Sot dhurova mbi një mijë libra për Bibliotekën “Latif Berisha”, në Mitrovicë

0
Hysen Ibrahimi - libra

Mitrovicë, Biblioteka “Latif Berisha” 20 tetor 2025

Hysen Ibrahimi

Roli i bibliotekës në zhvillimin arsimor, kulturor dhe shoqëror

Mbështetja me libra, në funksion të arsimit dhe kërkimit shkencor, përbën një element thelbësor në formimin intelektual të nxënësve dhe studentëve, të cilët i përdorin librat për studime, detyra, projekte dhe hulumtime. Libri mbetet një mjet i pazëvendësueshëm në procesin e edukimit dhe të zhvillimit të dijes.

Për mua personalisht, biblioteka ka një rëndësi të veçantë në jetën arsimore, kulturore dhe shoqërore të individit dhe të komunitetit në përgjithësi. Ajo përfaqëson një qendër të dijes dhe informacionit, që ruan dhe ofron qasje në libra, revista, dokumente, materiale digjitale dhe burime të tjera të njohurive. Përmes kësaj, biblioteka kontribuon në zhvillimin e aftësive kritike, në nxitjen e mendimit të pavarur dhe në përhapjen e kulturës së leximit.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se mbështetja e bibliotekës dhe ndihma në sigurimin e librave përbën një akt të rëndësishëm në ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Bibliotekat janë institucione që ruajnë kujtesën kulturore të një populli, duke përfshirë historinë, letërsinë dhe dokumentet e rëndësishme kombëtare. Librat janë pasqyrë e kujtesës shoqërore dhe mbartin identitetin kombëtar, gjuhën dhe vlerat kulturore të një kombi.

Biblioteka “Latif Berisha” e Mitrovicës, të cilën e vizitova më 20 tetor 2025, përfaqëson një hapësirë moderne dhe të qasshme për të gjithë qytetarët, pa dallim moshe apo statusi shoqëror. Sipas informacioneve që mora, më 2 korrik 2025 kjo bibliotekë e re është përuruar zyrtarisht, duke plotësuar një nevojë të kahershme të qytetit për një institucion bashkëkohor të dijes dhe kulturës.

Vizita ime e parë në këtë bibliotekë kishte ndodhur në qershor 2025, në kohën kur po bëheshin përgatitjet e fundit për përurimin e saj. Gjatë vizitës së tetorit u pritëm me mikpritje të veçantë nga Drejtoresha e Bibliotekës, znj. Mirlinda Beqiri Begu, dhe zonja Selevete Ibrahimi. Drejtoresha më informoi në detaje mbi organizimin e bibliotekës, përfshirë hapësirat përcjellëse, sallat e leximit dhe raftet e librave, të sistemuara me kujdes e estetikë të veçantë.

Në shenjë mirënjohjeje dhe bashkëpunimi, premtova se do të dërgoja një kontingjent librash të botuara nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, gjatë periudhës 2011–2023, kohë gjatë së cilës kam qenë kryetar i kësaj shoqate. Gjithashtu, u zotova të kontribuoj me vepra nga autorë shqiptarë të diasporës si dhe nga biblioteka ime personale.

Drejtoresha më njoftoi se në bibliotekë do të krijohej një këndi i librave nga mërgata shqiptare në Suedi, nismë që e përshëndeta me entuziazëm. Sot, më 20 tetor 2025, ky premtim u realizua përmes dhurimit të kontingjentit të librave, të cilët përfshijnë mbi 1000 ekzemplarë të llojeve të ndryshme. Ky akt përbën një kontribut modest, por domethënës, në pasurimin e fondit librar dhe në forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet mërgatës dhe vendlindjes.

Urime dhe gëzuar.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.