë dhe i zhveshur nga forca kolektive, është më i lehtë për t’u sunduar. Prandaj, Kosova e tyre ishte një projekt i shfrytëzimit dhe i kontrollit – jo një hapësirë e zhvillimit dhe e lirisë.
Në këtë kontekst, është me rëndësi të theksojmë se çdo pretendim për dashuri ndaj një vendi që përjashton banorët autoktonë nga historia dhe e ardhmja e tij, është një formë e rafinuar e mohimit dhe e dhunës strukturore. Ata nuk e deshën Kosovën si një realitet të barabartë brenda një bashkësie shumëkombëshe, por si një trup të dobësuar që do të mund të kontrollohej, të manipulohej dhe të përdorej për interesa gjeopolitike.
Kjo është arsyeja pse historia e kësaj “dashurie” të rreme duhet të lexohet me sy kritik, për të kuptuar se çfarë është dashuria e vërtetë për një vend – jo pushtim e shfrytëzim, por liri, zhvillim dhe respekt i ndërsjellë. Vetëm atëherë kur ndërtimi i shtetit mbështetet mbi këto parime, mund të flasim për një marrëdhënie të drejtë midis popullit dhe territorit që ai e quan atdhe.
Ka nga ata që, me tone skepticizmi apo dashakeqësie, mund të thonë: “Lehtë është ta duash Kosovën nga larg.” Madje, jo rrallë, këtyre qëndrimeve u shtohet edhe një dozë ironie apo pakënaqësie ndaj atyre që, ndonëse jashtë kufijve gjeografikë të saj, ndjekin me kujdes rrjedhat e brendshme, i analizojnë ato dhe, herë-herë, shprehin kritika për drejtimin që ka marrë zhvillimi i saj politik, ekonomik apo shoqëror.
Këto komente mund të duken si sfidë e sinqeritetit të mërgatës apo e atyre që e përjetojnë Kosovën nga distanca, por në thelb harrojnë një të vërtetë madhore, rruga drejt pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë as e lehtë, as e shkurtër, dhe në të kanë kontribuar jo vetëm ata që qëndruan fizikisht në vend, por edhe ata që ishin të shpërndarë nëpër botë, por me zemrën gjithmonë të lidhur fort pas dheut amë.
Të dashurosh Kosovën nuk nënkupton vetëm të jesh i pranishëm fizikisht në çdo hap të saj, por të jesh i përkushtuar ndaj saj – me mendje, me zemër dhe me vepra, sado të vogla qofshin ato. Sepse dashuria për atdheun nuk është funksion i distancës, por i ndjeshmërisë, i kujtesës dhe i angazhimit. Mërgata shqiptare, për shembull, nuk ishte thjesht spektatore e proceseve që sollën lirinë dhe pavarësinë – ajo ishte një nga shtyllat më të qëndrueshme të rezistencës dhe sensibilizimit ndërkombëtar, një zë që nuk heshti kurrë, sado larg qe ishte fizikisht.
Po, është e vërtetë që sot përballemi me sfida të mëdha, me zhgënjime dhe me pengesa në rrugën e zhvillimit të brendshëm. Por këto nuk mund të fshijnë sakrificat e të kaluarës, as të zbehin peshën e rrugëtimit historik që kemi kaluar për të arritur deri te deklarata e pavarësisë, si një akt i lavdishëm i vullnetit kolektiv dhe përpjekjes shekullore për liri.
Prandaj, në vend të dyshimit mbi ndjenjat e të tjerëve, le të kultivojmë një reflektim më të thellë: që dashuria për Kosovën shfaqet në shumë forma – në protestë, në kritikë, në lutje, në vepra konkrete – dhe nuk duhet të përjashtohet kurrë mbi bazën e distancës gjeografike. Sepse për një vend si Kosova, që ka lindur nga përkushtimi, sakrifica dhe besimi i shumë brezave, çdo zemër që rreh për të është një pjesë e gjallë e historisë së saj.
Ta zëmë, për një moment, se nuk po flas si shqiptare – as si bijë e kësaj toke që e ndjen çdo plagë të saj si plagë personale – por si një udhëtare e rastësishme, një kalimtare neutrale që vështron me sy të paanshëm e me mendje të hapur. Edhe në këtë këndvështrim të zhveshur nga emocionet e përkatësisë, bindja është e qartë- Kosova ka ecur përpara, me hapa të sigurt dhe dinjitozë.
Rrugëtimi im i fundit jashtë vendit, që përfshinte kalimin nëpër disa shtete të rajonit, më dha një mundësi të rrallë krahasimi – jo thjesht në aspektin fizik të infrastrukturës apo gjendjes urbane, por edhe në atmosferën e përgjithshme, në ndjesinë që të përcjell një vend kur e prek me këmbë dhe e përjeton me të gjitha shqisat. Dhe po, nuk mund të mos e theksoj, kur hyra në Kosovë, mbeta e mbushur me kënaqësi dhe krenari të thellë. Ishte një ndjesi gati e papritur, por shumë domethënëse. Qetësia që të mbështjell, pastërtia e rrugëve, përpjekja e dukshme për organizim institucional, prania e të rinjve që lëvizin me energji dhe besim – të gjitha këto janë dëshmi të gjalla se ky vend, që dikur ishte sinonim i dhimbjes dhe rezistencës, po kthehet gjithnjë e më shumë në një hapësirë të mundësisë, të zhvillimit dhe të përkatësisë evropiane.
Është e lehtë të biesh në grackën e kritikës së përhershme, sidomos kur je brenda vendit dhe ballafaqohesh përditë me sfida reale – papunësinë, korrupsionin, mungesat në sistemin shëndetësor apo arsimor. Por një vështrim nga jashtë, një distancë objektive, të lejon të kuptosh përmasën e ndryshimeve pozitive që, ndonëse të ngadalta dhe të vështira, po ndodhin. Dhe ky përparim nuk është vetëm çështje statistikash apo raporte ndërkombëtare – është një përjetim që ndihet në ajër, në ritmin e jetës, në shpresën e pashprehur të njerëzve.
Prandaj, edhe po të mos isha shqiptare, edhe po të mos më lidhnin me Kosovën kujtimet, rrënjët e historisë apo gjaku i brezave të mi, sërish do ta ndjeja të njëjtën gjë, Kosova po ecën përpara, dhe kjo është një arsye jo vetëm për të qenë të kënaqur, por edhe për të ruajtur shpresën dhe për të vazhduar ta ndërtojmë atë me përkushtim, ndershmëri dhe dashuri të vërtetë.
Gjërat duket se më në fund kanë zënë vendin e duhur në Kosovë. Një ndjesi e përmbushjes dhe e rregullsisë të përshkon sapo hyn në territorin e saj – sikur vetë toka të ketë marrë frymë lirshëm pas një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm. Infrastruktura, dikur dëshmi e stagnimit dhe harresës, sot është shndërruar në një tregues të zhvillimit dhe kujdesit institucional, rrugë të shtruara me kujdes, trotuare që ftojnë për ecje, rrugica të pastra që reflektojnë një përkujdesje të re për hapësirën publike.
Edhe natyra, si të ishte pjesë e kësaj ringjalljeje kolektive, i është përgjigjur këtij ndryshimi me gjelbërim të freskët dhe ngjyra të gjalla. Malet dhe kodrat e Kosovës, të cilat gjithmonë kanë qenë krenaria e peizazhit të saj, tashmë duken edhe më të gjalla, sikur të kenë rifituar rininë e humbur. Ato nuk janë më thjesht sfond gjeografik, por dëshmi e një harmonie të re mes njeriut dhe mjedisit, një dialog i heshtur i natyrës me historinë që ajo mban mbi shpinë.
Por mbi të gjitha, është populli ai që më së shumti të jep ndjesinë e ndryshimit të vërtetë. Shqiptarët e Kosovës, që kanë kaluar nëpër cikle të dhimbjes, që kanë bartur mbi vete plagë të shumta dhe kujtime të rënda, sot paraqiten me një përmasë të re qytetarie. Janë të edukuar në sjellje, të respektueshëm në komunikim, të kujdesshëm ndaj njëri-tjetrit dhe të gatshëm për ta ruajtur atë që është ndërtuar me mund dhe sakrificë. Ka një lloj fisnikërie të heshtur në sytë e tyre – një përzierje krenarie dhe përulësie, që rrallë haset tek popujt që nuk e kanë kaluar rrugën e vështirë të historisë.
Kjo ndjesi e përbashkët e rregullsisë dhe e përmirësimit nuk është thjesht rezultat i investimeve fizike, por reflektim i një rilindjeje morale. Kosova duket se po gjen gjuhën e saj të brendshme, po artikulohet në një mënyrë të re – përmes qytetarëve të vet që jetojnë me ndershmëri dhe shpresë, përmes rrugëve që të çojnë drejt një të ardhmeje më të sigurt, dhe përmes natyrës që buzëqesh e qetë, si për të thënë, këtu më në fund po jetohet me dinjitet.
Fshatrat e Kosovës, dikur të heshtur nën barrën e mungesës dhe harresës, sot shfaqen si dëshmi të një rigjallërimi të ngadaltë, por të sigurt. Të rregulluara me kujdes dhe të pastërta deri në detaje, ato ofrojnë jo vetëm një ndjesi estetike, por edhe një pasqyrim të një mentaliteti të ri që po ngulitet në ndërgjegjen kolektive – një dëshirë për të jetuar me dinjitet, në harmoni me natyrën dhe me njëri-tjetrin.
Shtëpitë, me kulmet e tyre të reja dhe të kuqe nga tjegullat që shkëlqejnë nën rrezet e diellit të ngrohtë të Kosovës, krijojnë një pamje që të mbush me qetësi dhe krenari. Ky kontrast i ngjyrave – e kuqja e kulmeve, jeshilja e kodrave, bluja e qiejve – formon një mozaik të gjallë që nuk është vetëm i bukur për syrin, por edhe për zemrën. Këto kulme nuk janë thjesht mbulesa mbi shtëpi – ato janë simbole të ringritjes, të jetës që rifillon, të shpresës që nuk u shua as në kohët më të errëta.
Dhe po, më lejoni ta them pa asnjë hezitim: besoj me zemër dhe e di se edhe ju më besoni – askund në botë nuk ka një vend më të bukur se Kosova. Bukuria e saj nuk qëndron vetëm në peizazhe apo në arkitekturën e përtërirë, por në thelbin e saj shpirtëror – në mënyrën se si ky vend, i mbështjellë nga dhimbja e së kaluarës, di të falë, të ringjallet dhe të ofrojë ngrohtësi për këdo që e prek me respekt dhe dashuri.
Kosova është një poezi që shkruhet çdo ditë me përpjekje të heshtura, me duar që ndërtojnë, me sy që shohin larg dhe me zemra që nuk dorëzohen. Ajo është një tokë që, ndonëse e vogël në hartë, është e pafund në shpirt. Dhe kjo bukuri – e natyrshme, e përvuajtur dhe e vërtetë – është ajo që e bën Kosovën jo vetëm të dashur, por të pazëvendësueshme.
Tani që më në fund kemi lirinë dhe shtetin tonë – dy prej aspiratave më të thella dhe më të shenjta të historisë sonë kombëtare – shtrohet pyetja thelbësore: çfarë duhet të themi? Çfarë duhet të ndjejmë e të mendojmë, ne, një popull që brenda vetëm gjysmë shekulli ka përjetuar më shumë tronditje historike se sa disa kombe përgjatë një shekulli të tërë?
Nga një pozitë të nëpërkëmbur dhe të pushtuar, kemi kaluar nëpër etapa të errëta shtypjeje dhe mohimi, kemi përballuar humbje të mëdha, internime, luftëra, përjashtime dhe diskriminime sistematike, kemi ruajtur me fanatizëm gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë – e megjithatë, sot, qëndrojmë më të fortë, më të vetëdijshëm dhe më të lirë. Nga thellësitë e një historie që na shtynte drejt harresës, kemi dalë në dritën e një kohe të re, një kohë kur kemi të drejtën të flasim me zë të plotë, të ndërtojmë pa frikë dhe të ëndërrojmë pa kufizime.
Dhe në këtë ditë – këtë realitet që po e jetojmë – nuk ka vend për apati, as për nënvlerësim. Ka vend për vetëdije dhe për gëzim të thellë. Sepse ky moment nuk është thjesht një kapitull i ri politik, por një arritje historike që mbart në vete frytin e dhimbjes dhe të sakrificës së gjeneratave të tëra. Të jetosh në një shtet që është fryt i përpjekjes kolektive, të ecësh në rrugët e një toke që dikur je ndjerë i huaj në tënden, është një privilegj që nuk duhet as të harrohet, as të banalizohet.
Duhet të jemi të lumtur – jo në kuptimin e një lumturie sipërfaqësore e festive – por në kuptimin më të thellë të fjalës, të ndjejmë dinjitetin e të qenit zot të vetvetes, të ndjejmë peshën e përgjegjësisë për të ardhmen, dhe të jemi mirënjohës për ata që këtë ditë na e bënë të mundur. Vetëdija për atë që kemi kaluar dhe për atë që kemi arritur është themeli mbi të cilin duhet të ndërtojmë të nesërmen – jo me vetëkënaqësi, por me përkushtim dhe dinjitet të pjekur.
Kosova e sotme është më shumë se një shtet i ri në hartë – ajo është simbol i ringjalljes, i rezistencës dhe i mundësisë për të jetuar si popull i lirë. Dhe për këtë, duhet të gëzohemi jo vetëm për atë që është sot, por edhe për atë që mund të bëhet nesër, nëse e duam me të njëjtin pasion dhe përkushtim që na çoi deri këtu.
Të gjithë ne, me ndjenjë të thellë përkatësie, e duam Kosovën. Ajo përbën jo vetëm truallin ku kemi rrënjët tona, por edhe simbolin e identitetit, sakrificës dhe shpresës së përbashkët. Megjithatë, në këtë dashuri që e shprehim për vendin tonë, nuk ka vend për krahasime boshe – për pretendime se njëri e do më shumë e tjetri më pak. Dashuria ndaj atdheut nuk është garë, nuk është matje që mund të peshohet me fjalë apo krenari të tejskajshme. E vërteta më e madhe dhe më e rëndësishme është bashkimi ynë rreth këtij vendi – bashkimi në përkushtim, në përgjegjësi dhe në mbrojtje të tij.
Kosova nuk ka nevojë për fjalë të mëdha nëse ato nuk përkthehen në qëndrueshmëri e mbështetje të përditshme, në unitet dhe vepra konkrete. Sepse, përkundër pavarësisë së fituar dhe realitetit tonë shtetëror, aspiratat për ta parë Kosovën të nënshtruar nuk kanë vdekur ende. Ka ende forca që e dëshirojnë të dobët, të varur, të zhveshur nga dinjiteti dhe liria e saj. Kjo e bën edhe më të nevojshme jo vetëm dashurinë për Kosovën, por edhe kujdesin dhe përgjegjësinë për ta ruajtur atë nga çdo kërcënim – qoftë i hapur apo i fshehur, qoftë i jashtëm apo i brendshëm.
Duhet të kuptojmë se atdheu nuk kërkon përkushtim vetëm në ditë të vështira, por edhe në kohë paqeje e mirëqenieje. Të ndërtosh një shtet kërkon aq shumë durim dhe punë sa lufta për ta çliruar. Në këtë kuptim, ta duam Kosovën nuk do të thotë vetëm ta përqafojmë në festë, por ta mbrojmë në çdo rrethanë – me dije, me punë, me etikë qytetare dhe me besnikëri.
Sepse ne nuk kemi një atdhe tjetër. Kosova është i vetmi vend që e kemi në këtë botë për të cilin jemi të thirrur jo vetëm të jetojmë, por nëse duhet, edhe të vdesim. Jo si një akt romantizmi, por si një përkushtim i natyrshëm për diçka që na përket në esencë. Atdheu nuk është zgjedhje – është trashëgimi, përgjegjësi dhe ideal që nuk guxojmë ta lëmë në harresë apo në mëshirën e rrethanave. Dhe pikërisht për këtë, dashuria më e madhe për të është bashkimi dhe mbrojtja e tij me vepra dhe me zemër të përbashkët.
Është e vërtetë se të gjithë ne, pa përjashtim, e duam Kosovën. Kjo dashuri është e thellë, e rrënjosur në ndërgjegjen tonë historike dhe kolektive, e ndërtuar mbi kujtime, sakrifica dhe aspirata të gjeneratave të tëra. Ajo përbën pjesë të pandarë të identitetit tonë personal dhe kombëtar. Por, dashuria për atdheun, sado e fuqishme të jetë në ndjenjë, nuk mund të mbetet vetëm në nivel deklarativ. Ajo duhet të dëshmohet, të vërtetohet dhe të konkretizohet përmes veprave dhe përkushtimit të vazhdueshëm.
Të thuash se e do Kosovën është një hap i parë, por i pamjaftueshëm nëse nuk pasohet me angazhim aktiv dhe të përgjegjshëm në ndërtimin dhe përparimin e saj. Dashuria për atdheun nuk është thjesht emocionale – ajo është edhe etike. Ajo shprehet në mënyrën se si kontribuojmë në jetën publike, në përpjekjet për një shoqëri më të drejtë, në mbrojtjen e institucioneve demokratike, në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe në nxitjen e zhvillimit arsimor, ekonomik dhe social.
Përkushtimi ndaj Kosovës duhet të jetë një proces i pandërprerë, një akt i përditshëm që nuk varet nga rrethanat apo disponimi momental. Ajo kërkon një vetëdije të lartë qytetare, një ndjenjë përgjegjësie për brezat që do të vijnë, dhe një gatishmëri për të vendosur interesin e përbashkët mbi interesin individual. Ta duash Kosovën do të thotë të luftosh kundër padrejtësive, të ndihmosh në ndërtimin e institucioneve të forta, të refuzosh korrupsionin dhe të ruash integritetin në çdo fushë të jetës.
Në këtë kuptim, dashuria për atdheun nuk është asnjëherë një gjendje e dhënë njëherë e përgjithmonë, por një sfidë që duhet fituar përditë. Ajo nuk është vetëm emocion, por akt i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm. Prandaj, nëse vërtet e duam Kosovën – dhe këtë nuk e vëmë në dyshim – duhet të jemi të gatshëm ta dëshmojmë këtë dashuri jo vetëm me fjalë, por me punë, me përkushtim dhe me idealizëm të matur, që e di se liria dhe shteti kërkojnë kujdes, sakrificë dhe dashuri të qëndrueshme.
21 maj, 2025
Prishtinë
Në këtë frymë, është e ndritur fjala e ish-presidentit amerikan John F. Kennedy, i cili njëherë kishte thënë:
“Mos pyet se çfarë ka bërë vendi yt për ty, por pyet se çfarë ke bërë ti për vendin tënd.”
1. Fjalët e nësipërme që ju ia dedikoni John F. Kenndy, i pari i ka thënë Khalil Gibran, 1883/1931, shkrimtar dhe mendimtar libanez, i cili jetoi vetëm 48 vjet.
2. Për sa i përket dashurisë ndaj Kosovës, më që unë jam NJË mërgimtar, kam këtë mendim:
NË QOFTË SË DËSHIRON TA NJOHESH E TA DUASH EDHE MË SHUMË ATDHEUN TËND DHE TË KONTRIBUOSH MË SHUMË PËR TE, JETO PAK NË ATDHE TE HUAJ!
IMH
E* mail: ekspertimh@hotmail.com
Kosova ka nevoje qe kosovaret qe kane ike nga Kosova sikurse ju, te kthehen dhe te jetojne ne Kosove.
Shënim: Kjo në Kosovë jeton… /AÇ