“Stela e Derrkucit në Via Egnatia”

0
Stela e derrkucit

Auron Tare Auron Tare

Në qindra e qindra histori, që janë shpalosur përgjate Via Egnatias, një nga zbulimet më interesante lidhur me këtë rrugë antike është Stela e Derrkucit. E zbuluar diku përgjatë pjesës, që sot shtrihet në zonën e Greqisë Veriore konsiderohet si një zbulim i veçantë.

Një histori jashtëzakonisht interesante e trashëgimisë kulturore të kësaj rruge. Ajo që e bën këtë stelë kaq të veçantë nuk është vetëm fakti që i është kushtuar një Derrkuci, një dedikim i rrallë ky, pasi duhet thënë se në epigrafinë romake dhe greke, mbishkrimet mortore për kafshë janë të rralla.

Që Stele e tille ekziston për një derrkuc, një kafshë kjo e lidhur zakonisht me ushqimin dhe flijimin na zbulon një dimension tjetër të dashurisë së banorëve antikë me kafshë, jo detyrimisht të lidhura me njeriun si Qeni apo Kali. Mundet edhe ky është një spekulim i imi, që në shoqërinë e udhëtarit mund të ketë pasur fëmijë të lidhur ngushtë me derkucin e vogël.

Disa supozime mbi mbishkrimin:
Derrkuci përshkruhet si “mik i të gjithëve” duke i dhënë personalitet dhe pafajësi. Kjo tregon se sa shumë e vlerësonte i zoti përtej rolit të tij të zakonshëm ekonomik.

Zëri i imagjinuar i derrkucit të gdhendur në gur përshkruan rrugën e tij përgjatë Via Egnatia, duke përmendur vende konkrete Dyrrachiumin (Durrësin), Apolloninë, drejt Emathise (Maqedonia Antike). Pra Derrkuci ynë ka përshkruar rrugën nëpërmes Klodianës Antike (Peqini i sotëm) me shumë siguri, ka pushuar në Bradashesh, ku ndodhet një vend pushimi i mirëfilltë romak dhe nëpërmjet Luginës së Shkumbinit drejt Ohrit. Pra kjo Stele nuk është thjesht një efitaf por edhe një ditar udhëtimi nëpër Vian Egnatia.

Përmendja e “qerres së Phallos-it” lidhet me një festë fetare, ndoshta dionisiane apo të një kulti pjellorie. Fakti që derrkuci ishte një dhuratë për këto rituale, sugjeron ndoshta që udhëtari/udhëtarët po shkonin në një Panair me rëndësi fetare.

Fundi tragjik i derrkucit nga një karro apo qerre përshkruhet me dhimbje.
Vargu i fundit i Epitafit, “Tani shtrihem këtu, pa borxh ndaj vdekjes”, jehon si një mbishkrim mortor për njerëzit. Ai e vendos derrkucin në të njëjtin dimension ekzistencial me bashkëudhëtarin.

Kjo stelë na kujton se udhëtarët e lashtë nuk ishin vetëm ushtarë, tregtarë apo zyrtarë, ata ishin gjithashtu njerëz që pikëlloheshin dhe përkujtonin shokët e tyre të udhëetimeve, qofshin ata me dy apo me katër këmbë.

Epitafi
Një Derrkuc, mik për të gjithë, i ri katërkëmbësh, këtu shtrihem,
pasi lashë pas tokën e Dalmacisë, dhuratë i ofruar,
dhe Dyrrahionin e shkela, edhe Apolloninë,
duke dëshiruar, dhe gjithë tokën e kalova në këmbë i paprekur.
Por nga fuqia e një rrote tashmë humba dritën,
me mall për të parë Emathinë dhe qerren e Phallos-it.
Këtu tani shtrihem, pa borxhe me vdekjen.”

shqipërimi A.V

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.