STUDIM MONOGRAFIK I RËNDËSISHËM PËR PULTIN DHE DIOQEZËN E TIJ

0
Mark Palnikaj - Pulti
Antoni Nikë Berisha
Antoni Nikë Berisha

Anton Nikë Berisha

Mark Palnikaj, Pulti viti 743 – 10 mars 2005. Instituti i historisë “Ali Hadri”, Prishtinë 2017, faqe 317

Pulti – vendbanim arbëror shqiptar i lashtë dhe etnikisht i rëndësishëm

Gjuha dhe kultura e arbërorëve – shqiptarëve,  dëshmojnë për një trashëgimi të lashtë. Përbërës qenësorë gjuhësorë që ka ruajtur shqipja, përligjin se ajo i përket grupit të gjuhëve indoevropiane, shumica e të cilave tashmë janë zhdukur. Edhe një varg dokesh, zakonesh e ritesh që në qenësi janë ruajtur deri vonë, dëshmojnë për një popull të lashtë. Po ashtu e drejta zakonore, përkatësisht Kanuni i maleve[1], e dëshmon në mënyrë të pandërmjetme qytetërimin e lashtë të arbërorëve – shqiptarëve, siç dëshmojnë dhe këngët tona kreshnike[2], që janë thesar i pazakonshëm letrar poetik i trashëguar; ato i cilëson bota materialkate, ku nëna është udhëheqje e familjes dhe se ajo botë është ë gërshetuar me qeniet mitike: zanat dhe orët, që kanë rol të shumtë në to. Këtë e përligjin dhe përrallat tona[3].

Për lashtësinë dhe rëndësinë e arbërorëve – shqiptarëve atë Bernardin Palaj shkruan:  “A ka ligjë ma të vjetra n’Europë se kanunin e maleve t’ona? Si lexove ato ligjet e para të njerzimit të Bibljes, si ato të dymdhetë drrasave të romakëve të herëshme ase ai kanunin e të parëve të Germanve, kerkund së ké me gjetë moterzime aq të gjalla e shprehë ma klasikisht, sa nder ato sprehjet e shkurtuna mijvjeçare të kanunit të maleve t’ona. Sikurse në gjuhë e ndër prrallat e katallajve njashtu edhe në doke e në kanune shqyptari i maleve ruejti tharmin e vet indoeuropjan. Thanjet e kthiellta të kanunit, të gjith sa lakolike aq kuptimplote, lmue neper rrymen e shekujvet ma fort se ato vallet e ktij popullit mijvjeçar, i mblon nji msheftësi arkaike, shpesh krejt të pakuptueshme prej atij qi nuk leu e s’u rrit në ket botkuptim të maleve t’ona[4].”

Edhe treva e Pultit dhe Dioqeza e tij, që sipas të dhënave të shkruara, daton nga viti 743, dëshmon për këtë lashtësi[5]. Rreth kësaj  Mark Palnikaj shkruan: “Këto shkrime, dëshmojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se, qysh në vitin 743, Pulti ka qenë ipeshkvi, e krijuar kohë më parë, e cila varej nga arqipeshkvi i Raguzës dhe kishës së Epidaurit, së bashku me ipeshkvitë e Zahumlias, të Bosnjës, të Tivarit, të Lezhës, të Shkodrës dhe të Drishtit[6]”.

Treva që dikur quhej Pult “[…] është e vendosur gjeografikisht midis dy ultësirave: Shkodrës dhe Kosovës dhe sipas rasteve ka dhënë e marrë herë me njërën e herë me tjetrën, në simbiozën e përjetshme të fushës me malin. Gjeografia i ka përcaktuar kësaj treve një mision, historia i ka caktuar një detyrë, që Pulti të mbetet përjetësisht një kala natyrore e shqiptarizmit e cila rrezaton qëndresë, frymon shqip me njerëzit fisnikë që mbajnë mbiemrat identitarë: Krasniqi, Gashi, Berisha, Mërturi, Nikaj, Curri, Shala, Shoshi etj.[7]”.

Sipas relatorit, Bendikt Orsini, në vitin 1628 Pulti shtrihej nga Mali i Bëshkasit deri në Diravë të Gjakovës, në bregun e Drinit të Bardhë: “Provinca e sipërthënë e Pultit, shtrihet në gjatësi nga mali që quhet i Bëshkasit, sipër Shkodrës deri në Diravë të madhe që është afër Jakovës (Gjakova e sotme M. P.) në kufi  të ipeshkvisë (vescovato) së Prizrenit. Nga veriu ka Servinë (Kosovën M.P.) kurse nga jugu ka rrjedhën e lumit Drin si dhe dioqezën e Shkodrës nëpërmjet fshatit të quajtur Kurta. Është e gjatë një ditë vere e gjysmë rrugë dhe është e fortifikuar nga natyra me male dhe lumenj sa që nuk mund të kalohet veçse nëpër malin e Bëshkasit nga ana e Shkodrës, dhe nga ana e Servisë (Kosova) nëpër malin e ashpër të Gashit që quhet edhe Lubonik (Gliubonich)[8]”. Atë Bernardin Palaj thekson se Pulti përfshinte një trevë të gjerë: “Per shka duket, me êmnin Pult, qysh në shekullin e VIII e deri në të XV, mirrej vesht krahina malore prej ku përpiqet Drini i Bardhë me Drinin e Zi e deri rranxë maleve të Bëshkasit, të Cukalit, të Shitës së Hajmelit e Velës.

Pulti i Epër pershîjte Gash, Krasniqe, Nikaj, Mërtur, Toplanë, Lumë e Mirditë (tre flamurt e epër: Orosh, Spaç e Fand); e Pulti i Poshtër: Shalë, Shosh, Plan, Gjâj, Kir, Postripë, shtatë flamurt e Pukës e flamurt e Dibrrit, ase Zadrimën e Epër.

Përkohësisht me Pultin e Poshtër xêhen edhe malet e mëdhá të Shkodrës e Zadrima, e me Pultin e Epër Hasi[9]”.

Në bazë të librit “Illyricum Sacrum” (faqet 261 – 271) nga viti 1331 deri në vitin 1520, kanë ekzistuar në këtë trevë dy dioqeza: dioqeza e Pultit të Madh dhe dioqeza e Pultit të Vogël, por nuk përcaktohen kufijtë as nuk tregohen emrat e vendit ku ishin qendrat e ipeshkvive[10].

Për jetën e pasur fetare të kësaj treve dëshmojnë dhe dokumentet e shkruara të 31 gushtit të 1628 të Benedikt Orsinit: “Kjo krahinë ka shtatëdhjetë e tetë kisha dhe ndër to kanë qenë njëzet e tre kisha famullitare, të pajisura me tokë buke, vreshta, livadhe dhe qé pune, me një fjalë, në gjendje të tillë sa nuk mbetej prapa asnjërës krahinë të krishterimit, por në kohën e sotme nuk ka veç tre priftërinj, që e mbajnë të gjithë atë vend, bile njëri prej tyre pak kohë më parë vdiq. Gjithashtu kanë qenë edhe këto manastire: Shën Mëhilli në Kir, të Ngjitunit e Zojës në Artivojë, Shën Gjoni i Varkut dhe Shën Sofi a në Luzajë, por sot janë të rrënuara dhe pa asnjë rregulltar[11]”.

Do të ishin të mjaftueshme këto fakte dhe të dhëna që Pulti dhe Dioqeza e tij (ose dioqezat e tij) të kishin zgjuar shumë më herët kureshtjen dhe interesimin e studiuesve shqiptarë. Mirëpo, ndodhi e kundërta: “Nuk mund të lë pa përmendur në këtë prezantim të burimeve për këtë punim faktin se, në literaturën shqiptare të institucioneve zyrtare, Pulti është trajtuar në vlera minimale […] Libri zyrtar, ‘Historia e popullit shqiptar’, në të gjitha botimet para vitit 2002, në vitet 1958, 1965, 1982, vetëm sa e ka përmendur Pultin, pa shkruar qoftë edhe një rresht të vetëm për të[12] […] Në librin ‘Historia e popullit shqiptar’, botuar në vitin 2002 nga shtëpia botuese Toena, nën shënimin ‘Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë’ në katër vëllime, që është publikim zyrtar i shtetit shqiptar, në vëllimet II, III dhe IV emri i Pultit nuk përmendet fare në asnjë rresht të tyre. Në vëllimin e parë të këtij historiku, emri i Pultit është përmendur nëntëmbëdhjetë herë. Në shtatëmbëdhjetë raste vetëm përmendet, pa shkruar asnjë rresht informacion mbi të. Në dy raste janë shkruar gjithsej gjashtë rreshta informacion për ndodhitë në këtë dioqezë”[13].

Vështrime dhe ndriçime të përligjura me dokumente

I vetëdijshëm për një gjendje të tillë – studimin e pakët të Pultit dhe të Dioqezës së tij – Mark Palnikaj i hyri hulumtimit të dokumenteve për këtë trevë dhe hartimit të monografisë “Pulti viti 743 – 10 mars 2005”. Këtë e bëri për dy arsye kryesore.

E para: Në bazë të dokumenteve të gjetura në arkiva të ndryshme të hedhë sa më shumë dritë në të kaluarën e Pultit dhe të Dioqezës së tij për të dëshmuar lashtësinë dhe rëndësinë kombëtare dhe historike të kësaj treve për Shqipërinë e Veriut dhe për botën shqiptare në përgjithësi, duke qenë i bindur se në këtë trevë janë ruajtur për shumë kohë disa nga tiparet dhe virtytet më të qenësishme të arbërorëve – shqiptarëve të trashëguara nga të Parët e tyre: mikpritja, besa, burrëria, flijimi për atdheun etj.

E dyta: Meqenëse vetë Mark Palnikaj ka lindur në këtë trevë dhe e njeh mirëfilli atë botë dhe njerëzit; ka jetuar me ta dhe ka dëgjuar të dhëna e fakte të përcjella brez pas brezi, prandaj dhe ka pasur mundësi t’i krahasojë dokumentet e shkruarat me të dhënat e përcjella gojarisht.

Studimi i Mark Palnikajt është hartuar në bazë të shumë dokumenteve dhe të dhënave dhe është bërë me përkushtim e dashuri të madhe që njeriu vetvetiu e ka brenda vetes për vendlindje dhe për nevojën e ndriçimit të saj sa më të shumanshëm në një rrjedhë të gjatë kohore.

Monografinë e vet Mark Palnikaj e mbështet në dy lloj burime e dokumente të shkruara: në ato që i ka zbuluar vetë në arkivat e ndryshme në Itali dhe gjetiu[14] dhe në veprat e shkruara e të botuara të autorëve e të kohëve të ndryshme. Ky hulumtim i ka mundësuar që t’i krahasojë të dhënat dhe fatet për shumë dukuri dhe rrjedha të jetës së njerëzve të kësaj treve dhe të sjellë përfundime se cilat janë ato që i afrohen më shumë të vërtetës, që duhet t’u besohet më shumë. Po ashtu, Palnikaj u kundërvihet dhe i zhvesh me argumente autorët që shkruajnë për Pultin dhe Dioqezën e tij sipas hamendjes dhe synimeve të paramenduara e politike.

Për të ndriçuar sa më gjithanshëm rrjedhën historike të Pultit dhe të Dioqezës së tij, Mark Palnikaj analizon fakte e përbërës të shumtë të jetës shoqërore, kulturore dhe fetare, sidomos të veprimtarisë së Dioqezës, e cila për shumë kohë ka qenë strumbullari i gjithë asaj që ka ndodhur me banorët dhe qëndresën e tyre nëpër disa shekuj. Ai mbështetet kryesisht në dokumentet e priftërinjve katolikë të kësaj dioqeze, të cilët përmes relacioneve, i bënit të ditur Vatikanit për gjendjen e popullsisë dhe të kishave, e cila (gjendja) nën sundimin dhe dhunën e vijueshme të otomanëve, po keqësohej ditë pas dite.

Palnikaj e ndriçon sidomos rrjedhën e jetës së Dioqezës së Pultit, si vatër dhe organizatore kryesore e jetës shpirtërore kulturore dhe arsimore, duke filluar nga viti 743, numrin e kishave dhe te famullive, emrat e priftërinjve, toponimet, patronimet, prejardhjen e fiseve, numrin e banorëve, shtegtimet e natyrshme e të dhunshme, qëndresën e pashoqe që bënë ata nëpër shekuj për të ruajtur qenësinë e tyre etnike dhe fetare, po edhe pësimet dhe vrasjen e banorëve të trevës së Pultit.

Vijimësi e ruajtjes së traditave të lashta të paraardhësve

Të dhënat dhe dokumentet e shumtë dëshmojnë për lashtësinë e trevës së Pultit, për karakterin dhe cilësitë e banorëve të tij, të cilit për qindvjetsha më radhë i ruajtjen dhe i përdorën zakone, doke e rite të ndryshme të trashëguara nga paraardhësit: jetën e organizuan mbi bazën e vëllazërisë, të gjakut, përkatësish të fisit. Kjo mënyrë e jetesës bëri të mundur që ata t’u bëjnë ballë më lehtë të papriturave, sulmeve dhe të këqijave që u solli jeta, sidomos pushtuesit e ndryshëm. Në veçanti në libër bëhet fjalë për qëndresën kundër pushtuesve “[…] një qëndresë heroike, e veçantë në të gjithë kombin shqiptar, që një grusht banorësh katolikë, pa asnjë mbështetje të brendshme ose të jashtme, mbijetuan në mënyrë kompakte, duke ruajtur të paprekura fenë dhe identitetin e vet[15]”.

Një pjesë të studimit të vet Palnikaj ua kushton fiseve të trevës së Pultit dhe më gjerë. Po veçoj këtu një pjesë të asaj që shkruan autori për fisin e Nikajve dhe punën këmbëngulëse dhe të përkushtuar që bëri: “Nga dokumentet të cilave iu jam referuar, kam nxjerrë numrin e popullsisë së Nikajve për rreth tridhjetë e pesë vite të veçanta, gjatë rreth katërqind viteve të fundit. Numri më i madh i familjeve muhamedane, i regjistruar në këtë fis ka qenë katër, por asnjëherë 24 për qind e popullsisë. Kjo shifër është thjesht një e dhënë e gabuar. Në fisin e Shalës, numri më i madh i familjeve muhamedane i regjistruar ndonjëherë ka qenë katër. Fiset Nikaj dhe Krasniqe, të cilët gjatë gjithë historisë së tyre janë konsideruar kushërinj, dhe nuk kanë bërë në asnjë rast martesa midis tyre. Kjo afërsi gjaku midis tyre, ka ruajtur respekt të ndërsjellë  dhe kjo është pasqyruar edhe në respektin ndaj fesë së njëri – tjetrit. Ndërrimi i besimit nuk do të thotë se mohuesit e fesë ishin në pajtim me pushtuesin. Rezistenca kundra pushtuesit turk, ka vazhduar nga popullsia e islamizuar e këtyre zonave, gati njëlloj me atë të popullsisë katolike. Edhe në fisin e Mërturit nuk ka pasur ndërrim të besimit. Kanë qenë katër familje të vëllazërisë Mulaj të fshatit Shëngjergj të besimit muhamedan. Kjo ka një histori të veçantë”[16].

Në studim autori e vështron dhe dukuritë e islamizimit të disa pjesëve të fisit të Gashit e të Kasniqes, si pasojë e dhunës së ashpër që ushtronte sundimi otoman në banorët e trevave të pushtuara. Mirëpo, duhet thënë se përkundër ndërrimit të fesë, pjesëtarët e fiseve vazhduan të ruajnë e t’i zbatojnë doket dhe zakonet e paraardhësve të tyre, duke e çmuar njëri – tjetrin të gjakut e të fisit, pa marrë parasysh fenë. Edhe kundër armiqve të përbashkët ata luftuan bashkë, madje edhe kundër turqve: “Mbas konvertimit në besimin e ri, popullsia e fiseve Gash dhe Krasniqe, ashtu si shumica e fiseve të tjera të veriut të Shqipërisë, ruajti të pandryshuara traditat më të mira shqiptare dhe nuk u pajtuan asnjëherë me pushtuesin. Fenë e ndërruan me dhunë, por lufta kundra pushtuesit ka vazhduar, pa ndërprerje, deri në pavarësinë e vendit, në vitin 1912[17]”.

Një gjë e tillë ndodhi edhe gjatë luftës të Plavës dhe të Gusisë: “Në luftërat, që janë zhvilluar në Plavë dhe Guci kundra forcave pushtuese të Malit të Zi, kanë luftuar krah për krah fiset e krishtera dhe ata myslimane, pa dallime fetare. Ky unitet nuk ishte i imponuar nga ndonjë pushtet shtetëror, por buronte nga motive atdhedashurie dhe nga lidhjet e gjakut. Kontributi i luftëtarëve nga fiset e Pultit, Shalë, Shosh, Nikaj dhe Mërtur në këto beteja ka mbetur i pa publikuar[18]”.

Palnikaj jep dhe disa të dhëna me vlerë për arsimin që zhvillohej nëpër kishat e Pultit dhe më gjerë qysh nga viti 1479, si, fjala vjen, “Në një shkrim të Prof. Dr. Lutfi  Alia, është shkruar se në Pult kishte shkollë të nivelit të shkollës së mesme qysh në vitin 1367: “Në shekujt XIV – XV në Drisht kishte shkolla, madje rezulton se shkolla kishte në Pult, në Shkodër,  Tivar, Ulqin, Durrës, Prizren, Ulpiana etj. Shkolla e Stanjos (Stagno është pranë Raguzës), në vitin 1388 kishte mësues Teodorin, djalin e Nikollës prej Drishtit dhe ishte shkollë ‘ortografica’, ku fëmijët mësonin lexim e shkrim, prandaj me të drejtë studiuesja E. Lala, sugjeron të quhet shkollë fillore, ndërsa për shkollën e Pultit (viti) 1367 dhe të Drishtit (viti) 1442, ku mësohej gramatika dhe komentoheshin veprat e autorëve Donati e Katoni, duhet të quhen shkolla të mesme”[19].

Dëshmi të dhembshme që të tmerrojnë

Kur i bie në fund leximit të monografisë së Mark Palnikajt për Pultin dhe Dioqezën e tij, sidomos kur ballafaqohesh me një varg dokumentesh dhe të dhënash për pësimet dhe shkatërrimet që i janë bërë qytetërimit të trevës së Pultit, po dhe më gjerë, atëherë ndien një dhembje të pathënë, një tmerr që edhe pas shumë kohësh pas leximit të librit të godet me forcën e një shkëmbësie.

Dëshmitë dhe të dhënat e shkruara për këto pësime dhe shkatërrime  janë të shumta në këtë studim monografik të Mark Palnikajt, por po veçoj vetëm disa që i përcolli banorët Pultit dhe Dioqezën e tij, po dhe mbarë popullin tonë arbëror – shqiptar nëpër shekuj.

Ky shkatërrim dëshmohet nga vetë qyteti që dikur mbante emrin e Pultit: “Pulti (Pullatum ose Polletum), qytet shumë i vjetër, gjendej në kreshtën e një mali thellë në male të thyeshme, ndoshta aty ku gjendej qyteti Ptolemajk “EKUI” (Aequum) dhe, me siguri, jo larg nga ai. Ishte larg Shkodrës, nga ana veriore, më shumë se 30 mijë hapa. Nga luftërat e shpeshta dhe pushtimet nga barbarët, të cilët e shkretuan atë krahinë, ky qytet u rrënua nga themelet, aq sa me vështirësi mund të dallohet ndonjë gjurmë[20]”.

Ky rrënim ndodhi dhe në rrafshin fetar. Shkatërrime të mëdha shkaktuan sllavët që i pushtuan trojet e arbërorëve – shqiptarëve në mënyrë që të zhduket identiteti i tyre etnik: “Për t’ia arritur qëllimit që katolikët t’i detyronin të bëheshin ortodoks, pushtuesit serbë, sidomos në periudhën e Stefan Dushanit, mbi popullsinë shqiptare të besimit katolik, ushtruan dhunë në forma të ndryshme: “Për konvertimin e popullsive të pushtuara pushtuese nxori ligje dhe përcaktoi sanksione për ata që e kundërshtonin konvertimin. Kjo politikë u saktësua dhe në Kodin e Stefan Dushanit, të vitit 1349. Dispozitat e neneve 6, 7, 8 dhe 9, përmbanin rregulla diskriminuese për popullsitë e besimit katolik. Katolicizmi, sipas këtij Kodi, konsiderohej ‘herezi latine’. Aty është shkruar: ‘[…] në qoftë se ndonjëri nuk bindet të konvertohet dhe të kthehet në besimin e vërtetë (siç e quanin ata ortodoksinë) ai do të dënohet me vdekje[21].

  1. de Boulogne, legat i Papës në Padovë, në letrën e dërguar mbretit të Hungarisë dhe Venedikut, shkruan: “Stefan Dushani me dhunë i kthen në fenë e vet besimtarët e tij katolikë, se i pagëzon me kundërshtim dhe jashtë ç’do dispozite dhe ligji të Kishës”.

Kjo konkretizohet edhe këtë të dhënë që e jep Palnikaj: “[…] për Vasojeviqët dhe Piprin në Malin e Zi duhet sqaruar se ata janë kthyer me dhunë, nga katolikë në ortodoksë, dhe kanë ndërruar edhe gjuhën nga shqipe në sllave. Ky ndryshim ka ndodhur shumë kohë mbas ndarjes me vëllezërit e tyre Nikajt dhe Krasniqët. Malazezët kanë ushtruar dhunë të madhe edhe mbi banorët e Kelmendit si Vuthajt, Martinajt etj. për t’i detyruar të bëheshin ortodoksë. Malazezët kanë kryer vrasje masive dhe makabre për t’i detyruar këta banorë të ndërronin fe[22]”.

Përkundër gjithë dhunës dhe ligjeve të ashpra që nxorën sunduesit kundër katolikëve, popullsinë e Pultit nuk arritën ta bënin ortodokse[23].

Pësimet dhe shkatërrimet e Pultit dhe të Dioqezës së tij dëshmohen sidomos me pushtimin nga otomanët. Para këtij pushtimi lulëzonte jeta fetare e shpirtërore, ku në këtë trevë ishin 78 kisha, ndërsa pas pushtimit otoman kjo zbret në një gjendje të mjerueshme: “Para pushtimit osman dioqeza e Pultit kishte 78 kisha dhe njëzet e tri famulli, ndërsa në vitin 1671 ishin vetëm 3 famulli, në fshatin Gash (Geghyseni i sotëm) ku shërbenin fretërit e reformuar, në fshatin Biaca (Shëngjergji i sotëm) ku shërbente Dom Stefano Giubani dhe në fshatin Pland ku shërbente Dom Françesko Samrishi (Francesco Samerissi)[24]”.

Dokumentet dëshmojnë se “[…] në dioqezën e Pultit turqit kanë djegur dhe rrënuar shtatëdhjetë e tetë kisha që ishin tërësisht të ritit Basilian. Kjo vetëm se banorët dhe klerikët e këtyre zonave nuk e pranuan vartësinë e Kishës së Kostandinopojës, por i vazhduan lidhjet e tyre me Kishën Perëndimore me qendër në Vatikan[25]”.

Këtu duhet përmendur  gjashtë shtegtime të banorëve të Pultit e të atyre për rreth për në trojet fqinje të shkaktuara me dhunë të jashtëzakonshme të pushtuesit mbi popullsinë katolike të Pultit: “Ekspeditat ndëshkimore turke ndaj popullsisë së këtyre krahinave, ku përfshihet tërësisht edhe dioqeza e Pultit, shkaktuan dëme të pallogaritshme, duke rrënuar, plaçkitur dhe djegur gjithçka. Popullsia iu nënshtrua vrasjeve masive, shpërnguljes me dhunë si skllevër në zona të tjera, marrja e fëmijëve skllevër për t’i përdorur si jeniçerë. Kjo ka ndikuar që popullsia e kësaj dioqeze të jetë më e vogla e të gjitha dioqezave të tjera të Shqipërisë[26]”.

Ngjashëm ndodh edhe me kështjellat që arbërorët shqiptarët kishin ngritur në vende të ndryshme: “Kështjella e djalit të tij (e Pjetër Shpendit v. ime) në lagjen Selimaj të Geghysenit të sotëm, në vitin 1628 rezulton e rrënuar nga turqit, të cilët mbas rënies së Shkodrës nën sundimin turk në vitin 1479, e pushtuan vendin dhe shkatërruan gjithçka[27].

Rrënimet kishin ndodhur dhe në rrafshe të tjera, sidomos të dokumenteve të shkruara, që gjendeshin nëpër kisha, në manastire dhe nëpër shtëpi private. Rreth kësaj Palnikaj shkruan: “Për fat të keq, një burim tjetër shumë i vlefshëm për historinë e Shqipërisë dhe për dioqezën e Pultit siç janë ditarët, regjistrat dhe shënimet e tjera të mbajtura nga priftërinjtë, janë zhdukur në pjesën më të madhe të tyre. Kjo ka ndodhur për shumë arsye, por dy kanë qenë më kryesoret: Së pari, vetë priftërinjtë i kanë zhdukur këto shënime për të mos rënë në dorë të pushtuesve turq, të cilët do t’i përdornin në interes të tyre, kundra popullsisë së krishterë si referenca për taksa, rekrutim për ushtar etj..  Së dyti, sepse pushtuesi ka djegur dhe shkatërruar kur ka qenë e mundur, të gjitha objektet kishtare, me qëllim zhdukjen e çdo gjurme të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe konvertimin e të gjithë popullsisë në islamizëm. Një fakt tjetër është edhe konfiskimi arbitrar, nga ana e shtetit komunist në Jugosllavi, i të gjitha dokumenteve të kishave katolike në Kosovë mbas vitit 1945[28]”.

Rrënimet e këtilla, për fat ë keq, vazhduan shekuj me radhë dhe habitet njeriu se si arbërorët – shqiptarët mbijetuan. Kështu, “Gjatë një bombardimi në qytetin e Shkupit në vitin 1941, është bombarduar edhe Arkivi i Kishës Katolike në këtë qytet dhe janë zhdukur pothuajse të gjitha dokumentet. Me këtë rast, janë shkatërruar një numër i madh dokumentesh me rëndësi të madhe për historinë e Kishës, por edhe të popullsisë shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni[29]”.

Kështu ndodhi dhe me qytetin e Tivarit, në Malin e Zi, ku në vitin 1956, janë asgjësuar me urdhër nga shteti i kohës, me anë të djegies, një numër i madh i dokumenteve kishtare me rëndësi shumë të madhe për historinë e vjetër dhe të re të shqiptarëve, për të përjetësuar pushtimin dhe asimilimin e popullsisë shqiptare që jeton në trojet e veta në këtë vend.

Në studimin për Pultin dhe Dioqezën e tij Mark Palnikajt shkruan për zhdukjen e organizuar të dokumenteve kishtare me qëllim të mohimit dhe të falsifikimit të historisë sonë, siç dëshmohet në faqet 334 dhe 335 të librit të Zhan Klod Faveirial Historia (më e vjetër) e Shqipërisë: “Ekzistonin edhe dokumente të çmuara në Manastirin e Shën Naumit, të ndërtuar në shekullin e dymbëdhjetë mbi një kodrinë në jug të liqenit të Ohrit, por ato u shkatërruan me urdhër të patriarkut grek, në vitin 1850 ose 1851. Murgu Serafin, autor i këtij akti vandal, u thoshte, më 1856, peshkopit Popov dhe tre shokëve të tij, një dhjaku dhe dy priftërinjve francezë: “Sa më ka kushtuar për t’i shkatërruar të gjitha këto. Por patriarku më ka urdhëruar tri herë radhazi. Më së fundi ai më shkroi: – është hera e fundit që të urdhërojmë. Nëse në këtë kohë nuk janë djegur të gjitha arkivat, ti do të zëvendësohesh dhe, atë që nuk do ta bësh ti, do ta bëjnë të tjerët. –Vetëm atëherë arrita në përfundimin që të bëja një pirg me to para manastirit dhe t’u vija flakën. Por sa keq më vinte[30]”.

Edhe mbas krijimit të shtetit shqiptar – thuhet në studimin e Palnikajt – banorët dhe kleri katolik i Pultit pësuan një persekutim shumë të madh nga regjimi i Zogut. Dhunimi i popullatës, i kishave dhe i fretërve gjatë masakrës që kryen forcat zogiste në Dukagjin nuk i lë asgjë mangut masakrave më të egra të pushtuesve turq. Sipas shënimeve të fratit Camille Libardit, në vitin 1926, forcat zogiste rrahën dhe plaçkitën pa mëshirë popullin dhe priftërinjtë e pultit, shtëpitë dhe kishat e tyre. Këta barbarë sipas këtij autori “Shumë nëna detyroheshin që t’i fshihnin fëmijët e tyre nëpër të çarat e shkëmbinjve poshtë ujëvarave. Shtatëmbëdhjetë fëmijë u vranë nga këta baballarë shqiptarë të pashpirt që kishin ardhur për të vënë rregull[31]”.

Ky shkatërrim ndodhi dhe në kohën e regjimit komunist në Shqipëri: “Në kohën e regjimit komunist nga viti 1945 deri në vitin 1975 u realizua një mizori e padëgjuar më parë. Në këtë periudhë u masakruan 38 martirë të fesë katolike. Persekutimi islamik i pushtuesit osman, u përsërit krejt njëlloj në kohën e regjimit të Zogut dhe të atij komunist por vetëm me një emër tjetër. Metodat dhe mizoritë qenë të njëjta me ato të pushtuesit turk. U pushkatuan klerikë të pafajshëm, u shkatërruan deri me dinamit kisha dhe monumente të rëndësishme fetare, u shkatërruan edhe rrënojat e kishave dhe manastireve të vjetra, u vodhën dhe u asgjësuan dokumente të rëndësishme për jetën kishtare dhe historinë e kombit shqiptar. Për këto ngjarje janë shkruar një numër i madh veprash dhe nuk kam përse të zgjatem këtu, mbasi ato janë bërë publike dhe janë të njohura për publikun shqiptar dhe të huaj[32]”.

Shkatërrimi i komunistëve shqiptarë u shtri edhe në arkivat, ku ruhet thesare të paçmueshme: “Një dëm jo i vogël iu është shkaktuar këtyre arkivave edhe nga regjimi komunist i instaluar në Shqipëri dhe Jugosllavi në vitin 1945. Mbas vitit 1990, kam qenë vetë dëshmitar i djegies së miliona dokumenteve, që peshonin tonelata, të cilat i kanë shkaktuar një dëm të madh historisë dhe ekonomisë kombëtare shqiptare. Në emër të antikomunizmit, njerëz kriminelë nga veprimtaria dhe mediokër nga kultura, për interesa të ngushta deri në banalitet, kanë djegur dokumente të rëndësisë së veçantë, të cilat kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme për historinë kombëtare[33]”.

* * *

Po e mbyll këtë punim me një mendim të rëndësishëm të vetë autorit të studimit monografik, Mark Palnikajt: “Për mua s’ka rëndësi se kush e shkruan këtë historik (të Pultit e të viseve për rreth – v. ime), e rëndësishme mbetet që e kaluara e ndritur dhe e lavdishme e popullit të këtyre zonave të studiohet dhe të shkruhet me realizëm, në të gjithë fushëpamjen e saj: historike, politike, fetare, sociale dhe kulturore. Duhet të dalin në dritë vuajtjet, sakrifica, qëndresa dhe lufta e vazhdueshme që popullsia e kësaj zone, bënë në të mirë të ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve, të udhëhequr nga prijësit e vet popullorë dhe fetarë[34]”.

Studiuesit e ardhshëm duhet ta ndjekin këtë rrugë dhe ta ndriçojnë edhe më tej njohjen sa më të plotë të historisë së Pultit e të Dioqezës së tij përmes dokumenteve e të dhënave arkivore. Nuk e kanë thënë rastësisht se kush e njeh të kaluarën do ta njohë mirëfilli edhe të tanishmen nga se e kaluara është pjesë e pandashme e të tashmes, ndërsa e ardhmja bëhet nga të dyjat.

Prishtinë, fund gushti 2024


[1] Shih më gjerësisht në studimin tim Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjësive të lashta të jetesës së njeriut tonë. Edhe me parathanë të Fishtës të vitit 1933. Instituti i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve – Shkup, Shkup 2023.

[2] Shih për këtë studimin tim Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Mbi këngët kreshnike shqiptare. “Faik Konica”, Prishtinë 2008 dhe përkthimin në italisht Approccio ai canti albanesi dei prodi. Traduzione di Enina Nishani, Fiorella de Rosa, Orjeta Hashorva. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2010.

[3] Shih veprën time Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe. “Faik Konica”, Prishtinë 2017, sidomos pjesën Hyrje në poetikën e përrallës, f. 229 – 276.

[4] Atë Bernardin Palaj, Mitologji, doke e zakone shqiptare. Zgjodhi, shtjelloi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha. Shpresa, Prishtinë 2000, f. 55.

Shih më gjerësisht për Atë Bernardin Palajn në punimin e Ernest Koliqit: Bernardin Palaj dhe nji poemth i tij i pakryem. Në “Shêjzat” (Le pleiadi), Vjeti XVI, n. 5 – 8, Romë 1972, f. 152 – 181 dhe Angela Cirrincione, Intruduzione. Në Bernardin Palaj, Opere. Volume I, Poesie. A cura di Angela Cirrincione, 1969, f. 1 – 25, sidomos Il poeta, f. 12 – 16.

[5] Sipas disa të dhënave të tjera Dioqeza e Pultit duhet të jetë më e lashtë. Studiuesi Sheldia vjetërsinë e kësaj dioqeze e çon deri në vitin 516 të erës sonë. Ky pohim duhet të dëshmohet edhe me fakte të mirëfillta. Shih Mark Palnikaj, Pulti. Viti 743 – 10 mars 2005. Instituti i historisë “Ali Hadri”, Prishtinë 2017, f. 40.

[6] Mark Palnikaj, Pulti. Viti 743 – 10 mars 2005. Instituti i historisë “Ali Hadri”, Prishtinë 2017, f. 62.

[7] Nikollë Loka, Parathënie. Në Mark Palnikaj, Pulti. Viti 743 – 10 mars 2005. Instituti i historisë “Ali Hadri”, Prishtinë 2017, f. 11.

[8] Sipas autorit Palnikaj, ky relacion, na sjell një të dhënë me rëndësi, e cila tregon se deri në vitin 1628, dioqeza e Shkupit e njohur edhe si e Servisë, nuk e kishte akoma kufirin në lumin Valbona por në Drinin e Bardhë. Shih Mark Palnikaj, Pulti. Viti 743 – 10 mars 2005. Instituti i historisë “Ali Hadri”, Prishtinë 2017, f. 33.

[9] Shih Mark Palnikaj, Pulti, vep. e përm., f. 41.

[10] Mark Palnikaj, po aty, f. 15.

[11] Mark Palnikaj, po aty, f. 16.

[12] Mark Palnikaj, po aty, f. 23.

[13] Mark Palnikaj, po aty, f. 23.

[14] Shih Mark Palnikaj, Dioqeza e Pultit në dokumentet e arkivave të Vatikanit. Muzeu historik kombëtar, Tiranë 2022.

[15] Mark Palnikaj, Pulti. Viti 743 – 10 mars 2005, vep. e përm., f. 17.

[16] Mark Palnikaj, po aty, f. 220.

[17] Mark Palnikaj, po aty, f. 240.

[18] Mark Palnikaj, po aty, f. 242.

[19] Mark Palnikaj, po aty, f. 270.

[20] Mark Palnikaj, po aty, f. 49.

[21] Mark Palnikaj, po aty, f. 67.

[22] Mark Palnikaj, po aty, f. 166.

[23] Mark Palnikaj, po aty, f. 43.

[24] Mark Palnikaj, po aty, f. 79.

[25] Mark Palnikaj, po aty, f. 71.

[26] Mark Palnikaj, po aty, f. 74.

[27] Mark Palnikaj, po aty, f. 46 – 47.

[28] Mark Palnikaj, po aty, f. 20.

[29] Mark Palnikaj, po aty, f. 21.

[30] Mark Palnikaj, po aty, f. 21.

[31] Camille Libardi, Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu, Tiranë 2012, f. 104. Shih Mark Palnikaj, Pulti. Viti 743 – 10 mars 2005, vep. e përm., f. 243.

[32] Mark Palnikaj, po aty, f. 243 – 244.

[33] Mark Palnikaj, po aty, f. 15.

[34] Mark Palnikaj, po aty, f. 14.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.