Arben Çokaj
Situata në veriun e Kosovës po tensionohet përsëri, artificialisht. Po e ndihmon nga pak edhe politika patriotike e Albinit dhe Vjosës. Ndërsa furnizimet serbe me mallra për Kosovën nuk kanë qenë asnjëherë në një nivel më të lartë se tani. Pra kemi të bëjmë me një situatë paradoksale, që nuk është e lehtë të analizohet dhe ta ndash të drejtën me thikë, pasi kemi një situatë tragji-komike, sado-masokiste, që ushqehet nga të dyja palët edhe pse serbët kryesisht e kanë fajin kryesor, edhe tani janë shkaku kryesor i këtij tensioni.
Por Kosovës nuk i intereson kjo, prandaj pala kosovare të mos sillet si zagare, të mos shesë pordha patriotike artificiale, por të shikojë që të gjejë mënyrat për uljen e tensioneve e stabilizimin e situatës, se në këtë mënyrë si po veprohet, veriu i Kosovës do e ketë tepër të vështirë të mbetet pjesë e Kosovës, e kjo në një të ardhme jo edhe aq të largët. Ajo që duhet kuptuar nga të gjithë ne, është fakti se, ashtu si Kosova nuk mund të mbahej me zor nga Serbia, ashtu edhe veriu serb i Kosovës, nuk mund të mbahet me zor nga Kosova, këtë e do edhe Serbia, prandaj duhet të mendohen mirë mundësitë dhe opsionet në këtë rast, në bashkëjetesën e serbëve me shqiptarët në atë zonë. Që Kosova të mos e humbë veriun, pasi toka mbetet, njerëzit edhe mund të lëvizin. Kosova duhet të ruajë territorin e saj, se serbët kanë marrë boll, tepër, nga territoret tona ilire. Ata bëjnë presion, se e dinë që shqiptarët lëshojnë një ditë, si Çakorrin.
Para pak javësh, qeveria Kurti ua pagoi serbëve në veri edhe 32 milion Euro për rrymën e ujin, se serbët e veriut janë ‘lopët indiane’ të Kosovës. Mbivlerësimi që u është bërë atyre, i ka llastuar ata, e prandaj ata kërcejnë përpjetë, se nga njëra anë i joshë dhe i mbështetë Serbia e nga ana tjetër, Kosova po sillet sikur po ‘dhitet’ që t’i ketë ata si pjesë e shoqërisë së saj, kur realisht as nuk don me i pa me sy. Atëherë si mund ta racionalizojmë këtë situatë? Nuk është aspak e thjeshtë dhe nuk ka formulë magjike, kur dihet se serbët do të jenë gjithmonë ‘delja e zezë‘ e shtetit të Kosovës. Krijuesit e përhershëm të problemeve në Kosovë. Si mund të shmanget kjo bombë në shoqërinë kosovare? Se edhe ndërkombëtarët mund të lodhen një ditë… Duke i lënë serbët në punë të vet, të mos tregohet shumë kujdes e interes për ta, e as të diskriminohen. Nëse duan, ata mund të jetojnë në tokën e Kosovës, meqë kanë ardhur aty, nëse jo, rrugën e dinë. Por territori është i Kosovës. Kjo është racionale. Se po i llastove, ata bëjnë si të rëndësishëm… Apo nuk e kanë idenë se janë popull hyjnor?! Popull i leshit, si gjithë tjerët janë, prandaj të mbledhin mendtë!
Duhet gjetur një mënyrë për t’u marrë vesh me serbët. A është e mundur kjo? Kur dihet se serbët i pranojnë marrëveshjet, vetëm kur ata dominojnë dhe u intereson atyre… Nuk është e lehtë të merresh vesh me serbët, por na kanë hyrë në vath. E nuk mund t’i shmangim dot. Si t’i racionalizojmë ata, atëherë? Duke u treguar të kujdeshëm dhe duke fituar kohë. Duke e zhvilluar Kosovën, forcuar ushtrinë dhe policinë dhe duke mos lënë varësi të panevojshme ndaj Serbisë, si me furnizimet e deritanishme etj. Ky do të ishte patriotizëm real, e jo me llafe si deri tani. Dhe duke mos shitur pordha të mëdha patriotike, sidomos kur policia e Kosovës nuk e ka ende as edhe një helikopter. Pra, të jemi realistë!
Duhet të krijohen disa parakushte, që serbët të kuptojnë se Kosova ka shtet e atë shtet duhet ta pranojnë edhe serbët e Kosovës, nëse duan të jetojnë aty, ose nëse nuk u pëlqen, mundësinë e kanë të shkojnë në Serbi. E mos të rrinë aty në Kosovë, sa për të krijuar probleme gjithmonë, se kështu nuk shkon. Të drejtat e serbëve duhet të garantohen ashtu si garantohen të drejtat e pakicave kombëtare në rajonin tonë, të mos pretendojmë për mrekulli, sidomos tani në fillim. Serbët nuk janë ‘lopë indiane’. Duhet të rriten.
Serbia do të synojë t’i përdorë serbët e veriut gjithmonë si shkaktarë të trazirave, që të dëmtojë reputacionin dhe sigurinë e shtetit të Kosovës. Por nëse Serbia synon trazira e vazhdon të kërkojë veriun, pra shtete etnikisht të pastra në Ballkan, e kjo nuk është e mundur të përballohet nga Kosova, atëherë kosovarët duhet t’ua bëjnë të qartë Serbisë, se asnjë serb nuk duhet të mbesë në Kosovë, të ikin të gjithë. Edhe priftat e manastirit të Deçanit… Ose të mbledhin bythën!
Rama me kërkesë nga BE e SHBA si duket, ka ardhur duke u afruar me Serbinë dhe me Vuçiqin, që nga fillimi i mandatit të tij të parë. Tensionet me Serbinë janë ulur, por duke u kritikuar nga opozita dhe nga kosovarët e nacionalistët, Rama ka dalë në pamje sikur ka dashuri të madhe për Vuçiqin, dhe kjo nuk na shërben edhe aq, edhe pse Rama ka shikuar interesat e tij dhe të Shqipërisë në këtë kontekst. Në fakt Rama po bën atë politikë të fqinjësisë së mirë me Serbinë, duke i dhënë Vuçiqit luksin e trajtimit si çdo fqinj tjetër, pra, në një farë mënyre edhe duke e rehabilituar atë për krimet e mëdha, që serbët kanë bërë historikisht ndaj popullit shqiptar. Por në fakt, kështu është pajtimi. A duhet ne të pajtohemi me serbët e si? A u kihet besa serbëve? Ky është problemi. Ne nuk duhet të harrojmë, por as të mbetemi peng i të kaluarës.
Rama bën edhe gafa të mëdha, me idenë se një artisti në politikë i lejohen këto gafa, si aktotit Zelensky në Ukrainë, duke thënë së fundi se Jugosllavia ishte më e mirë se BE. E si mund të ishte, kur i persekutoi shqiptarët?! Me këtë Rama tregon edhe injorancën e tij të madhe në këto punë dhe mungesën e theksuar të seriozitetit.
Kosova nga ana tjetër nuk e ka luksin ta trajtojë Vuçiqin si Rama. Edhe pse politika e do, t’i thërrasësh derrit dajë, që të shmangësh konfliktet, e të mos veprosh me zhabë si Bajromi – Bismarku i Kosovës. Mirë do të ishte që Kosova t’i shihte gjërat në një dinamikë tjetër, të sillet si shtet dhe të shohë interesat shtetërore edhe me Serbinë e Rusinë, e jo të sillet emocionalisht e me ndjenja folklorike në politikë, ku nga njëra anë e urren Serbinë e Rusinë dhe nga ana tjetër furnizohet me produkte kryesisht nga Serbia! Kjo nuk shkon. Duhet të luhet një politikë më e balancuar e në intetres të shtetit të Kosovës, por kjo do dije që e dominon zhabën, barkun emocional. Me emocione humbasim më shumë.
Duke forcuar shtetet tona, e sidomos Kosova, duke e forcuar ushtrinë e policinë dhe duke i pajisur ato me mjetet më të fundit moderne e pajisje fluturuese e luftarake, Kosova tregon si Izraeli, që ëndërron Uk Lushi ta shohë Kosovën një ditë, e kam frikë se do të vdesë i zhgënjyer. Kosova muslimane nuk bëhet kurrë Izrael. Por mund të bëjë më shumë! Mund të bëjë aq sa të jetë shtet serioz e të merret seriozisht.